Mbi pështymat fashiste

14 Gusht 2015 - 08:24 - Halil Matoshi      

Dëgjojeni se si “mashtron” publikun kinse përmes rap-muzikës një batakçi që fshihet pas petkut fetar, përkatësisht pas fashistizimit të fesë dhe shihni se si mizëria e tifozërisë ballkanike lëshohet mbi çdo gjë që u duket ndryshe nga ata, qoftë një emblemë, flamur skuadre ose edhe një komb i tërë dhe do të shihni anën e errët të fashizmave ballkanikë…

Pamja e parë vajtuese ka të bëjë me presidenten e vendit dhe mungesën e vetërespektit dhe dijes për shtetndërtim nga ana e saj, sepse ashtu del të kenë dashur “miqtë e Kosovës”, kur e kanë katapultuar një ish-police në “krye të vendit.”

Pamja e dytë përshkruan kapardisjen e shumë shqiptarëve me luftën e UÇK-së, duke e quajtur “të shenjtë” në kontekstin e Gjykatës Speciale dhe e treta është dëshmi se rinia kosovare e ka humbur udhën në oborr, në mungesë të shkollës dhe politikës normale, ajo po u bie në gjunjë fesë dhe klerikëve të shumtën hajvanë dhe elementëve përbuzës ndaj modernizimit dhe perëndimorizimit të Republikës.

Qindra e mijëra të rinj nga Ballkani duan të largohen nga vendet e tyre dhe të gjejnë strehë në botën perëndimore. Në krye të listës që duan t’ia kthejnë shpinën atdheut janë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Një studim i fondacionit gjerman «Friedrich Ebert» jep shpjegime të rëndësishme për arsyet e ikjes.

“Të rinjtë kosovarë janë tepër konservatorë, u besojnë imamëve, nuk duan t’i kenë romët fqinj dhe duan të martohen vetëm me partnere të etnisë së tyre.”

Së pari të sqarojmë se tjetër gjë është kritika ndaj presidentes si institucion dhe krejt tjetër kritika e saj si grua, pra mësymja e këtyre rreshtave nuk është sulmi as mbrojtja e saj si grua, por si entitet juridiko-politik.

Pas skandalit që do të duhej të cilësohej për të tillë çfarë edhe ishte - pra skandal diplomatik - të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në ZDF, aktivistja politike Donika Gërvalla i përbuzi gjithë ata kritikë të shoqërisë kosovare, gazetarë hulumtues e kolumnistë, me tendencën që t’i poshtërojë se kinse paskëshin ndenjur pa bëza nën thundrat e HTH, nga frika dhe tashti po e sulmuakan një grua, nga prizmi i gjuhës seksiste!?

Donika Gervalla e paska marrë në mbrojtje gruan e parë të shtetit kosovar, po jo si mendësi, por si grua, që nuk paskësh armë me u mbrojtë pos fjalës!???

Mirëpo Gërvalla gabon.
1. Po, ajo është zyrtarja nr.1 e shtetit dhe ka kush e mbron – Kushtetuta dhe ligjet në fuqi si dhe institucionet e ndërvarshme të shtetit, diplomacia, policia dhe ushtria.
Porse injorancën - janë shumë ata që e mbrojnë - sepse është shumicë absolute në Kosovë, së këndejmi është armiku nr 1. i shtetit dhe i shoqërisë.
2. E kuptoj që ka shumë misogjini në Kosovë, mirëpo ‘philoginya’ e Gërvallës do të bënte punë po ta merrte në mbrojtje një vajzë ose grua që diskriminohet gjithanshëm, në familje e në shoqërinë kosovare, madje (duke qenë “nën regjimin” e Jahjagës & co.), lidhur me statusin shoqëror, punën që bën e pagën që merr, por jo gruan më të fortë në Kosovë, për nga pushteti politik, së cilës Kushtetuta ia garanton fuqinë, e tjetër çka është se nuk i ka shfrytëzuar kompetencat e saj kushtetuese, pothuajse asnjëherë, sepse kështu i është dukur se e ka më të lehtë notin nëpër ujërat e turbullta të politikës kosovare.
3. Madje, zonja e parë e shtetit mbahet mend të ketë shkuar dhe të ketë mbajtur një fjalim emotiv e të pabalancuar politikisht (një fjalim plot elozhe për HTH) në një përvjetor të PDK-së (e kurrë më nuk ka shkuar në asnjërën parti tjetër kosovare, sa për balancë provizore!?)
4. Nuk e ka kryer asnjë punë shteti qysh duhet;
5. Skandali në ZDF është vetëm maja e Icebergut, autore e të cilit ishte vetë ajo, së bashku me kopenë e kinsekëshilltarëve shtihana - është për me u vajtue - jo pse ka gabuar (krejt njerëzit gabojnë), por pse e ka ndjekë me përkushtim shkollën tipike demagogjike të politikanëve kosovarë, që i shpërfillin gazetarët, që u bishtnojnë pyetjeve të tyre; që mbajnë fjalime të mërzitshme, jologjike e të thata, në vend se të përgjigjen shkurt e shqip për problemet që vetë i kanë shkaktuar;
HTH ka vepruar njëjtë në të gjitha intervistat, duke e bërë të vetën, duke iu shmang pyetjeve thelbësore dhe konkrete me tautologji e demagogji bajate; Kadri Veseli po ashtu, njihet skandali kur ia bënte me sy gazetarit 'live' në studion e transmetuesit publik që ta ndalte kamerën, sepse ai po dilte të jetë zënë ngushtë.
Kolegët gazetarë ua kanë thënë ndër sy këto gafa, për më shumë, ua kanë bërë të zëshme e të përbotshme mosdijen e tyre.
Sepse (së bashku me Jahjagën) janë e njëjta shkollë analfabetësh funksionalë që nuk dinë as të lexojnë mirë fjalimet kryesisht “pa shpirt” dhe pa kreativitet që ua shkruajnë disa çatipë turbononacionalistë, pa asnjë ide për shtetin dhe politikat moderne.
Pra Jahjaga ka rënë vetë në kurthin që ia ka ngritur vetes!
Duke menduar se ashtu duhet.
Pra ajo ka rënë në "hashimizëm" (kompozita synon ta shprehë fytyrën tipike të kakistokracisë si pushtetit të qytetarëve më të ligj.
Sepse presidentja “ia ka lakmi” HTH, atë e sheh si të mbijetuar në luftë (sipas modelit të Elias Cannetit) të shkathtë e të fortë në politikë.
Të parrëxueshëm!

Së këndejmi e ndjek shembullin e tij…
6. Zonja Gërvalla po thotë: "Ku mbetën reagimet tuaja, o burrat e fortë të Kosovës? Të hedhësh baltë mbi presidenten Jahjaga është e lehtë, sepse përveç fjalës - edhe pse shpesh të zgjedhur keq dhe jo të qëlluar - ajo nuk ka armë tjetër për t'u mbrojtur. E tek Hashim Thaçi me shokë e dini mirë pse nuk reagoni. Epo ç'vend burrecash paskemi qenë!"
Kësaj fjalie të saj, të paqëndrueshme e të shpifur, nuk dua t’ia kundërvë morinë e fakteve që flasin ndryshe nga Gërvalla (do të mund t’ia preferoja vegëzat e qindra shkrimeve të dhjetëra gazetarëve e kolumnistëve, gra e burra në Kosovë, që i kanë rezistuar denjësisht “regjimit hashimian”, duke ua vënë në pah kurdoherë mungesën fatale të një minimumi edukimi qytetar tek pjesa më e madhe e klasës aktuale politike, ku bën pjesë edhe Jahjaga!
Pra Kosova nuk është vend burrecash - sepse ka edhe të tillë që kanë guxue e vazhdojnë me guxue!

Kosova më shumë është vend injorantësh, i njerëzve që e kanë zët të lexuarit dhe përgjithësojnë, duke i fyer ato pak gra e burra që guxuan t’i thonë “jo” degjenerimit politik, ekonomik dhe moral të Kosovës, që guxuan e folën zëshëm, duke u bërë zëdhënës të atyre që nuk kanë zë (Sartori), në mbrojtje të lirisë dhe të Republikës (kosovarizmit.)

Pra që guxuan t’u thonë kleptokratëve: “Boll ma! Vendi juej është në burg...”!
7. Zonja Jahjaga nuk ka guxue!
Bashkë me Enver Hasanin e "Kushtetueses" e ka mbajtë fuqishëm kakistokracinë në pushtet!
Prandaj paraqitja e saj në ZDF ishte për me u vajtue!
E ajo duhet të vuajë derisa të njohë veten e të bindet se nuk mundet ta ushtrojë këtë post publik, të cilin ajo kurrë nuk e fitoi dhe nuk e meritoi ta merrte, porse i është dhuruar!

Ndërsa ata që e keqkëshilluan presidenten - duhet të përgjigjen publikisht!

Duke qenë se dal goxha shpesh në TV e kryesisht dal në lajmet e mbrëmjes me një deklaratë ose mendim që nuk e lexoj, por e shpreh ashtu qysh e mendoj, ose i shpreh opinionet e mia në debate publike, duhet të theksoj se kjo është puna ime, sepse nuk jam president, por gazetar!
Presidentja e Kosovës ashiqare e (keq)këshilluar prej injorantëve (që dikush ia ka imponuar pa e pyetur fare në zyrën publike) çohet herët për t’ia bërë qejfin një gazetareje/moderatoreje të re, e cila duket se sapo ka zënë punë në ZDF dhe sipas zanatit të keq të politikanëve kosovarë, presidentja synonte të thoshte me çdo kusht atë që ia kishin shkruar keq e për faqe të zezë e jo të përgjigjej në pyetjet që i bëheshin nga moderatorja.
Shihej qartë se Jahjaga lexonte diçka në një letër përpara, kurse intervista ishte "live'.

E fjalitë e saj ishin të stërgjata, shmangnin problemin për të cilin flitej, thjesht ishin për t’u vajtuar… Nuk mjaftonte për të shkëlqyer as të mësuarit e tyre gati përmendsh.

Duhej më shumë…

Prandaj nuk janë në Kosovë krejt burreca, Donika Gërvalla!

Pra gabimin redaksional të ZDF-it (nuk ishte bonsens të thirret një presidente qoftë kjo edhe e Kosovës së vogël, në një emision lajmesh të mjesit, për të folur dy-tre minuta, punë kjo që duhej t’i takonte një zëdhënësi) e shndërroi në skandal, një ekip idiotësh, që vetes i thonë këshilltarë në zyrën nr.1 të shtetit.
Shtet të cilin po e dështon padija!

2. S’ka luftë të shenjtë – lufta është brutalitet, egërsi

Eksponentët e luftës së Kosovës, në kontekstin e krijimit të dhomave të veçanta për krime lufte, po thonë se "lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë", pa e ditur se luftë të shenjtë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Dhe këtë alogjizëm po e përdorin dendur edhe mediat dhe politikanët kosovarë, për të dëshmuar mungesën fatale të sensit për t’u shkëputur nga mendësia klero-fashiste që beson vërtet se lufta kundër tjetrit është e shenjtë.

Logjika të thotë se të gjitha luftërat janë brutale dhe johumane, por teorikët mendojnë se ka megjithatë luftëra të drejta (për liri) dhe agresione të padrejta (pushtime), pra luftëra për çlirim është thjesht e domosdoshme!

Që nga Nietzsche e Clauzewitz luftën e trajtojnë si vazhdim i politikës me mjete tjera. Ndërsa njerëz të mëdhenj të mendimit botëror e shohin luftën si “shkenca e shkatërrimit" (John Abbott 1821-1893) deri tek ata që thonë se “nuk ka krime lufte, sepse lufta është vetë krim”. Ose:

"Të gjitha luftërat janë civile, sepse të gjithë njerëzit janë vëllezër" (Franqois Fenelon.)

Luftë të shenjtë dikur pretendonin kryqëzatat e sot pretendojnë fashistët islamikë të ISIS-it.

E ne kosovarët këtë “lloj lufte” e njohim mirë dhe ende e kemi të thadruar në lëkurën tonë, gjatë fashizmit milosheviqian, të viteve ’90 të shekullit të kaluar.

“Luftërat e shenjta” rëndom nisin me një kauzë hyjnore e në emër të një Zoti e të një libri të shenjtë, mirëpo ato përdhosin jo vetëm jetët, por edhe vlerat dhe trashëgiminë njerëzore, që në thelb del në pah intenca ideologjike e tyre për dominim mbi tjetrin/tjetrën...

Në këtë kontekst, shoqëria kosovare është lodhur nga kakofonia opozitare, se me votimin e Speciales është cenuar pavarësia e shtetit dhe është vënë në shënjestër lufta e shenjtë e UÇK-së. Kjo shoqëri është stërpikur nga pështymat fashiste, kur një shumicë simbolike ngrihet kundër vendosjes së drejtësisë, kundër rendit dhe vlerave të përbashkëta evropiane dhe kundër humanitetit (madhëron linçin publik ndaj një profesori serb, sheh me simpati euforike hedhjen e plakave serbe nga katet e larta të ndërtesave, përzënien e civilëve joshqiptarë dhe ndëshkimin e kundërshtarëve politikë, kurse shumica tjetër, ajo akademike ose intelektuale qysh cilësohet në Ballkan, secili që merr një diplomë, hesht, qoftë e yshtur nga ambiciet e sëmura për pushtet, ose nga lakmia për para, qoftë nga frika dhe mbase, nga arsyeja se janë njëjtësuar në krim…

Akti, ndonëse legal, që vota pro e Speciales “të gjykohet” nga Kushtetuesja është tashmë një e drejtë e konsumuar, sepse Gjykata Kushtetuese tanimë ka dhënë mendimin se amendamentet në fjalë nuk i pakësojnë të drejtat e njeriut.

Në anën tjetër, nëse flasim për aspektin procedural, nëse Kuvendi ka të drejtë ose jo të procedojë dhe të votojë dy herë për të njëjtin vendim ose ligj, duket të jetë një hon në Kushtetutën e Kosovës, e cila pra, ka zbrazëti duke mos e paraparë se si duhet vepruar në këso rastesh.

Sidoqoftë, nëse kjo shoqëri nuk dëshmohet e denjë për të vendosur drejtësi për të gjithë, ky shtet mund të cilësohet si i dështuar dhe barra e përgjegjësisë pastaj nuk bie vetëm mbi një dorë kriminelësh të dalë ndoresh, por mbi secilin prej nesh.

Le ta pyesë secili veten se çfarë ka bërë për ta penguar degradimin dhe zvetënimin e shoqërisë dhe institucioneve të shtetit?

2. Fashistizimi i tifozërive ballkanike

“Plisat”, “Torcidat”, “Intelektualët”, Arpagjikët” , “Kuqezinjtë”… “Grobarët dhe “Komitët” janë vetëm disa nga emrat e ultrashëve fanatikë në Ballkan, me trurin muskul që po bëjnë punën e eskadronëve ndëshkues, duke i fashistizuar edhe turmat sportdashëse, fetë dhe kombet…

Kur Kombëtarja shqiptare u persekutua dhe u rrah në Beograd, tifozëritë patriotike dhe patriotët pasivë shqiptarë vetëm sa nuk kërkuan t’i shpallej luftë Serbisë.

Mirëpo më shumë se një vit më pas, vetë shqiptarët (nën përkujdesjen e disa kretenëve linçues si “Plisat” e Prishtinës) krenoheshin se i rrahën polakët në stadium dhe rrugëve të Tiranës. E tash?

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje po vajtojnë rrahjen e disa shqiptarëve në Shkup nga tifozëria ultramaqedonase “Komiti” pa u ra ndër mend të reagonin kur një grup i armatosur synonte “ta rrënonte” shtetin maqedonas ose kur polakët ndiqeshin nëpër Tiranë si shtrigat, ose “Torcidat” e Mitrovicës grushtoheshin nëpër Prishtinë?

Kjo është hipokrizi dhe manipulim me turmat, për qëllime thjesht politike, mirëpo, mendësia e tillë shpie rëndom në mosdurim dhe urrejtje, duke e rritur sensin fashist tek turmat e pashpresa, të shkelura nga elitat politike, të braktisura e të lëna pa shkollë, pa punë e pa bukë…

Gjithçka nis me gjuhen e kontaminuar të ballkanasve (mësymja e tjetrit që përmes gjuhës të vihet në pah inferioriteti racor, social e politik i tjetrit), dhe kjo në epokën e interNetit po i shquan ata në dritë të diellit dhe sy botës si fashistë të rilindur, pas rënies së komunizmit në këto hapësira.

Në këtë kontekst rrahja e disa shqiptarëve të rinj nga ultrashët maqedonas “Komitët”, janë të orkestruara nga shërbimet sekrete të Qeverisë së Gruevskit, si hakmarrje dhe si shfaqje e modelit etnonacionalist qeverisës.

Natyrisht që Qeveria e Gruevskit i ka të gjitha atributet e klerofashizmit dhe po i nxit fansat huliganë kundër shqiptarëve atje, mirëpo kjo do t’i kthehet si bumerang, sepse, sipas këtij modeli, FYROM nuk mund të mbijetojë si shtet modern.

Fashizmat ballkanikë po rizgjohen, e politikat kombëtare të këtyre popujve të shumtën janë duke koketuar me fashizmin. Ultrashët e sporteve në Ballkan janë të egër gjithandej.

Mirëpo, kur politikat partiake dhe shtetërore fashiste (Greqia, Serbia dhe Maqedonia dhe së fundi Shqipëria, sado që në inicial) ndërsejnë këto tifozëri, atëherë gjuha e dhunës është e vetmja gjuhë që njohin ballkanasit.

Kështu ndodhi edhe me shqiptarët.

Kurrë nuk e kam diskutuar me njeri, aq më pak me ndonjë ekspert leksikograf ose linguist, pse sharjet në gjuhën shqipe janë nxjerrë nga fjalori?

Kush e bëri dhe pse?

Morali puritan i vrasësve seriaë komunistë si Lenin, Stalin, Mao e Hoxha!?

Pse mos me sha, kur të vjen me ia “shalue” ndonjë huligani rrugësh si Gold AG që mbështillet kinse me petkun fetar islam dhe fyen të tjerët, kodet morale e jetësore, si dhe besimet e bindjet e tjerëve, ose si mos “me ia kajtë” ndonjë politikani (zyrtari publik) kur hapur e pa u skuqë e vjedh dhe rrjep qytetarin e vet? Më thoni pse jo?
Shikojeni e dëgjojeni sa ambël & hjeshëm & fuqishëm shan shqyp Ritaaa, bre...

Në letërsi dhe arte, anglishtja i ka rikthyer sharjet dhe tërë korpusin e fjalëve që nga puritanët e së djathtës konservatore konsiderohen si fjalë të ndyra.

Dikur në SHBA përfaqësuesit e beat-cultit shanin në poezitë, tregimet dhe në muzikën e tyre (Grupi kryesor i Beat i gjeneratës përbëhej nga autorët si Herbert Huncke, Allen Ginsberg, William S. Burroughs, Lucien Carr, dhe Jack Kerouac – ata u takuan në vitin 1944 përreth kampusit të Universitetit Columbia në New York City dhe vazhduan në San Francisko…) dhe amerikanët puritanë i stigmatizuan, porse në vitet ’80 Ginsberg & Co u bënë pjesë e akademizmit amerikan, duke marrë katedra universitare për të ligjëruar për poezinë/letërsinë dhe kulturën përgjithësisht...

Për të gjithë ata “analfabetë funksionalë” proqeveritarë, “batalionet për moral kombëtar të partizave kreteno-maoiste; teoriticientët racist të mitit parapellazgjik, tifozeritë egërshane dhe kinse reperët banditë që shajnë këdo që shpreh mendimin e tij të kundërt me ideologjinë, fenë ose partinë që e preferojnë, i përshëndes me këtë video të Rita Orës, minuta 3:43.

Sharjen e preferoj thjesht kundër “njeriut të shpellave” që po ulërin dhe po i kanoset modernizimit dhe perëndimorizimit të shoqërisë kosovare.

© KOHA

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...