Fillimi i fundit i “maoistëve” kosovarë

30 Maj 2014 - 09:20 - Halil Matoshi      

Shmangie nga drejtësia dhe negociimi i saj, kapja e shtetit nga një organizatë kriminale e ka katandisur Kosovën buzë ambisit – afër dështimit të shtetit. Botimi i raporteve të shërbimeve inteligjente të NATO-s dhe atij zviceran, pikërisht tani është mesazh i qartë se demokracitë që e mbështetën lirinë e Kosovës nuk duan më një shtet të kapur nga strukturat kriminale-mafioze, por duan që ai t’u kthehet qytetarëve kosovarë, të cilët duhet lënë të lirë për të ndërtuar institucione kredibile e të përgjegjshme

Sipas Mao Ce Dungut (teorik dhe lider i revolucionit kinez) në luftën për liri ekziston vetëm një rrugë: ajo e revolucionit. “Pushteti i mirëfilltë buron nga tyta e armëve.” Këtë frazë (të vetmen që LPK-ja e ka përtypur me dekada) e kishin marrë të mirëqenë eksponentët që veten e kishin ngritur në strukturë drejtuese të luftës çlirimtare në Kosovë – shumë vonë, tek në vitin 1998-1999, sipas një raporti të Inteligjencës zvicerane - porse ky nuk ishte betimi i ushtarëve trima në terren, të cilët ia bënë argatin atdheut dhe u tërhoqën në jetën civile.

Kjo lëvizje me ideologji të qartë të ekstremit të majtë pos rolit në luftën çlirimtare me këtë hov ia dha vetes edhe të drejtën revolucionare, të marrjes së pushtetit politik, me metoda të kombinuara mes dhunës dhe fabrikimit të votës qytetare, duke u fshehur pas pretendimit se synon ndërtimin e shtetit demokratik e të mirëqenë. Maoizmi i kësaj kaste u dëshmua sidomos pas luftës në Kosovë, kur “zjarri dhe hekuri” i “revolucionit” ashiqare u drejtua kundër kundërshtarëve politikë (kryesisht ndaj LDK-së) e për ta dominuar shoqërinë kosovare politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, me terror dhe propagandë, me lajme të rreme e konspiracioniste. Për t’u shndërruar në fund në karikaturë të një diktature të veshur me petkun e demokracisë! Kjo strukturë politike, së fundi e identifikuar me SHIK-un, pas kapjes së institucioneve politike, TMK-së dhe Policisë së Kosovës, Doganave dhe Agjencisë së Inteligjencës, i qartësoi mësymjet e veta drejt kapjes së shtetit kur e mësyu edhe pushtetin kulturor, si: Universitetin publik, Televizionin publik, Teatrin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare, Filarmoninë, Qendrën Kinematografike... Dhe këta njerëz duke mos pasur ndonjë vetëdije të shquar për veten dhe të tjerët, për shtetin dhe drejtësinë, për liritë qytetare dhe të drejtat e njeriut, thjesht pa pasur ide se si funksionon një shoqëri e lirë, iu turrën shtetit dhe të mirave materiale të tij – pra pasurive kombëtare – për t’i shtënë në dorë.

Që në nëntor të vitit të kaluar James Rubin me kast u pati dhënë ish-miqve të tij të gueriles kosovare (UÇK) një mesazh të sinqertë: “Ikni sa nuk u ka shkuar fytyra!” Por ai nuk u kuptua drejt, madje dikush që ndihet mbi shtetin mund ta ketë tallur. Aktorët që i ndërlidhin institucionet e shtetit me krimin e organizuar nuk e dëgjuan fjalën prej miku, duke e pandehur veten shumë të fortë po aq sa të paskrupullt. Dhe në vazhdën e dominimit të shoqërisë kosovare, segmentet e LPK-së të rigrupuara kryesisht në PDK dhe më ngushtë, në “Klanin Pronto”, po e mësyjnë edhe mandatin e tretë qeverisës, këtë herë me mision të ri: Zhvatjen e Fondit të Privatizimit dhe të Trustit Pensional, që megjithatë do të mbetet hajni në tentativë. Sepse aleatët e fuqishëm të Kosovës nuk do ta lejojnë këtë strukturë kriminale që t’i zhvoshë kosovarët edhe nga centi i fundit që u ka mbetur.

Nëse një kastë politike, e cila për dy mandate rresht abuzoi arkën e shtetit, duke u zhytur në korrupsion gërryes, duke punësuar në Qeveri dhjetëra e mija njerëz pa dije dhe pa kompetencë (pasi që një diplomë fakulteti apo një titull akademik si master apo doktor shkence u bënë lehtë të qasshme, meqë kjo strukturë politike e kapi tashmë edhe Universitetin Publik), të cilët kryesisht përkasin në korpusin që teoria politike e cilëson si “analfabetët funksionalë.” Ata u dëshmuan thjesht njerëz pa dashuri, pa moral qytetar dhe pa kurrfarë emocioni për atdheun e tyre, për të cilin gërvallen nëpër foltore institucionesh dhe oda katundesh se paskëshin luftuar. Sidoqoftë, Rubin nuk i preu n’besë, ua kumtoi të vërtetën, se koha e tyre në politikë ka përfunduar. Atëbotë kryeministri i vendit Hashim Thaçi akuzoi gazetarët se e paskëshin keqinterpretuar Rubinin.

Dhe tashti, gjashtë vjet pas pavarësimit të vendit, asnjë zyrtari të BE-së (sidomos jo gjermanëve) nuk i shkon mendja më të fotografohet me eksponentë të UÇK-së, nëpër zyrat e Prishtinës, sepse ashiqare ata e dinë se shumica syresh kanë abuzuar pushtetin politik, duke vrarë dhe zhvatur njerëz, duke kërcënuar dëshmitarë gjyqi e kundërshtarë politikë, duke uzurpuar prona dhe duke u pasuruar nga zyrat publike. Duke shmangur drejtësinë dhe duke synuar negociimin e saj, duke u mbajtur në pushtet me shantazh e duke qenë vetë të shantazhuar, afërmendsh duke e drejtuar shtetin drejt dështimit. Ndonëse ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Fede Ursula von der Leyen, vizitoi trupat që “komandon” në Kosovë, ajo nuk e takoi asnjërin nga Qeveria kosovare. Një shmangie të tillë Ambasada gjermane e “zbuti”, duke thënë se asaj i dolën do punë tjera. Ndoshta për të mos i kënaqur armiqtë e Kosovës, që do të thoshin: Edhe gjermanët i braktisën kosovarët!? Tashti, me të njëjtin cinizëm Thaçi dhe eksponentët tjerë heshtin para furtunës, kur shteti u gjunjëzua para individëve të fuqishëm nga PDK-ja.

Shteti nuk ishte i sulmuar nga një forcë e jashtme. Shteti vetë e krijoi imazhin e arratisjes, ndonëse e dinte saktë se ku i ka lënë të akuzuarit. Sepse ky lloj shteti kakistokratik e mbron prototipin e vet. Beson në kauza të tilla banditeske. Ministri i Drejtësisë në largim, Hajredin Kuçi, me qasje po aq banditeske, edhe pse drejtues i resorit që menaxhon burgjet kosovare, ato ditë kur luhej drama në QKUK deklaronte se ai s’di gjë dhe se nuk mund të ndërhyjë në drejtësi. Kurse vetëm një javë më pas, në kulm të hipokrizisë, ai deklaron se ka nisur një hetim të brendshëm për sistemin korrektues!?

Dhe së fundi, pas publikimit të raporteve të Inteligjencës së NATO-s në “Koha Ditore”, zëdhënës të atyre që akuzohen për implikime në krimin e organizuar po thonë se NATO-ja ka spekuluar, se ato nuk janë të vërteta dhe se protagonistët na qenkan aq paqësorë e të përkushtuar për shtetin e së drejtës dhe aq të ëmbël nga goja, e miqësorë nga doka, saqë do t’ua kishte lakmi edhe një Mahatma Gand’hi!? E po, të shpërdorosh fondet publike për shtatë vjet më radhë (buxhetin e shtetit) të mos e përdorësh atë me nikoqirllëk dhe t’i japësh vetes të drejtën që t’i fusësh në dorë edhe ato pak para që janë në pronësi të qytetarëve kosovarë, si Fondi i Privatizimit dhe Trusti Pensional (mësyhet kapja e 30% të tyre sipas ligjit), kjo është tendencë e hapur për plaçkitje të qytetarëve nga kasta politike, së cilës, pos një klientele (anëtarësie militante) nuk i beson më askush normal në këtë vend.

Një Qeverie që e ka dëmtuar buxhetin e shtetit prej 1.5 miliardë, t’ia besosh edhe centët e fundit që të kanë mbetur (të garantuara ndërkombëtarisht) kjo do të thotë çmenduri, për më tepër vetëvrasje kolektive!? E tash, zgjidhni! Në anën tjetër, që nga paslufta e këtej, pra për 15 vjet, nën drejtimin e kësaj klase politike, janë punësuar vetëm 270 mijë njerëz, e po cili i marrë do t’i besojë kësaj kaste politike të përbërë nga qytetarët më të ligj (kakistokraci), se për katër vjetët e ardhshëm do t’i punësojë po kaq qytetarë!? Dhe tashti, me “misionin e ri” do ta bëjë këtë!? Fondi i Punësimit prej 1.5 miliardë eurosh do t’i shërbejë “Klanit Pronto” për t’i larë borxhet ndaj klienteles, për ta shpërblyer SHIK-un dhe militantët partiakë, për punësimin e tyre preferencial, për punësim selektiv partiak, Qytetarët e varfër kosovarë kurrë s’do të shohin hair nga kjo mesele. Natyrisht se raportet e Inteligjencës së NATO-s nga prizmi i sotshëm duken cinike, sepse kjo kastë atëbotë ishte e fuqishme në terren dhe bashkësia ndërkombëtare ka dashur t’i kryejë punët e rënda me ta, duke i pandehur si elementë të rrezikshëm për stabilitetin e brendshëm.

Mirëpo ja që tashti Perëndimi synon t’i flakë nga pushteti. Mesazhe të tilla nuk erdhën vetëm nga Rubin, por edhe nga Bundestagu gjerman. Anëtari i Parlamentit gjerman, Michael Brand, nga partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka thënë se për Kosovën dyert drejt Evropës janë të mbyllura për ata që mbështesin korrupsionin dhe krimin. Michael Brand ka folur me neveri edhe për kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi dhe rrethin e tij për përfshirje në veprime të paligjshme. “Pozicioni gjerman është i qartë si loti: dera për në Evropë është e mbyllur për ata që qëndrojnë pas krimit dhe korrupsionit. Kush e mbështet korrupsionin, nuk mund të llogarisë në mbështetjen tonë. Për BE-në dhe NATO-n vlen: Kush dëshiron të ndalojë përhapjen e mëtejme të strukturave kriminale, duhet të ketë kurs të qartë. Ne duhet dhe do ta mbrojmë veten dhe të tjerët nga kanceri politik i korrupsionit dhe i krimit...“ Epo të kota janë të gjitha kambanat e kësobotshme për një të shurdhër, që me shurdhëri të trishtë ruan pushtetin e tij personal. Në të gjitha luftërat për liri, impresiv është fundi.

Fundi i kësaj lufte në emër të lirisë e kundër saj po afrohet. Pas të gjitha luftërave të armatosura dikush duhet të përkujdeset që ta fitojë paqen. Impresionon përherë luftëtari modest dhe i heshtur, i cili nuk krekoset si këta rrahagjoksët kosovarë, porse luftës së tij për paqen i jep kuptimin e patriotizmit ligjor. Punon për vete dhe familjen, paguan taksat, respekton ligjet dhe këqyr punët e veta! Natyrisht edhe mbikëqyr e kritikon Qeverinë për të mos e lënë të gabojë! Porse atyre që e materializuan skajshmërisht pas luftës aktin e të luftuarit për liri, duke e marrë me zor jo vetëm pushtetin politik por edhe gjënë e gjallë dhe pasuritë kombëtare, sipas një ligji të pashkruar që buron prej një lloj drejtësie hyjnore – thasët me para do t’u ikin nga duart, sepse i kanë haram, e qysh po shihet, do t’ua hanë avokatët dhe mjekët!?

E shteti i dështuar e ka vetëm një shpjegim dhe një adresë: Segmentet kriminale të PDK-së që Kosovën nuk e paskëshin dashur kurrë. As njerëzit e saj. Kosovën e kanë dhunuar! E kanë bërë gërdallë, si një pemë të ngrënë. Po e lënë gërdhajë! E tashti, thjesht, Perëndimi po do që qytetarët e Kosovës të mos frikësohen më. T’u çilet goja dhe t’u hapet mendja për një përpjekje prej feniksi, për ringjallje. Dhe të japin, më në fund, një votë për një shtet normal. Ku askush s’është mbi ligjin dhe askush nuk i nënshtrohet hakmarrjes.
© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...