Edhe një “kryengritje” e Drenicës!

9 Dhjetor 2016 - 08:22 - Halil Matoshi      

Zgjedhjet në Drenas janë sinjali që po e merr PDK-ja se po përfundon epoka e pushtetit të saj ekstarktiv (përfitues.) Ashiqare balotazhi ndërmjet kandidatit të PDK-së dhe Nismës dëfton fillimin e rënies së PDK-së në rrafshin kombëtar dhe humbjen e parë të Kadri Veselit si lider i PDK-së. Balotazhi në Drenas është ndëshkim për kulturën e pandëshkueshmërisë së krimit!

Drenasi po e mëson leksionin e parë në demokraci.
Mendimin jokolektivist dhe ndëshkimin tek kutitë e votimit të “djemve të këqij”!
Dhe kjo në kontekstin e Drenicës është revolucion.
Kryengritje.

Në këtë vazhdë Drenica si rajon ka nisur të bëjë progres në mendësinë politike – pa patetikë – se nuk është e thënë të votohen njerëzit që dje i kanë dhënë diçka vendit, por ata që kanë çka t’i japin edhe në të ardhmen.

Duke e njohur trevën e Drenicës si vend të flijimit përgjatë tërë shekullit 20, si habitat i njerëzve të shtypur e të ndjekur nga të gjitha regjimet e Serbisë, që e vetmja strehë u kishte mbetur oda e burrave dhe folklori, ku ata fshiheshin nga përditshmëria - deri në kryengritjen e radhës - kjo më ndërlidhet gjithnjë me faktin se drenicasit lëvizin fare ngathët dhe shumë ngadalë politikisht. Duke e njohur peshën e varfërisë me të cilën ishin dënuar drenicasit nga regjimet antishqiptare të Serbisë për shkak të padëgjueshmërisë së tyre, sapo e kam parë në internet shtëpinë me basen të Ramiz Lladrovcit, papritmas më erdhi ne mendje ideja se këtij njeriu punët do t’i shkonin keq.

Realisht, ai është ende i pari në Drenas, mirëpo partia e tij ka humbur vota në masë, rreth 20% nga zgjedhjet e kaluara dhe kjo ndez alarmin.
Po pse Drenica, pse Lladrovci?

Fati e deshi që Drenasi të shkonte në zgjedhje të parakohshme për shkak të dënimit të ish-kryetarit Nexhat Demaku për krime lufte.

Dhe kështu Drenasi të shndërrohej në laboratorin e parë të hulumtimit të opinionit, nga i cili po jepet mandati për PDK-në në rrokullisje drejt humnerës!?
Ndërsa Ramiz Lladrovci si shef kabineti në qeverinë e Agim Çekut sa ishte në AAK – pra i distancuar fillimisht nga partia e Hashim Thaçit – ai u rikthye në PDK kur edhe ish-shefi i tij, Çeku, iu bashkua kësaj partie, porse Lladrovci u shpërblye nga Thaçi me një post publik në diplomaci, që kurrë s’i ka shkuar ndoresh.
Emërimi i tij ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë, pasi që pararendësi i tij, Sylejman Selimi, po ashtu u dënua nga gjykata për krime lufte, ishte bërë thjesht për ta “hequr qafe” dhe jo për t’u shërbyer interesave të shtetit kosovar!
Sepse shteti kosovar as që ka një plan të detajuar se cilat janë politikat e tij kundruall Tiranës zyrtare, pra as Lladrovci nuk ka reflektuar kurrfarë projeksionesh ose interesash kosovare në Tiranë, pos lypësisë së favoreve nga shteti shqiptar, në politikat e përbotshme, aty ku Prishtina nuk arrin!
Histori gjyqesh për vepra të tmerrshme krimesh e kanë ndjekur PDK-në që nga themelimi i saj, dhe hija e ligjit po i sillet mbi krye edhe tashti si fantazmë, mirëpo atëbotë kjo parti kishte mbështetje popullore, madje edhe tek njerëzit e kampeve tjera politike për hir të luftës çlirimtare dhe për arsye se shumë nga ata që dënoheshin ishin përballë me fashizmin e Milosheviqit.

Së këndejmi, deri në vjeshtën e vitit 2007 zgjedhjet i fitonte LDK-ja, ndonëse viktimë e drejtpërdrejtë e agresionit të njerëzve kryesisht të PDK-së dhe SHIK-ut, mirëpo nuk ishte gjithçka dhunë politike, kishte edhe simpati për “krahun e luftës”, sepse qytetarët nuk ua harruan sakrificën gjatë luftës.

Pra, PDK-ja po fitonte terren pa zgjedhur mjete, derisa u ngjit në pushtet.
Mirëpo, pikërisht pushteti e bëri atë të urryer, së pari nga pjesa më e emancipuar e kosovarëve e pastaj edhe nga turmat.

Ashiqare PDK-ja ka qeverisur keq, duke e koncentruar pushtetin në pak palë duar dhe kryesisht duke u mbështetur në kakistokraci, porse edhe duke u shndërruar thjesht në parti të korrupsionit masiv. Dhe, së këndejmi, duke i shndërruar të mirat kombëtare në pronë private, përmes pushtetit ekstarktiv (përfitues.)

Pra, PDK-ja e ka qeverisur Kosovën (me koalicione të ndryshme) për tri mandate me pushtet personal.
Dhe të dorës së fortë.

Ngjitja e Thaçit në postin e presidentit natyrisht që e la atë pa pushtet faktik, kurse PDK-në pa lider që i kishte mësuar hiletë e pushtetit. Dhe tashti Kadri Veseli nuk mundet “ta arnojë” gardërobën e leckosur të kësaj partie që ka njohur vetëm fuqinë dhe paratë!

Por jo edhe qeverisjen në të mirë të publikut dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Në fakt, jo ekonomia, por kultura e mosndëshkimit të krimit që e etabloi Hashim Thaçi po i hakmerret PDK-së, së paku nëse e marrim për indikacion balotazhin në Drenas.

E sa u përket qytetarëve të Drenasit, ata edhe mund të mos kenë ndonjë zgjedhje më fatlume, porse mjafton që PDK-së ia kanë ndezur sensorët e alarmit.
Keq i ka punët!

Jo pse ka shkuar në balotazh, porse po e braktis ngadalë Drenica.
Po e merr ndëshkimin e merituar.

A thua nesër, kur drenicasit ta heqin qafe këtë regjim të kriminalizuar, kanë për t’u shfajësuar: “Nuk kishim kah t’ia mbanim. Ishim të frikësuar”?
Apo pushteti përfitues i PDK-së ka për t’i tallur: “Na keni votuar, sepse ua kemi blerë votat me para e tenderë”!?
E vërteta qëndron diku në mes.

Drenicasit fillimisht ishin të ekzaltuar se më në fund edhe ”ata” mund t’i kishin “njerëzit e tyre” në pushtet, kurse më pastaj, një pjesë “ishin të shitur”, kurse pjesa tjetër nisën të ndiheshin pengje të njerëzve të cilët vetë i kishin fuqizuar, të cilët nuk njihnin më as zot as vend!

Së këndejmi, shkuarja në balotazh e kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci, me kandidatin e Nismës për Kosovën, Isa Xhemajli, dëshmon për fillimin e rënies së PDK-së në rrafsh kombëtar.

Drenica realisht është test se PDK-ja po bie, ngase tashmë ishte bërë rregull ideja se pa ia kthyer Drenica shpinën PDK-së ajo nuk bie nga pushteti.
Për arsye të kontekstit.

PDK-ja e ka nominuar Lladrovcin si njeri të fortë në Drenas, duke qenë e vetëdijshme se po e humb fuqinë – prandaj është zgjedhur një njeri i fuqishëm - mirëpo në rrafshin kombëtar në Kosovë pikërisht njerëzit e fortë janë ata që po dalin nga historia elektorale, një nga një.

Sampsonët kosovarë po e humbasin fuqinë, pikërisht atje ku ata ishin betuar!?
Qoftë për arsye se kanë rënë ndesh me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, qoftë për shkak të sjelljes së tyre prej azganësh, që se njohin mëshirën, humanitetin, peshën e fjalës dhe të veprimit…

Balotazhi në Drenas, edhe pse kandidati i PDK-së prin, nuk është fitore e opozitës, por shënon humbjen e parë të Kadri Veselit si lider partiak dhe humbjen e parë të PDK-së në Drenicë.

Lladrovci i PDK-së ende nuk është i humbur përfundimisht, porse atij i ra hise ta bartë damkën e mëkatit të PDK-së karshi njerëzve të rëndomtë në Drenicë e së këndejmi – si indice - edhe në tërë Kosovën.

Rënia drastike e votave për PDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, në raport me zgjedhjet e fundit lokale, nuk mund të analizohen ndryshe pos si një indikator se subjekti më i madh politik kosovar do të ketë rënie në nivel kombëtar, kurdo që të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

Madje, nëse analizën e mbështesim në rezultatin e Drenasit, të gjitha partitë politike në vend, përpos PDK-së, do të kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme nacionale.

“Rënia e madhe” e PDK-së në Drenas i rrit gjasat e oponentëve të saj, së këndejmi edhe kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale do të jetë edhe më e zëshme.

Pas këtyre rezultateve në Drenas, PDK-ja do të jetë ajo që do të përpiqet t’i bllokojë zgjedhjet e parakohshme nacionale, duke fituar kohë për riparimet e brendshme.

Me gjasë do ta mendojë ndërrimin e strategjisë duke i zëvendësuar njerëzit e fortë të luftës me “shkollovana”!?

Duke qenë se nga PDK-ja tashmë gjatë kohë varet edhe shkolla kosovare, prandaj titujt akademikë që njerëzit e saj i kanë dhënë me bollëk, ndoshta do t’i vlejnë për ta kamufluar ndryshimin e kursit!

Për ta ambalazhuar “me diploma” mungesën fatale të dijes, ideve politike dhe etikës së pushtetit.
Përndryshe, kjo është hera e parë që nga paslufta që PDK-ja shkon në balotazh në Drenas, pasi që të gjitha zgjedhjet lokale i ka fituar qysh në raundin e parë.
Dhe PDK-ja në këtë rast nuk mund ta luajë qaramanin duke akuzuar trevat e tjera të Kosovës për racizëm kundër njerëzve të Drenicës, sepse ndëshkimin e mori nga të vetët.

Kreu i PDK-së tashti duhet t’i analizojë në detaje ato që thoshte Jakup Krasniqi për frikën dhe frikësimin e njerëzve gjithandej në Drenicë dhe Kosovë.
Ndërsa opozita për të nxjerrë fitoren e parë të saj në Drenas nuk mjafton që të jetë e bashkuar, ajo duhet të jetë më kërkuese dhe këmbëngulëse, së pari që të lidhë aleancë me qytetarët (e jo vetëm me partitë e tjera opozitare në Drenas) – me betimin se nuk do ta përsërisë kurrë modelin qeverisës të PDK-së - pra, në mbjelljen e besimit se nuk do të qeverisë me dorë të fortë në Drenas, si paraardhësja ideologjike PDK.

Dhe, së dyti, opozita e ka për borxh që të dëshmojë para kosovarëve se ka mbledhur mend!

Madje opozitës (Nismës për Kosovën në këtë rast) i takon që t’u kërkojë falje qytetarëve të Drenasit që dikur kishte besuar se PDK-ja do të jetë ajo që do ta shpëtonte Drenicën!

© KOHA Ditore
 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...