Pse duhet të votohet LDK-ja?

6 Qershor 2014 - 08:29 - Halil Matoshi      

Secilit që pretendon se si autor i kësaj kolumne kam marrë anë gjatë një procesi parazgjedhor, ia përkujtoj editorialin e gazetës më të pavarur dhe më prestigjioze në botë “The New York Times”: “Barack Obama të rizgjidhet”, të datës 27 tetor 2012, me autor Brendan Glessan, i cili i jepte arsyet përse Obama duhej ta fitonte mandatin e dytë në zgjedhjet e nëntorit 2012 për t'u rizgjedhur

Në dy shkrimet e kaluara i kam dhënë arsyet përse PDK-ja e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, duhet të shkojë në opozitë, për t’i lëshuar udhë rotacionit të pushteteve, përkatësisht ndryshimit të modelit qeverisës, i cili me LDK-në as nuk do të jetë revolucionar dhe as çudibërës por, gjithsesi, në disa sfera do të jetë ndryshim i ndjeshëm dhe permanent në të mirën e qytetarit.
1. Mashtrimi qeveritar me numra. - Kryeministri në shkuarje, Thaçi, e ka ekzagjeruar rritjen ekonomike të Kosovës nga 4 % sa është në realitet, në 5 e kusur %.

Bruto Produkti Kombëtar (BPK) ka shënuar rritje mesatarisht për 4 për qind në vit gjatë gjashtë vjetëve të kaluar, nën qeverisjen përgjatë dy mandateve të (vetë)shkurtuara të tij. Më 2013 (shkurt) në Bruksel ai kishte pohuar se BPK-ja për kokë banori në Kosovë ishte dyfishuar nga viti 2007, ndërsa shkalla e rritjes kishte qenë rreth 30 për qind. Po ashtu ai pati deklaruar se BPK-ja ishte rritur mesatarisht 5 dhe jo 4 për qind në vit. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka pasur një rënie deri në 2.5 për qind, edhe pse sërish pati pak rritje (3.5 – 4 %) në vitin 2014.
Po ashtu ai më 27 maj 2014 deklaronte: “Kosova prin në rajon për rritje ekonomike. Fillova ditën duke lexuar raportin shpresëdhënës të nxjerrë nga Banka Botërore për ekonomitë e Evropës Juglindore dhe pata kënaqësinë të shihja se Kosova është shteti me ekonominë me rritje më të shpejtë në rajon.

Raporti tregon edhe për arritje të tjera të ekonomisë kosovare duke treguar se ka pasur një rritje prej 6.3% të eksporteve, rritje e prodhimeve bujqësore që po zëvendësojnë importet e ushqimeve, pastaj një rritje të ndjeshme të investimeve të drejtpërdrejta të huaja, se borxhi publik i Kosovës është më i ulët se i të gjitha vendeve të tjera fqinje në rajon. Edhe inflacioni tek ne ka rënë ndjeshëm”.
Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, shkalla e papunësisë në Kosovë ka rënë për rreth 30 për qind gjatë kohës që Thaçi është në pushtet.
Sipas Institutit GAP, shkalla e punësimit mbetet jashtëzakonisht e ulët. Një raport i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i publikuar në shtator të vitit 2013, që citohet nga GAP-i, tregon se vetëm 36.9 për qind të popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
Prandaj kryeministri e ka mashtruar publikun kosovar, sepse vetëm ky argument dëshmon për keqqeverisje dhe fryrje të rezultateve në ekonomi

Shkalla më e lartë e BPK-së gjatë kohës që Thaçi ka qenë në pushtet ishte në vitin 2008, kur kishte arritur në 7.2 për qind, sipas Bankës Botërore.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parasheh që eksporti do të rritet 10 për qind gjatë vitit 2014, dhe do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2018. Në këtë plan LDK-ja në mënyrë plastike i ka kalkuluar këto parametra. Në këtë kontekst rritja ekonomike prej 6-7 % që e synon LDK-ja është e bazuar dhe, sipas këtij trendi, mund të krijohet gjatë mandatit të ardhshëm me rreth 180 mijë vende të reja pune, rreth 30 mijë në vit duke llogaritur se 5-6 mijë persona çdo vit dalin në pension.

2. Kufizimi i lirive civile.- Pesëmbëdhjetë vjet nga liria e Kosovës dhe gjashtë vjet nga shpallja e Pavarësisë të drejtat civile në Kosovë kanë shënuar rënie.
Të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve janë ndrydhur nga klani qeverisës “Pronto.”
Ka pasur ndjekje e rrahje gazetarësh, joshje me poste, por edhe censurë, sidomos në transmetuesin publik (RTK).
Ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut gjithandej, të të drejtës së punës dhe lirive ekonomike vetëm pse dikush nuk ka qenë anëtar ose mbështetës i PDK-së, si dhe drejtësi selektive.
Realiteti është i zymtë, prandaj zgjedhja është e qartë. LDK-ja si parti qytetare, me gjithë “plakjen” dhe nepotizmin që i përshkruhet, nuk është shquar ndonjëherë për shtrëngim të këtyre të drejtave dhe jo veçmas lirisë së shprehjes dhe shtypit të lirë dhe të drejtës së asocionimit dhe protestimit.

3. Dështimi i shtetit ligjor. - Mjaftojnë vetëm disa nga aferat më çoroditëse të kësaj Qeverie për ta parë të gjunjëzuar sistemin e drejtësisë në Kosovë. Vjedhja e provave inkriminuese në një dhomë të Policisë së Kosovës (që ka kaluar pa u thirrur në përgjegjësi dhe pa u ndëshkuar askush), si dhe afera me pasaportat (që avulloi 1.4 milionë euro nga arka e shtetit) po ashtu është për t’u vajtuar. Afera “Pronto” (sipas modelit të vëllazërive mafioze) neveriti edhe shumë nga anëtarët e vetë PDK-së, madje edhe anëtarë të PDK-së të rangjeve të larta ministrore. Kurse rasti i fundit, që lidhet me Grupin e Drenicës, dëshmoi se shteti është i kapur nga segmente konspirative dhe njerëz që janë mbi ligjin, sepse Qeveria e Kosovës në prapavijë “urdhëroi” policinë të heshtë, kurse Shërbimin Korrektues të Kosovës (me të cilin menaxhon Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga krahu i djathtë i Thaçit, Hajredin Kuçi) e shndërroi në vëzhgues pasiv, e drejtori i QKUK-së as që di kush çfarë bën aty, e lëre më të guxojë të japë ndonjë informacion.

Pra, drejtësia kosovare gjatë mandatit të kësaj Qeverie është dëshmuar e ndikuar politikisht, është selektive dhe e negociueshme!?
Lidershipi i LDK-së ka treguar një angazhim solid se do ta përdorë Qeverinë për të ndihmuar pavarësinë e gjyqësorit, thjesht dhe pa ekuivokë, duke mos e ndikuar politikisht nga partia, së këndejmi edhe nga asnjë forcë tjetër politike.
4. Koketimi me islamin politik.- PDK-ja e Thaçit (ndonëse vetë ministri Enver Hoxhaj, kur ishte ministër arsimi, e pati nxjerrë një udhëzim administrativ për ndalimin e shamisë në shkolla) po koketon gjithnjë e më hapur me përfaqësues të islamit politik në vend. Sa për ilustrim të përmendim rastin kur përfaqësues të Partisë së Drejtësisë të prirë nga Ferid Agani, si Gëzim Kelmendi apo Amir Ahmeti e Jeton Sfirca, i shajnë dhe i pështyjnë disa figura të PDK-së rreth kësaj çështjeje (sidomos Vlora Çitakun e Berat Buzhalën), por nuk kanë qenë imunë as figurat e partive të tjera, si Alma Lama e VV-së, së fundi ministri i ambientit, Dardan Gashi, nga Lista “Ibrahim Rugova” etj., ndërsa në këto zgjedhje ata garojnë nga e njëjta listë, pasi që Thaçi u ka premtuar atyre jo vetëm shaminë, por edhe tolerancë maksimale në linjat e tyre të politikave proaktive islamike.

Derisa VV-ja dhe AKR-ja “e trashën muhabetin” në shkëmbim të votës qytetare, me aktorë të islamit politikë, LDK-ja dhe vetë lideri i saj, Isa Mustafa, kanë qëndruar anash këtij debati duke mos koketuar me liderë të partive të profilit të islamit politik, ndonëse jo sa duhet me vendosmëri - siç u shqua lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në këtë rast - sepse, në Gjilan Lutfi Haziri premtoi rikthimin e shamisë në shkolla për këmbim me votën e qytetarëve.
Mirëpo në listën zgjedhore të LDK-së nuk ka profile të tilla politikanësh që listojnë në krye të prioriteteve “luftëra e kauza të shenjta” (nxisin militantë që shkojnë për të vrarë e për t’u vrarë në luftëra civile e ndërfetare, pa asnjë kauzë të drejtë për humanitetin, si ajo e Sirisë) dhe kjo është një arsye më shumë përse duhet të votohet partia e Isa Mutafës.
5. LDK-ja nuk i ka persekutuar kundërshtarët politikë.- LDK-ja është parti e cila ka vuajtur më së shumti dëmin e përplasjeve politike në luftën për pushtet dhe logjikat përjashtuese gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Dhjeta aktivistë të saj janë vrarë, përfshirë edhe njerëz me profil të qartë demokratik dhe me ndikim në rrjedhat shoqërore e me integritet moral e intelektual, si Xhemajl Mustafa. Dhjetëra të tjerë janë plagosur, persekutuar e ndjekur vetëm pse ishin të vendosur në të bërit oponencë politike ndaj të të ashtuquajturit “krah lufte” që po konturohej në PDK. Këto ekzekutime politike asnjëherë nuk ka pasur vullnet politik nga lidershipi i PDK-së që të zbardhen, duke mos i dhënë shpirt hetuesisë, që të sqarohet e kaluara për të hyrë në një fazë të re të shtetndërtimit.
Prandaj aseti i LDK-së është sjellja qytetare, ata nuk kanë vrarë dhe nuk kanë persekutuar qytetarët e tjerë për shkak të bindjeve të tyre politike.
Kjo parti së këndejmi e ka në pronësi të saj resursin e një force politike paqësore, jo hakmarrëse, dhe deri në një shkallë solide institucionaliste, ndonëse ka pasur individë edhe brenda saj që kanë abuzuar pushtetin.

6. Teknokraci e jo meritokraci. - Duke qenë se LDK-ja ishte një lëvizje e madhe për liri e barazi, e themeluar nga një intelektual me profil të ndërtuar humanist si Dr. Ibrahim Rugova, ajo ka pësuar tronditje të mëdha, së pari me vdekjen e liderit të saj, pastaj me luftën e paskrupullt për pushtet të grupeve e klaneve familjare brenda saj, si dhe me “humbjen” e liderit të dytë Fatmir Sejdiu, i cili u penalizua nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse me një arsyetim shumë të varfër nga aspekti juridik. Ardhja e Isa Mustafës në krye të një anijeje që pehatej të mbytej mes kolaborimit me PDK-në dhe shuarjes, megjithëse përshkruhet të jetë i ftohtë dhe inert, i shërbeu mirë kësaj partie për ta ristrukturuar veten si parti klasike politike dhe duke hequr dorë nga përdorimi pa shije e pa takt i figurës së themeluesit të saj dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sepse, ashiqare, ky njeri dhe fryma e tij paqësore e humaniste tashmë është në histori dhe u përket të gjithë qytetarëve si frymëzim për ta mbrojtur lirinë e fituar me aq shumë flijime e fatkeqësi, pra fryma rugoviste, demokracia dhe vlerat perëndimore, tashmë heshtur e dominojnë skenën politike kosovare, me përjashtim të ideologëve të rinj të islamit politik dhe të neomaoistëve, që janë në pakicë, ndonëse pakica agresive. Prandaj LDK-ja me potencialin e saj strukturor (partia e dytë në vend për nga kuotat zgjedhore) është e vetmja parti që mund ta sfidojë PDK-në, për ta shpënë në opozitë. Dhe votuesi kosovar më 8 qershor ka dy zgjidhje: të zgjedhë modelin qeverisës të PDK-së apo të hedhë votën kundër saj.

Në këtë situatë jo se LDK-ja do të bëjë çudira me këtë shoqëri të rrëzbitur e me këtë shtet të kapur, porse ajo do të ndikonte që shteti t’u kthehet qytetarëve dhe të jetë në shërbim të mbrojtjes së lirisë së tyre, të drejtave të tyre dhe mirëqenies së tyre. Dhe tek pas një mandati, besohet se shoqëria kosovare do të prodhojë ide e nisma qytetare, me rritjen e patriotizmit ligjor. Kështu do të rriteshin edhe gjasat që edhe LDK-ja ose të reformohet e rinohet radikalisht, ose që edhe kjo forcë politike të shkojë në histori.
Vota për LDK-në është e keqja më e vogël, sepse me LDK-në nuk dëmtohet shteti dhe mund të thuhet se korrupsioni që po e gërryen legjitimitetin e shtetit mund të futet nën kontroll. Po ashtu Isa Mustafa ka dëshmuar se me gjithë inercinë e tij mund të jetë një unifikues i elektoratit të fjetur dhe të shpërndarë të LDK-së, pa i cenuar figurat qendrore të saj, që tashmë vetëveprojnë si mite politike, ndonëse të shpenzuar dhe pa ide të reja për shekullin e ri. LDK-ja duhet që t’ua ruajë dhe balancojë dinjitetin të gjithë atyre që kanë dhënë kontributet e tyre në shërbim të kauzës kosovare për liri e demokraci dhe në shërbim të partisë së Rugovës.

Rikthimi i pjesës më të madhe nga fraksioni i LDD-së “në shtëpi”, si dhe rikuperimi i disa figurave të heshtura, pra renditja në listën zgjedhore e disa të rejave dhe të rinjve, si: Vjosa Osmani, Abdullah Hoti, Xhafer Tahiri e Arben Gashi, si dhe vlera e shtuar (i sapoaderuari Valon Murtezaj, duke ua shtuar këtyre moshën e mesme të LDK-së, si Kujtim Shala, Bardhyl Metaj, Teuta Sahatçija e Vlora Dumoshi, dëshmon se në LDK po ndizet një zjarr i ri – zjarri i mendësisë liberale politike.
Rikthimi i etikës së pushtetit dhe teknokracisë jo në dëm të meritokracisë, por para saj – sepse epoka politike nuk është e veprimtarëve kombëtaristë dhe e romantikëve, por e rikthimit të teknokratëve dhe menaxherëve të mirë të shoqërisë dhe institucioneve të shtetit.

Unë nuk pajtohem me idetë etnonacionaliste dhe rikthimin e metanarracioneve, tregimeve të mëdha në debatet politike kosovare nga lëvizja “Vetëvendosje”, por unë besoj në ndershmërinë e tyre, sidomos në betimin e tyre kundër korrupsionit dhe drejtësisë selektive, por po ashtu jam i vetëdijshëm se ndonëse mund të ketë rritje, nuk do të mundet që e vetme ta “pushojë” PDK-në nga puna në qeverisje, ndërkaq që i kanë mohuar të gjitha mundësitë për koalicione me kastën aktuale politike.
Fraksionimi i PDK-së (Nisma për Kosovën e Limajt&Krasniqit i ka gjasat e mira ta kalojë censusin prej 5% të zgjedhësve) kështu që LDK-ja mund të llogaritet si partia që del e para në vend, prandaj vota për të duhet të jetë votë me kast, kundër PDK-së.

LDK-ja e ka mundësinë për ta mundur PDK-në, porse ajo duhet të jetë tepër e kujdesshme, sepse do t’i duhej ta menaxhojë mirë humbjen e PDK-së duke mos e dhënë as shenjen më të vogël të hakmarrjes politike ndaj të mundurve, gjë që VV-ja nuk e fsheh!?
Prandaj vota për LDK-në më 8 qershor është paralajmërim se Republika e Kosovës ka edhe traditat e saj humaniste, edhe emër të mirë, sepse ka gra e burra të mirë dhe mbi të gjitha qytetarë të edukuar, të cilët do t’i thonë jo klanit “Pronto.”

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...