Arti i të luftuarit dhe “heroizmi si mënyrë jetese” (2)

2 Maj 2015 - 11:06 - Halil Matoshi      

Aty ku ishte një burrë i derës së Hazirajve (Gashi) të Mramorit gjatë tërë shekullit 20 – ishte lehtë të konkludohej - se aty po bëhej historia, ngase ata në të gjitha etapat kyç të historisë së Kosovës, gjithnjë u gjetën në anën e drejtë të saj! Lexoni se çka kishte thënë Hamdi Mramori, pasi e kishte marrë plumbi në Luftën e Ferizajt (2 dhjetor 1944) dhe cila ishte saga e një familjeje që “heroizmin e ka mënyrë jetese”.

Objekt i hetimeve të mia publicistike dhe historiografike, pos zbardhjes së atyre që ishin historibërës, siç janë Hazirajt e Mramorit janë edhe dekonstruktimi i qasjeve ideologjike dhe emotive në historiografinë kosovare.

 

Po ashtu, është spekuluar shumë se në Luftën e Kikës, përkatësisht të Velegllavës, ka marrë pjesë vet Mareshali Tito, mirëpo burimet e dorës së parë, siç janë shënimet e komandantit të Shtabit kryesor për Serbi, Koça Popoviq, që komandoi partizanët kundër shqiptarëve atje, dhe shumë autorë tjerë serbë, dëshmojnë se Tito nuk ka qenë kurrë në Velegllavë!


E kam hetuar se historiografia kosovare, por, kryesisht ajo serbe dhe jugosllave, duke qenë nën ndikimin e politikës komuniste të Enver Hoxhës, kryengritësit shqiptarë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, krejt deri tek lufta e UÇK-së (liderët e së cilës megjithatë i përkisnin taborit të LPK-së që ishte e afërt me Partinë e Punës të Shqipërisë) i emëron “ballistë”!


E kjo shprehje është përdorur dendur edhe nga populli, gabimisht dhe aktorët e ndryshëm të këtyre ngjarjeve historike, mirëpo e vërteta është se në Kosovë nuk ka vepruar organizata e Midhad Frashërit “Balli Kombëtar”, natyrisht se janë mbështetur idetë e saj për një Shqipëri etnike dhe vetëm në Gjimnazin e Prishtinës 1943- 1944 ka pasur celula të Ballit, të cilat janë shkrirë shumë shpejt në Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare, ose thjesht në kryengritjen për liri.


Duke pasur parasysh, Luftën e Merdarit, atë të Velegllavës, të Ferizajt e Gjilanit, vihet në përfundim se shqiptarët në turr e të motivuar fort janë luftëtarë të pathyeshëm, porse u mungon kultura e rreshtimit, zyrat profesionale operative dhe mbi të gjitha, ata bien mendjelehtësisht pre e konspiracionit, propagandues duke rënë kështu në letargji, demotivim dhe demobilizim total – duke u zmbrapsur mu në momentin kur e kanë fituar betejën – siç ka ndodhur në këto luftëra që i përmendëm më lart!?


Duke mbetur shpesh pa lider politik, të cilët sipas një fati të parathënë, gjatë tërë historisë – i lënë luftëtarët të thyer dhe pa krye në fushëbetejë dhe vetë ia mbathin - pa e menduar atë fatumin e kthesës në luftëra, ku mund të rikthehet fati - e kjo ka ndodhur që nga Skënderbeu e deri tek Adem Gllavica, Hysen Terpeza me shokë që morën “udhën e Greqisë”, si dhe shumica e komandantëve të UÇK-së!?


Për t’i vargisur pastaj akuzat për njëri-tjetrin, për pasurim të shpejtë, mendjelehtësi e tradhti.
Duke shkruar librin publicistik “Pesë breza ushtarë Kosove”, për Gashët e Mramorit, përkatësisht familjen e Shefki Ibush Gashit dhe të parëve të tij, Hamdi, Shemsi e Ibush Hazirin, por edhe pasardhësve, duke e krijuar një mozaik ngjarjesh e datash, shpesh, në dukje të parë, të palidhura mes vete, hetova se në mbijetesën dhe kryengritjet shqiptare, së paku që nga Lidhja e Prizrenit (1878) e këtej, gjithçka lidhet me gjithçka tjetër.


Dhe aty ku ishte një burrë i derës së Hazirajve të Mramorit gjatë tërë një shekulli – ishte lehtë të konkludohej: aty po bëhej historia, ngase ata në të gjitha etapat kyç të historisë së Kosovës, gjatë shekullit 20, gjithnjë u gjetën në anën e drejtë të saj!
Prandaj kjo është saga e një familjeje që “heroizmin e ka mënyrë jetese”. (Shih: G.Gosemann,; Cituar sipas Schmitt, Oliver Jens: Po aty; fq. 472.)


Që nga Lufta e Merdarit, më 15-16 tetor 1912, ajo e Velegllavës, 26 korrik 1944; Kuvendi i Terpezës, 1 dhjetor 1944 dhe Lufta e Ferizajt, 2 dhjetor 1944, ajo e Gjilanit, 22 dhjetor 1944; Kongresi i Lipovicës, 25 korrik 1946 e deri te demonstratat e vitit 1968, ato të vitit 1981 dhe 1989-90; Në themelimin e Parlamentit Rinor, 1990 dhe në Kryesinë e LDK-së, 1995, dhe në fund në Luftën Çlirimtare 1999: Në të gjitha këto ngjarje ishte i pranishëm, protagonist, luftëtar dhe organizator promotor ndonjë pinjoll i Hazirajve, prej të cilëve, në këtë periudhë njëshekullore, katër burra ranë dëshmorë (Hamdi Haziri, Shemsi Haziri (Shami), Ibush dhe Hamdi Gashi) dhe dy u plagosën rëndë (Skënder e Hysen Gashi).


Pra mes shumë vëllazërive kosovare në këtë shekull, do të shquhej padyshim njëra, ajo e Hazirajve (Gashi) të Mramorit të Gallapit, të cilët i dhanë ushtarë Kosovës për pesë breza rresht, që nga Hazir Haziri, vullnetar, pjesëmarrës në kryengritjet e vitit 1908 – 1912, kundër Perandorisë Osmane dhe të birit Hamdi Hazirit, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Kosovës, i rënë në luftën antikomuniste të Ferizajt, 1944 deri te Shemsiu (pjesëmarrës në Kongresin e Lipovicës, i kapur në Gadime nga OZN-a, i dënuar me vdekje nga një gjyq komunist dhe i pushkatuar më 1945 në Gërmi; Ibushi, luftëtar antikomunist, pjesëmarrës në luftën e Gjilanit dhe pjesëmarrës i Kongresit të Lipovicës; persekutuar me dekada pas Luftës së Dytë Botërore dhe vrarë dhe djegur nga serbët më 1999; dhe djemtë e Ibushit, Shefkiu, anëtar i Kryesisë së LDK-së, 1995, ndër themeluesit e UÇK-së, 1998 për Gallap, komandant batalioni; Hamdiu, profesor universitar, i përjashtuar nga mësimdhënia në Fakultetin e Bujqësisë më 1981, si i diferencuar dhe i vrarë më 18 prill 1999 gjatë ofensivës së armikut në Gallap; Skënderi (i plagosur në demonstratat e vitit 1981), Enveri, pjesëtar i UÇK-së; Hyseni (i plagosur në Prishtinë gjatë demonstratave të vitit 1989, anëtar i Këshillit nismëtar për themelimin e Parlamentit Rinor, 1990, Hysniu, komandant i UÇK-së për Mramor (vdiq aksidentalisht më 2007), si dhe djemtë e Shefkiut, Astriti dhe Kushtrimi, të cilët ndonëse në moshë të njomë, u rreshtuan me njësitet e UÇK-së, duke marrë pjesë aktive në rezistencën e Kosovës deri në çlirimin e saj, më 10 qershor 1999. Pastaj me forcat e UÇK-së ishin rreshtuar edhe Jeton (Sabit) Ibush Gashi si dhe djemtë e Jakup Hamdi Hazirit, Qamili dhe Ismeti; Gjatë shkrimit të këtij libri, po ashtu erdha në përfundimin logjik se kthesat në fatet e luftërave dhe ngjarjeve madhore janë të parathëna, fati i luftëtarit të lirisë, nuk i paracaktohet nga Hyjnitë secilit, por të rrallëve, të zgjedhurve; Fati i ndërliqshëm i kësaj familjeje, idetë liridashëse dhe guximi për t’u kryengritur mund të përshkruhet më së miri dhe ndoshta vetëm përmes filmit “The Patriot” (2000) shkruar nga Robert Rodat dhe drejtuar nga Roland Emmerich me aktorët Mel Gibson, Heath Ledger, Jason Isaacs, Joely Richardson, Chris Cooper, Tom Wilkinson...


Hamdi Mramori shëmbëllen në protagonistin Benjamin Martin, që është një figurë komplekse e bazuar në katër heronj të vërtetë amerikanë: Joseph Plumb Martin, Francis Marion, Daniel Morgan dhe Thomas Sumter.
Njëjtë është edhe me datat, ato shpesh janë koincidenca, parathënëse për një flakadan që shuhet dhe për një tjetër që lind, si p.sh: Më 1944 bie heroikisht në Luftën e Ferizajt një burrë nga dera e Hazirajve, Hamdi Mramori, e në të njëjtin vit lind një burrë tjetër i kësaj dere, dr. Hamdi Gashi, ose më 2 dhjetor 1944 zhvillohet Lufta e Ferizajt, për jetë a vdekje, e po atë ditë lind dr. Ibrahim Rugova, i cili, për qindra-mijëra kosovarë, e posaçërisht për Hazirajt e Mramorit ishte frymëzimi më i madh e i lartësuar për luftën deri në lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj shtetërore.


Edhe për faktin se nuk janë sjellë si të tillë, as si Skënderbeu e Rugova, as si Gllavica e Terpeza me shokë dhe as si shumica e komandantëve të luftës së fundit të Kosovës, personalisht më fascinojnë edhe sot, Hamdi Haziri - Mramori nga Lufta e Dytë Botërore dhe Bekim Berisha-Abeja, nga lufta e fundit (Bekim Berisha – Abeja, i njohur nga lufta e Kroacisë si “Rrfeja e kaltër” në një bisedë me miqtë e tij kishte thënë: "Nji amanet djalit ja kam lanë - kurrë n'jetë armë n'dorë mos me marrë" - Për Abenë ish presidenti kroat Franjo Tudjman kishte thënë: “Bekim Berisha a one man army, that Croatia and Kosovo would be eternally proud of.” (“Bekim Berisha ishte një njeri- ushtri! Kroacia dhe Kosova do të krenohen përjetë me ty.”) të cilët, luftojnë deri në kësmet, me një art të lindur luftarak, e jo të mësuar nëpër akademi ideologjike, duke qenë të bindur në atë fatumin Nietzsche-an “të investimit total” - pa u shkuar mendja të zmbrapsen!?
Do ta mbyll këtë ese me fjalët e Hamdi Mramorit, (t’tregueme nga bashkëluftëtarët e tij)
në çastet kur sapo një plumb do ta kapë ballin e tij të gjerë:
“Hopa, deri qitu paska kenë kismet!”

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...