Edhe një herë për nacionalizmin – shembulli kosovar

5 Shkurt 2016 - 09:58 - Halil Matoshi      

Trishtohesh tek e sheh se si turren etnonacionalistë të rinj që veten e cilësojnë gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile, kinse nën maskën e mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës, sa të mbushet mendja se ata janë të dërguar të ndonjë Zoti në Tokë për të mbrojtur një shenjtëri - nga një përlindësh i projektuar në kokat e tyre – nga manipulatorët politikë. Ky patriotizëm arkaik dhe ky nacionalizëm manipulativ është strukturuar kaherë, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje e ka shndërruar në program politik, së këndejmi propaganda se kinse po krijohet një Republika Srpska në Kosovë, duke e menduar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, është shndërruar në çështje nderi: Ose ji kundër ose vdis!

Në një tryezë të organizuar nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës, së fundi, vërehej se përfundimisht shoqëria civile kosovare është për t’u vajtuar.

Kolege e kolegë të mi, nga media dhe organizatat joqeveritare kryesisht u kapën pas tezave nacionaliste, përveç dy-tre vetave.

Dhe këtu shihej se si legjitimohet nga njerëz të ditur triumfi i së keqes!

Sipas Edmund Burke, krejt çka duhet për të triumfuar e keqja, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.

Ashiqare, shumica absolute e shqiptarëve kosovarë po e bëjnë legjitimimin e së keqes duke heshtur kështu ndaj mësymjes së shumicës ndaj një pakice që – njohës të rrethanave kosovare – po thonë se është nën 4 %!?

Këtë tendencë të nacionalistëve për të zmadhuar rreziqet për kombin, Arjun Appadurai e quan si frikë nga numrat e vegjël (tek “Ese mbi gjeografinë e zemërimit”.)

Dikur, në vitet ‘80 njeri që sulmonte shqiptarët e Kosovës për nacionalizëm, filozofi Milan Kangerga, i kthjelluar në pleqërinë e thellë, shkruan se nacionalisti është person primitiv dhe i papjekur!?

Ishte i tërbuar ky Kangerga (pati polemizuar me të atëbotë Rexhep Qosja) por sot, ai e ka braktisur “trurin kolektiv” – është shëruar nga paranoja - dhe i është kthyer dijes, sepse njeriu i ditur nuk mund të jetë kurrë nacionalist.

Dhe po ashtu jam i bindur se miqtë e mi, që sot janë të pushtuar nga ethet paranojake të nacionalizmit, një ditë do të kthjellen.

Mirëpo ndërkohë mund të bëjnë shumë dëme.

Nëse dikush e di përse Serbisë iu mor e drejta për ta qeverisur Kosovën dhe shqiptarët (Serbia ishte juridikisht shteti amë i kosovarëve por kjo e drejtë iu mor nga Perëndimi, pasi që kishte abuzuar drastikisht me të drejtat e ligjshme të shqiptarëve etnikë, deri në përmasat e një tentim gjeonicidi) akëcili sefte duhet të frikësohet se nëse ky nacionalizëm nuk frenohet, dikush më i fuqishëm, nesër mund të mos ua njohë shumicës kosovare të drejtën për t’i qeverisur serbët e veriut të Kosovës dhe atëherë vërtet mund të ndodhë gjithçka, helbete edhe “Republika Srpska” në Kosovë!?

Derisa Ernest Gellner (Nacionalim, 1997) nacionalizmin e shihte si shfaqje me rrënjë të forta tek shumica e njerëzve, “rrënjë që kanë zënë vend shumë thellë në kondicionin njerëzor të epokës sonë”, Kangerga e sheh edhe patriotizmin - pavarësisht nga fakti se "tingëllon bukur" në shikim të parë - një pozicion në thelb egocentrik. Përse?

Pikërisht për shkak se është tashmë në konceptin e vet (definicion substancial!) fle përbuzja e njeriut si njeri, dhe njashtu si nacionalizmi është reduktuar në një orientim të thjeshtë biologjik (për të mos thënë "zoologjik"!).


“Nacionalisti dhe nacionalizmi (dhe si ne e shohim, edhe patriotizmi) mbesin dhe ndalojnë në pragun e historisë njerëzore, dhe nuk përmbajnë asnjë vlerë të vërtetë njerëzore, por në të kundërtën, antipode të njeriut.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të theksojmë edhe një herë: nacionalisti është primitiv, i pazhvilluar, (i mbetur) i papjekur, njeri jo-ende-formuar, në vetvete jo-ende - fisnikëruar, bosh, psikikë dhe ekzistencë e brendshme e uritur”. (Nacionalizam ili demokracija”, Razlog, Zagreb, 2006.)

Nëse nga intelektualët pranohet me përulje teza se në raportet e shtetasve me shtetin ka të drejtë të ndërhyjë një “instancë e mesme” – kombi – atëherë ata duhet ta dinë se po bëhen fillimisht ispatë e pastaj edhe akterë të infektimit të këtyre raporteve me virusin e nacionalizmit, të cilin Danilo Kish thjesht e cilësonte si kitsch!

Derisa në Kosovë (dhe te shqiptarët përgjithësisht) kombi shihet si identitet mbi shtetin, ose që ndërmjetës për t’u lidhur me shtetin kombëtar, Urs Aletrmatt (Etnonacionalizmi në Europë, Phoneix, 2002) mendon se koncepti i shtetit komb e vendos në qendër parimin e barazisë dhe të përbashkësisë.

“Vendimi subjektiv i individit qëndron në rrënjët e kombit të shtetasve. Shtetasi i veçantë i përket drejtpërdrejt shtetit, pa ndërmjetësinë e një instance të mesme që quhet komb ose etni”. (Altermatt, fq. 95)

Përderisa Aletrmatt thoshte se ai që e kupton kombin si një bashkësi etnike origjine, kapet pas një tabloje ahistorike dhe biologjistike të botës, ne një takim të AAK-së me përfaqësues të shoqërisë civile kosovare dhe gazetarë e opinionistë, në Kuvendin e Kosovës, ndodhi ajo që e prisja, shumica e debatuesve rrokej për tablon biologjistike, sipas së cilës serbët na dalin të jenë ai Përbindëshi, e Asociacioni si “varrmihësi” i Republikës, ani çka se asnjë analizë serioze nuk mundi ta thoshte se parimet e përgjithshme të këtij entiteti juridik cenojnë direkt sovranitetin e Kosovës – pos që - u tha nga disa hajagrexhinj në Gjykatën Kushtetuese në një kinse aktgjykim nuk qenkan plotësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës!?

Në tryezën mbi krizën politike si mundësi e jo si topitje, i porosita kolegët e mi, gazetarë që të kenë kujdes nga gjërat (terminologjitë e konceptet) që i dëgjojnë së pari herë, për t’i cituar drejt në mediet ku punojnë, e që të mos u lihet hapësirë nacionalistëve të rinj që të abuzojnë me publikun.

Asociacioni është entitet i veçante në barazi!

Dhe është zotim i lidershipit kosovar, si këmbim për pavarësinë e Kosovës, që nga procesi i Vjenës e këtej…

Porse, askush, asnjë media nuk e ka publikuar këtë deklaratë, sepse kjo sadopak mund ta zbusë ndjenjën nacionaliste dhe diçka që nuk është ndjesi e përgjithshme, gjuhë e uniformuar, paranojë dhe trans nuk botohet!

Më habit ky rreshtim i shumë mediave dhe i një pjese të shoqërisë civile me nacionalizmin etnik, me anakronizmin dhe papërgjegjësinë, madje duke i manipuluar turmat, se kinse po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, kur dihet se janë në Kosovë rreth 4% e popullsisë, serbëkosovarë!!!

Ky manipulim, duke e përdorur madje edhe fjalën serbe “Zajednica” për mobilitetin e nacionalizmit shqiptar (me e nxit shumicën kundër pakicës) nuk ka lidhje me demokracinë, humanitetin dhe sidomos jo me shtetin modern e liberal të qytetarëve, por me propaganda partiake që i fryjnë këtij nacionalizmi etnik!?

Për Danilo Kishin nacionalizmi, pos si kitsch (kiç), para së gjithash, është paranojë. Paranojë kolektive dhe individuale. Si paranojë kolektive, ai shfaqet si pasojë e një kombinatorike në mes vartësisë dhe frikës, por mbi të gjitha e humbjes së vetëdijes perceptuese dhe gjykuese individuale.

Së këndejmi, shfaqja e tij si paranojë kolektive nuk është gjë tjetër, përpos një simbiozë e paranojave individuale, që çojnë deri te paroksizmi si forma më eklatante e krizës.

Ky është pra ai "Nacionalisti Zhil" i Sartrit, që në fakt është një askush në familje, por i cili denjon të bëjë poterë me t'u përmendur një temë e vetme: anglezët. Ky shqetësim i tij, kjo frymënxënie, kjo "fshehtësi" e tij, që pa u hamendësuar fare shqetësohet me t'u përmendur anglezët, është komponenti i vetëm që e bën atë të vlefshëm, për të mos thënë, ekzistues. Ai jeton që të dëgjojë nga ndokush në tavolinë tek shprehet kësodore: "Mos ia përmendni Zhilit anglezët, sepse është shumë i ndjeshëm ndaj tyre dhe mund të na e rrotullojë tavolinën", ani pse për këtë mund ta dinë të gjithë të pranishmit! Pra, Zhil i urren anglezët (të huajt), dhe i do francezët (bashkëkombësit e vet), sepse kështu e thotë vetë natyra e tij prej nacionalisti, dhe fragjiliteti i tij sentimental nacionalist mund të aktivizohet qoftë vetëm me prezencën e çajit anglez në tavolinë!

Në anën tjetër, Fatlum Sadiku në një recension për veprën e Danilo Kishit "Čas Anatomije" (Ora e anatomisë) vëren se një portret i tillë si ky, karakteristik për të gjithë nacionalistët, tani mund ta marrë lirisht formën e vet përfundimtare: nacionalisti është për nga zakoni, si qenie shoqërore dhe individ, uniletaralisht askushi. Jashtë këtij determinimi ai është zero. Ai e ka lënë familjen, punën (duke vlerësuar se kjo është gjëja e duhur), literaturën (nëse është shkrimtar), funksionet shoqërore, etj., ngase, sipas tij, të gjitha këto janë të panevojshme dhe cikërrima në raport me mesianizmin e tij. Nga kjo duhet theksuar se me këtë vendosmëri ai është një sfidues i vetvetes së tij, një luftëtar potencial që pret çastin e vet për të ardhur në shprehje. Nacionalizimi, nëse parafrazoj qëndrimin e Sartrit mbi antisemitizmin, është "një zgjedhje plotësisht e lirë, qëndrim global, të cilin njeriu e pranon jo vetëm ndaj kombeve të tjera, por absolutisht edhe ndaj vetë njeriut, nëpërmjet historisë dhe shoqërisë, dhe ky qëndrim është njëkohësisht doktrinë dhe koncepcion ndaj botës".

Më vjen keq – dhe ndihem i fyer – që pas 17 vjetësh liri dhe tetë vjetësh pavarësi kombëtare ndodh ky abuzim kaq bajat e i pështirë me ndjenjat që burojnë nga “rrënjët e përbashkëta”.

Një ditë do të na thonë: “Ishte një makth dhe mendim kolektiv. Nuk kishim kah t’ia mbanim!? Kishim frikë!”

Por jo, askush s’ka për t’u zënë besë – nacionalistët janë në masën më të madhe shërbëtorë ose thjesht disa hiça…

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...