4 Nëntor 2016 - 08:18 - Halil Matoshi
Përpjekjet për barazimin e krimeve ndaj civilëve, si dhe fabrikimin e provave në proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në njërën anë, por edhe pengimi i Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës që ta padisin Serbinë për gjenocid në gjykatat ndërkombëtare tashmë po zbatohen ashiqare. Dhe për këtë Serbisë në ndihmë u kanë ardhur prokurorë e gjykatës, kryesisht nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Porse, natyrisht se fajtor e parë është kasta kosovare politike që doli nga UÇK-ja, duke mos lejuar asnjëherë etablimin e institucionit të gjyqtarit të pavarur dhe që e ngritën në kulturë mosndëshkimi të krimit, që nga paslufta e deri më sot…
Dhe kjo sot është shndërruar në armë në duart e Beogradit zyrtar!
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, po thotë se projekti i shtetësisë së rreme të Kosovës që ai e cilëson si KIM (Kosovo i Metohija) nuk do të ketë sukses, edhe pse në të janë investuar miliarda, sepse shtetin serb e pret lufta me breza të tërë që t’i rikthejë interesat e veta. Së pari, ai e ka thënë shkurt e serbisht një fjali jologjike dhe të marrë, sepse projekti i rremë nuk ka arsye të dështojë, ngase nëse është i rremë ai nuk ekziston.
Së dyti, ai po u dëshmon kosovarëve armiqësinë e paqetësuar ndaj shqiptarëve të të gjitha regjimeve e qeverive serbe.
Ku është Kosova në këtë luftë memorandumesh, diplomatësh dhe brezash?
Thjesht askund. E zënë peng nga një kastë politike ekstraktive (përfituese) që e ka kapur shtetin dhe e ka shndërruar mosndëshkimin e krimit në kulturë qeverisjeje, e tashti pas themelimit të Gjykatës Speciale edhe e frikësuar për lëkuren e vet, Kosova nuk di të mendojë politikisht!?
Me këtë hov në javët e ardhshme do të hedhim dritë mbi qasjen raciste ndaj shqiptarëve, që nga Cvijiqi, i cili, duke qenë racist i bindur dhe njohës i keq i gjermanishtes, i kishte cilësuar shqiptarët “njerëz me bishta” duke u bazuar në një figurë mitologjike shqiptare për të cilën kishte folur Von Hahn dhe demantin që i bën atij Oliver Jens Schmitt, përmes elaborateve të Andriqit dhe Qubriloviqit, Memorandumit I të SANU, “Operacionit Patkoi”e deri te Memorandumi II, i cili sa i përket Republika Srpskas dhe Kosovës tashmë në disa pika ka nisur të realizohet, ndërkohë që edhe disa qarqe etnonacionaliste dhe integruese shqiptare pavetëdijshëm po u kontribuojnë qëllimeve finale të tij dhe sidomos politikat e këqija veçanërisht për sa i përket sundimit të ligjit në Kosovë, po u japin ndihmë të çmueshme mësymjeve të këtij projekti serb, më të riut dhe më të rrezikshmit, sepse ai synon realizimin e qëllimeve në mënyrë paqësore, diplomatike dhe me dialog me shqiptarët….
Albanofobia, përkatësisht ndjenjat kundërshqiptare ishin dhe janë gjerësisht të përhapura në Serbi. Me pak fjalë, detyrë parësore e çdo qeverie serbe që nga themelimi i shtetit serb e këtej është si të zhbëhen shqiptarët nga harta gjeopolitike e Ballkanit, përkatësisht e Evropës.
Së fundi, Serbia moderne nga qasja klasike ushtarake (që shqiptarët dhe Kosova të nënshtrohen me luftë) e që buronte nga Memorandumi i Parë i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave (SANU) i vitit 1985 - 1986 (shkurtimisht memorandum SANU) që është një dokument si program strategjik i inteligjencies serbe. Draftdokumenti ishte botuar në gazetën ditore “Večernje novosti” në dy vazhdime më 24 dhe 25 shtator 1986.
Objektivat e tij realisht mësynin që më luftë të mbahej Jugosllavia, përkatësisht të “mbroheshin” serbët në tërë hapësirën e ish- Federatës Jugosllave dhe të nënshtrohej përfundimisht Kosova,
Gjë që ndodhi gjatë një dekade luftërash të përgjakshme kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve myslimanë dhe shqiptarëve në Kosovë.
Porse, askush nuk ka bërë ndonjë analizë të kapërcimit nga “zgjidhja ushtarake” (që dha fryt, krijesën kriminale Republika Srpska ndonëse dështoi në Kosovë) në një “zgjidhje – përkufizim paqësor mes serbëve dhe shqiptarëve – duke e shpërbërë fillimisht shtetësinë e Kosovës. Ashiqare kjo është përmbajtja e Memorandumit II të vitit 2012 me autorët Ljubomir Tadiq dhe Dobrica Qosiq, projekt i cili mësyn pos “shërimit” të Serbisë nga disfata në Kroaci dhe në Kosovë edhe përkufizimin paqësor me shqiptarët, që është një hile e madhe sepse synon shpërbërjen e shtetit kosovar, bisedime direkte me Tiranën zyrtare dhe në fund ndarjen e Kosovës për të marrë “diçka nga gjithçka e humbur me luftën shtatëjavëshe të NATO-s kundër forcave serbe të sigurisë, sipas kapitullimit të nënshkruar në Kumanovë më 9 -10 qershor 1999. Porse ky mashtrim serb është fare pak i kuptueshëm për shqiptarët e brumosur në etnonacionalizmin romantik të shekullit 19 dhe grupeve arkaike nacionaliste (nacionalizmi defansiv në Kosovë, gjatë viteve 1981 – 1988), përderisa, në vend që të studiohen të gjitha elaboratet dhe platformat e Serbisë dhe të merren kundërmasa politike, juridike dhe diplomatike, “shqiptarët patriotë” shpallin “shqiptarë tradhtarë” kah të sillen, duke qenë intelektualisht inferiorë dhe politikisht naivë.
Intelektualët serbë, si shkrimtari Mirko Gjorgjeviq, urrejtjen ndaj shqiptarëve e ndërlidhin me konfliktin historik serbo-shqiptar, që daton nga koha e Sulltan Abdyl Hamidit II që ishte në pushtet prej 31 gushtit 1876 derisa u rrëzua menjëherë pas Revolucionit xhonturk më 27 prill 1909. Tahir Kolgjini, një historian jokomunist ka shkruar për qasje të tij të butë ndaj shqiptarëve dhe forcimin e tyre si faktorë ushtarakë në drejtim të Serbisë.
Kolgjini pastaj flet se si Isa Boletini ka qenë pjesë e Gardës me ushtarakë shqiptarë që e mbronin sulltan Abdyl-Hamidin dhe përse xhonturqit e sulmuan ashpër dhe e detyruan të abdikojë.
Mirëpo, armiqësia serbe ndaj shqiptarëve ka marrë përmasa më të mprehta strategjike, me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Albanofobia mbështetet kryesisht tek stereotipat, paragjykimet dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve, që së voni ka marrë karakteristikat e një lufte të hapur diplomatike ndaj entitetit juridik-politik të quajtur Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.
Sipas Gjorgjeviqit, albanofobia ka marrë karakteristikat e një forme të racizmit, për aq sa është e ndërlidhur me besimin se shqiptarët janë një racë më e ulët.
“Sipas disa shqiptarëve, së këndejmi ndjenjat antishqiptare shihen tek përdorimi i emërtimit ‘Šiptari‘, një formë e etnonimit ‘Shqiptar’ të sllavizuar, i cili për shkak të konotimit negativ në gjuhën serbe konsiderohet fyes”.
Përgjatë historisë shumë intelektualë serbë kanë hartuar dhe u kanë propozuar qeverive serbe shumë projekte kundërshqiptare, dhe më të njohurit janë: Jovan Cvijiq, Vasa Qubriloviq, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq dhe së voni edhe Ljubomir Tadiq (babai filozof i ish-presidentit serb Boris Tadiq.)
Shkrimtari dhe analisti serb Gjorgjeviq konkludon se janë hartuar qindra memorandume, plane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Dhe kur t’i shfletoni ato zgjidhje, qofshin ato nga epoka e komunizmit, shtetërore apo kishtare, lehtë mund të hetohet se të gjitha ato plane janë bërë – për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në mënyrë që në Kosovë të mos ketë shqiptarë. "
Një hulumtim i opinionit, i realizuar në Serbi më1998, tregoi se një e treta e respodentëve është për zgjidhje me dhunë të çështjes së Kosovës - 16% të të anketuarve ishte për atë që shqiptarët “të spastrohen”, “izolohen” në një kamp të madh përqendrimi ose të shkatërrohen me “bombë atomike”, kurse 17% kishin propozuar shpërngulje të dhunshme.
Gjatë vitit 1998 - 1999 pushteti serb aplikoi fushatën e spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova, të njohur si “Operacioni Patkoi” (që për nevojat e aleatëve së pari u zbulua nga shërbimi sekret bullgar), dhe ky ishte preteksti për bombardimet shtatëjavëshe të forcave serbe të sigurisë nga Aleanca Veriatlantike, NATO.
Në aktakuzën kundër udhëheqjes serbe për krime lufte në Hagë zinte vend edhe ky postulat i vjetër aq sa shteti serb: “Policia, ushtarët dhe oficerët ushtarakë, shqiptarët e Kosovës i fyenin me nge në bazë të përkatësisë së tyre etnike, fetare, politike;
Shqiptarët u nënshtroheshin fyerjeve e sulmeve raciste, akteve poshtëruese, rrahjeve dhe formave tjera të abuzimit fizik.”
Në funksion të përpilimit të Memorandumit II, (2012) ishte zhvilluar edhe një bashkëbisedim i gjatë mes Boris Tadiqit, atëbotë kryetar shteti dhe shkrimtarit Svetislav Basara, të cilët ishin marrë vesh për afirmimin e një intervenimi jokonvencional në politikën shtetërore karshi Kosovës, në çështjet strategjike kombëtare dhe në marrëdhëniet rajonale, ku natyrisht shquhej sforcimi i dialogut mes Beogradit dhe Tiranës (duke anashkaluar Kosovën si entitet – subjekt i së drejtës ndërkombëtare) për “një përkufizim paqësor mes serbëve dhe shqiptarëve”.
Dhe nuk është fare befasi pse sot Ivica Daçiq dhe Boris Tadiq thonë se në Kosovë nuk ka kosovarë, porse ka vetëm shqiptarë të Kosovës, serbë, turq, romë etj.
Sepse kur ata thonë nuk ka kosovarë, e mendojnë shtetin kosovar, dhe kosovarizma që po forcohet në terren i tmerron.
Ndonëse disa integristë e etnonacionalistë emotivë në Kosovë po e rrahin të njëjtin tel, pavetëdijshëm, megjithatë duket se patriotizmi shqiptar me sukses po transformohet në kosovarizëm, si përballje e shtetit kosovar me shtetin serb dhe jo më si nacionalizëm defansiv dhe folklorik.
Është e pabesueshme por e vërtetë, Boris Tadiq në këtë bashkëbisedim e kishte thënë një të vërtetë madhore, se në Serbi që nga institucionet, Akademia e Arteve dhe Shkencave janë parapolitike dhe paraushtarake!
Me këtë “jokonvencionalitet” përkon edhe qëndrimi serb se mund të jetohet me Shqipërinë e Madhe (natyrisht pas ndarjes së Kosovës) apo me lëshimet politike pak nga pak në Kosovë dhe me Evropën dhe me afrimin - gjithnjë e më të hapur - me NATO-n.
Pajtimi i Serbisë me Shqipërinë e madhe është letër lakmuesi për disa shqiptarë, porse me shërbimet sekrete serbe kanë ngrehur “flamujt e rremë” dhe po përpiqen të krijojnë masë kritike kundërkosovare, duke nxitur sa më shumë shqiptarë në Kosovë që të besojnë në këtë projekt, duke mos i dhënë besnikëri dhe lojalitet shtetit kosovar në emër të një projekti më të madh, njëfarë fantazme të quajtur Shqipëri etnike, të madhe ose natyrale…
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...