DOKU-kombi dhe Majlinda si brend

12 Gusht 2016 - 08:10 - Halil Matoshi      

Shteti i Kosovës, me titullar grupin etnik shqiptar - si njësi e rritur politikisht – në komb kushtetues, duhet të deetnizohet, pra t’i ngjajë më shumë DOKUfestit, për t’u ngritur në shtet qytetar dhe komb shumetnik të solidarësisë qytetare (e kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se këta qytetarë-përbërës të kombit dhe të shtetit të ri, do të jenë më pak shqiptarë seç ishin, ose më pak serbë, turq, rom, boshnjakë...), ndërsa skena politike duhet të deheroizohet, në kuptimin e legjitimitetit vertikal dhe horizontal (Holsti.) Majlinda Kelmendi e artë në Rio është tashmë brend i këtij shteti dhe kombi, ajo e pastroi për një çast nga njollat e “Vëllazërisë Pronto” flamurin kombëtar të Kosovës...

Në një ligjëratë për shumëgjuhësinë si detyrim apo përparësi, në “Dokufest”, profesori nga Gjeneva, Fraqois Grin, tha se ai flet frëngjisht dhe gjermanisht (po edhe anglisht), mirëpo nuk është as francez dhe as gjerman, por thjesht një zviceran.
Dhe është krenar për këtë.
Kurse teorikë të shpifur etnonacionalistë të tërbuar shqiptarë të thonë se nuk ekziston një komb zviceran.
Nëse sot gjithandej flitet për një komb të internetit, për sovranitetin e Cyberspace-s.

Në këtë kontekst lirisht mund të flitet për një “komb të Dokufestit” – një eveniment kredibil që tashmë është bërë botëror.
“Qeveri të Botës Industriale, ju gjigantë të lodhur prej mishi dhe çeliku, unë vij nga Cyberspace, në shtëpinë e re të mendjes.
Në emër të së ardhmes, unë kërkoj nga ju të rrini në të kaluarën tuaj për të na lënë të qetë. Ju nuk jeni të mirëpritur në mesin tonë. Ju nuk keni sovranitet ku mblidhemi ne...”

Këto janë fjalët e hapjes së “Deklaratës së Pavarësisë së Cyberspace” shkruar nga anëtari i Bordit të Electronic Frontier Foundation (EFF), John Perry Barlow plot dy dekada më parë. Dokumenti është më shumë një ëndërr vizionare sesa një program politik.

Në këtë vazhdë në Prizren po shkruhet një “deklaratë pavarësie” për “doku-kombin”, që flet në disa gjuhë (e kuptohet rëndom në anglishte), me origjinë të ndryshme etnike dhe që vjen nga shtete e ideologji të ndryshme, por që nuk ka asnjë kompleks sesi duket, çfarë bën me lirinë e tij, çfarë thotë me artin e tij dhe çfarë synon: E ky komb i ri synon ta sundojë botën!

Sepse ka ëndrrat e tij, kujtimet, betejat, synimet...
Për ta bërë jetën të jetueshme!
Tash pas tetë vjetësh pavarësie kombëtare, Kosova ballafaqohet me një model etnonacionalist, kleptokratik dhe ekstraktiv të qeverisjes, model kakisytokratik dhe tallës karshi qytetarëve kosovarë, kurse karshi faktorëve perëndimorë, ky model i qeverisjes ka rrëshqitur në dëgjueshmëri të skajshme, (duke “dëgjuar” edhe ato që nuk i thotë askush!???), që ish-ambasadori slloven, Volk, e cilësoi si “servilizëm të frikshëm”.
Në Kosovë ka deficite të mëdha demokratike.

Dhe ky model qeverisjeje po ia gërryen përditë legjitimitetin vertikal dhe horizontal Republikës.
Së këndejmi, ky model qeverisjeje po e dështon shtetin e Kosovës.
Ende pa integritet territorial, pa lirinë e shprehjes për sa u përket qeverisjes dhe rrjedhave shoqërore, e me abuzimin e saj në kontekstin e fesë/feve, pa liri ekonomike (pa të drejtën e punës dhe mirëqenies) dhe pa liri nga frika, Kosova është në vitin zero.
Sot shtrohet sfida e thyerjes së sindromës së vitit zero dhe sfida e ruajtjes së Kosovës unike?
Dy çështje vitale për interesin kombëtar të Kosovës, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Bashkësia e komunave me shumicë serbe, po e mbajnë atë peng qe dy vjet, ngase kjo kastë politike (pushteti dhe opozita) është e papërgjegjshme dhe jokompetente, për t’u dhënë zgjidhje në pajtim me interesat strategjike të vendit.
Ruajtjes së lirisë kombëtare dhe të shtetit kombëtar të kosovarëve.

Pra gjithë kjo hata prej zhurme nuk ka dhënë asnjë zgjidhje, sepse pushteti përmes infiltrimit edhe në radhët e opozitës ia ka dalë që të hedhë sa më shumë konfuzion dhe mundësisht benzinë në zjarr, që eventualisht kjo shoqëri të përplaset qoftë ideologjikisht (në luftën për pushtet të klaneve partiake si “Vëllazëria Pronto” e PDK-së) , krahinave ose bajraqeve!???)

Kupola e kësaj “vëllazërie...” i ka hedhur opozitës, shoqërisë civile, botës akademike dhe pjesës më të madhe të medias “flamujt e rremë” për të krijuar kushte të volitshme për përplasje shoqërore, e për ta shmangur, neglizhuar apo për ta bërë të paefektshme Gjykatën Speciale, tek e cila shumica e kosovarëve i kanë varë shpresat për shpëtimin e tyre dhe të Republikës!?
Kjo kastë banditësh i ka ndërsyer të gjithë kundër të gjithëve, për t’i njëjtësuar në pafuqi dhe molisje, në krim dhe marrëzi dhe për ta shpallur mandatën: “Jemi njësoj, të gjithë”, nuk ka asnjë autoritet moral (qytetar të pakorruptuar, njeri kredibil dhe me integritet.)
Nga “Vëllazëria Pronto” mësyhet së këndejmi që përgjegjësia për dështimin e shtetit të shpërndahet, ndërsa paret dhe fuqia politike të ruhen sall për vete!?
Ashiqare vendi ndodhet para një sfide: E duan kosovarët atdheun e tyre, Republikën e Kosovës apo jo?
Duan t’i japin besnikëri e dashuri apo nuk duan?

Duan ta mbrojnë lirinë e arrirë me shumë flijime apo jo, rendin kushtetues dhe rendin simbolik të saj apo jo?
Duan ta shmangin përplasjen civile apo duan të përballen me rreziqet e shpërbërjes së shoqërisë dhe shtetit kosovar?
Shumë teoriticientë të gardës së vjetër, duke mbllaçitur definicionin e Stalinit dhe Kardelit për kombin, por habitshëm edhe shumë etnonacionalistë të rinj në Kosovë i mëshojnë fort tezës se Kosova shtet i pavarur dhe sovran nuk do ta mbijetojë historinë dhe se ajo është një projekt pragmatik si rezultat i kompromiseve të mëdha me Uashingtonin dhe Brukselin, dhe se vetëm bashkimi i shqiptarëve në një shtet të madh dhe unik shqiptar do t’i përmbushë jo vetëm aspiratat politike, por edhe kërkesat për fuqi ekonomike dhe ushtarake të shqiptarëve.

Në këtë aspekt, lidershipi kosovar duhet të investojë në deterritorializimin e nacionalizmit, sepse kjo logjikë anon kah bosnizimi i vendit, pra kah ndarja etnike, që aktualisht u dëgjua nga lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.
Sipas Ernest Gelnerit, fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike, e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet.

E për ta ruajtur një Kosovë unike në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht (sipas Kushtetutës së vitit 1974 nën federalizmin jugosllav) duhet të realizohet një pluralizëm kulturor (dy ose më shumë kanale televizive kombëtare të jenë njëlloj të kapshme në po të njëjtin “truall”) dhe defetishizimi i truallit, përndryshe, alternativë e kësaj është spastrimi etnik. Natyrisht se komunitetet etnike e kanë të drejtën e garantuar për kultivimin e gjuhës, kulturës, folklorit, pra ato përbëjnë një treg unik vlerash, sado diversive dhe të diskutueshme qofshin ato.
Ndërsa përfundimisht roli i kufijve po zbehet.
Natyrisht se për integrime euroatlantike shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të mos kenë barriera (asnjë telash me fqinjët), por të krijojnë Strasbourgët e tyre. P.sh. Strasbourg’u mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë Presheva dhe Mitrovica.
Tetova mes Kosovës dhe Maqedonisë. Plava mes Malit të Zi dhe Kosovës...

E kështu me radhë....
Dhe për këtë nacionalistët kroatë, serbë, maqedonas... e kanë rikthyer retorikën e viteve ’90 që premton vetëm luftë e trishtim, pra i janë kthyer garës në armatim, për me ia pi gjakun njëri-tjetrit, kurse shqiptarët këtë garë e kanë kthyer në mundje me njëri-tjetrin!?

Sepse janë mjeshtër të vërtetë në sportet marciale!!!
Ndërkaq që, në Kosovë, etnia shqiptare ka ndërtuar lëvizjen kombëtare për pavarësi që nga viti 1945, porse më ngjeshur më 1968, 1974 dhe 1990. Etnia shqiptare është ngritur në njësi të rritur, në komb kushtetues më 17 shkurt 2008 dhe gjatë procesit të shtetkrijimit po e ndërton identitetin e vet kombëtar (kombin e shtetit).
Dhe, kësisoj më 17 shkurt e drejta e vetëvendosjes së jashtme është konsumuar, ngase Kosova i ka plotësuar tri kushtet themelore për të qenë shtet sipas parimit të vetëvendosjes së popujve të kolonizuar, ndonëse dijetari Marc Weller e sheh këtë si “pavarësi jashtë kontekstit kolonial”:

1. Kosova u trajtua si territor i okupuar nga Serbia (më 1989);
2. Shumica e kosovarëve (shqiptarët etnikë) kishin një vullnet politik për pavarësi’;
3. Shkelja masive e të drejtave të njeriut dhe atyre kolektive nga shteti serb.

Së këndejmi, klasa politike e Prishtinës duhet ta zgjedhë deterritorializimin e nacionalizmit, në një nacionalizëm konstitucional (Habermas), diversitetin kulturor dhe qeveri me autoritet mbietnik, e jo ta rikthejë nacionalizmin etnik të modelit të serbëve në Kroaci e Bosnjë dhe në vetë Serbinë.

Në kontekstin kosovar, shteti është krijuesja e kombit, një bashkësi politike dhe “bashkësi imagjinare” (Benedict Anderson) që “harron” prejardhjen, duke punuar shumë në ndërtimin e së sotmes demokratike dhe të së nesërmes së përbashkët, sipas asaj që thoshte Ortega Y Gasset, se nuk na mban së bashku në shtet e kaluara e përbashkët, por ajo që synohet të arrihet në të ardhmen.

Pra veprat e mëdha të përbashkëta në të ardhmen.
Në këtë kontekst, padyshim duhet përmendur Majlinda Kelmendin si brend, sepse shteti është brend, ndërsa kombi i jep atij (brendit) fuqinë ikonike.
Dashuri & besnikëri.
Imazhi i një shteti si fotografi, dhe ndjesi asociative krijohet në vetëdijen e njerëzve sapo ta shohin ose ta përmendin atë subjekt (shtetin-komb.)
Shteti është brend, kurse flamuri fotografi - ikonë e tij.
Flamuri kosovar nuk është vetëm simbol që na e përkujton se ç‘ishim dje, por edhe ç‘do të jemi nesër.

Fuqia e tij ikonike duhet të na mbajë bashkë në komb.
Fuqia ikonike e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur.
Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit..

P.S.

Derisa "Vëllazëria Pronto" e zhvati, e ropi dhe poshtëroi këtë flamur - ti e ngrite në zenit dhe e pastrove për një çast, e lave me lotët e tu flamurin kombëtar të Kosovës!
Laudatio për Majlindën!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...