Gjykata pyet: Çka kanë dashur autorët të thonë!?

29 Gusht 2014 - 08:42 - Halil Matoshi      

Gjykata Kushtetuese nuk ka ofruar asnjë zgjidhje – duke mos lejuar as zgjedhje - ajo me pandehma dhe krahasime koti vetëm ka krijuar konfuzion total për mundësitë e krijimit të institucioneve të reja, nëse nuk i pranohet ekskluziviteti PDK-së, pra Gjykata Kushtetuese sikur e ka legjitimuar mësymjen e PDK-së që t’i ndërtojë institucionet me zor! Së këndejmi mund të thuhet se “Kushtetuesja” e ka thelluar krizën institucionale duke dëshmuar ashiqare - sy botës - se është politikisht e influencuar, nën diktatin dhe presionin direkt të PDK-së

Që nga themelimi i saj e këtej, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shihej në publik si e paanshme dhe natyrisht e pavarur, madje vendimet e saj aprovoheshin nga të gjitha palët në konteste të ndryshme dhe mund të thuhej se po krijohej një kulturë impresive e demokracisë kushtetuese.

Mirëpo me verdiktin e fundit (sidomos) kjo gjykatë nuk ka ofruar zgjidhje (madje për çudë as zgjedhje!?), porse nëse e lakojmë verdiktin e saj në një metaforë, na del se Gjykata na ka thënë se PDK-ja duhet t’i ndërtojë institucionet pa çare!?
Dhe nuk mund të shkoni as në zgjedhje të reja!?

Pikërisht këtë, një natë para se të shpallej vendimi i plotë, sikur na e bëri të ditur dr. Arsim Bajrami, profesor universitar (i së drejtës kushtetuese) dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Republikës.
Ai tha shkurt e shqip: “Institucionet e reja i ndërton PDK ose PDK!!!”
Në rrafshin legal (konstitucional) verdikti i Gjykatës nuk lëshohet në frymën e Kushtetutës së Republikës, por gjykon me arbitraritet se cili është “grupi më i madh parlamentar” në sistemin politik kosovar, duke e barazuar atë me partinë/koalicionin që ka dalë fituese relative në zgjedhje!?

Në këtë çështje po e zëmë se ka të drejtë.
Ndonëse ky postulat duket i debatuar rrastë mes Enver Hasanit dhe PDK-së, konform me verdiktin paraprak rreth partisë/koalicionit fitues të zgjedhjeve.

Asgjë e re!
Në anën tjetër Gjykata paskësh të drejtë të përcaktojë edhe se kur një deputet mund të lëvizë nga partia e tij (grupi i tij parlamentar) në një grup tjetër parlamentar, bazuar në vullnetin e tij të lirë dhe në përngjasime programore ose qëllime të përbashkëta politike. Po e zëmë se edhe në këtë rast Gjykata ka vlerësuar drejt (edhe pse ka shumë vend për dyshime, madje ekziston cok një precedent, kur në legjislaturën e kaluar “G 6+” ka krijuar grup parlamentar ad hoc para se të konstituohet plotësisht Kuvendi (siç preferon ta cilësojë Gjykata Kushtetuese.)

Mirëpo ana më e dhimbshme e këtij verdikti është se Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë “ilaçin” juridik si të shërohet sëmundja demokratike e quajtur “krizë institucionale”.
Pra, nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes: Çka nëse as herën e parë as të dytë dhe as të tretë (e kështu me radhë deri në infinit) kandidati i propozuar nga “grupi më i madh parlamentar” (që në këtë rast na qenkësh PDK) nuk i merr votat e nevojshme!?

Dhe duke dashur që të ndihmojë zgjidhjen e ngërçit institucional, Gjykata është lëshuar në sugjerime politike (gjë që nuk i bëjnë nder!) kur thotë se deputetët janë përgjegjës (gati në shkallë detyrimi) që t’ia votojnë Hashim Thaçit njeriun e tij për kryetar Kuvendi!?
Në anën tjetër (që lidhet me çështjen e konstituimit të Kuvendit), shihni p.sh. se si e komenton dr. Arsim Bajrami mundësinë që nëse nuk kalon mandatari i propozuar nga partia/koalicioni fitues (relativ) i zgjedhjeve, për krijimin e Qeverisë në votimin e parë, derisa Gjykata pati thënë se herën e dytë i mbetet në diskrecion Presidencës së vendit se kujt do t’ia japë mandatarin.

Porse eksperti i kushtetutshmërisë e ka “ilaçin” për të dalë nga kriza, sepse partia e tij dhe vetë ai, fatkeqësisht, del ta kenë bastisur tashmë “diskrecionin e presidentes”: PDK-së edhe herën e dytë, madje jo vetëm që presidentja duhet t’ia japë të drejtën PDK-së edhe herën e dytë për ta propozuar mandatarin, por ajo duhet ta vlerësojë situatën - ta ruajë stabilitetin e vendit – duke “i detyruar” deputetët që ta votojnë një qeveri të Hashim Thaçit, sepse, nëse nuk votohet qeveria e tij, kjo e çuaka vendin e kosovarëve në destabilizim, ose ta përdorë një shprehje që Bajrami s’e ka përdorur: në kryengritje!

Ky është një lexim semantik i asaj që tha profesor Bajrami.
Këtë është dashur ta kishte parasysh Gjykata Kushtetuese kur ka kërkuar draftet punuese, për ta ditur se çfarë ka dashur autori (autorët) të thotë me disa nga nocionet kushtetuese për të cilat flitet në pikën 104 të verdiktit të Gjykatës.
“Si vërejtje paraprake, Gjykata vëren se, për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë, Kushtetuta përdor shprehje të ndryshme për të njëjtin realitet.
Shprehje të ndryshme konkretisht janë: vendet (...) ndahen (...) në përpjesëtim me numrin e votave të vlefshme, të fituara (...) në zgjedhjet (...) [neni 64 (1) i Kushtetutës], grupi më i madh parlamentar [neni 67 (2) i Kushtetutës], partia politike ose koalicioni,
që përben shumicën e Kuvendit [neni 84 (14) i Kushtetutës], partia politike ose koalicioni që ka fituar shumicën në Kuvend [neni 95 (1) i Kushtetutës].

Shi për këtë, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një verdikt të ligshtë që nuk sqaron asgjë në kontekstin e ngërçit politik kosovar, ngase në njërën anë nuk rekomandon zgjedhje të reja (të jashtëzakonshme, pra për t’ia kthyer mandatin sovranit) e në anën tjetër nuk i jep të drejtën partisë/koalicionit të dytë më të madh për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Pra, pas këtij verdikti vendi hyn në krizë klasike institucionale.
Studimet krahasimtare me disa vende të tjera nuk ofrojnë lëndë të mjaftueshme për situatën kushtetuese të Kosovës, pra janë renditje faktesh koti, që në këtë rast s’i hyjnë në punë askujt, ndërsa vendimi mbështetet kryesisht mbi një vendim tjetër të kësaj gjykate, atë të rastit “presidentja e Kosovës pyet Kushtetuesen.”
Pra, ky verdikt nuk i vlen askujt, pos që ndoshta, do t’u vlejë studiuesve të konstitucionalizmit si shembull eklatant se deri në ç‘derexhe mund të degjenerohet një gjykatë e pavarur nga partia-shtet (kapja e shtetit.)

Gjykata me postulate ultrapolitike synon t’i obligojë partitë politike që të ulen në dialog dhe të arrijnë marrëveshje politike sipas masës së PDK-së, sepse marrëveshja pa të nuk vlejtka pesë pare!?
Jo, shoqëria kosovare më parë duhet të hapë një debat të madh (historik) rreth lëngatës së demokracisë kosovare dhe të japë përgjigje përse kemi ardhur deri këtu, si dhe a ka mjete politike dhe kushtetuese që mund ta nxjerrin vendin nga ky pellg erërëndë, ku e ka katandisur klasa politike!?
Me verdiktin në rastin Ko 119/14, në pikat 115, 116 dhe 117 duke e baraspeshuar partinë politike/koalicionin me grupin parlamentar, Gjykata Kushtetuese vetë e ka shkelur Kushtetutën e Republikës, nenin 70 [mandati i deputetëve] që thotë:

1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues dhe 2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes; sepse populli voton për Kuvendin e jo për Qeverinë, prandaj populli voton për përfaqësuesit e tij të pavarur e jo për partizanë që i nënshtrohen mandatit partiak.
Kësisoj, së pari nuk është marrë për bazë pavarësia e deputetit, dhe e dyta është anashkaluar me kast precedenti “G 6+” siç është anashkaluar me qëllim fakti se PDK-ja si partia/koalicioni fitues i zgjedhjeve vërtet propozoi kandidatin e vet Agim Aliun, porse ai nuk i pati votat e nevojshme, kështu që votimi dështoi!

Së treti, ndonëse Gjykata konstaton se Kushtetuta nuk parasheh zgjedhje të reja në këso rastesh kur kandidati i partisë/koalicionit më të madh nuk merr 61 vota për t’u zgjedhur i pari i Kuvendit, dhe se u dashka të provohet në një votim të dytë, të tretë – mirëpo në këtë vendim Gjykata nuk parasheh që nëse partisë/koalicionit më të madh nuk i kalon kandidati, as në disa raunde të tjera votimi, sado qofshin ato, a i jepet e drejta kandidatit të partisë/koalicionit të dytë apo vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme!?
Kushtetuesja e Enver Hasanit, nën vëzhgimin strikt të ndërkombëtarëve dhe nën influencën e tyre, po thotë s’ka zgjedhje të reja!

Prandaj konstaton: “Rrjedhimisht, grupi më i madh parlamentar, sipas nenit 67 (2) të Kushtetutës, duhet të konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë më shumë vende në Kuvend, në kuptim të nenit 64 (1) të Kushtetutës, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë marrë pjesë si të tillë në zgjedhje. Ky grup duhet ta propozojë kryetarin e Kuvendit, duke respektuar dispozitat e nenit 67 (2) të Kushtetutës”. (pika 115 e verdiktit).
“Kjo është ajo që parasheh Kushtetuta si grup parlamentar dhe, aq më tepër, që kjo

është de facto në pajtim me praktikën parlamentare në shtetet demokratike”. (Pika 116 e verdiktit).
“Një argument shtesë është se grupi parlamentar, në kuptimin më të ngushtë të fjalës (in stricto sensu), dhe sipas Rregullores së punës të Kuvendit e shtojcave të saj, mund të regjistrohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit, pra, pas zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit”. (Pika 117 e verdiktit).
Mirëpo në pikën 126 të verdiktit konstatohet se Gjykata vëren se askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, prandaj ajo që nuk parashihet nuk u dashka të ndodhë.

Dhe sipas këtyre postulateve gjysmëjuridike dhe gjysmëhamendësuese vendimi nr. 05-V-001, i 17 korrikut 2014 (për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit) shpallet jokushtetues; b: “si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, është i pavlefshëm; dhe c. Seanca konstituive e Kuvendit, që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive
duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene, dhe në pajtim me këtë aktgjykim.

Po cili është aktgjykimi?
Ai është joekzistues, sepse nuk është i justrifikuar me argumente juridike dhe nuk ofron zgjidhje.
Mirëpo, megjithatë, Gjykata Kushtetuese tregohet e sinqertë në arsyetimet vajtuese se mund të gabojë pa fajin e saj!?
Në pikën 101 të verdiktit thuhet: “Gjykata vëren se, në rastet e mëparshme, kur është bërë fjalë për interpretimin e dispozitave kushtetuese, ka kërkuar shumë herë që t'i dorëzohen “Trauaux preparatoires”, në mënyrë që të njihet me qëllimin e hartuesve të Kushtetutës.

Rezultati gjithmonë ka qenë që “Trauaux preparatoires” të Kushtetutës nuk janë në dispozicion. Për pasojë, Gjykata ka vendosur që, në mungesë të “Trauaux preparatoires” të Kushtetutës, duhet ta bëjë interpretimin vetë (shih, për shembull, rastin K0103/14, presidentja e Republikës së Kosovës përkitazi me vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) [kompetencat e presidentit] me nenin 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktgjykim i 1 korrikut 2014).
Kurse në pikën 102 jep një postulat dëshpërues dhe infantil: “Prandaj, Gjykata nuk mund të arrijë në përfundime lidhur me qëllimet e hartuesve të Kushtetutës dhe nuk mund të spekulojë se çfarë kanë dashur të thonë ata”.

Edhe këso marrëzirash amatoreske paketohen si verdikte juridike e s’janë tjetër pos fjali shtihane, sa për ta zhvendosur fajin nga vetja tek tjetri si filozofi tipike ballkanase!!!
Dhe gjyqtarëve që e votuan këtë vendim dua t’ua përkujtoj intervistën shumë domethënëse të dr. Arsim Bajramit, njërit nga hartuesit e Kushtetutës, në “Interaktiv” (datë 25 gusht 2014), i cili, në mënyrë literare i shpalosi qëllimet e neneve të kësaj kushtetute, kur është fjala për propozimin e mandatarit dhe zgjedhjen e kryekuvendarit, gjë që vlen, ose e ka peshën e barasvlershme me “Trauaux preparatoires” (draftet punuese) për të cilat po vuan aq shumë Enver Hasani!?
E, të cilat nuk po u gjendkan askund!?
Thua se i ka përpirë terri.

Dhe perdja e terratisur ra mbi drejtësinë kosovare.
Edhe kjo dëshmon për kapjen e shtetit, që sipas profesor Bajramit është një term që duhet të evitohet nga debatet publike, sepse krijon edhe më shumë inate dhe nuk ofron zgjidhje!?
Dhe si shembull se si duhet vepruar përmend “institucionalizmin” e Ibrahim Rugovës, i cili po të kishte mundësi ta dëgjonte do të rrotullohej në varr!?
Por e shoh të rëndësishëm edhe shembullin e gjyqtarit Robert Carolan, i cili jo vetëm që votoi kundër, edhe pse ai ishte caktuar si referues i çështjes në fjalë, ai dha edhe argumentin kyç pse Gjykata ka marrë një vendim të gabuar.

“Praktika e formimit të një grupi parlamentar shpesh ndodh pas, e jo para zgjedhjeve.
Për dallim nga kërkesa K0103/14, në të cilën nga kjo gjykatë është kërkuar të interpretohet kuptimi i termit ‘partia ose koalicioni më i madh’ në nenet 95 dhe 84 të Kushtetutës, në këtë kërkesë, kërkohet nga Gjykata që të interpretojë një term tjetër të caktuar dhe një nen tjetër të caktuar të Kushtetutës që ka të bëjë me zgjedhjen e një zyrtari tjetër të caktuar në Qeverinë e Kosovës”.
Edhe një argument plus që dëshmon kapjen e Gjykatës nga PDK-ja.
Sipas konstitucionalistit amerikan, nëse hartuesit e Kushtetutës kanë pasur qëllim që termi "grupi më i madh parlamentar" të këtë domethënien e njëjtë me termin "partia politike ose koalicioni", ashtu siç është përdorur në nenin 95 të Kushtetutës, ata do të mund ta përdornin atë gjuhë të njëjtë në nenin 67 të Kushtetutës”.

Përfundimisht Gjykata në vendimin e saj nuk sqaron asgjë (nuk jep mjete juridike- kushtetuese) për të dalë nga ngërçi institucional, nuk ka haber se çfarë kanë dashur të thonë autorët (hartuesit e Kushtetutës) në disa raste, sjell studime krahasimtare koti, që nuk përkojnë me situatën e dhënë kushtetuese kosovare dhe as që vlejnë për të marrë mësim nga to se si të zgjidhet “nyja e Gordit”, sepse, sipas dr. Arsim Bajramit, ajo qenka shkruar që të prodhojë një kryeministër të fuqishëm, gati konsensual e jo një kryeministër që vjen nga një parti e vogël, që nuk ka fuqi politike, pra në interpretim semantik ‘autori ka dashur të thotë’ se sistemi politik kosovar është menduar në atë mënyrë dhe është kodifikuar në Kushtetutë që të prodhojë një Hashim Thaç dhe jo një Ramush Haradinaj!?. (Shih: KTV, “Interaktiv”, 25 gusht 2014.)

Mirëpo, fundja, formalisht PDK-ja dhe Hashim Thaçi me mjeshtëri (paçka se djallëzore!?) politike e nxorën “të drejtën” e tyre, duke ia hedhur topin e zjarrtë Enver Hasanit, i cili edhe kësaj radhe e luajti mirë rolin e “avokatit të djallit” kur tha: “Arsim Bajrami ka të drejtë. Nëse nuk e rimerr pushtetin PDK-ja ka me u ba kiameti”!!!
Dhe kur interpretuesi i vetëm i Kushtetutës nuk di se çfarë kanë dashur autorët të thonë (dhe natyrisht nuk lëshohet në spekulime), atëherë cili zot a djall mund të na thotë s’i t’ia bëjmë kësaj pune!?
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...