Kodi i heshtjes

25 Mars 2016 - 08:22 - Halil Matoshi      

Është i pafat vendi në të cilin ministri i Drejtësisë e pranon “Kodin e heshtjes”, sepse s’mund t’i shohë miqtë e tij që mund të kenë kryer krime lufte tek hetohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe në “askundlandin” ku bujku dhe kryeministri mendojnë njësoj duke mos e parë shtetin kosovar si të përhershëm!???

Kosovarët asnjëherë pas lufte nuk krijuan një raport normal me drejtësinë, sepse ata as që vendosën drejtësi, duke mos pasur sens dhembshurie për viktimat, por duke madhëruar krimet, të gjitha llojet e krimeve. Duke e parë kriminelin e veshur me pushtet si hero madje edhe “model kulturor”!?

Kategorizimi i shoqërisë kosovare është dihotomik, ajo ndahet në “mik” dhe “armik”, përkatësisht në “patriot” dhe “tradhtar”, ngase kultura e debatit për të gjitha temat që e mbajnë në këmbë një shoqëri dhe një shtet modern është i nivelit më të ulët ose ende janë mbetur në pikën zero duke “ruajtur” shumë tema si tabu.
Historiani zviceran (anëtar korrespodent i Akademisë kosovare të Shkencave) Oliver Jens Schmitt, në librin e tij “Kosova: Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” (Botimet KOHA. 2012) e sheh këtë heshtje ndaj krimeve në analogji me Omerten (Kodin e heshtjes) e mafisë italiane.

“Sa i përket sjelljes së shqiptarëve të Kosovës ndaj drejtësisë shtetërore, një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave nënvizoi një “qëndrim kulturor të omertës ose heshtjes në arstet e hetimeve zyrtare.” (fq. 226.)

Sipas Schmittit, rrallëherë shprehet mirëkuptim në mënyrë të dukshme për viktimat e dhunës shqiptare apo edhe serbe. Pra, në Kosovë është etabluar kultura e mosndëshkimit të krimeve, e cila, duke qenë se kosovarët e kanë menduar si mbrojtje të njerëzve të tyre (“krimineli ynë i mirë”) në raport me serbët agresorë, në thelb, kur Serbia nuk është më sundimtare këtu, kjo kulturë vepron karshi secilit krim, prej atyre më banale deri tek krimi ekonomik dhe kjo kulturë mosndëshkimi po e rrëzbit përditë shtetin e ri.

Përderisa shqiptarët ende i mban bashkë në komb vetëm etnonacionalizmi dhe marrëdhëniet tribale (nepotizmi dhe burimet e tjera të korrupsionit) “fisi e fara” e jo vlerat e përbashkëta evropiane, liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe solidarësia qytetare, ata ende nuk njohin shtetin modern dhe konstitucionin (ligjet e përbashkëta) si levë që e mban bashkë një komb me bazë qytetare.

Dhe në këso rrethanash shqiptare, kombi unik shqiptar del të jetë vetëm deklaratë politike dhe asgjë më shumë.
Struktura shoqërore e quajtur “komb” po del nga historia për t’ia lëshuar vendin shtetit modern që përthith fuqitë kombëtariste, për t’i rikthyer shtetasit në ligj dhe emancipim, thjesht për t’i orientuar ata në një projekt madhor që është perëndimorizimi i shoqërisë e jo të kërkuarit strehë në ekstremizmat fetarë dhe politikë…

Së këndejmi, kryetari i shtetit, Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe secili bari ose bujk i Kosovës mendon se entiteti juridik-politik sipas së drejtës ndërkombëtare, i quajtur Republika e Kosovës, duhet të shpërbëhet, për hir të ideve të mëdha të Rilindjes së fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20, e që fatkeqësisht pasardhësit e tyre të veshur me kostum rozë (neoenveristët janë në pushtet gjithandej në trevat e banuara me shumicë shqiptare.)
Pra atdheut të kosovarëve, pos ndonjë idealisti të rrallë etatist, askush nuk po i jep besnikëri, pra as ata që paguhen nga taksat e qytetarëve për ta drejtuar shtetin e Republikës së Kosovës!?
Disa nga frika se po etiketohen si elementë jopatriotë, e që janë kundër bashkimit me Shqipërinë, e disa të tjerë nga besimi naiv në deklaratat nacionaliste, si dhe në interpretimet ideologjike (neoenveriste) të historiografisë shqiptare.

Në anën tjetër, Kosova po i jeton ditët më të zymta në kthetrat e konspiracionit!?
Madje edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sikur u integrua në konspiracionin e madh kundër Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai nuk është në gjendje që të bëjë sehir nëse kjo gjykatë “prek” partinë e tij- PDK.

Në këtë aspekt duket se qendrës së fuqisë politike përreth PDK-së u konvenon kriza dhe kaosi në Kosovë, që ose ta neglizhojnë zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare (herën e parë shumica e deputetëve të PDK-së nuk e kishin votuar këtë Gjykatë) ose edhe ta negociojnë drejtësinë sipas modeleve të njohura tashmë “të shkollës kosovare”, helbete t’i sjellin krerët e Perëndimit në situatë kur kërkojnë figura që e rikthejnë paqen dhe stabilitetin në vend, në këmbim të heqjes së aktakuzave për krime lufte!?
Kjo teori edhe mban erë konspiracioni, porse diçka po shkon kundër rrjedhave logjike?

Derisa opozita e bashkuar dhe veçmas lëvizja “Vetëvendosje” është ngritur kundër Qeverisë, kjo opozitë ishte ngritur fuqishëm kundër Gjykatës Speciale!?
Po kë po e mbronte kështu VV-ja?
A po ia bë argatin PDK-së (dhe strukturës së saj të sigurisë SHIK) në këtë plan?
Pse nuk pati kurrë akuza të VV-së për abuzimet eventuale të UÇK-së me të drejtat e njeriut, duke keqtrajtuar dhe vrarë civilët, kundërshtarët politikë, shqiptarë, por edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera në Kosovë?

A nuk do të ishte mbështetja e Gjykatës Speciale një levë e fuqishme në duart e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi dhe tash këtë Mustafa- Thaçi?
Por heshtja ndaj krimeve eventuale të luftës “në radhët tona” dhe kundërshtimi i Gjykatës Speciale e bën opozitën pa frymë dhe pa imunitet sidomos në planin ndërkombëtar…
Prandaj ambasadorët perëndimorë në Kosovë janë kundër politikave të VV-së edhe kur nuk janë pro politikave të koalicionit qeverisës.

Madje kjo heshtje ndaj krimeve eventuale të UÇK-së kundër njerëzimit e vesh këtë opozitë me tesha të zeza, si etnonacionaliste e ndonjëherë edhe me nuanca të neofashizmit.
VV-ja nuk po e mbron gjithaq Kosovën dhe të drejtën e saj për sovranitet të plotë, por njerëzit e fuqishëm të UÇK-së të veshur me smokingun e politikanit, pas luftës së Kosovës?
Dhe njëherësh po i sulmon ata për të bëmat e pasluftës!?
Cili është morali i këtij tregimi?

Amoraliteti!
Ashiqare që Thaçi & Company po e manipulojnë opozitën…
Po ashtu Kuçi ka shfaqur përbuzjen e tij ndaj misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë - EULEX, duke pretenduar se Sami Lushtaku, një eksponent i linjës së ashpër në PDK, është dënuar pa faj, ndonëse dënimi i tij nuk është ende i plotfuqishëm, duke ndërhyrë dhe paragjykuar në mënyrë flagrante në verdiktet e gjykatave.

E ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Delawie, i ka dhënë mbështetje të plotë qëndrimit të misionit të EULEX-it në reagimin e tyre ndaj deklaratës ë ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
“SHBA-ja pajtohet: Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori merr mbështetje për të gjykuar në një mjedis të qetë”.
Reagimi i ambasadorit amerikan vjen pas reagimit të EULEX-it, që kundërshtuan një deklaratë të ministrit Kuçi.
Ministri i Drejtësisë në një emision televiziv shprehu dje shqetësimin për dënimin e pjesëtarëve të Grupit të Drenicës.
Kjo deklaratë e tij u interpretua nga EULEX-i si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa ministri Kuçi ka deklaruar se i ka telefonuar shefin e EULEX-it dhe janë sqaruar rreth deklaratës së tij.
E shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, duke folur rreth incidentit, ka dhënë detaje për vendimin e EULEX-it që ta anulojë takimin e Bordit për Sundim të Ligjit duke sqaruar se arsye e mospjesëmarrjes ishin deklaratat e ministrit të Drejtësisë.
I pari i EULEX-it ka theksuar pritjet e EULEX-it që ministri i Drejtësisë ta sqarojë para publikut deklaratën e tij duke shfaqur shpresën që pas sqarimit do të vazhdojnë me takimet e rregullta të këtij organi.

Ai nuk la pa përmendur edhe presionet ndaj dëshmitarëve të mbrojtur dhe mundësisë që deklaratat e fundit të politikanëve për proceset gjyqësore të ndikojnë në liberalizimin e vizave.
Kështu vendi ku ministri i Drejtësisë qëndron pranë personave të dënuar për krime lufte dhe pranë kriminelëve potencialë, po kërkon liberalizimin e vizave (hyrje në Schengenin e bardhë) dhe ka mësyrë integrime euroatlantike.

Dhe ankohet se po i bëhet e padrejtë!???
Në Kosovë, pos kulturës së mosndëshkimit të krimit, po forcohen rrymat etnonacionaliste që përkojnë me ekstremin e majtë e që në thelb janë antiperëndimore… 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...