Votojeni Arsim Bajramin!

19 Shtator 2014 - 11:11 - Halil Matoshi      

Blloku opozitar VLAN duhet të dijë të manovrojë politikisht dhe të menaxhojë situatën krizore, duke ia dhuruar PDK-së postin e të parit nga të barabartët e Kuvendit, për ta nxjerrë partinë e Hashim Thaçit në opozitë.

Për të qenë të sigurt në ndërtimin e Qeverisë së re brenda dy javësh, e për të mos lejuar që PDK-ja dhe presidentja ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, VLAN-it i duhet ta votojë Arsim Bajramin për kryetar Kuvendi

Blloku opozitar në secilin variant tjetër (pos nëse tërhiqet PDK-ja) do të ngrihej mbi verdiktin e Gjykatës Kushtetuese dhe do ta bartë kryqin e mallkimit gjatë kohë, dhe atë nga grupimi politik më jokushtetues dhe më jolegal që ka pasur Kosova ndonjëherë. Sepse kjo gjykatë nuk i ka lënë asnjë mekanizëm legal që shumica parlamentare ta nominojë dhe ta zgjedhë kandidatin e vet për kryetar Kuvendi.

Nëse blloku opozitar i ndërtuar me aq mund rrezikon që për hir të postit të kryetarit të Kuvendit (që vetëm në Evropën Juglindore vlen si post politik) të mos e krijojë Qeverinë e re të Kosovës si kundërpeshë të keqqeverisjes, dhe e shpie vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë do të dalë i humbur nga kjo lojë nervash.

Mirëpo, duke qenë se presidentja e vendit dhe Gjykata Kushtetuese janë hedhur ashiqare në krah të PDK-së (partia që ka dalë fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit) bllokut opozitar nuk i mbetet tjetër pos që me mjete legale të rezistojë dhe ta luftojë kapjen e shtetit, duke mos rënë vetë në grackën e përgatitur nga këto dy instanca, të cilat janë shndërruar në leva të pushtetit të Hashim Thaçit.

E para, presidentja e vendit, si bartëse e pushtetit politik, në vend se të qëndronte e paanshme, në mënyrë jokushtetuese e ka përdorur Gjykatën Kushtetuese si zyrë të saj ligjore, për të marrë anën e PDK-së me mbulesë “ligjore”, e me qëllim që të mos marrë vetë asnjë vendim politik, konform me postin që mban (i cili i është dhuruar nga ambasadori Dell përmes një zarfi), duke e ruajtur pozicionin e saj kinse neutral, ajo në fakt është rreshtuar me PDK-në.

Juristi italian, Andrea Capussela, është i mendimit se presidentët, sidomos Atifete Jahjaga, e kanë përdorur gjykatën si këshilltar të tyre dhe gjykata u ka dhënë mbulim ligjor.

Sipas tij kjo është kundërkushtetuese, sepse ajo i ka ngatërruar autoritetet politike me ato ligjore.

Në betejën përfundimtare për ta shtypur shumicën parlamentare që po i bën rezistencë zaptimit të shtetit, u shqua Gjykata Kushtetuese, me dy verdikte kontroverse e konfuze, e cila gjykatë cok u dëshmua e kapur nga partia-shtet.

Sepse ajo, në të dyja rastet (presidentja pyet për mandatarin dhe PDK-ja kërkon anulimin e seancës së 17 korrikut) nuk i është përmbajtur frymës së ligjeve (frymës së Kushtetutës) që do të thotë se në Kosovë në katër palë zgjedhje, koalicionet qeverisëse kanë qenë koalicione paszgjedhore, pra Kushtetuesja ka prodhuar një precedent të rrezikshëm, që hipotetikisht mund ta lërë vendin pa institucione demokratike në disa palë zgjedhje, duke qenë se asnjë parti ose koalicion nuk do të jetë në gjendje që ta fitojë shumicën absolute në zgjedhje për të ndërtuar institucionet.

Se Gjykata Kushtetuese është levë e pushtetit të PDK-së, e dëshmojnë edhe tri fakte plus, të pamohueshme.

Sefte, Enver Hasani është peng i PDK-së, sepse kushti që kjo parti ta miratonte zgjedhjen e tij për kryetar të gjykatës ka qenë mirë i kalkuluar.

Pra posti i është dhënë me koncesion ose më shqip, me qesim!!!
(Qesimi është një lloj koncesioni, marrëveshje mes dy palësh, sipas së cilës dikush merr përsipër të bëjë një punë me një çmim të prerë dhe në një afat të caktuar, pavarësisht nga ndryshimet rreth shpenzimeve që mund të dalin gjatë zbatimit të marrëveshjes; Për më shumë shih: FGJSSh; Fq. 1 601.)

Së dyti, afërsinë e kësaj gjykate me PDK-në e dëshmoi vetë kjo gjykatë, duke pezulluar një gjyqtar të saj (Kadri Kryeziun) nga rastet politike me motivacion se ka marrë pjesë në fushatën parazgjedhore të PDK-së!

Dhe së fundi, dorëheqja e gjyqtarit amerikan, Robert Carolain, në një momentum tepër indikativ, që ka të bëjë me faktin se ai është i vetmi që nuk është dakorduar me dy vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese: atë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, dhe vendimin për kryeparlamentarin.

Madje në rastin e parë, amerikani ishte caktuar si referues i çështjes, por duke e parë se është pakicë, atij i ishte marrë lënda!
Duke qenë se pozicioni i PDK-së është i linjës së ashpër, “pa ne s’ka institucione”, kurse blloku synon rrugën e njëjtë si më 17 korrik, atëherë seanca e së enjtes vetëm sa do ta kulmojë krizën institucionale me ngjyrime anarkike.

Nëse PDK-ja nuk tërhiqet nga puçi i orkestruar mirë mbi Kuvendin, menjëherë pas krijimit të bllokut LAN, dhe i mbështetur ashiqare nga presidentja Atifete Jahjaga dhe Gjykata Kushtetuese, instanca që janë shndërruar në leva të pushtetit total të PDK-së - e duket se nuk do të tërhiqet - pas 18 shtatorit do të kemi një gjendje të anarkisë shtetërore gjithëpërfshirëse.

Sepse, me mësymjen e PDK-së dhe me mbështetjen e presidentes dhe të Gjykatës Kushtetuese do të dhunohet vullneti i shumicës parlamentare, si dhe mandati i deputetit si entitet i pavarur politik, i zgjedhur nga sovrani, i cili nuk ka votuar as kryetar Kuvendi dhe as mandatar Qeverie, por thjesht deputet!?
Dhe tutje as presidentja e vendit nuk do ta ketë autoritetin e duhur, që po e harxhon përditë me deklarata bajate të Arbër Vllahiut (ajo vetë as nuk di dhe as nuk ka guxim të thotë ndonjë gjë për të qenë!?) pra, nuk do t’i përgjigjet askush edhe nëse thërret ndonjë “Tryezë politike” me partitë parlamentare.

Në këtë situatë, Gjykata Kushtetuese me një verdikt kundërthënës e ka çuar vendin në krizë klasike institucionale, duke mos u dhënë zgjidhje dilemave rreth konstituimit të Kuvendit, por duke ia lënë tërë peshën e punëve të shtetit (si dhe funksionimit të institucioneve demokratike) një deputeteje të PDK-së (që merr këtë rol për arsye banale, të moshës), e cila nuk ka kurrfarë mandati tjetër pos që ta thërrasë seancën dhe ta drejtojë atë konform me skenarin që e ka përgatitur Kryesia e Kuvendit nga legjislatura e kaluar.

Porse, paradoksalisht, skenari i Kryesisë së legjislaturës së kaluar - si i vetmi kushtetues - u shpall jokushtetues nga interpretuesit e Kushtetutës!?

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese sikur ia ka dhënë Flora Brovinës rolin e presidentes, kurse kjo e dyta rri e bën sehir, e strukur në një zyrë komode, kur vendi vlon nga intencat e konflikteve politike.
Ajo, zaten po e luan pjesën e saj të lojës, përmes të bërit sehir, sipas proverbit popullor “fshati digjet - plaka krihet”, dhe do ta shpjerë vendin me kast në zgjedhje të jashtëzakonshme, e me shpresën se blloku do të thyhet gjatë rrugëtimit të tij të vështirë, kurse PDK-ja sërish do të ngadhënjente, qoftë edhe duke abuzuar – sipas traditës - procesin zgjedhor!?.

E në këtë lojë të paskrupullt po përdoren si pykë edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Në këso situate ose duhet që blloku ta votojë Arsim Bajramin, për ta ndërtuar pastaj vetë Qeverinë e re (nëse arrin ta ruajë unitetin brenda vetes), ose vendi detyrimisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse zonja Brovina e ka për detyrim nga partia-shtet që ta pezullojë seancën, njëjtë sikur më 17 korrik.
Arsim Bajrami mund të zgjidhet kryetar Kuvendi pa u cenuar rëndë marrëveshja e LAN-it dhe Lëvizjes VV, nëse VLAN-i e përdor votën për të, si strategji për ta marrë qeverisjen e vendit brenda dy javësh.

Por për këtë akt duhet një besëlidhje, duhet një moral i lartë politik e patriotik!

Përndryshe do të ndodhë ‘Deja vu-ja’, sepse VLAN-i pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë mekanizëm legal, për ta nominuar dhe zgjedhur Isa Mustafën për kryetar Kuvendi.
Kjo e drejtë i është njohur PDK-së nga Gjykata Kushtetuese dhe mbasi VLAN-i e ka pranuar verdiktin dhe është zotuar se do t’i përmbahet.

Isa Mustafa nuk duhet t’ia lejojë vetes që të gozhdohet në kryq, si shkelës i Kushtetutës, siç u ka ndodhur Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit, vetëm pse në momentin e dhënë, i pari ishte kundërshtar politik i PDK-së që i kishte fituar zgjedhjet për faqe të zezë, kurse për të dytin ekzistonte një “verdikt” popullor, duke e paragjykuar si “njeri të rusëve”!

Pika 127 e verdiktit të GJK-së, në të cilën paradoksalisht po bazohen disa eksponentë të bllokut nuk i jep kurrfarë shprese VLAN-it.

Ajo pikë më tepër është menduar me sherr, si një detyrim i deputetëve të tërë spektrit për ta votuar kandidatin e Grupit më të madh parlamentar, pra koalicionit të PDK-së si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, se sa që u jep liri deputetëve për të vendosur sipas parimit të shumicës demokratike e duke mos iu nënshtruar asnjë mandati tjetër, siç thotë Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese nuk e ka njohur në verdiktin e saj këtë parim kushtetues! Pra vetë gjykata e ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën!!!

Në njërën anë këta eksponentë e përbuzin verdiktin e Kushtetueses, si abuziv dhe skandaloz, ndërsa në anën tjetër bazohen në një pikë të ndritshme të verdiktit, sipas tyre që po u mundësuaka ta nominojnë dhe zgjedhin kryetarin e Kuvendit!?
Në këso situate, kjo pikë është juridikisht boshe.

Nëse VLAN-i nuk e voton Arsim Bajramin për kryetar Kuvendi, nuk shoh mundësi tjetër legale për të dalë nga kriza më e thellë, në të cilën është futur vendi - kriza më e thellë politike që nga pavarësia e këtej - pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Prandaj në këso situatash de facto anarkike, as ndërhyrja e ndërkombëtarëve nuk kryen më punë. Sepse as ndërkombëtarët nuk mund ta anashkalojnë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka dhuruar vendit një precedent të rrezikshëm.

Po vërehet qartë se PDK-ja më me qejf shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme se sa pajtohet me rotacizmin demokratik të pushtetit, pa gjak, pa revolucion...

E nga arka e shtetit do të harxhohen mbi 6 milionë euro, në këtë qesat që po kalon vendi.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...