16 Shtator 2016 - 08:19 - Halil Matoshi
Nëse Kosova është tashmë “Njësi e rritur”, ka territorin nën administrim efektiv, popullsinë e përhershme dhe një qeveri të zgjedhur – entitet juridik-politik sipas Kartës së Monte Videos – komb i aftë për të hyrë në marrëdhënie me kombet tjera si subjekt i së drejtës ndërkombëtare e me synimin që të marrë karrigen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), atëherë si çdo shtet-komb, ndër tjera duhet të ketë edhe një kombëtare në futboll.
Të thuash se Kosova shtet sovran nuk ka të drejtë të ketë kombëtare futbolli, porse vetëm përfaqësuese, është injorancë e thellë, për më tepër mohim i qenësisë së saj dhe fyerje, sepse përfaqësuese në sporte kanë edhe entitetet që nuk janë shtete si Katalonja p.sh.
Përse Kosova e ka një Teatër Kombëtar, një ansambël kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, një Bibliotekë Kombëtare, por nuk mundka të ketë një kombëtare futbolli?
Përse zërat etnonacionalistë po rriten në elemente shpërbërëse të shoqërisë dhe shtetit kosovar?
Së pari, etnonacionalizmi është derivat i mospërmbushjes, përkatësisht i mosrealizimit në rrafshin individual dhe kolektiv.
Së dyti, etnonacionalizmi ka të ngjarë, të shitet ende si deklaratë politike në vend të ideve të mëdha politike, e që në thelb është kitsch;
Dhe së treti, patriotizmi dhe nacionalizmi shqiptar që nga epoka e kombkrijimit (1878 – 1925) nuk është transformuar në fuqi kohezive për mirëqenie, industrializim e modernizim, perëndimorizim, porse ka mbetur aty ku ishte: nacionalizëm defensiv, me primesa primitive, fetare e ideologjike (kryesisht të majta), si pasojë e dhunës dhe izolimit enverist.
Dhe sot, ky nacionalizëm arkaik shqiptar (që popujt tjerë - kulturat tjera shumë më të zhvilluara - i sheh ende si rivalë-bisha “me fytyrë njeriu” dhe jo si konkurrentë, por edhe mundësi për miqësi e përfitime nga ta, hapje ndaj tyre dhe bashkëpunim në të gjitha aspektet.
Së këndejmi, ky nacionalizëm nuk është transformuar në patriotizëm ligjor/kushtetues, që garanton vepra të mëdha të përbashkëta sot dhe nesër, porse ka mbetur i tillë, etnonacionalizëm verbal që përplas grupet e ndryshme të shoqërisë mes vete, partitë politike pra edhe institucionet e shtetit.
Pak janë ata atdhetarë të vërtetë shqiptarë sot, që mund ta kuptojnë kontekstin e të qenit patriot kushtetues kosovar sot, që është thjesht zëvendësim i patriotizmit shqiptar që nga ndarja dhe zaptimi i hapësirës jetike shqiptare, më 1913.
Pra, patriotizmi shqiptar që nga Lidhja e Prizrenit e deri te Pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe të gjitha përpjekjet e shqiptarëve etnikë për liri nën tri Jugosllavitë sot duhet transformuar në kosovarizëm, sepse është koha kur të gjithë, pra edhe shqiptarët e “Shqipërisë së poshtme” (term i përdorur nga autori John Foster Fraser në librin e tij me të njëjtin titull) duhet të vihen në shërbim të etablimit të shtetit kosovar dhe afirmimit ndërkombëtar të tij, e jo t’i çojnë hundët pse Kombëtarja kosovare ka joshur dy-tre futbollistë që më parë kanë luajtur futboll për Kombëtaren shqiptare!?
Ashiqare, shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë do të duhej t’u shërbente ideja e demokracisë dhe lirive civile, ekonomisë së zhvilluar, të drejtave të njeriut - në thelb integrimeve evropiane –që t’u vlente për projektin më të madh të këtij shekulli, rreth të cilit duhej të bashkoheshin.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës do të duhej ta akseptonin etablimin e shtetit të pavarur kosovar si kulm të organizimit politik të një shoqërie dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Kosova unike me dorë të zgjatur për pakicat, që të joshen për t’u bashkuar në kombin e vullnetit politik, miqësinë me kombet përreth, perëndimorizimin (shekullarizimin e shtetit) dhe zhvillimin ekonomik, si projektin më të madh të shekullit 21, për të cilin do të duhej të punonin pareshtur dhe pa pyetur për çmimin.
Por pa nevojën e shtuar për retorika nacionaliste.
Së këndejmi deklaratat e forta për bashkim kombëtar sot, të individëve apo grupeve politike, janë çintegruese, pra e çajnë shtetin dhe shoqërinë, marrin shumë kohë dhe nuk japin asnjë rezultat konkret.
Madje mund të prishin shumë punë.
Realizimi i këtyre dy objektivave të etnisë shqiptare - në të dyja shtetet - do të ishte pikëmbështetja më e mirë për realizimin e të drejtave të ligjshme të shqiptarëve etnikë në hapësirat e tyre në FYROM, Republikë të Serbisë dhe në Mal të Zi.
Mirëpo në mësymjet shqiptare, ka më shumë retorika boshe (luftë për vota dhe dominim shoqëror dhe zaptim të resurseve materiale kombëtare), por fare pak angazhime në jetësimin e këtyre dy objektivave imediate të mileniumit të tretë – që janë interesi suprem i shqiptarëve – madje fatkeqësisht po ka angazhime prapakthyese, përplasëse dhe frenuese të këtyre energjive, të cilat nuk u mungojnë shqiptarëve.
Pikërisht kjo shpërputhje mes deklarimeve dhe projekteve konkrete (nacionalizmi shqiptar nuk ka asnjë objektiv konkret pos mburravecërisë dhe konvertimit të fjalëve të mëdha në lekë e vota) po ndikon në çarjen etnopsikologjike dhe konfuzionimin identitar e kulturor të shqiptarëve, duke i hyrë një gare pa fitues: Kush është Piemonti?
Kush është më i forti?
Shqiptarët duhet të synojnë vepra të mëdha të përbashkëta edhe nesër, duke qenë policentrikë e jo etnocentrikë.
Etatizmi kosovar (“Shqipëria e Epërme”) sot duhet të jetë interesi më i madh i shqiptarëve, pa frikën se kështu po dobësohen nervi dhe substanca e etnikumit.
Fundja pos gjermanëve që jetojnë në Gjermani, forcimi i identitetit austriak, belg ose helvet, nuk e kanë cenuar fare trungun dhe shpirtin gjermanik, porse gjermanët autentikë ua kanë lënë të lira duart këtyre popujve që ta rimendojnë veten kulturalisht dhe politikisht, që ta ngrenë veten dhe vendet e tyre - jo të veçuar nga tjerët, por bashkë me ta - duke mos mbetur pengje të identiteteve të ngurta (vrastare) etnike në një botë që po ndryshon pareshtur.
Dhe çfarë i shkon ndërmend njeriut sot kur lexon e dëgjon sharje prej më vulgareve mes shqiptarësh, duke u ndarë në “patriotë Vs tradhtarë”, ndarje që është shndërruar në psikosomatikë të frymës së kohës, ashiqare në diskurs diabolik përplasjesh?
Shqiptarët kosovarë janë nën trysninë e stresit-postraumatik, ata nuk i janë nënshtruar kurrfarë terapie as ndonjë katarsisi, kur dihet se shumica janë të mbijetuar të torturës, shtypjes, humbjes, agresionit, kështu që në situatën postkonfliktuale ata kanë pasur pritje të mëdha për vetërealizim, për arritje të baraspeshës me ambientin, rrethanat dhe njerëzit tjerë përreth, duke rënë në konfuzion identitar, individual dhe kolektiv.
Duke qenë se ata dështuan që frikën nga liria ta kthejnë në energji dhe të krijojnë një demokraci shumetnike dhe një ekonomi prosperuese, pra duke qenë se asnjë nga këto primesa ata nuk i arritën, shoqëria kosovare po e përjeton krizën morale, atë të etikës së pushtetit, si dhe krizën identitare, prandaj është impulsive deri në përshkallëzim agresioni...
Ndërsa kosovarët vazhdojnë të kenë (të zgjedhin?) politikanë të këqij, kryesisht provincialë dhe pa etikë pushteti, ata natyrshëm janë pjesë e shoqërisë dhe kur shajnë janë “krejt si na.”
Sharjet e politikanëve dhe agresioni kundruall tjetrit/tjerëve (jo vetëm ndaj grupeve tjera etnike, por edhe ndaj tjetrit si mendësi, politikë, rajon etj.) përfaqësojnë një shoqëri të parealizuar dhe të paemancipuar. Pra Kosovës shtet i mungon shtetasi qytetar që respekton Kushtetutën e vendit, paguan taksat dhe i jep besnikëri dhe dashuri atdheut të kosovarëve, pra lojalitet.
Prandaj sharjet janë psikosomatikja e frymës së kohës – shfryrje e pakënaqësive të akumuluara – dhe dëshmi të një kohe që ata e përbuzin, sepse kanë qenë vetë viktima dhe tashti sillen si xhelatët e tyre dikur me viktimat e reja.
Jo një politikani elitar, por asnjë njeriu të lirë “nuk i lejohet” që të poshtërojë tjetrin në publik, sepse me këtë ai prek kufijtë e lirisë së tjetrit/tjerëve.
Ndonëse ligjërisht nuk ka më delikt verbal (edhe sipas Kanunit ‘guha asht p’ej tulit dhe kan n’gjak s’qet’) kjo ka të bëjë me lirinë e shprehjes (mënyrën arkaike të kodifikimit të kësaj lirie) kosovarët duhet ta zgjedhin lirinë negative në këtë rast: Të mos mbrohet tjetri nga vetvetja!
Personalizimi i mospajtimit e mbyt kritikën, debatin dhe polemikën, i kthen ato në betejë mujshore - në luftë gjelash – dhe kështu kurrë nuk i afrohemi së vërtetës...
Sharja dhe pështirosja e tjetrit/tjerëve, epiteti ‘tradhtar’, ‘terrorist’, ‘fashist’ që rëndom i rezervohet tjetrit me lehtësi të padurueshme, duke u shtirë vetë si ‘patriot’ dëshmon për një shoqëri të paemancipuar, në të cilën njëra palë e do poshtërimin e tjetrit, kastrimin simbolik të tij...
Për ta dominuar vetë shoqërinë!
Porse dijet kombëtare të shqiptarëve vuajnë nga sindroma e mbylljes (si monadat e Leibnicit) pamundësisë, interpretimit ideologjik (enversit) të historiografisë si albanologji dhe diskursit të urrejtjes së tjetrit, si armik i përjetshëm, i cili projektohet si i tillë edhe për të ardhmen, kur konteksti flet për të kundërtën.
Në projektin e Evropës së bashkuar – projektit më të madh perëndimor të të gjitha kohërave - që po ndërtohet përditë në terren (ndonëse me sfida e kthesa të papritura) kanë shteruar interesat mësymëse të ballkanasve kundrejt njëri-tjetrit.
Elitat kulturore dhe politike të shqiptarëve kudo, duhet ta ndërpresin metastazimin malinj të etnonacionalizmit dhe të prodhojnë ide të reja politike, kulturore dhe ekonomike.
Të forcohen vetë duke u dhënë dorën e miqësisë fqinjëve!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...