19 Gusht 2016 - 08:07 - Halil Matoshi
Miku ndër më të mëdhenjtë i kosovarëve, Joe Biden, me Zonjën e Tij, Dr. Jill Biden, do të marrin pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III.
Kurse pos shtytjes përpara të dialogut me Prishtinën, zëvendëspresidenti amerikan do të diskutojë me Serbinë zyrtare çështjen e tre vëllezërve Bytyçi, shqiptaro-amerikanëve të vrarë 17 vjet më parë në Serbi, në rrethana të pasqaruara ende.
Porse miku Joe nuk i ka dëgjuar përgjimet në aferën “Pronto” dhe as që e ka këtë obligim.
Nga miku Joe, Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nuk do t’i kërkohen shpjegime shtesë për fjalinë e tij primitive: “Unë luaj k. me amerikanët…”, që në një përkthim të fjalëpërfjalshëm d.m.th.: ‘I play testicle with Americans’, mirëpo kjo fjali e shëmtuar do të tingëllonte krejt pa kuptim në burimin e vet etimologjik, sepse anglishtja nuk e njeh një lojë të tillë fjalësh, ndonëse shpjegimi më adekuat do të përkonte me fjalorin sportiv, atë të zhonglimit si p.sh.: “I play juggler with Americans… “
Duhet ta pranojmë ashiqare të gjithë, fjali më të pështirë e primitive, fyese e të papërgjegjshme për amerikanët dhe për kosovarët njëherësh, nuk ka shqiptuar njeri tjetër.
Sipas traditës së lashtë ballkanike - po edhe kosovare - mikut duhet t’i qasemi me sinqeritet, atij duhet thënë e vërteta.
Një mashkull shtëpie ka nxjerrë fjalë fort t’pahjeshme nga goja për vendin dhe njerëzit e mikut Joe!
Dhe për këtë zgjedhësit, 71 gra e burra kosovarë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet t’i kërkojnë falje publikisht njeriut të dytë të shtetit mik, Amerikës, sepse i zgjedhuri i tyre ka shqiptuar një fyerje për amerikanët shpëtimtarë.
Porse këta deputetë janë të ligj dhe të pasinqertë.
Ata nuk e duan Amerikën, sepse atë që e thotë i zgjedhuri i tyre tinëz për amerikanët nuk kanë guxim qytetar, moral e politik që ta pranojnë hapur – para mikut!
Qyshdo qoftë i rëndësishëm është fakti se Amerika nuk e ka braktisë Kosovën.
Porse Kosovën e qytetarëve, atë më të ndjeshmen e më të thyeshmen, njerëzoren, e ka braktisur shpresa!
Kosova me këtë kastë banditësh në pushtet është bërë një vend i pajetueshëm.
Jo gjithaq pse është një vend i varfër dhe i mjeruar, porse nga shkaku se është gjunjëzuar dhe po shkarravitet deri në poshtërim nga kasta e vet politike, e cila vazhdon ta ketë mbështetjen e Washingtonit zyrtar, pa ia tërhequr vërejtjen se kështu nuk bën, nuk shkon!?
Se kështu nuk mundet më!
Duhet të rikujtohet në anën tjetër, Joe Biden, kur më 3 janar 2007 si Kryetari i Këshillit për Politikë të Jashtme të Senatit amerikan, kishte shkruar në gazetën angleze “Financial Times” se kundërshtarët e “Kosovës së re duhet të ndalen”.
Ai kishte theksuar se pavarësia e Kosovës do të ishte fitore e demokracisë myslimane, e ardhme më e mirë për Evropën Juglindore dhe konfirmim i fuqisë amerikane drejt vendosjes së sundimit të së drejtës.
Në rast se nuk realizohet pavarësia, Biden parashikonte një dhunë në Kosovë të ngjashme me atë të marsit të vitit 2OO4. Ai pati theksuar se ekziston rreziku gjithnjë e më i madh që Rusia dhe Serbia të farkojnë komplotin në mënyrë që fitoren e këtij koncepti ta shndërrojnë në disfatë me veton e Moskës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Duke theksuar se administrata e Kombeve të Bashkuara i ka sjellë stabilitet Kosovës, Biden vlerësonte se banorët e saj me të drejtë janë lodhur nga status quo-ja, e cila procesin e privatizimit e bën të pasigurt. Biden asokohe posaçërisht ishte i zhgënjyer me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Vojislav Koshtunica, i cili refuzonte të dorëzonte kriminelin Ratko Mladiq, por edhe çfarëdo kompromisi në lidhje me Kosovën. Biden konsideron se Serbia është viktima më e re e strategjisë së Moskës me manipulimin e qeverive të dobëta, servile dhe jostabile, të shoqëruara me shfrytëzimin e gazit dhe të naftës që të minohen demokracitë e Evropës Lindore në zanafillë…
Biden absolutisht ka folur në kontekstin e asaj që forcat e rreshtuara kundër demokracisë dhe lirisë e bënin Amerikën se po ‘shkelte botën myslimane’, duke e potencuar si tregim suksesi Kosovën, një vend me një shumicë relevante islame.
Por çfarë ka ndryshuar pas nëntë vjetësh në këto konstelacione?
“Demokracia myslimane” e Kosovës (http://www.ft.com/cms/s/0/e0aa1a94-9a8a-11db-bbd2-0000779e2340.html#axzz4HUSuOF2L), ashiqare po shfrytëzohet nga të dyja palët, nga pushteti dhe grupet që militojnë një islam politik, për ta demoluar Kosovën qytetare dhe të lirë.
Pushteti duke shtrënguar shqiptarët myslimanë se po kolaborojnë me organizata terroriste si “Al Nusra”, ISIS etj. ka ndjekur e dënuar dhjetëra qytetarë kosovarë, pa prova të bollshme e bindëse, duke mos u garantuar gjykime të paanshme dhe po mësynte ta zhvendoste vëmendjen e publikut të brendshëm nga vjedhja e arkës së shtetit. Pala tjetër, proislamikët kosovarë po duan t’ia ndërrojnë fytyrën politike, historike dhe kulturën e Kosovës që kulturalisht dhe politikisht përket në hemisferën perëndimore, duke propaganduar “frymën erdoganiste” në vendin (dhe brenda të njëjtit komb), ku ligjërohen shërbesa fetare të tri feve universale abrahamike.
Por që popullsia shumicë mbahet e një prejardhjeje antike dardane, të shumtën shoqëri pagane, e në kushtet moderne ateiste.
Ndërsa në planin e jashtëm kasta që e sundon Kosovën po synon t’i vërë në lajthitje vetë SHBA-në dhe Perëndimin se kinse është rreshtuar me ta, në luftën kundër terrorizmit global, për t’u shfaqur si forcë e vetme kohezive që mban shekullaritetin e shtetit dhe të shoqërisë – dhe se pa ta do të bëhej hataja - pa e çarë kokën se kështu mund ta lëndojë, po edhe shpërbëjnë edhe shtetin, edhe shoqërinë.
Ndonëse për Kosovën e vogël e të varfër këto janë agjenda të jashtme dhe dinamika pa ndikime të mëdha, madje në Kosovë nuk është shënuar ndonjë incident, pra largqoftë as ndonjë akt terrori i natyrës së islamit politik, kasta politike dhe media, sikur të mos kishte punë tjetër, flet pareshtur deri në përmasa të një terrori verbal, për një armik fantom të ngjyrimit islamik që po e rrezikuaka Kosovën.
Sepse nga ana tjetër, disa klerikë të papërgjegjshëm shoqërisht, nën petkun e islamit të estradizuar, flasin marrëzira.
Në këtë vazhdë pushteti në Kosovë ka cenuar rëndë të drejtat e njeriut dhe liritë civile, duke e shkelur posaçërisht lirinë e besimit, si një nga katër liritë themeltare (lirinë e shprehjes, lirinë e të dëshiruemit ose lirinë ekonomike, si dhe lirinë nga frika) që i riktheu në agjendë politike Presidenti Roosewlt në fjalën e tij inauguruese, duke e mposhtur që në embrion demokracinë e vërtetë perëndimore, duke u pasuruar nga zyrat publike dhe duke e përvetësuar rreth 98 % të pasurisë kombëtare!???
Pra kakistokracia e PDK-së (me bekimin e LDK-së) i ka shkelur me këmbë këto katër liri me të cilat mburret Amerika e Georg Washingtonit.
Në anën tjetër, në Serbi forcat nacionaliste dhe proruse janë në rritje.
Në pushtet janë ultranacionalistët që ia kalojnë edhe vetë Koshtunicës dhe se socialistët që janë të përfshirë në pushtet po duan t’i ngritin përmendore kryefashistit Milosheviq, ndërsa tallen me viktimat e luftës në Kosovë, kurse me pushtetin në Prishtinë bëjnë kinse marrëveshje të cilat kurrë nuk jetësohen.
Ky njeri, i cili sot prêt mikun e shtëpisë, Joe Biden, e ka poshtëruar vendin e tij, pasi që me një kastë banditësh rreth vetes ia ka marrë të drejtën për të qenë i lumtur, andaj ky njeri do të duhej të refuzohej nga njeriu i dytë më i fuqishëm në botë!?
Po të ndodhte refuzimi i tij, pasuesit do të dinin t’i peshonin veprimet dhe fjalët e veta.
Ky njeri që sot, në emër të Kosovës, ia shtrëngon dorën mikut, sikur ka diçka për të fshehur, ose brejtja e ndërgjegjes nuk po e lë të qetë, duke e shtyrë të ngarendë nëpër gurë varresh, për t’i vajtuar serbët kosovarë, të vrarë nga një dorë e padukshme, padyshim të vrarë në mënyrë të egër dhe prapa shpine, porse pa një autor (autorë) të ditur botërisht.
Vajtja e tij në Grackë të Lypjanit para do kohe dhe përkulja para një pllake, ku ishin të gdhendura fjalët më të pështira për shqiptarët, që mezi i mbijetuan gjenocidit të nisur nga kreu fashist i Serbisë, Slobodan Milosheviq, e të penguar nga NATO-ja, nën drejtimin e ShBA-së, padyshim se ishte gabim strategjik, por ai nuk nxori asnjë mësim nga kjo!
Derisa në atë pllakë pos që shqiptarët si titullarë të shtetit të ri akuzohen për terror, e nuk mungon as pezhorativi ‘shiptari’, edhe NATO-ja akuzohet për agresion, ç’e shtyri Presidentin të shkonte tek e dyta!?
Ky President “i fshehtësive” sikur po e merr rolin e një vajtojceje (që ballkanasit antikë i kanë paguar me mëditje për ta aktruar të qarët e të vdekurve të tyre) në vend se ta bëjë detyrën e tij kushtetuese prej burrë shteti, të krijojë ambient të volitshëm për një hetuesi e gjyqësi të pavarur për t’i zbardhur të gjitha vrasjet e tmerrshme, të serbëve kosovarë, por edhe të aktivistëve politikë shqiptarë dhe kriminelët të sillen para drejtësisë.
Së këndejmi Presidenti po sillet sikur e ka një zor.
A po mësyn ai të shfajësohet vetë?
E sa për njollën që ia lë atdheut të tij dhe qytetarëve kosovarë nuk e ka dert!?
Prandaj vajtja e tij për t’i respektuar viktimat joshqiptare priret nga një moral i rremë: Ai ka qenë njeriu që i ka tërhequr penjtë e fuqisë politike në këtë vend që nga Rambouillet e këtej, së fundi edhe me pushtet të pakufishëm në dy mandate si Kryeministër dhe tash edhe President dhe ky njeri asnjëherë nuk ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së fshatarëve kosovarë të etnisë serbe me gjithë fëmijët e tyre, as në Grackë dhe as në Gorazhdec.
Po të nxitej nga intenca humane dhe qytetare do të thosha me loçkën e zemrës, i lumtë!
Në Gorazhdec, Presidenti u përkul sërish para një pllake guri në të cilën me një gjuhë urrejtjeje deri në përmasën e saj morbide për tjetrin, shkruhet si të thuash versioni hegjemonist serb i tërë historisë së Ballkanit: “Nuk është aq e tmerrshme të vdiset - por të varrosësh për së gjalli” – duke i bërë një lament, një thirrje epike të tërthortë ‘vozhdit’ Milosheviq, që të çohet varrit edhe një herë, sepse pa të serbët këndej pari u ndjekan të varrosur për së gjalli!?
Dhe natyrisht nuk mungon akuza: “Zrtve albanskih terorista” (Viktima të terroristëve shqiptarë) pa u pasë kryer kurrfarëë hetimi dhe pa u dhënë kurrë asnjë version zyrtar për ngjarjen.
Atje, më 13 gusht 2003, ishin vrarë nga dora kriminale Ivan Jovoviq (19) dhe Pantelija Dakiq (12), kurse ishin plagosur rëndë shokët e tyre Gjorgje Ugrenoviq (20), Bogdan Bukumiriq (14), Marko Bogiçeviq (12) dhe Dragana Serblak (13), derisa po laheshin ne Lumbardhë.
E përsërisim, ky mbishkrim akuzon shqiptarët pa asnjë lloj hetimi, por nuk e pengon Kryetarin e Kosovës që të përkulet para kësaj akuze të paprovuar nga asnjë hetuesi dhe nga asnjë gjykatë!?
Me këso aktesh Presidenti i vendit, për t'u imponuar në pikë dite para amerikanëve si figurë unifikuese në vend dhe për të hequr dyshimet nga vetja, po paragjykon shqiptarët pa asnjë provë - se paskëshin vrarë fëmijë serbë – e padyshim kushdo që i ka vrarë (e nuk përjashtohen as individë shqiptarë që fe e komb e kanë krimin), është kriminel i lig.
Mirëpo, paragjykimi nga ana e Presidentit (fajësimi i “shqiptarëve terroristë”) edhe nëse një ditë do të gjendej vrasësi (vrasësist) kurrë më nuk garanton një gjykim të drejtë e të paanshëm lidhur me këtë rast.
Ne anën tjetër, kushdo që ka pasur interes të dijë një anë të errët të së vërtetës së luftës në Kosovë e di se njësitet e DB-së (Drzhavna Bezbednost – Sigurimi i shtetit, që ishin spiunët fashistë të Milosehviqit) kanë vrarë vetë fëmijë serbë, për t'i fajësuar shqiptarët dhe kjo është provuar dhe pranuar nga zyrtarët serbë, në disa raste, si p.sh. në masakrën në kafenenë “Panda” në Pejë.
Atëbotë janë vrarë fëmijët serbë nga vetë njësitet luftarake serbe për ta legjitimuar agresionin ndaj popullsisë civile shqiptare në rajonin e Pejës dhe për këtë nga vetë shefi i Sigurimit të shtetit serb Markoviq është akuzuar shefi i “Beretave të kuqe” krimineli me damkë “Legija”, porse ai ka thënë se këtë e ka bërë me urdhër të DB-së dhe Markoviqit.
E kam thënë edhe në rastin e Grackës, se Presidenti është dashur të angazhohet personalisht për zbardhjen e këtyre rasteve dhe fajtorët e vërtetë të sillen para drejtësisë, (sepse ka fuqi politike në vend qe 17 vjet), por jo ta legjitimojë një krim monstruoz si vepër të të gjithë shqiptarëve, t’i akuzojë ata për terror e terrorizëm, për të hequr nga vetja dyshimet eventuale të Gjykatës Speciale.
Ai nuk e ka të drejtën t'i fyejë viktimat civile shqiptare - kam qenë vetë viktimë, prandaj mbaj mend gjatë, ndonëse fal - e kam përjetuar “holokaustin” në një kamp përqendrimi serb, në ‘Zabela’ të Pozharevcit) dhe këtë logjikë kurrë nuk do ta pranoj!
Kriminelët, kushdo qofshin, duhet të sillen para gjyqit, porse gjuha agresive e modelit ‘Shiptarski teror”, “Albanski teroristi”, “NATO agresija” e të ngjashme nëpër Kosovën e shtrënguar me hekur e zjarr për një shekull të tërë nuk mund të tolerohet .
Kosova duhet të lihet e qetë – të mos i kafshohet shpirti - sepse edhe ashtu po i mungon edhe buka e gojës.
Welcome Our good friend Biden!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...