Një sondazh kontrovers në një vend që ka rënë në duar idiotësh

1 Korrik 2016 - 08:15 - Halil Matoshi      

Secili student i sociologjisë (edhe i dijeve të tjera humane) e di se fletanketimet mund të manipulohen dhe se përgjigjja që kërkohet nga anketuesi rëndom arrihet përmes pyetjes sugjestive – që në këtë rast duket të ketë qenë pyetje idiote!? Pra KIPRED e ka mbërritur të dëshirueshmen, pikërisht kur në Kosovë gjithçka është qetësuar dhe se interpretimi radikal e politik i islamit ka shënuar rënie rapide, gjë që e pranon edhe KIPRED në hulumtimin e vet.

Anketa e KIPRED-it nuk është e para në vazhdën e manipulimeve të publikut, përmes tendencës që të arrihet deri te përgjigjja e dëshirueshme në pyetjen e kalkuluar që u shtrohet respondentëve.

Duke raportuar për këtë “alamet hulumtimi”, portalet në Prishtinë alarmojnë publikun sesi kinse po zbehet ndjenja kombëtare në Kosovë: 37 % ndihen myslimanë më shumë se shqiptarë!?
Për një besimtar në Gjermani apo Itali edhe në Kosovë, pra kudo në rruzullim, nëse e pyesni a më shumë e do Zotin a kombin, është krejtësisht në logjikën e gjërave që ta dojë Zotin, sepse është bindje dhe besim i tij, dashuri metafizike dhe e pakushtëzuar, ndërsa kombi është strukturë politike e organizimit të një shoqërie njerëzore dhe nuk lidhet me hyjnoren, por me tokësoren.

Po të ishte ai që e pyesni një ateist, natyrisht se do t’u përgjigjej se nuk e do fare Zotin (për kombin do të fliste varësisht nga botëkuptimet e tij etnocentriste ose qytetare) dhe po të ishte ai një cinik, do t’u thoshte të shkoni në djall me gjithë këto pyetje idiote!?
Janë katër dilema që shtrohen me rastin e studimit të opinionit që e ka bërë KIPRED (me 1.000 të anketuar).

E para, varet shumë sesi shtrohet pyetja?
Pra a është ndonjë pyetje idiote (sugjestive) apo normale?
Me qëllim të identifikimit të raportit midis identitetit shqiptar dhe kosovar, përkatësisht atij etnik dhe shtetëror, respondentëve u është shtruar pyetja “Cila nga këto kategori e përshkruan më së miri se çfarë e ndieni veten?” me opsionet e përgjigjeve vijuese: a) Shqiptar, pastaj kosovar; b) Kosovar, pastaj shqiptar; c) Shqiptar; dhe d) Kosovar.

Me këso solucionesh studiuesit e KIPRED-it kanë mbjellë më shumë konfuzion sesa që kanë qartësuar ndonjë raport identitar në Kosovë, sepse këta studiues nuk i kanë kushtuar rëndësi faktit se identitetet janë të shumëfishta, pra shpesh të qenët shqiptar është kompelmentar me të qenët kosovar (varësisht kontekstit) p.sh. nëse flasim për etninë, e vazhdimisht autorët e studimit flasin për etninë si nocion i bashkësive të qëndrueshme (statike) njerëzore dhe e mendojnë kombin si nocion për strukturën variabile politike – si bashkësi imagjinare njerëzore (Benedict Anderson.)

Rezultatet e hulumtimit tregojnë që me identitetin kumulativ shqiptar identifikohen 65.6% të respondentëve, dhe ky është për 22.4% më i lartë se identiteti kumulativ kosovar, me të cilin identifikohen 34.4% e respondentëve shqiptarë, 17 %, si dhe shqiptarë, pastaj kosovarë 44%, (61 %) ndërsa kosovarë 7% dhe kosovarë, pastaj shqiptarë 32 %, (39 %) gjë që tregon një shpërputhje ose një ngatërrim numrash në tekst dhe në figurë nga KIPRED!?

Megjithëse kjo e dhënë për kosovarët (34.4%) është për 10 % më e lartë se më 2014 (gjë që për kosovocentristët është lajm brilant, por për hulumtuesit është lajm i zymtë, sepse dëshmon pasigurinë e sondazheve të tilla) sipas studimit të Vjollca Krasniqit “Kombformimi simbolik në Evropën Juglindore”, 2014, që nxirrte se pak më shumë se gjysma e popullatës (50.4 %) identifikoheshin si shqiptarë të Kosovës, 24. 4% identifikoheshin si kosovarë dhe vetëm 17.7 % si shqiptarë. (fq. 238.)

Sipas hulumtimit të KIPRED-it, për të identifikuar raportin midis identitetit shqiptar dhe atij fetar, domethënë, nivelin e fetarizimit të identitetit etnik, respondentëve u është shtruar pyetja “Cila nga këto kategori e përshkruan më së miri se çfarë e ndieni veten?” me opsionet e përgjigjeve vijuese: a) Mysliman/I krishterë, pastaj shqiptar; b) Shqiptar, pastaj mysliman/i krishterë; c) Mysliman/I krishterë; dhe d) Shqiptar.

Identiteti kumulativ fetar sipas KIPRED-it (ata që ndihen së pari myslimanë, dhe pastaj shqiptarë, si dhe ata që ndihen vetëm myslimanë) te shqiptarët myslimanë e kanë 34.5% të respondentëve, ndërkaq te shqiptarët e krishterë (ata që ndihen së pari si të krishterë, dhe pastaj shqiptarë, si dhe ata që ndihen vetëm të krishterë) e kanë 22.1% e respondentëve.
Është shumë logjike që për ata që besojnë (për shqiptarët myslimanë ose të krishterë të devotshëm) natyrisht që feja është në rend të parë, pastaj vijnë identitetet tjera sociale/politike dhe nuk ka këtu asgjë për t’u alarmuar.

Ndërsa tek ata që nuk besojnë (ateistë e agnostikë) kombi ose del në sipërfaqe si identitet i parë, megjithëse kjo varet nga shkalla e edukimit dhe shumë rrethanorë të tjerë, ose ata nuk do t’i jepnin përgjigje fare kësaj pyetjeje nebuloze.
Madje në hulumtimin e KIPRED-it nuk figurojnë fare opsionet “I papërcaktuar” dhe as “Nuk e di.”

KIPRED nxjerr se për sa i përket nivelit të fetarizimit identitar, rezultatet tregojnë që ky është më i lartë te shqiptarët myslimanë se tek ata të krishterë.
Pra, në këtë rast KIPRED ka marrë rezultatin e dëshirueshëm (që është një postulat nacionalist kristian), sepse shqiptarët e besimit të krishterë albanizimin e tyre e përjetojnë edhe si fe (krishterim), edhe si përkatësi identitare: komb etnik, edhe si kulturë pra gjuhë;
Ndërsa që shqiptarët myslimanë albanizmin e tyre e kuptojnë si përkatësi kulturore/gjuhësore, por jo edhe si përkatësi fetare dhe këtu është dallimi qenësor të cilin studiuesit duhet ta kenë gjithmonë parasysh.

Dilema e dytë, që ul pragun e besueshmërisë së anketës së KIPRED-it varet nga ajo sesa janë respondentë dhe cilat janë mostrat - kryesisht - si dhe nga niveli arsimor dhe edukativ i respondenteve si dhe mileu social i tyre; Pra nga 1.000 të anketuar, KIPRED i ka marrë 720 shqiptarë myslimanë (488 jopraktikues dhe 232 praktikues) dhe 280 shqiptarë të krishterë (118 jopraktikues dhe 162 praktikues).

Pra nga të anketuarit nuk është marrë asnjë mostër nga ateistët, deistët apo agnostikët.
Dilema e tretë ka të bëjë me besueshmërinë e anketuesve që shprehet krykreje nga josinqeriteti i anketuesve dhe i të anketuarve dhe abuzimet e mundshme me ‘sondazhin’ (plotësimi i dhjetëra anketave nga i njëjti person?) si dhe joserioziteti i të anketuarve dhe natyrisht besueshmëria varet shumë edhe nga kredibiliteti i kompanisë që operon në terren;

Dhe dilema e katërt, qenësorja: Synimi i porositësit (atij që e financon projektin) për të marrë përgjigjen e dëshirueshme!
Duke qenë se shoqëria kosovare është në krizë, morale, identitare, sociale dhe politike, KIPRED është ngutur me publikimin e këtyre rezultateve pa i rivlerësuar, vetëm për shkak të trendit dhe mundësive për të ngritur fonde në temën e fesë në një shoqëri të re e të brishtë si Kosova.

Në këtë kontekst si reja prej së kthjellti na erdhi ky sondazh kontrovers në një vend që ka rënë në duar idiotësh!
Natyrisht se secili student solid i sociologjisë (edhe i dijeve tjera humane) e di se fletanketimet mund të manipulohen (mund t’i plotësojë një person dhjetëra sosh!?), mund të realizohet anketa në ambiente "të egra" që porositësit/ideatorit ia garantojnë përgjigjen e pritur - dhe se përgjigjja që kërkohet nga anketuesi rëndom arrihet përmes pyetjes sugjestive – që në këtë rast duket të ketë qenë pyetje idiote!?

Pra KIPRED e ka mbërritur të dëshirueshmen, pikërisht kur në Kosovë gjithçka është qetësuar dhe se interpretimi radikal e politik i islamit ka shënuar rënie rapide…
Manipuluese, së këndejmi e dënueshme!
Më herët nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë u lansua po ashtu një hulumtim, sipas të cilit, të anketuarit ndajnë perceptime më pozitive ndaj institucioneve fetare krahasuar me ato shtetërore. Qytetarët që deklaruan se i besojnë punës së Qeverisë janë 14 për qind, punës së gjykatave rreth 22 për qind krahasuar me institucionet fetare ku besueshmëria ndaj tyre është 57 për qind.

(http://koha.net/?id=27&l=118226.)
Jetlir Buja mendon se pyetja “A ma shumë i besoni Qeverisë a xhamisë?!” është krejtësisht e pakuptimtë. “Për mua hiç i randësishëm nuk asht rezultati i kësaj ankete. Pyetja si e tillë asht e pakuptimtë, e pamendueme, qesharake.

Qysh qitet në krahasim Qeveria me Institucionet fetare?!
Nuk ekziston thjesht Qeveria, Gjykatat e Xhamitë që ligjërojnë... tash ka dalë televizori, si një pajisje tepër e rëndësishme, pastaj ka dalë interneti dhe këto e çaraveshin krejtësisht qëllimin e kësaj ankete.

Në vend të pyetjes logjike “A i besoni më shumë informacionit që e transmeton xhamia apo televizori?’ ose, “A më shumë u besoni këshillave mjekësore të hoxhës apo të mjekut?”, dhe “A më shumë u besoni parashikimeve të motit nga hoxha, apo nga meteorologu?” bëhet pyetje naive, sepse, sipas Bujës, nëse shtrohet pyetja Qeveria e Gjykata apo Institucionet fetare?
Unë më përpara i kisha zgjedhë këta t'fundit, sepse besoj që rrejnë më pak.”

- Vijon nesër -


• Si është e mundur që për rritjen e identitetit fetar islam në Kosovë KIPRED-i fajëson pavarësinë e Kosovës dhe përse ky “studim” është manipulues?

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...