Visar Ymeri inferior dhe mjerimi i një ideje politike

9 Shtator 2016 - 09:16 - Halil Matoshi      

Ta urosh Kombëtaren e Shqipërisë në futboll për sukses dhe ta injorosh Kombëtaren e Kosovës, vendin ku pretendon të bësh karrierë politike, aty ku paguhesh me taksat e qytetarëve të varfër dhe ku bërtitet kundër padrejtësisë e shtypjes, jo që është mendjelehtësi politike, por është dhe përbuzje e qytetarëve taksapagues, votuesve, përbuzje e idesë së lirisë së Kosovës, shkelje e betimit, e rendit kushtetues dhe atij simbolik. Visar Ymerit i mbetet që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen ato, të kandidojë për Kuvendin e Kosovës, kurse votën ta kërkojë në Kurvelesh…

Në debatin identitar (konteksti kosovar) janë të përfshirë thuajse të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare, dijetarë e publicistë, bujq e revolucionarë neoenveristë, të padijshëm me shkolla ose analfabetë funksionalë, patriotë turbonacionalistë dhe sidomos në rrjetet sociale: llumi i shoqërisë!

Mirëpo publiku kosovar është i ndarë kryesisht në dy grupime: a.) Integristët që duan një bashkim me Shqipërinë, ndonëse Kosova është krijuar si shtet dhe është ndërtuar si komb nga faktori ushtarak ndërkombëtar (nga ndërhyrja ushtarake e ShBA-së) dhe b.) Etatistët kosovarë, nga të cilët një pjesë e madhe syresh e identifikojnë veten me kombin e ri që po ndërtohet përditë në terren.

Dhe në këtë ndërtim të këtij kombi të ri, padyshim se rol habitshëm të madh po luan sporti dhe sportistët, veçanërisht e arta nga Rio, xhudistja Majlinda Kelmendi dhe Kombëtarja kosovare e futbollit, që me Finlandën në Turku “importoi” pikën e parë të kombit, siç u shpreh gazeta suedeze “Goteborgs – Posten”, pra ishte pika e parë për kombin në garat ndërkombëtare.

Mirëpo, mbi futbollistin me origjinë kosovare, që luan në Kombëtaren shqiptare, Shkëlzen Gashi, ishte bërë presion i madh “politik” për ta edituar statusin e tij në “Facebbok”, ngase ai së pari uronte Kombëtaren e Kosovës, kurse pas ndërhyrjes ai e kishte hequr fjalën “kombëtare”.

Presioni i integristëve turbonacionalistë po merr shije të keqe gjithandej në Kosovë dhe ky përçudnim e stërkeqje po bëhet në formën e vet më të vrazhdë, me sharje e fyerje të pështira, prapa të cilave rëndom qëndrojnë neoenveristë dhe aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje!”, mirëpo pikërisht ky pozicionim paternalist mbi Kosovën dhe kosovarët vetëm sa po e përshpejton veçimin, gardhimin dhe formësimin e identitetit të ri kombëtar të kosovarëve.

Ndërtimi i kombit është një koncept normativ që do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm.

Mirëpo, së fundi, në Kosovë nga integristë e etnonacionalistë, ky proces, duke qenë robër të interpretimit ideologjik të historiografisë, është përmbysur: gjëra të njëjta për njerëz të njëjtë!

Së këndejmi jo Noel Malcolm, Ali Hadri, Zef Mirdita apo Oliver Jens Schmitt, por diktatori Enver Hoxha është historiani nr. 1 në Kosovë;

Sipas mësimeve neoenveriste të kërkosh rikthimin e dardanëve në histori është punë gaforreje (ecje prapa derisa bota po ecën shpejt përpara!?);

Sipas integristëve neoenveristë kapja e kosovarëve sot pas dardanëve na qenkësh po aq groteske sa edhe miti aleksandrian i Shkupit!?

E dihet se kjo mendësi shqiptare buron nga ndjesia e paternalizmit klasik dhe imperializmit shumë të vonuar në histori.

Prandaj, Visar Ymeri gaboi dy herë ngjim, sepse ideja e tij politike integriste panshqiptare në rrethanat e kontekstit ndërkombëtar të shtetkrijimit dhe kombndërtimit është nonsens dhe e mjerë.

Ymeri është thjesht integrist manipulator, sepse i fiton votat në Kosovë e jo në Mallakastër dhe paguhet nga paratë e taksapaguesve të varfër kosovarë e në anën tjetër përmend modelin e bashkimit gjerman edhe pse rrethanat politike e kulturore të kombformimit gjerman me atë kosovar janë krejtësisht të ndryshme.

Paga mujore e një deputeti kosovar prej 1.500 eurosh plus së drejtës shtesë materiale për çdo aktivitet tjetër jashtë seancave të rregullta, pra është pagë mujore rrum sa paga vjetore e një të punësuari në sektorin privat, përderisa pagat mujore në Kosovë për shtresat tjera të popullsisë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro.

Dhe për këto benifite, lideri i VV-së, deputeti Ymeri, jo që u është mirënjohës votuesve kosovarë dhe taksapaguesve, por ai i përbuz këta duke u ofruar retorika të forta turbonacionaliste në dëm të vetëqenies së Kosovës, si entitet i barabartë me kombet tjera në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkatësisht duke e injoruar shtetin të cilit i është betuar për besnikëri dhe lojalitet.

Dhe këtë përbuzje që i bën atdheut të kosovarëve ai e zë për mburrje, si politikë alternative për vendin.

Në shpenzime nuk është fare tahmaçar, kurse në fyerje është fort gojëlirë!

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje!”, duke qenë një integrist pa profil të qartë politik dhe një qytetar inferior në aspektin e përkitjes qendrës, piemontit, mohon entitetin juridik e politik të quajtur Republikë e Kosovës, shtetin Sovran të njohur nga mbi 110 kombe të botës, nënçmon e shmang atdheun e kosovarëve. Mohon rendin e saj kushtetues dhe atë simbolik, ndonëse ka dhënë betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës, pra ky njeri është gënjeshtar, sepse ka gënjyer nën betim, kur thotë “se ishim bashkë e pse sot të jemi të ndarë”, kur dihet se kurrë në histori nuk ka ekzistuar një entitet juridik-politik i quajtur Shqipëri, që ka përfshirë të gjithë shqiptarët në një shtet, e sidomos jo Kosovën.

Shqipëri e bashkuar me Kosovën (një pjesë të saj e jo të tërën) ishte vetëm ajo nën pushtimin fashist italian.

Dhe në kohën kur të gjitha mallkimet po bien mbi kosovarët, Jetlir Buja gjen kurajë që të thotë: Ndihuni kosovarë, sepse kjo presupozon përgjegjshmëni për veten dhe tjetrin, për kombin dhe shtetin, pra dalje nga vetizolimi, nga mënyra “Pronto” e qeverisjes dhe nga mburravecëria anakronike patriotike e folklorike.

"Asht tepër e randësishme me u thanë njerëzve: ndihuni kosovarë! Bash kështu. Sepse ndryshe kjo nënkupton: ndihuni të përgjegjshëm!” – shkruan Buja.

Buja citon Michel Focuault, që thotë se ka mbaruar koha kur sundimi ishte elementi me të cilin ndërtohej koncepti i kombit.

Porse zapimi i shtetit nga “Vëllazëria Pronto” në njërën anë, si dhe mungesa e lojalitetit nga opozita në anën tjetër - veçanërisht mungesa e besnikërisë nga lëvizja “Vetëvendosje!” – në anën tjetër po e dështojnë shtetin e Kosovës.

Donald W. Potter në esenë “State Responsibility, Sovereignty, and Failed States” mendon se një nga problemet e para në trajtimin e shteteve të dështuara është në definimin e saktë se çfarë do të thotë një shtet i dështuar.

- Shtetet e dështuara janë të tensionuara, thellësisht konfliktuoze, të rrezikshme, dhe të kontestuara ashpër nga faktorë ndërluftues;

(Robert H. Jackson.)

- Shtetet e dështuara janë shtete të cilat nuk mund ose nuk duan të ruajnë kushtet minimale civile në shtëpi d.m.th. paqen, rendin, sigurinë etj; (Hans -Joachim Spanger.)

- Shtetet e dështuara mund të definohen në kuptimin e rënies së operacioneve praktike në funksionimin qeveritar për një shtet të njohur ndërkombëtarisht; (William J. Olson)

- Olson sugjeron se lista e shteteve të dështuara mund të zgjerohet në qoftë se dikush do të përfshijë shtetet të cilat përballen seriozisht me "problemet e brendshme që kërcënojnë vazhdimësinë, pra koherencën e tyre;

- Potter ndërsa vë në dukje se globalizimi kërkon përputhjen me praktikat e udhëheqjes globale.

Përveç treguesve tradicionalë në dështimin e shtetit luajnë rol të rëndësishëm: kufizimet në lëvizjen e lirë të informacionit, nënshtrimi i grave, paaftësia për të pranuar përgjegjësinë për dështimin individual ose kolektiv, familja e zgjeruar ose klani si njësi bazë e organizimit social (krahaso “Vëllazërinë Pronto” në Kosovë), dominimit të shoqërisë nga një fe (islami politik), vlerësimin e ulët për arsimin dhe prestigj i ulët për punëtorin.

Ashiqare është frikësues fakti se të gjitha kriteret, sipas Potterit, për të qenë një shtet i dështuar, Kosova po i përmbush falë kësaj kaste antishtet që është etabluar në skenën politike në Kosovë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë.

Në esenë “Nation Building” Carolyn Stephenson thotë se studimi i vitit 2003 RAND nga James Dobbins dhe të tjerët shqyrton mësimet e nxjerra në përpjekjet për ndërtimin e kombit amerikan.

Dobins ka krahasuar shtatë raste historike: Gjermania, Japonia, Somalia, Haiti, Bosnja, Kosova dhe Afganistani, në të cilat fuqia ushtarake amerikane ka qenë përdorur si pasojë e një konflikti për të mbështetur demokratizimin e vendeve të tjera nëpër botë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Dobbins dhe kolegët kanë ardhur në përfundimet e mëposhtme:

Mësimet e nxjerra nga përpjekjet e ShBA-së në kombndërtim.

Shumë faktorë - të tilla si përvojë paraprake demokratike, niveli i zhvillimit ekonomik, dhe homogjeniteti social - mund të ndikojnë në lehtësinë apo vështirësinë e ndërtimit të kombit, por përcaktuesi më i rëndësishëm i kontrollueshëm duket të jetë niveli i përpjekjeve, matur në trupat, të hollat dhe koha.

E, megjithatë, përpjekjet e disa kosovarëve në kombkrijim (koncepti i kombit nuk mund të shikohet i ndarë nga aspektet tjera të jetës në një bashkësi politike, ndër to edhe sporti) janë të mëdha të pamohueshme, sfiduese…, edhe pse ndonjëherë të pavetëdijshme…

Sipas Dobbinsit ndërtimi multilateral i kombit është më kompleks, pra qasja multilaterale është shumë më pak e shtrenjtë për pjesëmarrësit individualë.

Dhe mbi të gjitha ndërtimi multilateral i kombit mund të prodhojë më shumë transformime të plota dhe pajtimin më të madh rajonal sesa përpjekjet e njëanshme.

Ndërsa në kontekstin e kombndërtimit në Kosovë, duhet tërhequr vëmendja posaçërisht në atë që Dobbins e thotë rreth rolit që fqinjët mund të kenë në ndërtimin e një kombi të ri.

Shtetet fqinje mund të ushtrojë ndikim të rëndësishëm, për mirë apo për keq.

Është gati e pamundur për të ngjizur së bashku një komb të fragmentuar në qoftë se fqinjët e saj përpiqen që ta shqyejnë.

Duhet të bëhet çdo përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre.

Në këtë aspekt, Kosova është nën trysninë e shqyerjes nga fqinjët e saj – të cilëve nuk u intereson unifikimi i kombit të ri dhe prosperiteti e solidarësia qytetare në atë komb – porse apetitet e tyre hegjemoniste për zgjerim territorial.

Kjo na shpie te pyetja fondamentale sipas Dobbinsit: A është efektiv ndërtimi i kombit kur bëhet nga pjesëtarët e jashtëm, apo është efektiv vetëm kur bëhet nga pjesëtarët e kombit që është duke u ndërtuar?

Ndërtimi i kombit është një proces evolutiv.

Dhe merr një kohë të gjatë.

Një nga problemet me përfaqësuesit e jashtëm është se ata vijnë dhe shkojnë.

Në rastin kosovar mbetet për t’u studiuar nëse misioni i jashtëm ushtarak (apo forca paqeruajtëse si KFOR) mund të konsiderohet i dobishëm për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë e nevojshme të përkohshme, për të lejuar procesin e ndërtimit të kombit.

Mirëpo sa u përket faktorëve tjerë, në këtë kontekst (nëse e kemi parasysh teorinë e Dobbinsit) dyshohet se dështimi i shtetit kosovar dirigjohet nga qendra të ndryshme të influencës, posaçërisht nga fqinjët, që kësisoj të mos ketë asnjë arsye për kombndërtim.

Dhe klasa politike e Kosovës shumë shpejt duhet të ballafaqohet me këtë sfidë! 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...