E keqja

23 Shtator 2016 - 08:15 - Halil Matoshi      

Sipas Umberto Ecos, për fjalën korruption lista e sinonimeve të mundshme është mjaft e komplikuar, sepse, sipas kontekstit, mund të bëhet fjalë për: të keqen, rrënimin, prishjen, rrëgjimin, infektimin, kalbëzimin… E keqja në gjuhën shqipe dëfton cilësinë e dobët. Pas ndajfoljes “keq” vijnë fjalët keqadministrim, keqan, keqardhje, keqas, keqbesim, keqbërës, keqdashës, deri tek fjala keqtrajtoj… Pa të gjitha këto forma e trajta të fjalës këpujë + mbiemër “keq” nuk mund t’i bëhet letra e njoftimit pushtetit kosovar.

Afera “Pronto” dihej që në vitin 2011, kur EULEX-i kishte nisur një hetim të madh që kishte të bënte me korrupsionin në Ministrinë e Transporteve, porse atëbotë kryeministri Hashim Thaçi (president aktual i Republikës) na thoshte se ishte vetëm perceptim i keqdashësve, pra i atyre që shohin vetëm zi, dhe vetëm më 2016 skandali u bë publik nga “Insajderi”.

Dhe aty në kurthin e ngrehur subjekt i përgjimit ishte Adem Grabovci, mirëpo – në përgjime – kishin rënë një nga një krerët kryesorë të Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual, kryetarin e Kuvendit, ish-shefin e grupit parlamentar të kësaj partie (të cilit, në vend se të jetë në burg, ende i jepet mundësia të tallë publikun dhe për të kryer një akt kinse moral, siç është ai i dorëheqjes) dhe shumë zyrtarë të të gjitha profileve që vijnë nga kjo parti.

Prokurori i shtetit së pari i kishte deklaruar shtypit se nga përgjimet nuk rezultonte të kishte ndonjë vepër penale për të ngritur akuzë ex oficio për Grabovcin, porse shumë shpejt ai nën influencën e politikës e bëri këtë, duke hapur një hetim ndaj tij!?
Se korrupsioni në Kosovë është sistematik dhe strukturor deri në përmasat saqë mund ta dështojë shtetin, këtë tashmë e dinë edhe Thaçi e Veseli, por edhe secili qytetar i këtij vendi, mirëpo stërkeqja (infektimi) e gjuhës dhe e logjikës ka vajtur deri në atë shkallë, saqë kjo kastë politike po e përhap idenë se “nuk është korrupsion me shti njerëz në punë”, sepse ideja themeltare e “aktivizmit qytetar” të Grabovcit (që në thelb është pështirosje e tërë shoqërisë përmes joshjes, përkatësisht korruptimit) paskësh qenë punësimi i sa më shumë njerëzve, (PDK-ja në program e ka mbështetjen në familjen. Sic!) prandaj ai erdhi në Gjykatën Hetuese duke ironizuar: “Erdha t’i caktoj disa prokurorë!”
Grabovci dhe logjika e klanit “Pronto” nuk kanë ide se shoqëria u nënshtrohet ligjësive si ligështimit, sëmundjes dhe shpërbërjes (pikërisht sikur trupi që vdes dhe shpërbëhet duke u kalbëzuar), prandaj ata duan ta shfrytëzojnë pushtetin politik - për fuqi, dominim të shoqërisë dhe pasurim nga zyrat publike – duke e kthyer atë në pushtet personal, sepse në thelb pushtetin politik ata e konsiderojnë krejtësisht personal dhe thjesht të fituar me luftë duke u ngritur mbi llojin tjetër: Të mundurit!

Ata, pjesëtarët e shoqërisë që e sundojnë i konsiderojnë të shpushtetizuar, të mundur në luftë, pra lloj më të ulët jo vetëm në hierarkinë shoqërore, por edhe në hierarkinë biologjike, ndonëse vetë janë llumi i kësaj shoqërie.
Dhe ky klan tashmë e ka infektuar edhe gjuhën, duke qenë se ata e kanë monopolizuar atë – thjesht gjuha është pushtet – dhe ky infektim prodhon derivate gjuhësore që përkojnë me racizmin, p.sh. kur flitet për një vend në ndonjë bord të kompanive publike dhe aty kërkohet “dikush yni” dhe jo “dikush tjetër”.
Kjo d.m.th. se nuk ka më aq rëndësi as përkatësia partiake, porse përkatësia e llojit “i yni” i tejkalon përmasat ideologjike dhe merr karakteristika përshpirtëzuese , pra të llojit më të lartë.
Fridrih Niçe këtë kategori mediokrish dhe mësymësish drejt pushtetit i cilësonte “njerëz me fytyrë të mërdhezur”.

Po ashtu, cilësimi i tjetrit si “magjup”, “gabel”, “shka”, “antikombëtar”, “tradhtar”, thjesht u adresohet “atyre” – që nuk janë “Ne”, pra të deklasuarve, të mundurve, të cilët mund të bërtasin, të protestojnë, të çirren, të kritikojnë porse pa asnjë impakt ose efekt që mund ta cenojë grupin, përkatësisht klanin “Pronto”.
Ata janë të vetëdijshëm se pjesa më kritike e shoqërisë i krahason me mafinë, dhe pikërisht për këtë ata hapur sillen dhe flasin sipas kodeve mafioze, e më këtë ata dëshirojnë të arrijnë efektin e paprekshmërisë duke ua adresuar të tjerëve pamundësinë.

Përderisa asnjë nga liderët e PDK-së, partisë në pushtet, nuk është distancuar nga metodat dhe mënyrat mafioze të të bërit politikë në institucionet e shtetit nga Adem Grabovci & Co., pra askush nuk e ka kritikuar publikisht këtë mendësi të zaptimit të shtetit, mbase me një skenar të tejdukshëm “nxirret” deputeti Kujtim Paçaku në foltore dhe proteston.

Madje reziston duke thënë se ai nuk do të lëvizë nga foltorja e Kuvendit nëse nuk i kërkon dikush nga përfaqësuesit e institucioneve falje!
Dhe “Vëllazëria Pronto” publikisht i kërkojnë falje për cilësimin “magjup”.
E kuptoj Kujtim Paçakun plotësisht, ai është një nga të pafuqishmit në këtë shoqëri, siç është pjesa më e madhe e anëtarëve të kësaj bashkësie që nuk përkasin në “Vëllazërinë Pronto”.
E kuptoj ndjenjën e tij të njeriut të fyer e të poshtëruar, si pakicë etnike e kulturore, por edhe politike, sepse shumica etnike shqiptare dikur ishte e tillë – e nëpërkëmbur - nën regjimin fashist të Milosheviqit.

Paçaku pa dyshim është një patriot kushtetues kosovar, (poet në shpirt dhe luftëtar për të drejtat e komunitetit të tij), porse e falura (apologjia) shtihane që Kadri Veseli dhe Adem Grabovci ia kanë inskenuar në Kuvend, pa fajin e tij, është hipokrite, e mjerë!
Përderisa ata nuk i kanë kërkuar falje publikut për mënyrën abuzive të sundimit që nga paslufta e këtej dhe sidomos është hipokrite t’i kërkosh falje Paçakut e jo të gjithë kosovarëve pas aferës “Pronto”, pra të gjithë qytetarëve që e kanë dëgjuar infektimin dhe abuzimet e pështira që ata ia kanë bërë gjuhës.
Kadri Veseli si shef partie e ka detyruar Grabovcin në dorëheqje, kinse nga një post i shpifur (shef i Grupit parlamentar të PDK-së) për të dëshmuar se ai po e ndreq PDK-në, dhe për ta sjellë në vendin e tij një nga “Ne”, ai më këtë i qet hi syve publikut - kjo s'është kurrfarë dorëheqjeje nga kurrfarë posti – sepse po të ishte kjo betejë e sinqertë, Grabovcit do të duhej t’i merrej mandati i deputetit për t’i krijuar hapësirë hetuesisë që t’i gjejë provat dhe ta përplasë në burg.

Dijetari famëmadh Umberto Eco në librin “Në kërkim të gjuhës së përkryer (në kulturën evropiane) (Botoi Dituria 2008), duke folur për foljet në formën këpujë + mbiemër, konkludon se për fjalët që nuk përkojnë me parakët jepen mënyrat e shprehjes dhe për këtë kriteri i parë është sinonimi.
Për shembull, për “corruption”, lista e sinonimeve të mundshme është mjaft e komplikuar, sepse, sipas kontekstit, mund të bëhet fjalë për: të keqën, rrënimin, prishjen, infektimin, rrëgjimin, kalbëzimin…

Dhe nëse kësaj ia shtojmë intencat niçeane të sëmundjes, jetës në rënie, dekompozimin, dekadencën, dobësinë, atëherë mund të thuhet lirisht se shoqëria e korruptuar është e destinuar të vetërrënohet.
“Vëllazëria Pronto” në kontekstin kosovar është pushtet i të dobëtëve që sundon sipas mentalitetit të turmave – që sipas Niçes – ia del që të gjitha cilësitë fisnike të duken si vese dhe të gjitha cilësitë e dobëta të duken si virtyte.

Bie në sy, së fundi mësymja që në Kosovë të përlyhen të gjithë, sipas parullës “të
gjithë jemi të njëjtë”, kësisoj që të gjithë të barazohen, sa të mos ketë ndonjë
qytetar shembull, ndonjë autoritet moral në këtë shoqëri të rrëzbitur.

Pushteti i të ligjve (kakistokracia) ka krijuar një qëndrim psikik negativ kundrejt shtytjeve më natyrore të njeriut, jetës në ngjitje.
“Ky moralitet i skllavit, thotë Niçe, është “vullneti për mohimin e jetës, një parim shpërbërjeje dhe kalbëzim” (Stumpf: 361.)
Sipas Fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja të Mikel Ndrecës, folja “korrupsion-i” (lat.corruptio – prishje) d.m.th. ryshfet, mitë, prishje morale;

korruptim-i: të dhënët ryshfet, të korruptuarit, prishje morale.
Korruptoj: i jap dikujt ryshfet, i jap mitë, e prish nga ana morale.
Korruptues-i/e: ai që përdor dhurata, ryshfete etj. për të vënë dikë në shërbim të tij, ryshfetçi, ai që jep ryshfet.
Së këndejmi kjo folje përshkruan në të gjitha versionet e saj prishjen morale.

Të shkojmë me radhë (në këtë ushtrim stilistik) dhe të shohim në kontekst se çfarë “i flet” shoqërisë kosovare folja këpujë + mbiemër “korrupsion”, sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
* Keq: Ndajf. 1. Me cilësi të dobët ose shumë të dobët, pa i kushtuar vëmendje cilësisë; jo ashtu si duhet; me të meta, pa ia arritur plotësisht qëllimit; pa plotësuar kërkesat e nevojat; jo në përputhje me diçka; jo në rregull, jo drejt, në mënyrë të gabuar;
2. Në mënyrë të papërshtatshme e të pahijshme, duke krijuar një gjendje të vështirë, jo ashtu siç e do arsyeja e morali i shëndoshë, pa urtësi; në mënyrë jo të rregullt, keqas;
3. Në vështirësi, me zor, ligsht etj.
4. Në një shkallë të lartë keq… etj.
5. …pa bujari, pa dashuri… etj.
6. Dëm, vuajtje, fatkeqësi.
Shembuj: Sa keq! Sa gjendje e keqe! Si mos më keq...
Pastaj vijnë fjalët keqadministrim, keqan, keqardhje, keqas, keqbesim, keqbërës, keqdashës, deri tej fjala keqtrajtoj:
Dhe të gjitha këto fjalë i shkojnë për fytyre pushtetit kosovar.
* Rrënim-i: 1. Veprim dhe gjendje sipas kuptimeve të foljeve rrënoj dhe rrënohem. Rrënim i madh (i plotë). Rrënim i shtëpisë. Rrënim i fshatarësisë (i prodhuesve të vegjël). Rrënim i bujqësisë (i blegtorisë). Në rrugën e rrënimit. E çuan në rrënim.
2. Gërmadha, rrënoja, etj.

- Rrënimtar: Që sjell shkatërrim të plotë, që çon në rrënim, shkatërrimtar. Luftë (politikë) rrënimtare. Pasoja rrënimtare.
- Rrënohem: 1. Shembet përdhe diçka e ndërtuar; prishet krejt, shkatërrohet. Etj.
2. Figurë. Pësoj humbje të rënda materiale, shkatërrohem ekonomikisht,; varfërohem. Rrënohet vendi (ekonomia). Rrënohet fshatarësia. Rrënohen ekonomitë e vogla.
E kjo dëfton se si ka qeverisur kjo kastë sunduesish!
* Prish (prishës dhe prishje): 1. E rrëzoj përdhe diçka të ndërtuar, rrënoj, shemb, e shkatërroj, etj.
2. Bëj që diçka të mos punojë më, e dëmtoj, sa të mos hyjë në punë, e nxjerr jashtë përdorimit etj.
3. E shpërbëj; e shthur… etj.
4. E ngatërroj diçka, e çrregulloj e pështjelloj… etj.
5. Sjell humbje të rënda materiale ose ekonomike, e çoj në shkatërrim të plotë, dëmtoj rëndë, rrënoj. Prish shtëpinë. Prish ekonominë. Prish vendin.
6 Bëj që të dështojë diçka… etj. (…)
9. E zhduk, e vras dikë, e shkatërroj. E mund në luftë.
11. Bëj që të humbasë vlerën dhe cilësitë e mira; zvetënoj, bastardoj. Ia prishi shijen (bukurinë) E prishën gjuhën… etj.
12. E shthur dikë nga ana morale, e bëj të keq, e çoj në udhë të keqe, duke i mësuar vese, i heq një cilësi të mirë… etj.
(…)
14. Thyej para, shkoq…
15 Harxhoj diçka, shpenzoj etj.
16. Ndot ajrin etj.
17. Shkel një marrëveshje, një kontratë etj.
18. Ndërpres rrjedhën e rregullt a zhvillimin e mëtejshëm të diçkaje…
- Prishanik: Që prish shumë para e pa nevojë etj.
- Prishaplëngas: E plëngu është pasuria, malli.
Që prish plëng e shtëpi . Që prish gjithçka.
Prishja së këndejmi dëfton se çfarë ka bërë ky pushtet i kriminalizuar.
*Rrëgjim: Veprimi sipas foljeve rrëgjoj , rrëgjohem; gjuh. Rrëgjimi i një tingulli.
Mblidhem e zvogëlohem ose nuk rritem sa duhet e mbetëm i paktë nga një sëmundje, nga mungesa e veprimtarisë… etj.
2. I zvogëlohen përmasat, (…) tkurret, mblidhet etj.
3. Kthehet në një gjendje më të ulët (…) etj.
Folja dëfton pasojat për vendin.
* Infektim: Infektoj, infektohem: 1. Më zë një sëmundje ngjitëse, më ngjitet një sëmundje nga dikush tjetër etj.
2. Marr nga një tjetër diçka të keqe në mënyrën e jetesës, të të menduarit etj; marr vese, të meta e shfaqje të dëmshme etj.
* Kalbëzim: (kalbëzohet) 1. Fillon të prishet, nis të kalbet; kalbet etj.
2. Fillon të zërë qelb e të gangrenizohet;
3. Prishet nga ana morale, shkon në rënie, fillon të prishet nga brenda… etj.
Kjo dëfton rënien niçeane të një trupi, të një shoqërie, kjo thjesht në kontekstin kosovar d.m.th. shtet i dështuar!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...