Lironi të rinjtë – arrestoni ideologët!

15 Gusht 2014 - 09:41 - Halil Matoshi      

Kosovës me urgjencë i duhet tfillimi i një debati të madh shoqëror (mes klasës politike, klerikëve dhe dijetarëve të fesë në njërën anë, si dhe shoqërisë civile, botës akademike dhe grupeve fetare/politike në anën tjetër) për ta qartësuar njëherë e mirë pozicionin e shtetit shekullar karshi fesë dhe anasjelltas. Duhet krijuar një balancë e re, një pajtim mes besimit si një e drejtë themelore njerëzore dhe shtetit ligjor si bartës të “dhunës legjitime”

Një shtet normal dhe një shoqëri normale para se të bëjë spektakël policor-politik do të duhej t’i studionte shkaqet që mund të shpijnë në lëvizje të tilla fondamentaliste me synime të qarta politike (zgjerimi dhe unifikimi i Kalifatit islamik të Shamit.) Fatkeqësisht disa të rinj kosovarë janë tashmë të bindur në udhën e tyre xhihadiste dhe vazhdojnë të mendojnë se kanë të drejtë.

Duke qenë se islami politik është shndërruar në një problem global në këtë botë në lëvizje, kurse shoqëria ku 40 kosovarët e arrestuar i përkasin, është e papërgatitur për sfida të tilla globale (përleshje civilizimesh), ndaj të veprohet me racionalitet e jo me brutalitet.

Mund të thuhet se aktualisht në Kosovë po manifestohet dhunë nga të dyja anët: nga ata që përkasin në islamin politik (ekstremistët) dhe nga ata që janë pozicionuar kundër islamit frontalisht dhe në mënyrë arbitrare, pa u kujtuar se këta janë njerëzit tanë, thjesht janë njerëz.
Pa u kujtuar se ekziston karta e të drejtave të njeriut dhe e liria e besimit!

Individë ndër ta edhe mund të jenë përpunuar në atë mënyrë saqë u është shpëlarë truri, mirëpo tremb lehtësia e padurueshme e cilësimit të tyre si terroristë, ende pa u provuar asgjë prej bëmave ose pabëmave të tyre nga një gjykatë e rregullt.

Organet e zaptimit të ligjit në Kosovë para se t’i shpallin terroristë rreth 40 të rinj kosovarë është dashur të thërrasin në përgjegjësi klerikët, dijetarët dhe inspiruesit e tyre sikur edhe rekrutuesit dhe financuesit.

Fundja, shteti kosovar, institucionet e tij, pra shoqëria kosovare, është e detyruar t’i amnistojë dhe integrojë në institucione dhe jetë sociale “Rojat e urës” (përkatësisht rreth 700 pjesëtarët e “Civilna Zastita”-s si organizatë paramilitare e Serbisë në Kosovë, e lëre më 40, 100 apo qofshin edhe 200 të rinj fanatikë islamikë të frymëzuar (apo dhe uniformuar) nga vetë ne, ashiqare se vetë shoqëria i ka prodhuar, thjesht duke i përjashtuar nga burimet kombëtare arsimore e kulturore, ekonomike e modernizuese.

Shoqëria moderne demokratike nuk guxon të turret me masa represive ndaj asnjë grupi shoqëror, me të parën, pa i shteruar më parë masat shoqërore e emancipuese, duke i shfrytëzuar fillimisht mekanizmat e rrafshit social.

Së këndejmi, një shoqëri normale edhe pasi që shteti i “tregoi dhëmbët” do të duhej të mendonte si t’i rifitonte ata të rinj, për t’iu shmangur kështu shumëfishimit të armikut fantom ose të fabrikuar...
Prandaj, të lirohen këta të rinj!

Kujdesuni që ata të kthjellohen e të pendohen, të kenë një punë dhe një të ardhme si secili prej nesh.

Organet e zbatimit të ligjit duhet të merren me inspiruesit, predikuesit dhe rekrutuesit e tyre.

Sepse të flasim krejt hapur, askush s’e ka të qartë se çfarë do të bëhet me të arrestuarit ose edhe me të tjerë që mund të arrestohen ndërkohë, as ministri i Brendshëm dhe asnjëri nga mekanizmat legalë të shtetit, pra as prokuroria?

Ndaj të arrestuarve mund të ngrihet aktakuzë helbete mbi bazën e dyshimit të bazuar se ata në grup ose individualisht kanë planifikuar ndonjë sulm terrorist për çka gjendet bazë juridike në Kodin Penal kosovar, që sanksionon terrorizmin dhe mbështetjen e tij (në raportet e para në media u tha se njëri nga të arrestuarit kishte planifikuar një sulm gjatë mbajtjes së “Dokufest”-it, por kjo nuk u konfirmua nga ministri i Brendshëm!?)

Mirëpo, nuk do të mund të akuzohen për pjesëmarrje në luftërat civile në Irak dhe Siri, për arsye të mungesës së legjislacionit përkatës, si dhe në mungesë të provave, të cilat nuk mund të mblidhen dhe të verifikohen nga hetuesia kosovare.

Pra nëse organet e ndjekjes e mendojnë këtë, lë të heqin dorë që tani, sepse s’del gjë nga kjo punë!?

Kështu që shumë shpejt ky spektakël do të zbehet dhe harrohet, kurse problemet e vjetra do të vazhdojnë, ngase janë probleme të sedimentuara në shoqërinë kosovare që nga paslufta e këtej. Dhe kërkojnë një trajtim multidisiplinar, përderisa “dhuna legjitime” e shtetit duhet kursyer, pra duhet të jetë akti i fundit, nëse është domosdoshmëri.

Aksioni policor i së hënës pa aguar dita, si goditje dhe demaskim i një ideologjie fetare ose edhe me primesa politike, në rrafshin shoqëror, është i vonuar, pra tingëllon si një spektakël i dëshpëruar.
Në rrafshin kohor duket si reaksion ndaj pamjeve në ‘yotube’ e jo që reflekton ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Madje tingëllon së pari si një veprim për t’i larë faqet para Perëndimit.
Pra për imazh!?

E së dyti për zhvendosjen e vëmendjes së publikut nga ngërçi politik dhe institucional!?

Për ta ndrequr imazhin e vet Kosova ka nevojë para së gjithash për dialog të gjerë shoqëror (për debat demokratik mes pushtetit dhe opozitës, shtetit dhe shtetasve, mes feve e sekteve, mes shumicës dhe pakicave etnike.)

Kosova ka nevojë për debat, veçmas me të rinjtë e këtij vendi, për të ardhmen e tyre nëse është humbur e sotshmja, për rehabilitimin e tyre shoqëror dhe moral, për t’i fituar ata e jo për t’i humbur.
Imazhin e Kosovës kurrqysh nuk e ndreq fabrikimi i një armiku të brendshëm, por demokracia pa armiq, siç shprehet Francis Fukuyama.

Klasa aktuale politike është dëshmuar mendjelehtë dhe e ka ushqyer - ndonjëherë pavetëdijshëm - rritjen e islamit politik në Kosovë, sepse ka koketuar gjatë kinse me imamë e dijetarë radikalë (në shkëmbim votash), që mësynin ndryshimin radikal të praktikimit të islamit në këto hapësira, duke e bërë atë pluralist në aspektin doktrinar, diversiv në aspektin e shfaqjes kulturore (shamitë, pantallonat e shkurtra dhe mjekrat) dhe agresiv në rrafshin politik.

Në këso situate, secili grup doktrinar islam (qoftë hanefi apo vehabi) pretendon se modeli i tyre është i vetmi i drejtë dhe burimor!?
Prandaj arrestimi pompoz i rreth 40 të rinjve kosovarë druaj se mund të ketë efekt të kundërt, nga ai i dëshiruari.

Mbase, duhet pasur kujdes me këso spektaklesh të shtetit, sepse ato shumë lehtë mund të shndërrohen në të kundërtën e synimeve themelore, pra në vend të sigurisë mund të prodhojnë destabilizim - dhe për më keq - të krijojnë ndjenjë martirizimi tek një shtresë e popullsisë, në realitet, shumë të mjerë për nga kushtet sociale dhe arsimore.

Bastisjet dhe arrestimet nga policia speciale, tek një pjesë e publikut kosovar (tek besimtarët islamë) mund ta krijojnë idenë se po persekutohen besimtarët në favor të ndonjë feje ose ideologjie tjetër.
Ideja ime e kamotshme ka qenë që personave që zgjedhin të luftojnë për kauza, bindje apo ideologji të huaja, që s’kanë të bëjnë asgjë me lirinë kombëtare, të mos u lejohej kthimi në atdhe – përmes marrjes së shtetësisë me privim – sepse nëse ata kanë marrë pjesë në luftërat në Siri, përkatësisht në Irak, krimet eventuale të tyre do të mbesin të pazbardhura e tëpandëshkuara, kurse ndjekja dhe dënimi eventual i tyre tingëllon thjesht në ndjekje dhe gjyqe politike!?

Fundja Kosova nuk ka ende një ligj me të cilin mund të dënohen këta persona, pos nëse nuk provohet veprimtaria e tyre terroriste brenda vendit, gjë që, për bindjen time, është vështirë e dokumentueshme.

Ashiqare, veprat e supozuara terroriste nuk janë kryer brenda Kosovës, ku edhe mund të sigurohen provat, porse në vende kaotike që gjenden në vlugun e luftërave civile.

Prandaj Prokuroria e Shtetit pos që publikut “i dhuroi” një spektakël, do ta ketë shumë të zorshëm sigurimin e provave të mjaftueshme për ngritje aktakuzash, kurse gjyqësori nuk do të arrijë kurrë t’i vërtetojë ato edhe nëse mund të sigurohen, për ta dhënë një verdikt të paanshëm dhe të ndershëm gjyqësor ndaj këtyre të rinjve kosovarë.

Mirëpo cilat janë shkaqet ose rrethanorët që kanë ndikuar tek këta të rinj për t’u rreshtuar krah organizatave terroriste që lidhen me emrin famëkeq të “Al Qaeda-s” si ISIS dhe Al-Nusra?
Në Kosovë nuk janë bërë analiza të sakta të shkaqeve sociale dhe kulturore, përderisa aparati shtetëror kosovar ka nisur “gjuetinë e shtrigave”!?

Në radhë të parë, në radikalizmin e këtyre të rinjve kanë ndikuar rrethanat e rënda postkonfliktuale në Kosovë, si dhe rrënimi i hierarkisë së vlerave morale e kulturore në njërën anë dhe vrapi pas pasurimit të shpejtë e pa themel dhe krijimit të mbifuqisë përmes pushtetit politik, duke mos investuar fije mundi në krijimin dhe etablimin e një hierarkie të re vlerore, në anën tjetër;
Pastaj papunësia e madhe dhe shkollimi i dobët; Izolimi i kësaj shtrese të rinjsh nga shtresat “elitare” që i kanë kapitalizuar burimet kombëtare (të mirat materiale dhe shpirtërore); Paperspektiva dhe fukarallëku i skajshëm; por edhe veprimtaria e disa organizatave kinse bamirëse islame që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Kosovë që nga paslufta e këtej, duke hyrë në Kosovë me dokumente të vendeve të BE-së.

E thashë më përpara, Kosova ka nevojë për një debat të madh ndërshoqëror, ndërqytetar e ndërakademik.
Kosova s’ka njerëz për të humbur!

Ajo duhet ta fitojë këtë betejë kundër ekstremizmit fetar dhe politik, me edukim dhe emancipim, përmes perëndimorizimit të shoqërisë e jo stigmatizimit të grupeve radikale. Pra shteti i organizuar me debat tolerant dhe me krijim të mirëqenies lufton fanatizmin, e kurrqysh me masa represive.

Në situatën kur vendi gjendet në fazën e krijimit të institucioneve të reja që po përcillet me shumë sfida demokratike e kushtetuese, kryetarja e Republikës po sillet në mënyrë instinktive e jo racionale, shfaqet shumë e alarmuar duke dalë në publik për të marrë flamurin në një kinse kauzë të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare – e në anën tjetër - ajo nuk është duke e ushtruar më së miri detyrën e saj kushtetuese në rrafshin politik-publik, sepse nuk e ka arritur garantimin e funksionimit të institucioneve demokratike në vend dhe sidomos nuk e ka mirëmbajtur unitetin e popullit që nga zgjedhjet e 8 qershorit e këtej.

Marrja e stafetës “antiterror” nga ajo dëshmon se kryetarja e Kosovës po synon ta zhvendosë vëmendjen e publikut kosovar nga ngërçi politik dhe institucional - që i ka kontribuuar edhe vetë - për t’u marrë kinse me kryelëngatën e Kosovës, grupet terroriste islame.
Ekziston një bindje e thellë se në Kosovë (duke e thirrur në ndihmë argumentin traditë dhe atë historik - tolerancën ndërfetare mes shqiptarëve dhe ekumenizmin ndërfetar ballkanik përgjithësisht - mund të shfaqen individë ekstremistë dhe fanatikë, por nuk ka truall për shfaqje të tilla masive, sepse këtë vetë populli, shoqëria kosovare nuk do ta lejojë.

Secila çështje e hapur duhet trajtuar me kast nga koka jo nga bishti.
Organet e ndjekjes duhej që më parë të hetonin shumë imamë (dhe kinse dijetarë islamë të proveniencës xhihadiste si dhe lidershipe partish e organizatash proislamike) e disa prej tyre duhej të thirreshin në përgjegjësi morale e juridike – sidomos ata që predikojnë islamin politik të mbështjellë me teza fashiste dhe antisemitizmin nëpër disa xhami kosovare...

BIK-u, në anën tjetër, duke qenë organizëm oportun, i ka vështruar përmes gishtërinjve tendencat e tilla radikalizuese – madje duke toleruar predikime fashiste – nën petkun e islamit, nëpër disa xhami e “mejtepe” kosovare dhe duke i margjinalizuar imamët dhe dijetarët e moderuar shqiptarë të Kosovës, të cilët thirreshin në mënyrën tradicionale të praktikimit të fesë islame në këto hapësira.

Për të dalë nga situata e këtij ngërçi (për të mos e lejuar përplasjen e shtetit me shtetasit) së pari kreu i BIK-ut duhet dhënë dorëheqje kolektive për t’i hapur rrugë një debati të brendshëm, për ta ridizajnuar statutin e vet e në anën tjetër Qeveria e re duhet me urgjencë ta draftojë ligjin mbi bashkësitë fetare për ta çuar para Kuvendit. Sa i përket statutit të besimeve fetare në shtetin laik, duhet hartuar me urgjencë një rregullore – një memorandum - që eviton propagandimin në xhamitë kosovare të disa sureve kur’anore, që mund të interpretohen si thirrje në dhunë (siç është p.sh. Sure 2: 191.)

Pastaj dijetarët e islamit kosovar dhe hoxhallarët duhet të insistojnë dendur tek ana paqësore e Kuranit, për t’i shquar suret dhe ajetet që promovojnë paqen dhe tolerancën ndërnjerëzore e ndërfetare, duke u bërë më shumë jehonë p.sh. Sures 4:171 (ku Jezusi është quajtur fjala e Zotit), dhe asaj 44:23, (ku “fëmijët e Izraelit” janë lavdëruar); Ose Sure 9:29 që decidivisht thotë: “Kurse robërit e të Mëshirshmit janë ata të cilët nëpër tokë ecin qetë (lehtë), ndërsa kur u drejtohen injorantët, thonë: “Paqe e qetësi!”

Pjesët e vajtueshme të Kuranit – siç shkruante Robert Wright - pjesët e vajtueshme të çdo dorëshkrimi fetar, nuk kanë shumë rëndësi, prandaj duhet të mënjanohen nga predikimi!?.
Si p.sh. Sure 2: 191: “Ata luftoni (mbytni) kudo që t’i gjeni, përzini prej aty prej nga ju kanë përzënë ata juve. Dhe shpifja është më e rëndë se vrasja. Por mos i luftoni ata kur janë në tempullin e shenjtë, derisa ata të mos ju sulmojnë aty. Nëse ju shpallin luftë, atëherë luftoni edhe ju ata! Ashtu është shpërblimi për mosbesimtarët.”
Kauza kosovare është t’i priten rrënjët radikalizmit islam - për t’i lënë hapësirë besimit në islamin tradicional – islamit evropian.
Që kurrë më të mos përdoret policia kundër besimtarëve!

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...