Varka (e mbytur) e Benit (2)

16 Maj 2014 - 19:23 - Halil Matoshi      

Libri “Hëna e Shqipërisë” është ndërtuar nga copëza meditimesh e opinionesh të shpërndara tek-tuk në shtyp e medie elektronike, të cilat janë ngjitur në mënyrë plastike në një tregim futurist, për ta krijuar një mozaik të hënës shqiptare ose të Shqipërisë së përhënë dhe raporteve të saj të pasinqerta me Evropën dhe Kosovën... A mund të ngrihet ndonjë e vërtetë për të ardhmen mbi faktet që sot i posedojmë? Jo! Mund të ngrihen vetëm hipoteza

Nuk i janë dashur fare referenca kredibile Blushit që të spekulojë për të ardhmen shekullore të Shqipërisë dhe Kosovës, Evropës, madje edhe botës, që përkufizohet deri më 2114!?

Ndonëse i vënë në zgrip nga nevoja eksploruese (gjeopolitike, ekonomike dhe antropologjike) e botës në njërën anë dhe nga nevoja për sukses politik dhe medial në anën tjetër, ai ka rrëshqitur jo rrallë herë në kundërthënie dhe “llufta logjikë” – që Blushit i janë bërë “thembër Akili” në shkrimet e tij.

Nga ngutja ose mungesa e informacionit.
Por ka edhe probleme e çështje që i ka ngritur Blushi e që duan ndonjë përgjigje nga njerëzit e mendjes dhe shkrimit, e ndër to është posaçërisht gjuha shqipe, si leva mbi të cilën është ngjizur dhe mbahet gjallë kombi shqiptar, i cili, në mendësinë e neoenveristëve po dezintegrohet (ngase sipas Kristo Frashërit & Co, krijimi i dy standardeve të shqipes krijon dy kombe nga shqiptarët, si serbët dhe kroatët, duke i menduar kosovarët si komb të etabluar në të veçantat e veta, së pari politike (të gjitha kombet janë krijesa politike!), pastaj edhe në identitetin e veçantë kulturor.

Blushi i druan më së shumti humbjes, përkatësisht heqjes nga përdorimi të gjuhës shqipe pas një shekulli, duke e ritheksuar paranojën nga globalizimi, por edhe duke i pasur në nënvetëdije fërkimet veri-jug (veçmas në Kosovë) rreth standardit të shqipes ’72.
Mirëpo, teza e tij nuk argumentohet me asgjë tjetër pos me faktin se shqiptarët po largohen nga Shqipëria (proces që mund të pushojë), si dhe nga fakti se duhet të flasin edhe anglisht, në gjuhën e biznesit, posaçërisht turizmit.

Kjo drojë në epokën e globalizimit është legjitime, porse shumicën e shqiptarëve dhe kosovarëve që njoh, flasin dy e më shumë gjuhë të huaja, pa e harruar shqipen.

Ndërsa se si e flasin dhe se si e shkruajnë, kjo është çështje tjetër, debat tjetër.

“Kosovarishtja po kthehet në një anglishte muzikore” (fq. 63)
Autori e përdor muzikën për të shprehur frikën nga ndrydhja e standardit me bazë toskërishten dhe mundësinë që edhe jugorët ta vlerësojnë bazën e gegnishtes, si më të natyrshme dhe më afër kohës së hip-hopit, rap-it dhe teknologjive informative.
Së këndejmi Blushi duke folur për Evropën (e risjell postulatin nacional-romantik shqiptar për Evropën plakë!) del të jetë euroskeptik dhe sipas definimit që ai i bën shqiptarit izolatrik – po ashtu ai vetë bie në joparimësitë e izolatrikëve në raport me projektin evropian.

“Dhe si të gjithë ata që kanë frikë të rriten kur plaken, ajo (Evropa, vër.H.M.) po heziton të zgjerohet me territore dhe me popuj të feve të tjera si turqit, shqiptarët ose boshnjakët duke i vënë vetes të paktën, tre kufij që ka frikë t’i kapërcejë.” (fq. 21.)
E këta tre kufij sipas autorit janë Amerika, Rusia dhe Turqia, përkatësisht trevat qendrore të Ballkanit, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova.

Por Blushi nuk e bën diferencën, nëse kjo frikë duhet t’u përshkruhet vendeve që duan t’i ngjajnë Evropës, porse nuk sillen sipas vlerave të përbashkëta evropiane.

Ai e përshkruan Evropën si izolatrike, porse pak merret me vendet ballkanike ku nuk janë etabluar të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare, ku përplasjet ndëretnike nuk po pushojnë dhe ku kanë lulëzuar krimi i organizuar në lidhje me politikën, trafiqet me qenie njerëzore dhe me drogat, e ku “kriminelët tanë” janë rëndom të mirët, kurse “kriminelët tjerë” janë demonët!

Duke folur për Gjermaninë, ai e citon Bismarkun kur thoshte se Shqipëria është një koncept gjeografik, “...pra një vend që nuk ka aftësinë për t’u bërë shtet”. (fq. 31), për ta fuqizuar idenë e tij se Gjermanisë nuk i interesojnë shqiptarët.

Për hir të fakteve, Shqipëria vërtet atëbotë nuk ishte një entitet politik dhe kombi shqiptar nuk ishte ngjizur ende në komb kushtetues, me gjithë përpjekjet e rilindësve ishin rritur. Studiuesja Nataly Clayer për shqiptarët para shpalljes së Pavarësisë më 1912 e përdor termin “kolektivitet” historik.”

Andaj, shqiptarët dhe Shqipëria ishin një popull historik dhe një koncept gjeografik, por ata nuk kishin krijuar ende elitat kulturore dhe politike, institucione gjithëpërfshirëse, nuk ishin modernizuar dhe industrializuar – pra ende nuk ishin një komb politik.

Teza për një mosinteresim gjerman për shqiptarët është e diskutueshme, sepse që nga mbledhja e folklorit, përshkrimi i peizazhit kombëtar dhe regjistrit të “traditave të shpikura”, ishin austriakët përkatësisht gjermanët, që nga Fon Hahni, ata që e krijuan kombin shqiptar, në të gjitha rrafshet – dhe ishin gjermanët ata – që pa hezitim (por me shumë rezistencë nga brenda, kujto Kongresin e Bielefeldit të të gjelbërve dhe kavanozin me ngjyrë të kuqe që u derdh mbi Joschka Fischerin - atëherë bundesministër i Jashtëm) iu bashkuan amerikanëve për Kosovën, në fushatën e tyre kombkrijuese.

“Izolatriku nuk bën përpjekje për ta zgjeruar territorin ku ushtron fuqinë e vet dhe, aq më pak, për të ftuar njerëz të tjerë të cilët mendon se mund t’ia kufizojnë lirinë për të fituar...” (fq. 35.)
Dhe Blushi në këtë kontekst (në kontekstin e gjerë evropian) përpiqet ta sqarojë edhe situatën rreth izolatrikëve shqiptarë, të cilët kanë frikë të zgjerohen, në drejtim të Kosovës!?

“Kjo do të jetë epoka e tretë e izolimit të Shqipërisë nga Evropa, së cilës po i afrohemi me shpejtësi, si për shkaqe kulturore, ashtu edhe financiare.” (fq. 38.)

Sipas autorit, pas izolimit të parë, gjatë Perandorisë Otomane dhe izolimit komunist, ky do të jetë izolimi i tretë me bazë kulturore me bazë financiare!?

Dhe Blushi harron se vetëm një paragraf më lart ai po na thoshte se “po i afrohemi me shpejtësi, si për shkaqe kulturore...”, e tashti sikur bëhet pishman (bie në kundërthënien e radhës) dhe na e shpërfaq izolimin e tretë të Shqipërisë me bazë kulturore!?

“Vonesa e zgjerimit me Evropën do ta detyrojë Shqipërinë të zgjerohet. Natyrisht në Kosovë. Por ky proces shumë shpejt do t’i ketë kundërshtarët e vet që do të arrijnë ta shtyjnë bashkimin për disa dekada të mira. Dhe (...) ata nuk do të jenë më serbë, as rusë dhe as evropianë. Ata do të jenë shqiptarë.” (fq. 49.)
E para e punës Blushi profet e di me saktësi se ky bashkim ka me ndodhë, por ai i ka të gatshme shkaqet (faktorët) që do ta shtyjnë bashkimin për disa dekada.

Kjo tezë e shtruar për debat nga Blushi, qoftë edhe futuriste, është, së bashku me çështjen e gjuhës shqipe dhe me islamin politik, ndër temat qendrore të kryedebateve ndërmjet shqiptarëve. Blushi me saktësi thotë: “...shqiptarët kanë një zakon nga i cili nuk shpëtojnë dot: luftën me të vërtetën. E vërteta është viktima e tyre më e madhe në histori.” (fq. 49)

Por në mungesë të informacioneve kredibile për dhe rreth Kosovës, Blushi bie në kundërthënien tjetër. Ai shprehimisht thotë se Kosova është një eksperiment ndërkombëtar, por që, sipas tij, doktrina perëndimore nuk ishte e përgatitur përpara se të ndodhte. Ai këtu e harron atë që George Busch – Plaku - e kishte quajtur “Vija e tërhequr në zall - Kosova”, që në vitin 1990, sipas doktrinës “nation-maker” (kombkrijimit.)

Prandaj, Perëndimi jo që nuk ishte i përgatitur, por i kishte përpunuar tashmë të gjitha detajet, për projektin më të madh dhe më të suksesshëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, e që ishte Kosova.

“A ka mundësi që ky shtet të jetë politikisht dhe ekonomikisht i vetëmjaftueshëm? Unë them se po.” (fq.50) – konkludon Blushi. Dhe nga ky konkluzion e derivon një postulat të drejtë: “... eksperimentit shtetformues të Kosovës po i shkohet dhe do t’i shkohet deri në fund”.

Paragjykimit perëndimor (gjerman) për paaftësinë e shqiptarëve në shtetndërtim, sipas autorit, do t’i bashkohen edhe shqiptarët, dhe, sipas tij, sidomos ata të Kosovës.

“A duhet të bashkohemi me Shqipërinë? Në fund të fundit a ia vlen?” (fq. 51.)
Kundër bashkimit, sipas Blushit, do të ngrihet herë në heshtje e herë zëshëm elita politike kosovare, së cilës i është dhënë mundësia ta qeverisë një shtet që s’ka ekzistuar më parë (kosovarët kanë qenë njësi federale në ish-Jugosllavi, si subjekt konstitutiv i federalizmit më të drejtë vetoje, sipas Kushtetutës së vitit 1974), prandaj është e diskutueshme teza se kosovarët nuk e kanë “pasur kurrë këtë mundësi”!?

E dyta, nuk është bash ashtu qysh thotë Blushi, se klasa politike kosovare nuk flet për bashkim, por për integrim, sepse shumica e liderëve politikë kosovarë (jo vetëm Lëvizja VV dhe ajo për Bashkim, por kryesisht PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e rrahin fort këtë tezë) janë ende në fazën e nacionalromantizmit dhe ende i vuajnë narracionet e mëdha, siç është bashkimi me “Nanën Shqipni”.

Dhe kur Blushi thotë për kosovarët se “madje kur i dëgjoj që flasin për Shqipërinë, më duken shumë të ftohtë, aq sa, po të mos flisnin shqip, do të dukeshin finlandezë...” (fq. 53) dhe “në gjuhën e tyre të kujdesshme dhe preçize nuk gjen asnjë nuancë mbi të cilën mund të ndërtosh shpresën e bashkimit të shpejtë me Shqipërinë” (fq. 53) dëshmon mungesë të skajshme informate, ngase politikanët kosovarë në këtë kontekst janë shumë të nxehtë, madje zemërfyt, më së shumti konfuz dhe vetëm kur vijnë ca të huaj (ndërkombëtarët – siç thuhet për perëndimorët që enden nëpër Kosovë) ata i currojnë veshët dhe bëhen të kujdesshëm!
“I kam zili për përparimin që kanë bërë, duke u hedhur ujë të ftohtë ndjenjave nacionaliste” (fq.53.)

Ky postulat i autorit është i fabrikuar, duke pasur parasysh faktin se shumica e liderëve kosovarë shtyhen ende mes vete se kush është më patriot, më shqiptar i madh se tjetri, se kush e çon më lart flamurin kuqezi, e kush është tradhtar, i shitur tek serbi, apo kush përket tek “e vërteta serbe për Kosovën”.

Pra Blushi nuk i ka të njohura përmasat e polemikave plot patos rreth një shkrimi të Fatos Lubonjës për implikimin në krime të luftës të pjesëtarëve të ish-gueriles UÇK, pastaj trumbetimet nacionaliste para dhe gjatë festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë shqiptare, kur “edhe Shkupi dridhej” nga retorikat kombëtariste (nacionaliste) të Kryeministrit kosovar në ikje etj.

Por Blushi megjithatë shtron teza për debat, edhe kur nuk i ka të gjitha informatat.

“Pas sigurimit të pavarësisë së plotë nga Serbia dhe, për pasojë, edhe nga kontrolli ndërkombëtar, nevoja për më shumë autonomi nga Shqipëria do të dominojë mendimin politik në Kosovë” (fq. 51 -52.)

Kosova nuk ka qenë kurrë në histori pjesë e ndonjë strukture shtetërore (entiteti politik) të quajtur Shqipëri, pos si gjeografi dhe kolektivitet historik, natyrisht nëse nuk i anashkalojmë tre vjetët e administratës fashiste italiane, edhe kjo, një Kosovë e ndarë, gjysma nën Itali dhe e bashkuar Shqipërisë, e gati gjysma e administruar nga shqiptarët e serbët nën diktatin gjerman dhe bullgar.

Së këndejmi, teza se Kosova ka me lypë më shumë autonomi nga Shqipëria nuk është e drejtpeshuar, sepse pos “gjeopolitikës së emocioneve” (konstitucionit shpirtëror) në realitet, Kosova asnjëherë nuk iu ka nënshtruar diktatit nga Shqipëria.
Ajo është lënë e lirë në rrugën e saj. Ndonëse jo gjithherë e lënë vetëm.

Është e saktë ajo që thotë Blushi se Kosova po krijon domen financiar dhe elektoral të vetin. Mirëpo të jetë postulati ‘Kosova një shtet i pavarur’ – ajo që thonë shumica e politikanëve të Kosovës – vetëm postulat memorial për ta bindur veten më shumë se sa Perëndimin, kjo është e paqëndrueshme, sepse Kosova vërtet është një shtet i pavarur, por që ende nuk akseptohet nga të gjithë, për arsye të nacionalizmit që nuk po shteron dhe përballë turreve të Serbisë.

Porse, kosovarëve, të çliruar nga këto hove – kur janë vetëm – shteti i ri u mjafton.
Afërmendsh, që klasa politike kosovare nuk e do bartjen e pushtetit në Tiranë, mirëpo Blushi nuk e sheh edhe anën tjetër: Domenin e trupin elektoral shqiptar, i cili, me një bashkim urgjence, do të tronditej.

Ekuilibrat politikë të trupit elektoral shqiptar sipas ndarjeve tradicionale jug-veri, e majtë-e djathtë, do të thërrmoheshin dhe shoqëritë shqiptare zor se do ta arrinin paqen e brendshme nën një çati, për shumë vjet.

Prandaj, me dy shtete të pavarura, me kushtin e mirëqenies e zhvillimit demokratik, e kanë më mirë.

Pos nëse nuk i rikthehemi “shakasë” pa kripë të Blushit për “kolonizimin e Kosovës” nga Shqipëria!?

“Nuk kishin asnjë ngut dhe biseda për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën u dukej një ngjarje e largët, për të cilën nuk kishin arsye të merakoseshin përkohësisht. Më dukej njëlloj sikur bisedoja me një zviceran, që nuk ka asnjë ngut të jetojë në kufi me një belg. Nuk është aq e lehtë, më tha njëri prej tyre dhe, meqë duhej të gjeja një dalje, u thashë se Kosova, duke marrë parasysh kushtet ekonomike, mungesën e detit dhe një traditë të pakonsoliduar shtetformuese, nuk ka shans tjetër veçse të kthehet në një koloni të Shqipërisë. M’u desh t’i provokoja për të parë reagimin e tyre...” (fq.55.)

Pastaj autori gjatë konstruktit të kësaj historie thotë se miqtë e tij kosovarë do ta kenë marrë këtë provokim për fyerje.
“Kjo është frika jonë” – paskësh thënë njëri nga miqtë kosovarë të Blushit.

Lexuesi sado i vëmendshëm të jetë, pasi që nuk e di nëse Blushi ka folur me ndonjë kosovar apo e ka trilluar historinë, nëse ai ka qenë ndonjë njeri që mendon politikisht apo ndonjë injorant, atëherë ai as nuk mund ta shpjegojë “frikën tonë” nga kolonizimi!? Kosovarët, në thelb, nuk e kanë këtë frikë. Ata ende e kanë një ‘bauk’, që e ka emrin Serbi dhe atë, sa më parë që ta përjashtojnë nga debatet e tyre publike, politike e kulturore, aq më mirë do t’i kenë punët!?
Por Blushi vazhdon me pasaktësinë më nebuloze dhe më diabolike në tërë librin e tij. “Të bashkohemi ose jo me Shqipërinë! Unë besoj se duke e ndier këtë presion, klasa politike e shtyn ditën e pavarësisë së plotë politike nga Serbia dhe nga kontrolli ndërkombëtar...” (fq.56.)

Pse Blushi në këtë pikë e ka huqur fare debatin dhe ka rënë në formulimet maoiste të Lëvizjes Vetëvendosje?

E para, Kosova, duke qenë e kërcënuar me gjenocid, i cili u pengua nga Perëndimi, ka marrë vetëvendosje zhdëmtuese dhe ka shpallur pavarësinë e vet kombëtare më 17 shkurt 2008.
E dyta, nga Kosova është hequr mbikëqyrja ndërkombëtare (shtator 2012), kurse në epokën e sovraniteteve të kufizuara, ajo kurrë s’do të jetë krejtësisht sovrane, sepse pjesë të sovranitetit kombëtar barten në organizatat multikombëtare (NATO) ose mbikombëtare siç është BE-ja.

E treta, Kosova që nga qershori i vitit 1999 është plotësisht e pavarur nga Serbia, pos që e ka vuajtur rebelimin në veriun e saj, e që, pas Marrëveshjes së 19 prillit 2013, nga një konflikt i ngrirë e ka rikthyer atë çështje në konflikt demokratik dhe kulturor.
Prandaj, të pretendosh se Kosova po e shtyn pavarësinë e plotë nga Serbia, ja kjo është fyerje për shumicën dërrmuese të kosovarëve.

Dhe në fund, po e përmbyllim këtë shkrim me një fjali të Blushit, e cila përket në konceptet e mia se nga trungu shqiptar po lind një komb i ri, ai kosovar.

“Shumë shpejt Shqipëria do t’u duket si një re. Presioni që vinte nga Serbia do të zbehet. Pavarësia e plotë do t’i bindë shqiptarët e Kosovës se ka edhe një mundësi tjetër që mund të jetë shumë e vlefshme: pavarësia absolute.” (fq. 63.)

Ballkanasit ende kanë nevojë, për dallim nga tjetri, për ta shquar identitetin e tyre që nga rrënjët. Porse rrënjët pësojnë rëndom kalbëzim tek rriten filizat e rinj.

Kosovarët, nëse jo pavarësi absolute, kanë një pavarësi solide të jashtme, një konstitucion shumë të balancuar mes grupeve etnike dhe një solidarësi qytetare inkurajuese nga brenda.

- fund -

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...