1 Prill 2016 - 08:28 - Halil Matoshi
Shteti modern gjithmonë dhe kudo e mbron veten nga ata “të huaj” që nuk i japin besnikëri dhe lojalitet. Porse tolerimi me vite të tëra i Boiken Abazit dhe jo vetëm i tij dhe dëbimi në kulmin e krizës politike dhe të protestave të opozitës dëshmon se urdhërdhënësit policorë janë nën diktatin e politikës, e cila edhe këtë rast e përdor për të hedhur kashtë në zjarr…
Struktura shoqërore e quajtur ”komb” po del nga historia për t’ia lëshuar vendin shtetit modern që përthith fuqitë kombëtariste, për t’i rikthyer shtetasit në ligj dhe emancipim, thjesht për t’i orientuar ata në një projekt madhor që është perëndimorizimi i shoqërisë e jo të kërkuarit strehë në ekstremizmat fetarë dhe politikë…
Deportimi i Boiken Abazit fillimisht nga ana e policisë kosovare dhe pastaj edhe i Arbër Zaimit (me masa më të zbutura) u bë problem madhor kombëtar dhe medial, sepse hataja qëndron në faktin se ata përkasin në lëvizjen e Albin Kurtit, “Vetëvendosje”, e cila angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërsa për qindra shtetas të Shqipërisë (më së shumti romë që vijnë në Kosovë për të lypur lëmoshë) që deportohen për shkelje të ligjit kosovar për të huajt ose për krime të ndryshme dhe anasjelltë, për shtetasit kosovarë që po ashtu deportohen për delikte të ndryshme, askush s’e thotë asnjë fjalë.
Pas deportimit të Boiken Abazit u quan në këmbë patriotët arkaikë dhe po e akuzojnë shtetin, sepse shumica syresh marrin poste të larta, marrin paga të larta dhe pasurohen me miliona tjerë nga zyrat publike, por që nuk e duan shtetin, në Kushtetutën e të cilit betohen kur i marrin ato poste. Së këndejmi, jo vetëm nacionalistët e rinj të lëvizjes “Vetëvendosje”, por edhe kryetari i shtetit, Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe secili bari ose bujk i Kosovës mendon thellë në vete se entiteti juridik-politik sipas së drejtës ndërkombëtare, i quajtur Republika e Kosovës, duhet të shpërbëhet, për hir të ideve të mëdha të rilindjes së fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20.
Fatkeqësisht pasardhësit e rilindësve shqiptarë qofshin të djathtë ose të majtë kurrë nuk kanë hequr dorë nga parulla e bashkimit, përderisa i kanë lënë qytetarët e tyre të uritur e në mjerim social e emancipues… Pas Luftës së Dytë Botërore flamurin e nacionalizmit shqiptar paradoksalisht e ka bartur e majta shqiptare madje edhe stalinistët e veshur me kostum rozë dhe po ashtu, paradoksalisht, neoenveristët që janë në pushtet gjithandej në trevat e banuara me shumica shqiptare.
Mirëpo, duket se lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, po ndryshon kursin e nacionalizmit shqiptar, nga ai folklorik tek nacionalizmi etatist, për ta mbrojtur Republikën nga ndikimet e jashtme dhe nga rrëzbitja e brendshme. Kurti pati thënë edhe në fjalimin e tij të fundit në Kuvendin e Kosovës (i cili ishte ndër fjalimet thelbësore dhe të fuqishme që rrallë ndodhin në kuvendet ballkanike) se Kosova është atdheu i vetëm dhe se kosovarët nuk kanë atdhe rezervë. Mirëpo, ata që nuk janë mësuar ta dëgjojnë Kurtin me këso pikëpamjesh as që e besuan. Porse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për aleanca të reja, por për fuqizim dhe riformulim të atyre aktuale. Kurti ka theksuar se Kosovës i duhet bashkimi i Mitrovicës, duke e forcuar kështu shtetësinë e vendit. “Aleatët tanë pa diskutim janë SHBA-ja, Gjermania edhe Turqia, por assesi Rusia.
‘Vetëvendosja’ po thotë se bashkimin me Shqipërinë e bëjmë me paqe e në mënyrë demokratike, kurrë nuk e bëjmë nëse bëhet një luftë ballkanike. Ai ka thënë se e pranon flamurin e Kosovës si simbol të shtetësisë, por nuk e ka për zemër, pasi është i imponuar”. Pra, Kurti është në fazën e rivlerësimit të botëkuptimeve të tij kombëtariste duke i dhënë përparësi shtetit modern si artikulues dhe bartës i ideve qytetare dhe fuqive kombëtare.
Deportimi i Boiken Abazit e më pas edhe i Arbër Zaimit është i ligjshëm dhe krejtësisht i justifikueshëm për shkak se ata të dy (e me gjasë edhe ndonjë tjetër!?) nuk njohën kurrë shtetin e ri, as rendin e saj kushtetues dhe as rendin ligjor; as rendin simbolik te tij, madje flamurin kosovar e kishte cilësuar si një leckë; Ata edhe pse janë gjatë në Kosovë kurrë s’kanë kërkuar që të jetë shtetas të saj dhe as që kanë kërkuar qëndrim të përkohshëm, ata thjesht kanë qëndruar ilegalisht në Prishtinë… Ata folën e punuan për shpërbërjen e entitetit juridik-politik të quajtur Republika e Kosovës. Prandaj nga ky aspekt secili shtet, edhe Republika e Kosovës, kurdo dhe në çdo rrethanë e ka të rezervuar të drejtën për ta mbrojtur vetën nga individët ose grupet që nuk i janë besnik si atdheut të vetëm të tyre.
Dhe kjo ligjësi është gjithëbotërore! Abazi & Zaimi e kanë një atdhe rezervë - që kosovarët nuk e kanë!? Ja çka thoshte Boiken Abazi vetëm një vit më përpara: "Flamuri i Kosovës, si çdo flamur shtetëror, nuk është thjesht një dizajn apo një copë lecke. Ai është shumë më shumë se kaq. Është simboli i triumfit të imponimit ndërkombëtar kundër vullnetit të shumicës në Kosovë, simbol i politikanëve të kamur dhe të kalbur të Kosovës, simbol i nënshtrimit të tyre, simbol dhunues për lirinë, simbol shënjues i rrugës që po e çon Kosovën tatëpjetë.
Me ndryshimin e kësaj rruge, me heqjen e matrapazëve nga pushteti, do t'i hiqet Kosovës shpejt edhe ky shënjues nënshtrimi ..." Dhe ja çka thotë ai pas deportimit: ”Si këndvështrim, kam qenë dhe mbetem tepër kritik ndaj neoliberalizmit”, e kjo për rrethanat gjeostrategjike kosovare dhe kontekstin e saj të lirisë d.m.th. të jesh kundër ShBA-së, Britanisë, BE-së, NATO-s, thjesht kundër Perëndimit. Dëbimi i Boiken Abazit për dy vjet nga Kosova dhe i Arbër Zaimit për dy muaj ngriti në këmbë kombëtaristët e shekujve 19 – 20 në dekadën e dytë të shekullit 21, kur po aq sa liria e individit për lëvizje dhe shprehje të lirë garantohet edhe e drejta e shtetit sovran për t’i mbrojtur institucionet e veta me dhunën legjitime nga ekstremet ideologjike, fetare etj.
Në anën tjetër, policia kosovare edhe pse dëbimin e shtetasit shqiptar Abazi e kishte mbështetur në ligj, nën influencën e qendrave nacionaliste u bë pishman dhe deklaroi se ndaj Abazit nuk ka raste të hapura penale porse vetëm aso për kundërvajtje!? Dhe përmendi shkaras se janë dëbuar tetë shtetas shqiptar, pa i specifikuar rastet veç e veç. Mirëpo me këtë u dëshmua se “Rasti Abazi” nuk është precedent. Qindra romë të Shqipërisë, në vazhdimësi e në mënyrën më raciste janë deportuar në Shqipëri vetëm pse kanë ardhur të lypin lëmoshë në Kosovë dhe kurrë askush, as KMLDNJ-ja dhe asnjë shoqatë që mbron liritë civile nuk ka reaguar kurrë, ndërsa ky rast e ngrehu në këmbë një komb të tërë, sepse specia e politikanit del të jetë më e lartë se specie të tjera njerëzore!?
Ndërsa Kosova e ka Ligjin për azilin, i cili në kreun VI, neni 54, ua mundëson këtyre personave mbrojtjen e përkohshme deri në gjashtë muaj… Kosova, në anën tjetër, nuk ka ligj për partitë politike, ndërsa zyra e regjistrimit të partive politike për zgjedhjet bën të ditur se shtetasit e huaj nuk mund të jenë anëtarë partish, së këndejmi as përfaqësues e ministra… Pra këtu nis sherri. Shtatë anëtarë në kryesi të lëvizjes VV janë shtetas shqiptarë. Nëse gjërat shikohen me zemër, dëbimi i një shqiptari nga Kosova duket gjë e tmerrshme porse nëse edhe shqiptarët e Kosovës duhet të mësohen të jetojnë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e tyre, atëherë nuk ka postulat tjetër që shqiptarët e Republikës së Shqipërisë t’i trajtojë ndryshe nga shtetasit e tjerë të huaj ligjërisht…
Sepse Kosova nuk ka ligje speciale kombëtariste! Për t’i mbrojtur shtetasit e Shqipërisë ndaras nga shtetasit e vendeve të tjera! Në këtë aspekt shumëkush në Kosovë spekuloi duke vënë një paralele absurde mes shtetasve të Shqipërisë dhe atyre të Serbisë, sepse sipas nacionalistëve, këta të fundit nuk po dëbohen edhe pse hapur shprehin armiqësinë e tyre ndaj Kosovës!? Porse faktet flasin ndryshe. Aleksandar Vulini është dëbuar nga Kosova ose nuk është lejuar fare të hynte në Kosovë në disa raste.
Më 2010 po ashtu një zyrtar i Qeverisë së Beogradit nga e ashtuquajtura Ministri për Kosovën, Dragan Petkoviq, nuk është lejuar të hynte fare në Kosovë, si dhe ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, i cili është dëbuar nga Kosova, pasi kishte hyrë pa leje paraprake në Kosovë. Ndërsa të thuhet se “kriminelë e roja urash shëtisin të lirë në Kosovë ndërsa shqiptarët përzihen…”, është thjesht qasje antishtet, sepse edhe kriminelë, edhe roja urash mund të jenë shtetas kosovarë, të cilët për veprat kriminale edhe mund të dalin para drejtësisë, por nuk mund t’u merret shtetësia, siç nuk iu mor as atyre që kishin flakur dokumentet kosovare për t’u rreshtuar me IS-in!?
Shqiptarët thjesht duhet të mësohen të jetojnë në harmoni me ligjet, pra të kultivojnë më shumë kulturë shtetërore…
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...