Kryeministër, a e di se ekziston e drejta për lumturi!

26 Dhjetor 2014 - 08:35 - Halil Matoshi      

“Vetëm ne mundemi” – ishte slogani i LDK-së dhe i Isa Mustafës, aktualisht kryeministër i Republikës, nga fushata parazgjedhore për zgjedhjet e tetë qershorit 2014, kurse motoja e PDK-së përkatësisht e Hashim Thaçit – kryeministër aktual i Punëve të Jashtme (Sic!) ishte “Misioni i ri - Fondi i punësimit” dhe tashti kur këta dy burra u akomoduan në pushtet ka nisur shpopullimi i vendit si në ditët më të trishta të Kosovës në vitet ’90. Pra ata sikur po u thonë qytetarëve: “U kemi thënë se vetëm ne mundemi ta zbrazim Kosovën – shikojeni – se si po e mbajmë premtimin…”

Kosovarët po ikin nga atdheu i tyre, që s’është ndonjë vend në të cilin ia vlen të jetohet.
Dhe kanë të drejtë të ikin, sepse Republika nuk u ofroi lumturi.
Prandaj s’ka ligj që i ndal, qytetarët e gëzojnë lirinë e lëvizjes së lirë, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

Ju zotërinj, kryeministër e ministra, komandantë policie dhe nëpunës të tjerë të shtetit, nuk mund të luani me ndjenjat e qytetarëve të pashpresë.
Thjesht nuk mund t’i ndalni ata me zor që të mos ikin nga vendi të cilin e keni zapue!?
Policia që e komandoni ju nuk ka të drejtë t’i nxjerrë si lecka nga autobusët në Merdar dhe t’i kthejë mbrapsht, njerëzit që luftojnë ta realizojnë të drejtën e dëshirimit, kërkimit të lumturisë!
Ku e keni lexuar që ua jep ligji këtë të drejtë?

Së këndejmi qytetarët ia kanë besuar lirinë e tyre ligjit!
Pa një lidhje shpirtërore me tokën dhe lirinë që i besohet ligjit, nuk do të kishte patriotizëm (madje as kryengritje për çlirim) dhe hiç se hiç patriotizëm qytetar dhe kushtetues.
Ky lloj patriotizmi i shtetit po i mungon tani Kosovës, sepse nuk ka shtet që në themelet e veta nuk e ka frymën patriotike, lojalitetin dhe besnikërinë, pra shteti kosovar nuk do të bëhej pa këtë lloj patriotizmi, E si është e mundur që sot të jetë zbehur apo zhdukur fare ky patriotizëm?

Klasa politike e ka konsumuar shpejt, për nevoja të pushtetit personal dhe e ka shteruar këtë lloj patriotizmi, pa prodhuar vetë asnjë fije që i lidh themelet e këtij shteti me shtetasit, që duan një punë, që duan një strehë, shkollë më të mirë e shërbime më cilësore, që duan barazi para ligjit dhe mbi të gjitha që e ndjekin ëndrrën e tyre jetësore – të drejtën për lumturi!?.
Nëse përdorim një gjuhë cinike, në këtë vend nuk ka më asgjë racionale, prandaj nga ky këndvështrim, marrëveshja mes PDK-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës është ideale.

LDK-ja ia shpërlan fytyrën dhe paratë e pista (krimet) PDK-së, kurse vetë fitoi “një asht” që do ta gërryejë deri në “Zanzibar 2-shin” eventual…
PDK-ja dhe LDK-ja, të dyja së bashku, do t’ia gërryejnë ashtin vendit të tyre të mjerë, që quhet Republika - për faqe të zezë - e Kosovës.
Përderisa kryeministri i vendit, Isa Mustafa, mburret me veten dhe me të kaluarën e tij, a mund të mburret edhe me drejtimin që ka marrë vendi?

Nëse ai është cituar drejt nga mediet të ketë thënë se në vendin të cilin ai e udhëheq janë në mjerim të thellë edhe ata që e kanë një punë, e lëre më ata që asnjëherë nuk janë punësuar, atëherë vërtet nuk më ka rënë të lexoj fjali më çorientuese!?
Po kryeministri pasi mori postin nga pararendësi i tij pati deklaruar se “do të stabilizohet papunësia”, që i bie se nuk do të rritet numri i të papunëve, por ata që janë të papunë kurrë s’do ta marrin atë.

Derisa ai gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e tetë qershorit premtonte 150 mijë vende të reja pune, ndërsa tashti angazhohet për ta stabilizuar papunësinë, këto janë deklarata të çoroditura.
“Freedom from want” – Liria e të dëshiruarit, e të kërkuarit, thjesht "liria nga të doni", në thelb është më qenësorja prej katër lirive që i promovoi presidenti amerikan, Franklin Delano Roosevelt, më 6 janar 1941, në fjalimin e tij inaugurues.

Kjo do të thotë të jetosh në një situatë ku njeriu nuk ka për t'u shqetësuar për gjëra të tilla, si vakti i ardhshëm po vjen, a ka për të ngrënë e pirë, se si ai mund ta veshë veten dhe fëmijët e tij, ose si të ketë një kulm mbi kokën e tij.
"Want" - ‘me kërkue’, në këtë kontekst i referohet varfërisë së skajshme, siç është përjetuar nga shumë njerëz në botën e tretë.
Roosevelt foli për katër liritë që duhej t’u ktheheshin amerikanëve dhe tërë njerëzimit: Liria e fjalës, liria e besimit, liria e dëshirimit (ose liria ekonomike) dhe liria nga frika, që janë gur themeli i një shoqërie të lirë dhe të denjë njerëzore.

Mirëpo lidhur me temën e azilit “Freedom from want” – Liria e të dëshiruarit, e të kërkuarit, thjesht "liria nga të doni", në thelb është më qenësorja.
Kjo do të thotë të jetosh në një situatë ku njeriu nuk ka për t'u shqetësuar për gjëra të tilla, si vakti i ardhshëm po vjen, a ka për të ngrënë e pirë, se si ai mund ta veshë veten dhe fëmijët e tij, ose si të ketë një kulm mbi kokën e tij.

"Want" - ‘me kërkue’, në këtë kontekst i referohet varfërisë së skajshme, siç është përjetuar nga shumë njerëz në botën e tretë.
Pamjet mjeruese që po vijnë nga një kamp refugjatësh kosovarë në Hungari ose nga kampet e refugjatëve në Francë e Gjermani, sikur ua prishën renditjen fjalëve të bukura të zyrtarëve qeveritarë, për 150 apo 200 mijë vende të reja pune, për liberalizimin e vizave që është dashur të ndodhë sipas ish-kryeministrit HTH parvjet, vjet ose të paktën sivjet – e tashti – ministri i ri i Integrimeve po thotë deri në fund të vitit 2015!?

Nëse një Qeveri nuk mund të ofrojë lumturi për njerëzit (shtetasit), së paku të mos provojë t’i denigrojë ata që marrin udhët e botës në sy, duke i ndjekur me polici, nëpër vendkalime zyrtare kufitare, duke dhënë urdhra të paligjshme për nxjerrjen e tyre nga autobusët, sepse askush nuk e dëshiron ikjen nga plangu e shtëpia, pa ndonjë zor dhe askush nuk e ka të drejtën që t’ua kufizojë qytetarëve në kushte paqeje lirinë e lëvizjes.

Njerëzit e kanë të drejtën, sado e padukshme dhe e painstitucionalizuar në këtë shoqëri, por të cilën nuk mund t’ua marrë asnjë Qeveri, lirinë për me dëshirue.
Secila fjalë e kësaj Qeverie që merr gjithçka për vete e s’jep asgjë për shtetasit, në adresë të azilkërkuesve kosovarë është hipokrite, madje cenon rëndë dinjitetin dhe integritetin e njerëzve të braktisur nga shpresa.

Kosova, sipas agjencive të OKB-së, është vendi i pestë në botë për numrin më të lartë të azilkërkuesve, pas Afganistanit, Sirisë, Irakut dhe Kinës.
Kurse zyrtarët qeveritarë të Kosovës po duan që me masa policore dhe duke i fyer qytetarët e vet t’i mbajnë “dhunshëm” në shtëpi, duke ua marrë të drejtën për të kërkuar lumturinë e tyre, që besojnë se do ta gjejnë duke lypur azil e që është sinonim për një minimum qytetërimi...

Sipas “Riinvestit” 45% e popullsisë në Kosovë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë kurse 18% të tjerë jetojnë me më pak se një dollar në ditë.
E ku do t’i çojë këta njerëz Qeveria kosovare, nëse me masa policore, me task forca e me propagandë turbonacionaliste ua ndalon “ikjen” nga atdheu?
Vetëm nëse synon që t’i punësojë të gjithë në Qeveri, si zëvendësministra!?

Kosova i ka aktualisht rreth 100 mijë zyrtarë publikë dhe sipas këtij trendi të numrave të mëdhenj, për çdo vit Qeveria punëson në zyrat e saj (në të dyja nivelet e pushtetit) rreth 7 mijë veta, kryesisht militantë partiakë pa profesion dhe kryesisht të nivelit të analfabetëve funksionalë!?

Kështu që Qeveria megalomane e Kosovës del të jetë punëdhënësi më i madh në vend, mirëpo pikërisht këta nëpunës shteti që nuk prodhojnë asgjë, porse vetëm gërryejnë arkën e shtetit, po shndërrohen në shtetvarsës.
Në anën tjetër për kryeministrin Mustafa ekzistuaka një shkop magjik që do ta ndalë shpopullimin.

“Kjo LDK si udhëheqëse tashmë e Qeverisë, do t’u krijojë kushte qytetarëve të Kosovës që të mos e lëshojnë vendin” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, Bekim Çollaku, ministri për Integrim Evropian i Republikës së Kosovës, gjatë një takimi me ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, është angazhuar për nevojën e krijimit të një task force në nivelin më të lartë të Qeverisë për ta penguar migrimin ilegal në rritje.

“Trendi në rritje i migrimit ilegal duhet të ndalohet, sepse në të kundërtën Kosova mund ta rrezikojë procesin shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave“ – ka thënë ministri, i cili nuk e di se në kushtet e lirisë dhe demokracisë nuk ka kurrfarë mekanizmi ligjor që mund ta ndalë migrimin dhe hiç se hiç me masa policore.
Migrimi ndalet vetëm dhe ekskluzivisht me masa zhvillimore, ministër.
Së këndejmi Qeveria e Kosovës duhet të shpikë “revolucion ekonomik” qoftë edhe prej lloçi, ose do të detyrohet që me dekret t’ua heqë lirinë e të dëshiruarit, ëndrrën e jetës dhe lirinë e lëvizjes shtetasve?

Dhe, nëse në themelet e saj BE-ja e ka intencën për me qenë shtëpi e përbashkët dhe e deterritorializuar , atëherë, t’i përbuzësh, t’i detyrosh fatkëqijtë ëndërrimtarë, me polici që të mos ikin, por të rrinë këtu, është sikur t’i mbash ata në një kamp të rrethuar me tela, policë dhe qenë. Pikërisht sikur në pamjet e kampeve hungareze dhe franceze ku janë katandisur mijëra kosovarë.
Megjithëse, në krahasim me cilësinë e jetës që disa shqiptarë kosovarë, dhe sidomos romët kosovarë e kanë në shtëpitë e tyre në Kosovë, kampet hungareze, franceze dhe sidomos ato gjermane duken si hotele.

Thirrjet e zyrtarëve publikë që azilkërkuesit do të “ndalen” me masa policore janë jo vetëm shkelje e lirisë së të dëshiruarit, por këmbë e krye edhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut, ndërkaq t’u thuash këtyre njerëzve fatkëqij që ta duan atdheun e tyre, sepse nëse lypin azil e dëmtojnë imazhin e tij në botë dhe se e bëjnë të pamundshme marrjen e liberalizimit të vizave, është jo vetëm hipokrizi, por edhe krim me paramendim.

Kosova rrezikon t’i vihen kushte shtesë për procesin e liberalizimit të vizave dhe në këtë ndikon numri i madh i qytetarëve që po kërkojnë azil në vendet evropiane.
Pos së drejtës së të dëshiruemit, është e drejtë njerëzore, që çdo person të jetojë i lirë nga persekutimi ose frika e persekutimit në bazë të racës, fesë, kombësisë, përkatësisë grupore apo orientimit politik.

Edhe pse çdo qeveri është e obliguar t’i sigurojë këto të drejta të patjetërsueshme, shumë shpesh ato dështojnë.
Plot 20 vjet nuk kam kaluar andej nëpër Serbi (e kam pasur një fletarrestim më 1990) pos një udhëtimi të dhunshëm (si peng lufte më 1999 në kampin e përqendrimit “Zabella” të Pozharevcit, dhe kurrë s’e kam dashur turbofolkun, mirëpo të përpiqeshin të më kthenin në vendkalimin zyrtar të Merdarit, kjo s’do t’u kalonte kurrë!
S’do t’u kalonte, sepse do t’u thosha thjesht se po shkoja në akëcilën kafehane të Prokuples, Nishit apo Beogradit të dëgjoj tek këndon Ceca Veliçkoviqi – e veja e kriminelit Arkan!?

Zyrtarët policorë duhet ta kenë të qartë se në kohën e menaxhimit të integruar të kufijve (si projekt i BE-së), lirisë së lëvizjes dhe së drejtës së dëshirimit, vetëm pyetja se ku shkon akëcili qytetar është e paligjshme dhe arbitrare, e lëre më t’i zbresësh qytetarët e lirë nga autobusët dhe t’i kthesh dhunshëm në shtëpi!?

Prandaj, zoti kryeministër, keq e ke nisur!

Të jesh kryeministër në një vend që kalon ditët më të mira të mirëqenies, paqes e lulëzimit të të drejtave civile e të njeriut është nder dhe mburrje, kurse të jesh kryeministër në një vend të mjerë, dhe mbi të gjitha të pashpresë, kjo të siguron shumë pushtet personal e lukse, por njëherësh ti s’ke as krenari as dinjitet!
Dhe duhet ta dije se ata që drejtojnë shtetet e mjera përfundojnë rëndom palavdishëm!
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...