3 Tetor 2014 - 08:48 - Halil Matoshi
Kam qenë nxënës i shkollës së mesme më 1981, kur shpërtheu Pranvera studentore dhe natyrisht kam qenë përpara “Komitetit” kur po u fliste turmave Hydajet Hyseni.
Fjalimi i tij prej revolucionari ishte një thirrje për të dalë nga shtypja, eksploatimi dhe mjerimi i thellë ku i kishte katandisur shqiptarët politika hegjemoniste e Serbisë.
Tërë ideologjia çlirimtare atëherë konsistonte në dy-tri fjali.
Thoshin: “Trepça punon-Beogradi ndërton”, për të spikatur infrastrukturën e ligsht kosovare; thoshin: “Shokët nga burgu”, për të spikatur se mijëra të rinj e të reja dergjeshin burgjeve të ish-Jugosllavisë, për mendimin e tyre ndryshe – për fjalën e lirë - dhe natyrisht për idetë e tyre për një Kosovë të lirë; thoshin edhe “Duam kushte”, për ta spikatur mjerimin ku ishin katandisur shtresa të tëra të popullsisë kosovare dhe së fundi thoshin: “Kosova Republikë”!
KR (akronimi për shkrimin e të cilit në mure e rrugë, mijëra të rinj e të reja në Kosovë ishin dënuar me burgim) ishte sinonimi i çlirimit nga pushtimi njëshekullor serb.
Dhe sot, më 2014, Republika e bërë nga shumë breza kosovarësh, nga populli i Kosovës, është kapur pikërisht nga kasta që më 1981 e kërkonin me aq ngulm Republikën. Është zaptuar nga forcat e shëndosha të Partisë së Punës të Shqipërisë edhe pas fundit të saj, të konvertuar në demokratë e që mbajnë akronimin PDK.
Po parullat e tjera?
E para, parulla “Trepça punon – Beogradi ndërton” sot duket se e ka humbur krejtësisht kuptimin e vet të dikurshëm, por jo, sepse Trepça punon, kurse Beogradi nuk e administron tutje.
Pra është në duart e politikanëve kosovarë, që duan ta nxjerrin në pazar për përfitime personale!?
Në këtë kontekst mund të krijohet parodia: “Trepça punon – Thaçi ndërton”.
Dhe jo vetëm ai!
E dyta: “Shokët nga burgu” edhe sot – 35 vjet më vonë - ka një kuptim simbolik për një grupim shoqëror, përkatësisht për ata kosovarë që heronjtë “tanë” të atdheut duan t’i shndërrojnë në heronj “të tyre” të Zotit!?
Shteti kosovar ende nuk është stabil dhe i aftësuar për t’i shprehur nevojat e të gjithë qytetarëve, përkatësisht grupeve etnike, fetare dhe kulturore, prandaj edhe shihet nga grupe të ndryshme si diskriminues nga të mundurit, në njërën anë, apo si “kafshatë e lehtë” nga ekspansionistët në anën tjetër; posaçërisht nga islamikët radikalë.
E them këtë në kontekstin e arrestimeve të dhjetëra imamëve radikalë kosovarë, të cilët megjithëse brenda domenit të lirisë themelore të besimit dhe të shprehjes së lirë, duan t’ia ndërrojnë kahun qytetërimit shqiptar, në kontekst të konstitucionit shpirtëror, pra duke i goditur edhe levat qenësore mbi të cilat qëndron ky qytetërim: multifetarizmin e shqiptarëve dhe kulturën perëndimore të tyre (alfabetin, sekularizmin e shtetit, demokracinë dhe lirinë e zgjedhjes.)
Ashiqare, paaftësia dhe pafuqia e shtetit po keqpërdoret nga ky grup, siç është keqpërdorur nga njerëzit e afërt me UÇK-në fillimisht dhe me qeverisjen e strukturave të saj më pastaj, posaçërisht nga qeverisja e Hashim Thaçit.
Mirëpo, kjo nuk do të thotë që shteti të armiqësohet me shtetasit si më 1981, duke fabrikuar grupe armiqësore për t’i goditur më pastaj dhe mjerisht, në rastin e imamëve kosovarë, duke u organizuar arrestime më spektakle policore, aktakuza qesharake me nga dy-tre rreshta e të ndërtuara më keq, në aspektin penal-juridik se më 1981 dhe gjyqe politike pa asnjë provë materiale!?
I dëgjoj shumë shpesh njerëzit e rëndomtë tek e shtrojnë dilemën se cili është rreziku më i madh që i vjen shtetit kosovar aktualisht dhe perceptimi që është krijuar në masa është pa hamendje se rreziku vjen nga fanatikët islamikë, pra nga islami politik!?
Islami politik nuk është rrezik që duhet përçmuar, ama po qe se themi se rreziku më i madh i shtetit të Kosovës është modeli qeverisës i HTh, po ashtu kemi të drejtë, sepse po të mos qeveriste HTh, dhe po të mos i lajkatonte individët si Naim Tërnava me shokë (janë shokë ideologjikë, sepse në parimet ideologjike Marksi e Muhamedi janë kushërinj!?) duke ua lënë duart të lira në interpretimin fashist të Kur’anit në shkëmbim të votës – pra po të mos qeveriste HTh - të gjitha teoritë e probabilitetit shkojnë në favor të tezës së nuk do të kishte radikalizëm islam në Kosovë dhe njerëzit do të merreshin me kërkimin e lumturisë tjetërkah...
Shteti natyrisht se duhet ta mbrojë veten – institucionet dhe rendin demokratik – porse sefte duhet t’i dëgjojë shtetasit, kërkesat e tyre të ligjshme, të hyjë në një debat të madh ndërshoqëror, ndërkulturor dhe ndërfetar e të shohë “me sytë e shtetit” mos janë këto të çara të kësaj shoqërie, apo mos “na e ka futur” ndokush ndonjë pykë!
Dhe e treta, parulla që është aktuale edhe sot: “Duam kushte.”
Parulla “Duam kushte” shpreh synimin, përkatësisht të drejtën themelore të njeriut për të kërkuar lumturinë.
Ëndërr, e cila, për shumicën e kosovarëve nuk shfaqet dot, pos në ëndrrat e tyre të përmbysura nga kasta që mbështeti HTh në kapjen e shtetit e që dikur dergjej burgjeve të ish-Jugosllavisë, e rrahur e katranosur, e dërmuar dhe në mjerim të thellë.
Në vend të kësaj u shfaqet mjerimi.
Streha ku janë strukur dhe vetizoluar kosovarët sot është naiviteti i tyre për t’i përkrahur, për t’i mbështetur njerëzit e fuqishëm të luftës, sot. HTh p.sh.
E nesër të mbështeturit mund të jenë njerëzit e Zotit. Shefqet Krasniqi p.sh.
Të dytë janë ambiciozë të sëmurë dhe frikacakë!
Kanë frikë zotat e tyre për vuajtjet dhe mjerimin material e shpirtëror që u kanë sjellë njerëzve!
Ua kanë vjedhur ëndrrat, ua kanë nxirë jetët, ua kanë uzurpuar të drejtën për lumturi në këtë botë.
I pari, duke i mashtruar me premtimin për parajsën në Tokë e i dyti në Qiell.
Kot lutet në emër të demokracisë e lirisë i pari dhe në emër të Zotit e Profetit, i dyti.
Ata të dy janë të gatuar për ferr!
Sepse që të dyja palët korrupsionin dhe pasurimin nga zyra publike e kanë shndërruar në kulturë të të jetuarit.
Në kurriz të popullit ndër më leckamanët në rruzullim.
Indeksi i mjerimit nëpër botë i bërë nga Arthur Orkum, i cili pasqyron nivelin e papunësisë dhe inflacionit të çmimeve në nivel shtetesh, e rendit Kosovën të nëntën në listë, me indeksin e mjerimit 53.6, që është më i lartë se i Rripit të Gazës, (që politikisht dhe juridikisht mund të konsiderohet si Kosova në vjeshtën e vitit tashmë të largët 1981) edhe pse kjo e fundit është vatër luftërash disavjeçare.
Sipas këtij raporti, 43.5% e popullsisë kosovare, janë të papunë ndërsa niveli i inflacionit arrin shkallën prej 8.3%.
Lista e të mjerëve në shkallën 25 deri në 1, nis me Malin, që zë pozitën e 25, Kosova pra në pozitën e nëntë dhe përfundon me Zimbabvenë.
Ndërsa më 8 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Avancimit të Shkrim-Leximit, ekspertë të arsimit në Kosovë konsideronin se dukuria e analfabetizmit vazhdon të jetë trishtues, pasi, sipas tyre, mbi 40 për qind e popullatës së përgjithshme janë analfabetë.
Por, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se shkalla e analfabetizmit është 4.18 për qind në popullsinë mbi 15 vjeç, ndërsa në mesin e grave 5.07 për qind.
Sidoqoftë, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.
Mosha e personave analfabetë sipas zyrtarëve të Ministrisë se Arsimit, thuhet të jetë mbi 55 vjeç.
Mirëpo në Kosovë nuk është problem vetëm analfabetizmi klasik, kur njerëzit nuk dinë shkrim-lexim, por problemi kryesor është numri i madh i analfabetëve funksionalë, të cilët dinë shkrim-lexim, por shkrimin dhe leximin nuk mund të përdorin për ta shndërruar shoqërinë në shoqëri politike dhe shtetin në shtet funksional, Të tillët i shërbejnë më së miri pushtetit, i ke me shumicë në Ministrinë e Jashtme, në Universitet, në administratën publike, thjeshtë në institucionet shtetërore dhe kulturore-arsimore.
Për ironi, për këtë çështje ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.
Përmes kësaj rezolute ata janë zotuar se deri në vitin 2015, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe analfabetizmin.
Analfabetizmi funksional në epokën e HTh është rritur me galop.
Duke e krahasuar mënyrën e jetesës së amerikanëve të pasur më 1955 me këta të sotshmit, Paul Krugman thotë se sapo kishte rilexuar një artikull të spikatur me titull “Si jetojnë drejtuesit e lartë”, i cili është botuar fillimisht në revistën “Fortune” në vitin 1955, dhe është riprintuar disa vite më parë.
Është një portret i elitës së biznesit të Amerikës dy breza më parë, dhe aty kupton që jetët e një elite të një brezi më të mëparshëm ishin vërtet shumë më të përmbajtura, më “të ndershme” po të doni, se sa ato të Zotërve të sotëm të Universit.
“Shtëpia e një drejtuesi biznesi sot (1955)”, na thotë artikulli, sipas Krugmanit “me shumë gjasë është e thjesht dhe relativisht e vogël – ndoshta shtatë dhoma, dhe dy banja e gjysmë”. Drejtuesi i lartë i një biznesi ka dy makina “dhe i mjaftojnë dy shërbyes”.
Jeta është e përmbajtur, edhe në të tjerë drejtime.
Elita e vitit 1955, të paktën pretendonte të krijonte një shembull të mirë të sjelljes së përgjegjshme.
Por përpara se të ankoheni për rënien në standarde, duhet të dini diçka: kur lartësonte elitën “esëll” të biznesit në Amerikë, “Fortune” e përshkruante këtë si diçka të re.
Ajo bënte një kontrast mes shtëpive modeste dhe motoskafëve të 1955-ës, me shtëpitë dhe jahtet e një brezi të mëparshëm. Po përse, elita e 1955-ës, kishte hequr dorë prej salltaneteve të së kaluarës?
Sepse nuk mund ta përballonte më atë lloj jetese.
Jahti i madh, na thotë “Fortune”, “ishte mbytur në detin e taksimit progresiv”.
Shikoni shtëpitë e liderëve politikë kosovarë të elitës komuniste të viteve 1974 – 1980 dhe shikoni sot ato të liderëve demokratë.
Teprimi deri në shkallë kiçi është shndërruar në sindromë të dukjes. U ka hy tërpia!
E shihni teprimin deri në shkallë tërpie, siç shprehet populli.
Jo vetëm shtëpitë e Thaçit & Co dhe shërbëtorëve të tyre...
Kjo klasë politike (oligarkët kosovarë) po e duan popullin shërbëtor të tyre!
Nëse vërtet doni të mbeteni shërbëtorë të mjerë të tyre, vazhdoni t’i mbështesni, t’i votoni.
Madje edhe t’i doni!
Por dijeni se po shndërroheni në bashkëpjesëmarrës – bashkëfajtorë për mjerimin.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...