Denigrimi i fesë së tjetrit mund ta shpërbëjë shoqërinë

10 Qershor 2016 - 08:25 - Halil Matoshi      

Në shoqëritë demokratike, liritë fetare janë të garantuara, kurse feja është e ndarë nga shteti dhe kushtet e ushtrimit të këtyre lirive i përcakton Kushtetuta e një vendi e jo kleri, as lëvizjet e ndryshme politike, porse as gazetarët. Së fundi ka shpërthyer një gjuhë denigruese e disa gazetarëve ndaj kosovarëve myslimanë dhe fesë islame, duke e ndërlidhur me terrorizmin global, ekstremizmin dhe fashizmin, që shprehet përmes idesë së Kalifatit, si dinamikë e jashtme e që s’ka të bëjë asgjë me Kosovën...

Liria fetare është një ndër shtyllat qenësore të një demokracie, krahas lirive tjera të njeriut dhe atyre civile, si liria e të dëshiruarit (liria ekonomike), liria e shprehjes dhe liria nga frika.
Porse në një shoqëri të lirë edhe ata që nuk besojnë, pra ateistë, deistë e agnostikë kanë po aq të drejtë të manifestojnë idetë e tyre në publik, porse kjo nuk u jep të drejtë të kthehen kundër atyre që besojnë, por lirshëm të shprehen kundër dogmës fetare...

Shteti modern priret nga shekullarizimi e jo nga teizmi, sepse shteti si strukturë shoqërore nuk është i krijuar nga Zoti, por nga nevojat njerëzore për të siguruar pronën private dhe jetën e njeriut, prandaj çfarëdo interferimi i klerit në shtet me pikëpamjet teiste e bën shtetin të paaftë për të ndërmjetësuar në raportet ndërnjerëzore - si strukturë që e mban të ndërvarur një strukturë tjetër shoqërore siç është populli apo kombi - sepse shteti fetar do të lakmonte të shndërrohej në një strukturë hyjnore, e cila megjithatë nuk do ta kishte të drejtën e organizatës që e ka monopolin për përdorimin legjitim të dhunës siç thotë Maks Weber-i.

Në anën tjetër posaçërisht islami doktrinar (i përdorur për qëllime ekspansioniste politike të Kalifatit) është dëshmuar se asnjëherë nuk mund t’i pajtojë udhëzimet e Librit të Shenjtë, Kur’anit, me listën e dëshirave të një demokracie dhe ky është problemi thelbësor në raportet e vendeve myslimane me demokracinë perëndimore – përkatësisht në këtë rrafsh qesin krye telashet e të jetuarit me tjetrin, ndonëse Kur’ani thërret për respektimin e tjetrit dhe fesë e bindjeve të tjetrit – duke e pranuar tjetrin/tjetrën në të njëjtën bashkësi politike.

Në thelb, islami ofron zgjidhje radikale – nuk mund të ketë shtet të mirë, nëse ai nuk udhëhiqet sipas parimeve të Sheriatit përkatësisht të së drejtës hyjnore.
Pra të quash islamin radikal nuk është ofendim, sepse është i tillë dhe vetë shprehja nuk është damkosje.

Porse shprehjen ‘islam radikal’ mendoj se duhet zëvendësuar me atë islam politik, ngase ashiqare, kur flitet për rrethanat e Kosovës, më lehtë kuptohet ekstremizmi si agjendë e jashtme dhe jokosovare nëse shpjegohet me terma të politikës, ngase në Arabinë Saudite dhe në disa vende si Iraku, Siria, Libia etj. ka tendenca të hapura për ta politizuar doktrinën islame (e cila në thelb është universaliste dhe jopolitike), duke e vënë në shërbim të Kalifatit përkatësisht një federate panislamike që synohet të arrihet përmes simbiozës së terrorizmit klasik me fenë.

Pra, islami nga dijetarët interpretohet si urdhër i Zotit e jo listë kërkesash dhe detyrimesh të hartuara nga ndonjë teoriticient revolucionar (marksist?) i politikës.
Kosova e pasluftës e ka rikthyer në skenë në mënyrë të papërshtatshme temën e raportit ndërmjet fesë dhe shoqërisë, përkatësisht shtetit dhe feve dhe në këtë tollovi po zihen ndërmjet vete të gjithë, që nga bashkësitë fetare, grupet e interesit dhe lëvizjet e ndryshme, që zori i tyre është arritja e fuqisë politike, pra pushtetit dhe dominimit shoqëror e jo fuqia morale teiste.

Porse në këtë rrokopujë janë hedhur edhe analistë e gazetarë, duke lejuar apo ndaluar diçka për tjetrin, që e ka një kërkesë, çfarëdo qoftë ajo, qoftë edhe kërkesa për bartjen e shamisë nga ana e femrave në shkollë, apo mësim-besimin si lëndë fakultative e deri tek ritet fetare si ezani, Ramazani etj.
Po nëse i shkoqisim këto kërkesa në mënyrë të ftohtë, na dalin si kërkesa nga domeni i të drejtave të njeriut, që janë absorbuar tashmë në shumicën e demokracive, mirëpo konteksti kosovar i shtetndërtimit dhe i afirmimit të pavarësisë kombëtare në botë, i bën këto kërkesa shumë të vështira.

Nuk është politika ajo që i kufizon apo i jep këto të drejta me dorë të hekurt apo zemërgjerësi dhe jo sidomos gazetarët, që mbushin faqet e shtypit, portalet e internetit, radiot dhe televizionet me pështyma se kush është për lejimin e kush për ndalimin e këtyre “të drejtave”, se përse islami na qenka “doktrinë barbare mesjetare” (duke heshtur fetë tjera abrahamike ose si më pak të rrezikshme ose që i shkuakan përshtat demokracisë!?)
Askush, qoftë ai president shteti ose kryeministër (Hashim Thaçi madje tha këto ditë se kosovarët u dashka të jenë më katolikë se Papa!?) analist ose gazetar, hoxhë ose gjykatës, nuk mund të bëjë këtë, të lejojë ose kufizojë, e aq më pak të marrë të drejta që natyrshëm i takojnë një individi ose një grupi të caktuar, nëse ato janë të domenit të të drejtave të njeriut – pra janë të lindura me njeriun dhe nëse ato i përkasin korpusit të lirive civile, si ajo e besimit.

Këto të drejta mund të jepen ose të kufizohen vetëm nga marrëveshja përkatësisht nga kontrata shoqërore e shtetit me shtetasit, pra vetëm përmes konstitucionit të një vendi.
Prandaj këtu gabojnë gazetarët dhe disa analistë, sidomos, kur shkruajnë pa iu dridhur dora se na qenkan demokratë e properëndimorë, prandaj nuk paskëshin asgjë të përbashkët me botën islame dhe me Kur’anin, ose pala tjetër që thotë se është shumicë absolute islame, prandaj e ka të drejtë të bëjë jo vetëm ‘ibadetet’ sipas parimeve islame edhe në shkollë dhe institucione, por edhe të bëjë ligjin!?

Këtë situatë e ka zgjidhur konstitucioni i shtetit – pra Kushtetuta, e cila në parim nuk i jep, por i mbron të drejtat themelore të njeriut, e në anën tjetër e përkufizon shtetin si shekullar ose laik (shprehje që po ashtu nuk është e pëlqyeshme.)
Shteti shekullar d.m.th. nuk përzihet fare në punët e fesë dhe as nuk e lejon klerin që të përzihet në punët e shtetit nga primesa teiste.

Së këndejmi liderët politikë në demokraci nuk prodhojnë politika fetare në kërkim të votës së qytetarëve, sepse ato pastaj mund të jenë kundërproduktive dhe ta cenojnë solidarësinë qytetare, përkatësisht shtetin qytetar.
Prandaj konsiderohet se Kosova po e frynë me pompë një problem që nuk është problem i saj – sepse është një vend demokratik – Kosova moderne i mbron të drejtat e njeriut edhe ato fetare, por jo ekskluzivisht të drejtat që shkojnë përtej kontratës shoqërore mes shtetasve për të luftuar për liri, për ta bërë shtetin e pavarur kombëtar dhe për ta ndërtuar atë si shtet shekullar.
Kjo kontratë është e panegociueshme.

Problemi që e ka islami me demokracinë nuk është problem që mund ta zgjidhë Kosova e vogël dhe njerëzit e saj.
Kosova as që ka mundësi të ndërhyjë në “Përleshjen e civilizimeve” (Huntington), ajo vetëm duhet t’i shikojë punët e veta dhe të mbajë një neutralitet strikt karshi këtyre mosmarrëveshjeve globale.

Ndërsa shtetasit e vet duhet t’i bëjë të lumtur, duke ua garantuar lirinë dhe modernizimin dhe duke mos ua cenuar të drejtat themelore.
Sepse Kosova nëse historia njerëzore është progresiste, kurrë s’do të jetë shtet teokratik që do të udhëhiqet nga kanone fetare, pra as nga Sheriati.
Kosova nuk ka probleme të tilla substanciale se çfarë sistemi shoqëror dhe politik do të ketë, Kosova ka probleme të mëdha me injorancën që është shumicë dhe me mosdurimin e tjetrit që prek majat e ksenofobisë.
Kosovën demokratike dhe moderne nuk e cenon dot xhamia as kisha, zgjedhja e lirë e veshjes apo ezanët e myezinëve e kambanat e kishave.

Kosovën e cenon vetëm jotoleranca brenda nesh, qoftë ajo fetare ose politike, siç e ka cenuar në tërë shekullin e kaluar jotoleranca etnike, e cila, duke qenë se etnia serbe luftonte për dominim duke e nënshtruar etninë shqiptare degjeneroi në luftë dhe në shkatërrim. Kosova sipas natyrës së konstitucionit të saj nuk ka probleme fetare.

Ose nëse klerikë që synojnë pushtet të thonë se ka, thjesht mos ua vini veshin dhe mos u jepni zë në media klithmave të mbytura të tyre, sepse ata nuk e duan pushtetin e Zotit, por të njeriut mbi njeriun, duke i shndërruar kërkesat normale qytetare për të qenë të mbrojtur në fenë e tyre - në kërkesa për ta rrënuar shtetin shekullar dhe modern.

Britmat as të atyre që duan të arrijnë pushtet politik përmes fesë dhe as të atyre politikanëve e gazetarëve që i japin vetes të drejtë të shajnë akëcilën fe apo të kufizojnë të drejtat fetare, nuk e ndihmojnë Kosovën dhe njeriun e saj të rëndomtë: Atë e shpie përpara vetëm dija, zhvillimi ekonomik dhe modernizimi i shtetit.
Për fund edhe pak fjalë rreth terminologjisë që po përdoret dendur në ligjërimin publik në Kosovë. Besimtarët myslimanë rëndom po barazohen me ekstremistët (sepse nga disa media e gazetarë, por edhe politikanë po trumbetohet një antimyslimanizëm i hapur), kurse denigruesit, pra ata që përdorin fjalë fyese ndaj fesë islame dhe kosovarëve të besimit islam po cilësohen si ‘islamofobë’!?

Islamofobia edhe pse është ngulitur si term jo vetëm në mendësinë kosovare, por edhe në shumicën e vendeve perëndimore, nuk e përshkruan dikë që urren islamin, sepse fobia është joracionale, pra përket në terminologjinë klinike…
Natyrisht se fanatikët janë kushërinj për nga mendësia dhe ka disa hajvanë edhe në Kosovë, denigrues dhe urrejtës deri në shkallë raciste ndaj bashkëqytetarëve dhe bashkëkombësve të tyre që i përkasin fesë islame.

Derisa një dokumentar i një portali kosovar pretendonte se në Kosovë ka pasur kampe të ushtrimeve të xhihadistëve, ministri i Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni, mohonte kategorikisht që Prishtina të jetë Kandahar e Kosova t’i ketë punët keq me ekstremizmin.

Madje, sipas tij, Kosova dilte të ishte shumë më mirë se shumica e vendeve të BE-së për sa i përket tolerancës dhe harmonisë mes njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare. E Prokuroria e Shtetit po hesht kësaj radhe, edhe pse në disa shfaqje televizive dhe shkrime gazetash kishte dhe ka baza të forta që të bëhet kallëzim penal për gjuhën e urrejtjes dhe thirrjes në dhunë kundër kosovarëve të besimit islam.
Të akuzohet një shoqëri e tërë të jetë “vend i pëlleshëm i ISIS-it” (siç ndodhi me një shkrim në ballinë të NYT – për të cilin edhe vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Delawie shprehu keqardhje: “Nuk mund të njolloset një vend i tërë për shkak të ndonjë grupi të vogël…”

E ministri Hyseni tha se nga një orë e gjysmë intervistë gazetarja ia ka përdorur në shkrim vetëm një gjysmë fjalie, duke spekuluar se “dikur në Kosovë kishte tolerancë ndërfetare, kurse tash nuk ka…”, këto fjalë del t’i ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm Petrit Selimi, i cili kurrë nuk e shpjegoi se në cilën epokë marrëdhëniet ndërfetare ishin idilike e që tash qenkan prishur!?
Mos në kohën e okupimit serb!???

Shkrimi i NYT del të jetë konstrukt i ndërtuar me spekulimet e disa gazetarëve e kuazipolitikanëve në Prishtinë, të cilët duke qenë se ndiejnë boshësi, ngase kurrë nuk kanë pasur ndonjë kauzë humane e në shërbim të vendit e qytetarëve, po e përdorin fenë islame si “bajrak” për të ngritur kauza të paqena, qoftë për hir të dukjes në publik si luftëtar që kanë një kauzë, qoftë për zhvatje fondesh, qoftë për hir të budallallëkut!?

Duke qenë se të drejtat e njeriut, fatet e tij, duhej të ishin në fokus të secilës veprimtari humane e jo fetë dhe ideologjitë, gazetarët duhej të ngrinin dilemat se me çfarë akuzash po arrestohen dhe mbahen qytetarët në burgje, duke i ndërlidhur me ekstremizmin dhe terrorizmin global.

Duke mos ia mohuar të drejtën e shtetit që ta mbrojë veten, përkatësisht institucionet demokratike dhe rendin juridik e politik – sidomos një shteti me struktura të brishta të sigurisë – aktakuza të tilla joprofesionale dhe që më tepër shkojnë nga fabrikimi i armikut sesa nga deradikalizimi i disa qytetarëve që kanë shprehur fanatizëm përmes predikimeve fetare, më tepër i bëjnë dëm Kosovës sesa dobi.
Ashiqare, këto tendenca mund ta lëndojnë kohezionin e shoqërisë dhe solidarësisë qytetare.

Mirëpo, askush (madje as KMLDNj) nuk po ka kurajë civile dhe sensibilitet për të drejtat dhe liritë e njeriut që të kontestojë formulimet absurde në disa nga aktakuzat, kur dhjetëra të rinj pretendohet të involvohen në veprimtari terroriste me dy-tre paragrafë edhe gjuhësisht të mërzitshëm dhe jologjik e përgjithësues, që rëndom mund të përkufizohen me liri të shprehjes.

Ndonëse po vërehet një tërheqje e lehtë e shtetit nga akuzat e tilla (dhe nga vetakuzimi se na qenkësh truall i pëlleshëm i ISIS-it!???), janë disa qarqe të mbështetura nga disa media e gazetarë që po e inkurajojnë persekutimin e atij që e perceptojnë si të ndryshëm nga vetja, e që, rëndom shpie në dhunë…
Madje me këso pretendimesh jo gjithherë të faktuara, lidershipi kosovar e ka dëmtuar shumëfish shoqërinë të cilën e udhëheq edhe në fushë të imazhit ndërkombëtar edhe në atë të investimeve të huaja dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare!?

Ishte thjesht një tendencë e kastës politike për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga korrupsioni dhe veprimtaria kriminale e zhvatëse e njerëzve që tashmë ishin ngjitur në majat e pushtetit, apo ishte një makth i madh, kjo do të sqarohet shpejt!?
Por, që sot, po të dërgohej kjo materie në Starsbourg, në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, shumica e këtyre pretendimeve do të binin si tigër prej letre!?

Ky pushtet jokompetent dhe ekstraktiv, në vend qe t’i ishte falënderues popullit të Kosovës, që me gjithë turbulencat në rrafshe më të gjëra, globale, brenda Kosovës nuk është shënuar asnjë incident i karakterit ekstremist fetar, e lëre më akte terrori, i ra në qafë, me e pa të drejtë, duke mësyrë që me masa të forta ta vendosë ligjin!

Ky është ligj i të fortit, mbase!
Porse mund të shpjerë drejt shpërbërjes së shoqërisë dhe shtetit.
Prandaj kujdes!
Qytetari ka të drejtë të gabojë, madje edhe ta sfidojë shtetin, porse shteti nuk e ka të drejtën ta sfidojë qytetarin, ndonjëherë duke lënë përshtypje të hidhur prej persekutori…
Qytetarët kosovarë të fesë islame janë po ata që e kanë besuar Zotin dhe profetin Muhamed, kurse më së larti në odat e tyre i kanë mbajtur fotografitë e Skënderbeut, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

Pra ideja e lirisë kombëtare u ka prirë atyre në histori.
Kosovarët janë po ata që gjatë okupimit serb, të gjitha aktivitetet kulturore e politike i kanë organizuar e mbajtur në medresetë dhe në kishat katolike kosovare.
Prandaj, këndejpari nuk mund të bëjë truall të pëlleshëm kurrfarë fanatizmi dhe ekstremizmi.
Po e zëmë se ishte vetëm një makth i madh!?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...