Letër Lubomir Mariqit - pa dashuri!

20 Maj 2016 - 08:30 - Halil Matoshi      

“Më pyetni, – i drejtohet Albert Camus mikut gjerman, – se çdo të thotë ta shpëtosh njeriun? Përgjigjja ime është: kjo do të thotë të mos e sakatosh atë, por të marrësh anën e drejtësisë. Dhe këtë është i zoti që ta ngrejë në këmbë vetëm njeriu”. Ministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Lubomir Mariq, me fjalët e tij po i kafshon shpirtrat e viktimave, pra ai e ka sakatuar njeriun. Mariqi dhe të gjithë serbët kosovarë si test se sa kanë mbetur njerëz duhet ta dëgjojnë historinë e Marte Tunajt dhe ta shikojnë në sy secilin shqiptar. Nëse do të kenë fuqi morale!?

Lufta e Kosovës la pas rreth 10 mijë shqiptarë të vrarë (kryesisht viktima civile), mijëra të zhdukur, rreth 20 mijë gra të përdhunuara (ndonëse shifër e hamendësuar), mbi një milion shqiptarë të shpërngulur nga shtëpitë e veta.
Këto të këqija të skajshme ia solli lufta popullit të Kosovës.
Por edhe sot, 17 vjet pas çlirimit, Kosova mbetet një dosje e fryrë e krimit të pandëshkuar.

Një nga plagët më të rënda të kësaj lufte mbesin gratë – viktima të gjalla të përdhunimit nga ushtria dhe policia serbe. Ato s’kanë më as kujtime, por vetëm klithma e dhimbje që në dimensionet e tyre janë më të rënda sesa vetë plagët e përdhunimit.
Lufta për to nuk ka mbaruar.

Ministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Lubomir Mariq, përditë e më vrazhdë, me fjalët e tij po i kafshon shpirtrat e viktimave, pra ai e ka sakatuar njeriun – edhe ashtu me shumë plagë – edhe atë që i ka mbijetuar fashizmit të Milosheviqit. Edhe ato mijëra gra të përdhunuara, edhe ata mijëra fëmijë të mbetur jetimë e të uritur, edhe ata të syrgjynosur në kampet serbe të përqendrimit, si p.sh. “New Zabela” të Pozharevcit. Si çifti im!?
Me esenë “Letra mikut gjerman”, shkrimtari Nobel Albert Camus bisedon me mikun gjerman të imagjinuar, kërkon që bota të përfshihet nga solidariteti dhe njerëzit t’i përveshin mëngët për ta larguar sa më parë fatin mizor dhe për të jetuar në harmoni mes tyre.

Duke qenë i vetëdijshëm se jo të gjithë njerëzit i hanë llafet, porse ai ka besim te njerëzit.
“Më pyetni, – i drejtohet Camus mikut gjerman, – se çdo të thotë ta shpëtosh njeriun? Përgjigjja ime është: kjo do të thotë të mos e sakatosh atë, por të mbash si orientuese drejtësinë. Dhe këtë është i zoti që ta ngrejë në këmbë vetëm njeriu”.
Kështu përpara neve – qenieve humane - qëndron ekzistencialisti Camus me idenë e solidaritetit njerëzor në shpirt.

Është ekzistencialisti shpërfillës i kësaj jete mizore, që kërkon përgjegjësi dhe ai vetë ndihet i përgjegjshëm përpara njerëzve lidhur me gjithçka që ndodh me njeriun në këtë botë.
Duke qenë se tragjizmi që e shoqëron veprën e Camus është i pashmangshëm, madje sidomos ajo që po ndodhte me kombin gjerman nën trysninë e nazizmit, ajo që ende e bënte konfuz secilin gjerman pse kaq masa të mëdha ishin verbëruar nga propaganda e përgjakshme, natyrisht kërkonte një përgjigje nga shkrimtari.

Pra, zotit Mariq, derisa Camus i shkruante mikut të tij gjerman me dashuri, po i drejtohem sinqerisht dhe pa trohë dashurie - sepse ai si djalë i ri - dhe po themi pa ngarkesat e luftës për Kosovën, nuk dëshmoi asnjë grimcë dhembshurie për viktimat, madje as për Marte Tunajn, historia e së cilës do të mbetet përjetësisht njollë në ndërgjegjen e kombit serb.

Jo pse tërë kombi serb ka miratuar aktet mizore të forcave të veta të sigurisë mbi civilët shqiptarë të pambrojtur nga askush, por pse ky komb nuk po gjen forcë as njerëz për të shfaqur keqardhje, pendesë, ose për të lypur të falur.
E këtë nuk është në gjendje ta bëjë as ky Luba, sepse thjesht është një mburravec!
Po t’i kthehemi rastit të Martes, e tek pastaj rastit të pashpresë të Lubomirit, qe urren paqen!!!
Luba do të mbetet thjesht një vegël qorre e pushtetit, në Beograd do të shërbejë si një spiun i vogël (lexoje letrën e aktorit serb Petroviq për ministrin e Sportit të Qeverisë së Beogradit!) dhe do të shërbejë në anën tjetër si një vidë në ngrehinën e Qeverisë inferiore dhe të patru të Prishtinës – thjesht ai u ndihmon të dyja palëve që t’i sundojnë e poshtërojnë popujt e tyre, porse vet s’vlen pesë pare!

Marte Tunaj është gruaja e parë kosovare që hapi Kutinë e Pandorës dhe rrëfeu për përdhunimet e grave e të vajzave gjatë luftës. Ajo iku nga kjo botë për ta lënë të vërtetën si testament dhe akuzë njëkohësisht: “Tani kam 65 vjet dhe marr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjell me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk më vjen mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vjetësh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara”.

Tunaj do të mbahet mend gjatë si një nënë e guximshme, një heroinë, e cila nuk pati as frikë për të dëshmuar kundër kriminelëve serbë.
Marte Tunaj nuk bëri propagandë sipas modelit kuazipatriotik për “kriminelët tanë të mirë” dhe “kriminelët e tyre monstrumë”, ajo dha dëshmi konkrete për mizoritë e disa serbëve.
Martja nuk lejoi që publiku të lëshonte sallën kur nisi rrëfimin e saj. “Dua të gjithë të dëgjoni, edhe burri, edhe familja, edhe gazetarët…”

Si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiq ishte dënuar me 20 vjet burgim.
Në gjykimin kundër Milosh Jokiqit patën dëshmuar 40 dëshmitarë, në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues, që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse.
Milosh Jokiq, sipas Marte Tunajt, më 30 maj 1999, nën kërcënimin e thikës, kishte kryer marrëdhënie seksuale. Jokiqi ishte i armatosur deri në dhëmbë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më çoi në kuzhinë, ku më urdhëroi të zhvishesha. Refuzova me tërë forcën time, por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës kreu marrëdhënie seksuale.
E ky farë zotnia i vogël Mariq çfarë ka për të dëshmuar”?
E sa për deklaratat e tij me tone fashizoide duhet t’i përkujtohet se ekziston një rregull botëror, ai kushtetues, për sjellje korrekte para shoqërisë dhe kombit.
Shtetasi që nuk i jep atdheut dashuri e lojalitet (pa marrë parasysh përkitjen e tij etnike a fetare) nuk mundet të marrë post publik që paguhet nga taksat e qytetarëve!
Sepse secili deputet e ministër (edhe ata me përkatësi etnike shqiptare, edhe ata nga komunitetet e tjera kosovare) duhet me u betu përmbi Kushtetutë!

Kosovës moderne nuk i duhen serbë të ndershëm, siç i duheshin dikur Milosheviqit “shqiptarë të ndershëm”, por i duhen qytetarë - serbë normalë – që i janë luajalë shtetit të tyre – Republikës së Kosovës, kurse ata që marrin poste publike dhe që nuk i japin lojalitet shtetit duhet shkarkuar, sepse ata paguhen me taksat e qytetarëve të varfër e të rraskapitur të këtij vendi, si nga fashizmi milosheviqian ashtu edhe nga keqqeverisja vendore dhe fyerjet e këtyre kinse ministrave të orientimit fashist, si Lubomir Mariq.
Pra, Mariqi nuk është i sinqertë - sepse po të ishte i sinqertë nuk do ta merrte pagën nga Republika e Kosovës, por do ta refuzonte atë - dhe atëherë do të ishte i sinqertë në armiqësinë e tij kundruall shtetit kosovar!!!

Porse ai është rrenc dhe politikan i keq, por edhe njeri i lig.
Thjesht, një fashist i vogël!!!
E nuk i vyen sen as serbizmit e as kosovarizmit!???
Edhe pak histori për dijeninë e këtij zotnisë së vogël, Mariq.
Fati i grave në Ballkan nuk dallon nga vendi në vendin tjetër.
Gratë rëndom janë të përbuzura nga maskuliniteti i tërbuar që vazhdon ta shtypë dhe ta mbajë të heshtur gruan. Gratë në luftë janë edhe heroina të vërteta (ato mbajnë fëmijët) dhe dyzash edhe viktima. Dhuna ndaj tyre është mjet lufte, për ta poshtëruar palën armike.

Në këtë kontekst, “Vera” serbe nga filmi “Savoir” (“Shpëtimtari i shpresës”, që ka subjekt agresionin e Serbisë në Bosnjë) dhe “Zadja” shqiptare nga dokumentari “Krimi i padënuar që flet” , si dhe Marte Tunajt (gruaja e madhe kosovare) e kanë të njëjtin fat.
Janë motra për nga vuajtja.
E Mariq i ka fyer që të gjitha pa dallim, sepse e egra brenda tij ia ka errësuar mendjen!?

Lufta është ligësi.
E keqe detyrimisht dhe e pajustifikueshme.
Ndonëse ekzistojnë luftëra të drejta dhe të padrejta, por edhe konventa për zakonet e të luftuarit, gjithmonë të gjitha palët ndërluftuese abuzojnë me to, duke bërë krime të tmerrshme ngado që munden.
Civilët janë rëndom dhe gjithandej viktimat më të drejtpërdrejta dhe më të përbuzura. Dhunimi seksual është një krim lufte po ashtu.
Por kosovaret e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe të sigurisë janë viktima të shumëfishta: të luftës dhe të traditës patriarkale, të përjashtimit dhe fyerjes familjare, të harresës e talljes qeveritare...
Ato ose duhet ta fshehin krimin që u është bërë, ose duhet të vetëvriten.

Jam i sigurt se ky soj ministri nuk është aq injorant sa të mos e dijë me saktësi se çfarë janë dëshmitë e trishta të grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës.
Ato e kanë rikthyer fotografinë e tmerreve të luftës në njërën anë dhe turpin e pasluftës në anën tjetër.
Ato na detyrojnë të gjithë ne të bëhemi zëdhënës të atyre që s’kanë zë!
Apo jo djaloshi Lubomir!?

Emrat e tyre po ashtu janë ndryshuar: “Zadja”, “Hana”, “Nora” etj., për arsye se tribuna kosovare nuk i do viktimat as në luftë dhe as në paqe.
Ballkanasit i duan vetëm “heronjtë” – qofshin ata edhe të shpifur, hajdutë e batakçinj!?
Një ligj që kastile i merrte në mbrojtje këto viktima ishte përqeshur fillimisht disa herë radhazi dhe nuk ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, më 2013, nga disa burra të dheut, që turfullonin ndër dhëmbë për të bëmat burrërore të tyre dhe me arsyetimin se Kuvendi nuk do të merrej me “laviret”.
Mirëpo me presionin e shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare, ligji, megjithatë, u votua, me çka viktimave të dhunimeve seksuale gjatë luftës do t’u njihej e drejta ligjore dhe respekti.

Gratë kosovare në zonat e konfliktit janë ndarë nga familjet, shpesh atyre u janë vrarë fëmijët para syve, u janë vrarë burrat e shtëpisë ose edhe janë përdhunuar në sy të familjarëve, çka paraqet poshtërim dhe lëndim të integritetit njerëzor.
Ato janë bartur sa andej-këndej dhe janë përdhunuar sistematikisht nga forcat serbe.

Ka ndër to që ishin shtatzëna, ka të tjera që mbetën shtatzëna.
Ka ndër to që kanë lindur frytet e përdhunimit, por shumica kanë abortuar në kushte të mjera e johigjienike.
Ato që janë vrarë dhe hedhur nëpër puse, ndërkohë shiheshin si të shpëtuara!
Tregimet e tyre janë klithma, dhe kjo shoqëri ka nevojë për klithmat e tyre!?
Këto gra (së bashku me të gjitha viktimat civile të luftës) e kanë fituar luftën për Kosovën, pra janë lulet e lirisë.
Por ato e kanë humbur luftën me këtë shoqëri të mjerë burrash krenarë e injorantë!

Ato ishin lulet e (n)grime të prillit – 17 vjet më parë.
Ato janë lulet e vyshkura e të hedhura manash – 17 vjet më vonë.
Lëngata e tyre është një mallkim për ne.
Liria, pa rehabilitimin e tyre të plotë zëre që s’ka ardhur.
Të vdekurit nuk mund të flasin e të gjallët janë bërë gënjeshtarë me licencë!

Nga ish-SHIK-ocat refuzohej të kalonte Ligji për mbrojtje institucionale të grave të dhunuara, ngase pretendohej se po “mbrohej” morali i femrës shqiptare, ndonëse këtyre batakçinjve jo që u ha palla për moralin dhe dinjitetin njerëzor, por përmes kësaj ata duan që ta mbrojnë veten, të bëmat e të pabëmat e veta. Ndërkaq sa u përket serbëve kosovarë, ata votuan me dëshirën më të madhe kundër këtij propozimligji, sepse edhe ata mbrojnë moralin tradicional serb – “serbët të kenë dhunuar gra në Kosovë, kjo është shpifje” – murmurisnin ata në heshtje dhe i fërkonin duart: “Ua hodhëm sërish”!?

I kësaj mendësie del të jetë edhe Mariqi!
Në anën tjetër, kur Gjykata e Hagës njoftonte se gjenerali serb Dragolub Ojdaniq ka pranuar dënimin prej 15 vjetësh burgim për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës më 1999, ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka thënë për Radio Kosovën, programi në gjuhën serbe, se pranimi i fajit është shumë me rëndësi, pa marrë parasysh se kjo mund të lidhet me të drejtën e Ojdaniqit, që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit të kërkojë lirimin.
“Pranimi se është fajtor nga ana e Ojdaniqit, në të gjitha pikat e aktakuzës për të cilat është gjykuar, paraqet pranimin e parë të fajit nga dikush me një gradë të lartë ushtarake. Ai e pranon fajin për pjesëmarrje në krimet,e që synimi ka qenë deportimi i popullatës shqiptare nga Kosova. Ai i pranon vrasjet masive, djegien e pronës, ka pranuar krime të rënda që janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit…”, tha Kandiq.

Kandiq vlerësonte se pranimin e fajit nga Ojdaniqi, Qeveria e Kosovës duhej ta shfrytëzonte në dialogun që po mbahet në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Mirëpo, ky lidership nuk di, nuk do dhe nuk çan kokën për atë se çfarë mund të përfitojë Kosova, por vetëm për atë se cili është interesi i tyre personal.
Dhe ky çuni serb që ha bukë në Qeverinë e Kosovës, shtihavet kinse nuk i di këto fakte!?
Pse ky nuk i pranon faktet?
Sepse askush nga Qeveria e Kosovës nuk e ka kërkuar këtë nga ai!???
Anna Kim ka shkruar një roman për gratë fatkëqija të Kosovës.
Që i përshtatet edhe Martes.

“Shtigjet e ngatërruara të ikjes në luftërat ballkanike bëhen të dukshme në këtë tregim, në të cilin ecja nëpër trevat për të cilat luftohet shndërrohet në ecje nëpër territore të brendshme të njeriut. (…) Në romanin e Anna Kim koha është e ngrirë dhe gjuha e ftohtë, por prapëseprapë aty brenda gjendet një zjarr i shenjtë”. (Neue Zürcher Zeitung)
Në këtë temë secilit njeri normal duhet t’i çohen flokët përpjetë e t’i rrëqethet trupi!

Pra edhe Mariqit, po të ishte i tillë.
Sa për serbizmin e tij ose shqiptarizmin e do kolegëve të tij nga ana tjetër, mos u qofsha falë.
Ata janë të pafytyrë!
Dhe në fund, ngjashëm ishte gati të pakej njëri nga shefat e Mariqit (Ivica Daqiç) në New York, në OKB, duke turfulluar dhe duke u hedhur në sulm me shigjeta të helmatisura e plot armiqësi kundër Kosovës dhe kosovarëve. Pse e bëni këtë turp Lubomir?
Dëgjoje ambasadoren Vlora Çitaku se si mbrohet liria me fuqi argumenti e jo me rrena.

A e dëgjove ti Vlorën, zotnia i vocërr i Qeverisë “së vocërr” të Republikës zemërmadhe?
Është e madhe kjo Republikë derisa ka njerëz si Vlora.
Një falënderim publik për ty.
Grande Vlora!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...