Ndal histerisë masive!

13 Shkurt 2015 - 08:22 - Halil Matoshi      

Në një video ku disa fëmijë në një shkollë të Prishtinës përcillnin me lot shoqet e klasës, që me familjet po niseshin për dikah, mund të shihje e ndieje sinqeritet human, mirëpo kreatorëve të luftës speciale dhe konspiracionistëve u pëlqejnë shumë lotët e popullit!?

Thuajse në të gjitha studiot televizive në Tiranë opinionistë e politikanë të rangjeve e ngjyrave të ndryshme po flasin për konspiracion në rastin e “eksodit” kosovar, kurse maqedonas e serbë po tallen…

E në Prishtinë po zhvillohet një luftë klasike speciale për t’i dhënë jehonë të përmasave biblike këtij “eksodi”, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga problemet reale që i ka Kosova, përkatësisht për t’iu shmangur kështu demonstratave antiqeveritare.
Ngase Kosova aktualisht banohet nga tri grupime qytetarësh.

Nga veshja me pushtet politik (që njëherësh e kanë zaptue edhe fuqinë ekonomike në vend) dhe ata që heshtin, sepse janë konformistë, nga ata që hedhin gurë mbi pushtetin dhe nga ata që ikin…

Porse ikanakët janë shumë më afër me gurëhedhësit (brezi i humbur) sesa me konformistët dhe në këtë rrafsh, edhe ikja merr dimensionin e protestës!?
Sidoqoftë, këta nuk janë “refugjatët” e 1998-99-s që ikin me shpresën e pashuar të rikthimit. Këta janë episodistët e “L”America-s” shqiptare (1991) që ikin për ta rikthyer dinjitetin, por jo për t’u rikthyer në atdhe.

Së paku jo me dëshirën e tyre dhe jo shpejt.

Zemrën gur me e pasë, fëmijët ta zbusin, ngase një lot fëmije peshon sa një tragjedi kombëtare! Kur njeriu sheh një mësuese tek i përqafonte e po qante bashkë me ta dhe pas pak edhe Ramush Haradinajn të përlotur - një komandant i ashpër në luftë - që s'di të ketë lotue ndonjëherë, vërtet ndihet në siklet, por as pas këtyre pamjeve, qytetarët kosovarë nuk duhet të kalojnë në gjendje transi ose euforie.

Duhet t’i thonë “jo” vajtimit!

Kosova ka nevojë para së gjithash për racionalitet e jo për emotivitet…
Kjo nuk është kohë lotësh dhe romantizmash.
Është kohë e veprimit parandalues të të gjitha segmenteve të shoqërisë kosovare. Pra edhe nga opozita.

Mirëpo të kërkosh që me rezoluta kuvendare e me masa policore të ndalësh emigrimin, kjo d.m.th. t’i frikësosh edhe ata kosovarë që s’e kanë menduar ndonjëherë ta lënë atdheun e tyre të origjinës për një tjetër!?

Në anën tjetër, opozita kosovare kërkoi 40 milionë për krijimin e fondit emergjent për punësim!?

Nëse mbështetemi tek një studim i mëhershëm i UNDP-së, një vend pune në Kosovë kap koston rreth 10 mijë euro, atëherë del se me 40 milionë mund të punësohen vetëm 4 mijë kosovarë, një shifër tepër modeste, së paku në raport me 200 mijë vendet e punës të premtuara nga “Misioni i ri” i HTH., i cili, tashti i ngarkuar me punët e përbotshme, as që lodhet të komentojë emigrimin masiv të qytetarëve!?

Por as pushteti nuk e ka tutje luksin perandorak ta godasë opozitën, e cila “po dashka ta marrë pushtetin me dhunë”, sepse opozita këtë rol ka, ta marrë pushtetin, natyrisht pas legjitimimit të tij me votën e lirë!?

E në anën tjetër askush s’ka të drejtë të pengojë dikë në lirinë e lëvizjes, bile masat policore të përmendura ose të ndërmarra në kufijtë e Kosovës, nga zyrtarët kosovarë paraqesin shkelje të konventave ndërkombëtare, si: Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, artikullit 13, pikën 1 dhe 2; (1) Gjithkush ka të drejtën e lëvizjes së lirë, si dhe të banimit brenda kufijve të çdo shteti.

(2) Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend, përfshirë dhe vendin e tij, si dhe të kthehet në vendin e tij; Konventës ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike, artikulli 12, pika 2; (2) Gjithkush duhet të gëzojë lirinë e largimit nga secili vend, përfshirë dhe vendin e tij.

Prandaj edhe zyrtarët qeveritarë edhe mediet duhet të kenë kujdes, që të mos bëhen lamentues të shkeljeve të këtyre lirive dhe të drejtave, e në anën tjetër, media po ashtu duhej të ishte më e vëmendshme dhe më etike që kjo gjendje e ankthshme të mos shndërrohej në histeri masive, sepse në disa momente dukej se po e humbnin arsyen të gjithë!?

Ata që po shkonin dhe këta që po mbeteshin.
Në këso situatash kur Qeveria kosovare nuk e ka asnjë shpjegim të qëndrueshëm se përse po ikin kosovarët dhe sa është numri i atyre që e kanë braktisur Kosovën dhe që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, pos që po shfaqen retorika absurde politike, po qesin krye edhe teori konspirative, që nuk ndihmojnë asgjë, pos që nxisin edhe më tutje shpërnguljet.

Emigrimin nuk e ndal dot prononcimi politik i Albin Kurtit, që fajëson korporatat e Evropës Perëndimore, (një pretekst bizar për ta sharë pak neoliberalizmin!), të cilat kanë nevojë për fuqi të lirë punëtore, së cilës nuk i paguajnë sigurim social, shëndetësor e pensional.

“Për më tepër, qeveritë e djathta perëndimore, si zakonisht, u mundësojnë korporatave që t’i përdorin emigrantët shqiptarë që punojnë në të zezën si armë sulmi kundër sindikatave vendëse atje” – ekzagjeroi ai – duke u përpjekur t’u mbajë krahun sindikatave, të cilat, në stadin aktual të zhvillimit të mirëqenies në Evropën Perëndimore , kanë mbetur ”pa punë”!?.

Natyrisht se edhe në Gjermani, por edhe në shumë vende tjera të BE-së funksionojnë tregjet e zeza të punës, ku emigrantët shfrytëzohen për punë të rënda kundrejt një page të ulët dhe pa sigurimet që i gëzojnë të punësuarit legalë.
Mirëpo jo të gjithë janë kosovarë…

Madje këtë po e thotë edhe vetë një gjerman.

Thomas Straubhaar nga Instituti Ndërkombëtar Ekonomik i Hamburgut thotë se emigrantët e paligjshëm shfrytëzohen për punë me çmim të lirë dhe bëjnë punët, të cilat gjermanët i shmangin, ngase shumë kompani duke qenë të ballafaquar me ligje tepër të ashpra të azilit nuk po arrijnë që të sigurojnë fuqi të bollshme punëtore.

"Edhe nëse kjo tingëllon e çuditshme, është e vërtetë që - duke pasur parasysh rregullat e tanishme - Gjermania është e varur në punësimin e paligjshëm të punëtorëve të huaj".
BE-ja duhet të ndryshojë politikën e saj të emigracionit, për këtë arsye ekspertët e migrimit paralajmërojnë se BE-ja ka nevojë për një politikë të re progresive mbi imigracionin – në vend se të ngrihen mure rreth “Kalasë Evropë” - për të mirën e vet.

Kurse në diskutimet e mëhallëve parapolitike e kuazipolitike kosovare ka edhe të tillë që shkaktar për valën e migrimit e shohin “besëpremjen” e Isa Mustafës që riktheu në pushtet PDK-në, duke e lënë në baltë bllokun opozitar, kurse Rrustem Mustafa- Remi, një politikan i dorës së dytë në PDK, i sheh edhe protestat e fundit, të mbajtura nga opozita.

Në këtë “mëhallë” bën pjesë edhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, i cili preferon masat policore – administrative (duke iu kërcënuar qytetarëve që po e braktisin Kosovën se do të paguajnë shuma të mëdha parash!?) ose duke operuar me postulatet e luftës speciale, se kinse, vendet e BE-së do t’i fusin në lista të zeza të gjithë kosovarët që kërkojnë azil, që të mos mund të futen në këto vende pas liberalizimit të vizave, që Hyseni e prêt të ndodhë sivjet!???

Edhe një përrallaxhi tjetër u shfaq derisa emigrimi po merrte përmasa shqetësuese.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se premtimet e atyre që po e nxisin dhe po e lehtësojnë emigrimin janë të rrejshme.
“U kemi bërë ballë problemeve shumë më të mëdha, duhet ta luftojmë edhe këtë. Andaj thuaj ‘jo’ emigrimit!”

Me këtë grupim duket se është rreshtuar edhe Ambasada gjermane në Kosovë, e cila ka përdorur një term joetik, për këtë vuajtje njerëzore.
Pas raportit të “Bild am Sonntag” për “ortekun” e refugjatëve nga Kosova, si dhe prezantimit të numrave (del që është dyfishuar numri i azilkërkuesve nga Kosova në Gjermani) ministri i Brendshëm i Bavarisë, Herrmann, ka thënë se duhet “ndalur” ajo që ai e quajti “keqpërdorim” me “ligjet” gjermane.

Por një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme nuk ka dashur ta pohojë as mohojë nëse ekziston një shkresë e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, nga e cila dje ka cituar “Bild amS” dhe më pas të gjitha mediet gjermane.

Eurodeputeti gjerman nga radhët e të Gjelbërve, i cili është edhe shef i të Gjelbërve Evropianë në Parlamentin Evropian, Sven Giegold, ka kritikuar ashpër Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. “Njerëzit në Kosovë janë në një gjendje shumë të rëndë. Kur ata të vijnë në Gjermani duhet të trajtohen në mënyrë humane dhe me norma të shtetit të së drejtës. Njerëzit nuk janë katastrofë natyrore. Shprehja “ortek” është johumane dhe plotësisht e papranueshme”.

E në anën tjetër, ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë në Prishtinë se do të kthehen mbi 90 % e azilkërkuesve kosovarë dhe kjo, e parë në këtë prizëm, pra kur kihet parasysh gjendja e mjerueshme ekonomike e mijëra familjeve kosovare shihet si goxha shans, pra nëse Gjermania ua pranon azilin, përkatësisht i pajis me lejeqëndrimi e leje të përkohshme pune 3-6 muajshe rreth 10 % të kosovarëve që janë strehuar në këtë shtet gjatë muajve të fundit!?
Në janar të vitit 2015 në Zyrën Federale Gjermane për Emigracionin dhe Refugjatët ka pasur 25.042 kërkesa për statusin e azilit, njoftoi të hënën Ministria e Brendshme në Berlin. Kjo do të thotë rreth 73 për qind më shumë se janarin e vitit 2014.
Rreth 44 për qind e tyre janë pranuar si refugjatë dhe pak më shumë se një e katërta nuk janë pranuar!?

Aktualisht Gjermania është vendi i parë në BE për numrin e pranuar të azilkërkuesve. Në dhjetor të vitit të shkuar, nga Shqipëria ishin regjistruar 940 azilkërkues, ndërsa në janar të këtij viti janë 1.648. Ndërkohë në dhjetor ishin 1.956 azilkërkues nga Kosova, në janar janë 3.630 azilkërkues.

Në këtë vazhdë, gazetafjala.com solli një fakt tepër interesant: Eurostat thotë se rreth 20 mijë kosovarë lypin azil në vendet e BE-së në vit. Nuk ka institucion më kredibil për matjen e Emigrimit në Kosovë dhe kthimit sesa Agjencia e Statistikave e Kosovës.
E zyrtarët e kësaj agjencie thonë se rreth 3 mijë kosovarë kthehen nga vendet e BE-së në vit.

Kjo e dhënë determinon pyetjen legjitime se ku po “treten” rreth 17 mijë azilkërkues të tjerë kosovarë. Së kendejmi dikush ka gënjyer, ose Eurostat, ose ASK, ose shtetet e QUINT-it, ose vete BE-ja!?

Opozita ka përmendur shifra të frikshme (rreth 230 mijë qytetarë ose 13 për qind e popullatës së përgjithshme e paskësh lëshuar Kosovën), kurse Qeveria, ASK-ja, Policia e Kosovës dhe AKI-ja nuk kanë dhënë kurrfarë të dhënash të detajuara lidhur me lëvizjen e popullsisë në drejtim të Hungarisë e nga aty në vendet e zhvilluara të BE-së për dy-tre muajt e fundit.

Të dhënat flasin në favor të emigrantëve!

Duket se një pjesë e mirë prej tyre do ta prekin ëndrrën e tyre, “El Dorado-n”!?
Dhe duhet uruar fat atyre qytetarëve që janë nisur ta kërkojnë lumturinë e tyre - të drejtën e tyre – sepse atdheu i secilit njeri është vendi që i ofron dinjitet…
E qytetarët që nuk duan të shpërngulen, por që këmbëngulin ta bëjnë një Republikë që ofron dinjitet, nuk duhet ta humbasin asnjë minutë për të vajtuar “fatet e zeza të kombit”, sepse secila Qeveri e keqe i do qytetarët e vet sa më të zymtë e të palumtur…
Sidomos histerikë e joracionalë, për t’i sunduar më lehtë!?

Qytetarët kosovarë duhet të mobilizohen për ta rimëkëmbur shpirtërisht së pari, pastaj, politikisht e ekonomikisht Republikën!
Me ide e alternativa, por edhe në protesta e demonstrata...
Republika ka nevojë për besnikëri (lojalitet) e jo për klithma poetike e as patetike-patriotike, si ato te Aleksa Shantiqit: "Rrini këtu!"

Kosova e meriton dashurinë e të gjithë shtetasve, pra edhe të atyre që e kanë braktisur në këmbim të dinjitetit.
Kosovës nuk i duhet njeriu pa dinjitet!?
Duhet dashur Republika kur i ka punët keq, sepse po të ishte Zvicër, të gjithë do t'i përkuleshin flamurit të saj!?

© KOHA.net
 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...