Vallëzimi i ngrirë i Le’nor dhe Alan Po

6 Janar 2017 - 08:53 - Halil Matoshi      

Askush nuk e di nëse ajo e ka dashur poetin Edgar Alan Po, apo jo, porse njerëzimi e di se autori është çmendur pas saj. Në tregimin tim fabula ndryshon e thelbi mbetet po ai. Dashuria na bën ndijor, porse dashuria është fundi i gjuhëve…

Personazhi Alan nuk e ka njohur në rininë e tij, Le’nor, kurse ajo e ka njohur dhe e ka dashur gjatë…

E si ka lindur pra monumenti poetik “Korbi” i Po-së?

Gjithçka ishte fanitje në borën e skuqur…

Tërë rinia e Len’or kishte kaluar sikur një gurrë që rrjedh nëpër tregimet për dashurinë.

Ajo nuk dinte ç‘ishte urrejtja.

Dhe jetonte pa të…

Një heshtje kishte pllakosur fushën, malin, njerëzit, madje edhe kafshët e gjora që ishin në shërbim të luftës.

Pas ndonja tre-katër orësh ecjeje, mbi qiell kishin fluturuar disa mëllenja, çrregullt dhe me rrapëllimë krahësh e me krakëllima si çadra të prishura, kur i kthen mbrapshtë era e furishme…

Krrokama prej korbi, sikur të paralajmëronin hatanë…

Le’nor po ecte gjurmëve të kolonës, pa shikuar fare, sepse tashmë ajo ecte ëndërrt, duke kënduar si pëshpërimë një këngë dashurie.

“Âsht e përvuejtun deri n’lot pritja e dashnisë
dhe e pezullt si shpirti i ambëlsisë…”

Po e mendonte Alanin.

Tregimet që thureshin për të para shumë vjetësh.

Më mirë të thuhet tregimet që ajo dëgjonte nga motra dhe kushërirat e saj, që e njihnin dhe ia adhuronin shkrimet. Poezitë…

Le’nor i kujtoheshin rrëfimet drithëruese, sidomos ato të Albinës, e cila atëbotë ishte në një lidhje dashurie me Alanin…

Pastaj iu bë sikur e thërriti gjyshi pranë oxhakut.

- “Eja shpirti i gjyshit më lexo diçka nga Alani”!?

- Në fakt - Alan i dashur - provimin e letërsisë popullore e kisha dhënë ende pa i mësuar shkronjat e alfabetit. Gjatë kohës që ishe student dhe shkruaje për

"New World” dhe “Sorrnaja Chronycle”, gjyshi im të adhuronte shumë, si njeri, si gazetar e poet…

Gjithherë në bazë të frymës sate me të cilën u jepje shpirt atyre shkronjave të imta ... frymë dhe shpresë. Një Zot e di, sa e sa herë më kërkoi t’ia lexoja me zë të lartë!

- “Oj çika jeme (kështu më thërriste) a po ma knon gazetën ? Çka po thotë Alan sot”?.

Unë lexoja e ai herë gëzohej, herë ngrysej…

Nganjëherë në sytë e tij ngelnin ca vezullima lotësh me orë të tëra ...

Ngjante aq shumë në një statujë të akullt.

Kur të kisha pa për herë të parë, derisa u ktheva në shtëpi, mijëra mendime silleshin brenda trurit tim, Alan, Zanat e Malit, gjyshi, gazetat… Nuk e ke idenë sa shpejt më rriti ajo përkëdhelje jotja mbi flokët e mi të gjatë. S'lashë njeri të mëhallës pa i treguar që të kisha parë të gjallë .... vajta edhe te varri i gjyshit, që kishte ikur po atë verë.

I tregova që të takova dhe ia lexova për të fundit herë gazetën.

I kërkova falje për mungesat e mia të ardhshme, i thashë po shkojmë prapë te baba n’Perëndim ... se po shkojmë në luftë... Vetëm se po shkojmë në liri nuk pata guximin t’i thosha!?

Të ekzistosh do të thotë të ëndërrosh. Ajo sapo kishte hyrë në ëndërr.

Të ekzistosh është veçse një ëndërr që zgjat…

Ajo pa borën që skuqej, porse nuk ishte koshiente përse ndodhte kjo.

Pas pak ajo po e shihte dashurinë e jetës së saj, po e shijonte, po e prekte në ëndërr…

Ai ishte hipur në kalë të bardhë nga ata Pegaset plot fanfare të legjendave, kurse Le’nor ishte e veshur me fustanin me lule kamomili, atë më të bukurin, të qepur disa vjet më përpara, për festën e maturës…

Ajo sapo u gjet në kurthin e një feste përplot vizëllima margaritarësh të derdhur në hapësirë, diamantesh në të cilët binin rrezet e acarta të po atij dielli që rëndom në legjenda fort shndrit e pak nxeh…

Kur u nisën u nisën me këngë.

Nga ato të moçmet rrëfime legjendare për Gjergj Elezë Alinë e për Mujin e Halilin e Jutbinës…

Ishin të ngarkuar me legjendat që rëndom janë rreng që lypin gjak, me armët dhe dashuritë e tyre sekrete…

Të cilat, shumica nga to do të rrëfeheshin në mungesë të autorëve të shituem n’pritë…

Ditari i Le’nor kishte shpëtuar, ndonëse faqet e para dhe të fundme nuk lexoheshin qartë, sepse gjaku dhe boja ishin përzier dhe germat dukeshin sikur një kryengritje kaotike.

Ajo e kishte shtrënguar fort në gji dikur të mbronte diçka me forcën e vdekjes porse iu kishte kujtuar tek në spital…

Nga ditari i luftës. (Qershor ’99). - Dita e parë . “Kur u nisëm, ndanë udhët njerëzit na i dhuruen zemrat e tyne… i lamë në istikame ose na i rrëmbeu anmiku.

Ndonëse u kthyem fitimtarë, ditën e fundit Gjetëm ni atdhe pa zemër. Sepse po baheshim si ata – të pa zemër anmiq tanë”!
Le’nor, qershor ’99.

Në qershor 2016, gazeta prestigjioze Newyorkeze NYT botoi reportazhin për misterin që kishte ndodhur me dekada tek varri i poetit Alan Po.

Aty dikush për secilën natë kishte vendosur një trëndafil të freskët.

Ishte një njeri i fundit që e kishte shoqëruar poetin gjatë natës së varrit – siç thonë ballkanasit -, duke mos dashur që ta linte të vetmuar nën peshën e dheut…

Kishte ngrirë dhe kur e gjeti një qen endacak ulëriti më tërë fuqinë derisa një grua veshur me të zeza që po vendoste lule tek varri i burrit të saj të ndjerë e kishte thërritur numrin emergjent dhe autoambulanca kishte mbërritur pas dymbëdhjetë minutash.

Kur Alan ia dërgoi serinë e filmave të Akira Kurosavës, Le’nor, me rekomandim që të shohë ëndrrat e regjisorit të madh japonez, iu kujtua nata e ngrirë në kufi.

Kishte parë saktësisht ëndrrën e saj të jetës.

Sipas rrëfimit të saj, gjendja në koma nga hipotermia të bëhet se është gjendje shumë e lumtur, sepse sheh vetëm vizëllima…
E trupi të digjet flakë…

Është njëjtë sikur ngrinë në borë…

Si ka mund që një qen të thërriste në ndihmë për një shkrimtar?

Qentë janë aq të lidhur me njerëzit, saqë në çast mund ta ndiejnë se a janë ata të gëzueshëm, të lodhur, depresivë, ose për shembull kur ju dhemb koka, para se njerëzit të japin çfarëdo shprehjeje fytyre ose ndonjë shenjë tjetër trupore, tregon studimi i Universitetit të Floridës.

Edhe pse hulumtuesit besojnë se telepatia e qenve është e lindur, duke vënë në pah se qentë shtëpiakë në leximin e mendimeve janë më të suksesshëm se kafshët e egra. Por, nuk janë vetëm kafshët shtëpiake kanakare telepatike – njerëzit i lidhin dëshmitë e tyre në veçanti me binjakët njëvezor.

Madje edhe kur janë të ndarë me kilometra, binjakët pohojnë se në të njëjtën kohë fuqishëm kanë ndier se çfarë ka ndodhur me vëllanë ose motrën në kontinentin tjetër: nga ndodhitë intensive si fatkeqësi komunikacioni e deri tek takimet romantike me përfundim të mirë. Anekdota të ngjashme ka shumë, por asnjë eksperiment nuk e ka vërtetuar pa mëdyshje e as përgënjeshtruar fenomenin e telapatisë.

Eksperimenti me binjakët dhjetëvjeçar, Richard dhe Damien Powell, është një nga të fundit që ka tentuar këtë. Ata më parë i kishin ndarë, e pastaj para Damienit kanë filluar t’i thyejnë pjatat dhe më vonë t’i shpojnë balonat. Në hapësirat e katit të dytë Richard ka qenë i relaksuar dhe i lidhur për poligraf, i cili çdo çast ka regjistruar ndryshimin e pulsit, frymëmarrjes dhe tensionit të gjakut. Rezultatet tregojnë se si Richard pavetëdijshëm i ka ndier reaksionet e vëllait të tij.
Për telepati duhen dy veta.

Dy mendje pa paragjykim dhe të relaksuara fizikisht e mentalisht, është hapi i parë për fillimin e një eksperimenti me telepati.

Muzika është forma më e lartësuar e gjuhës. Dhe në kulm të hierarkisë së heshtjes është vetëm edhe dashuria. Prandaj tek po udhëtonin me tren drejt qytetit të parë të bregdetit azur, Alan e zgjodhi heshtjen. Dhe po dëgjonte muzikë.

- Ky është monumenti i Romeos dhe Gjulietës – i tha Le’nor.

Ai ktheu sytë të shihte. Pa pikërisht vallëzimin e kristaleve të dëborës sikur në filmin e Kurosavës…
Pa dashurinë eternale, të ngrirë në acar…

Valsin e shtangur e të pagojë në gur’. Por që është trajta më e lartë dhe sublime e fjalës “të dua!”.
Pa larine e gjithëkohshme.
- Sa shumë njerëz e thonë e sa pak e ndjejnë kur e thonë!? - mendoi më vete Alan.

Si quhet fjala e fundit te Hamleti Le’nor ? – e pyeti tek e puthi në qafë.

- The rest is silence! – U përgjigj ajo.
- Qetësi! – Tha ai.

Pjesa tjetër është heshtje!
 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...