8 Prill 2016 - 09:03 - Halil Matoshi
Kosova është shtet i dobët dhe ka liderë batakçinj, që ashiqare po e bëjnë vendin e vet harabatë, duke e shpënë drejt dështimit, thjesht e me vetëdije – sepse duan të na thonë se nuk e duan këtë vend – sepse ata që janë ngjitur në pushtet nuk na duan neve, qytetarëve!?
Sepse këtë vend të nëmur askush s’e do, askush s’i jep besnikëri e të gjithë hanë nga lëkura e tij e zaiftë!
Vendi ku kryegjykatës në Kushtetuese dhe kryespiun e kryepolic, e njëherësh edhe njeriu më i pasur është Presidenti i shtetit, i ka gjasat ideale për t’u radhitur tek shtetet e dështuara.
Në vendin ku edhe lotarinë kombëtare mund ta fitojë po t’i teket Hashim Thaçi, vështirë mund të flitet për prosperitet, sepse edhe komisionet e lotarive janë të kapura nga ai dhe institucionet e tij ekstraktive.
Në këso kushtesh kur një popull i tërë ul kokën dhe kryen shërbime për HTH, duke menduar se i është ngjitur UÇK-së dhe lavdisë së rreme të disa komandantëve të vetëshpallur për të tillë, shteti i Kosovës është në rrugë drejt humnerës dhe HTH një ditë mund të rikthehet si shpëtimtar - Kryeministër, pastaj sërish do të bëhet Kryetar dhe në fund do të jetë ai: Mugabe kosovar – shef i një shteti të dështuar!
Pse po dështon Kosova zotëri Thaçi?
Në shtetin e fortë ose që mësyn të jetë i tillë, konceptohet drejt dhe ekuilibrohet shpërndarja e të mirave kombëtare.
Sipas Kalevi J. Holstit, duhet të ketë një ekuilibër të arsyeshëm midis kërkesave për të marrë, pritshmërive në sigurimin e shërbimeve dhe pjesëmarrjes.
Kur shteti merr, por nuk siguron shërbimet e nevojshme apo pjesëmarrjen në vendime dhe në vendimmarrje, ai rrezikon ta humbë legjitimitetin e tij dhe mund të përballet me kryengritje të armatosur.
Derisa Holsti argumenton se legjitimiteti vertikal, buron nga perceptimi popullor mbi ndershmërinë e atyre që e qeverisin, ky perceptim në Kosovë është katastrofal:
“Të gjithë janë hajna” – shpërthen njëjtë si bujku, si qytetari dhe jo vetëm opozita politike.
Holsti ishte i vetëdijshëm se populli mund t’i pranojë të gjitha llojet e privilegjeve dhe shpërblimet simbolike që marrin qeveritarët, por ai rëndom nuk pranon që shteti të përdoret si një mjet apo platformë për pasurimin e individëve në kurriz të tij.
Ashiqare elita politike aktuale në Kosovë, pos privilegjeve që nuk janë të pakta (pagat e zyrtarëve qeveritarë të rangut ministror, deputetëve dhe Kryetarit të shtetit janë më të lartat në rajon) po pasurohet përmes zyrave publike, duke përdorur klientelën politike, tenderët dhe influencimin politik të favoreve në sektorët ku derdhen më së shumti para nga arka e shtetit.
Kështu, Holsti vjen në përfundimin se shtetet e çdo lloj forme, do të jenë të dobëta, në qoftë se atyre u mungon legjitimiteti vertikal dhe horizontal, dhe nëse strukturat e tyre shtetërore janë kryesisht patrimonale. Këto shtete që kanë rrëshqitur në lokalizëm (më shpesh në provincializëm të kamufluar me nacionalizëm etnik), sipas Holstit, mund të duken nga jashtë si shtete, sepse gëzojnë njohje ndërkombëtare, kanë territor të përcaktuar, flamur, zyra qeveritare, ambasadorë dhe ushtri. Ato kanë dy nga tre komponentët e shtetit që përcakton Buzani.
Por atyre u mungon “ideja” e vetme e shtetit rreth të cilit mund të mblidhen dashuritë dhe besnikëritë e bashkësive të ndryshme përbërëse.
Në këtë drejtim, Kosova është keq, tepër keq, sepse nuk ka arritur që të marrë besnikëri, jo vetëm nga kosovarët e etnisë serbe ta zëmë, por as nga bashkësitë e tjera etnike dhe ato shoqërore që e përbëjnë, p.sh. Kosova dhe rendi i saj kushtetues, ligjor e simbolik nuk njihet nga një pjesë e opozitës aktuale që etnikisht është shqiptare!
Në këtë aspekt Holsti citon Migdalin (1988:255) që vazhdimin e lokalizmit në politikë e sheh si një zhgënjim të thellë ndaj përpjekjeve për të shtrirë autoritetin efektiv mbi mbarë shoqërinë.
“Njerëzit e fortë u janë qepur pasurive të shtetit dhe vendeve drejtuese për të ruajtur kontrollin e tyre lokal dhe për të fituar pasuri të reja, me qëllim që ta forcojnë atë kontroll. Megjithatë, qëllimet e tyre të thella kanë qenë në antitezë me normat moderne që duhet të ketë një shtet…”.
Migdal konkludon se këta njerëz të fortë qëllimshëm e mbajnë shtetin të përçarë, sepse brenda atyre kufijve që sa më të kufizuar që të jenë - secili nga ta - merr çfarë të dojë, ngase rregullat e tyre kanë qenë më shumë provinciale dhe diskriminuese sesa universale.
Mirëpo Francis Fukujama ka një tjetër përgjigje për dështimin e shteteve.
Ai në librin “Ndërtimi i shtetit” thotë se shtetet e dobëta apo të dështuara janë në rrënjë të shumë prej problemeve më serioze në botë, nga varfëria dhe AIDS-i, të trafikut të drogës dhe terrorizmit, deri tek dështimi i demokracive.
Mirëpo dy autorë, Daren Acemoglu dhe James A. Robinson, kanë një mendim krejtësisht tjetër përse dështojnë kombet?
Këta të dy, në librin “Pse dështojnë kombet” fajin për dështimin e kombeve/shteteve ua lënë institucioneve ekstraktive që shpronësojnë dhe varfërojnë popullsitë dhe bllokojnë zhvillimin ekonomik.
Sipas tyre, ndër teoritë që nuk qëndrojnë është edhe kjo që flet për sëmundjet, gjeografinë e pavolitshme ose ndonjë mallkim tjetër të Zotit!?
Vendet e varfra – sipas tyre – nuk janë të varfra për shkak të gjeografive apo kulturave ose për shkak se liderët e tyre nuk dinë se cilat politika do t’i pasurojnë qytetarët e tyre, porse arsyeja më e zakonshme se pse sot kombet dështojnë është për shkak se ato kanë institucione ekstarktive.
Matthew Yglesias, një redaktor ekzekutiv i “Vox”-it mendon se licenca ekskluzive e importit nuk është një rastësi, ajo pasqyron pozicionin e privilegjuar, djali i vëllait, gruaja e Presidentit… Hotelierët e zgjuar do të dinë më mirë të ngjiten shkallëve të korrupsionit sesa për të blerë nga një konkurrent që d.m.th. të blejnë problem. Bankierët e zgjuar po ashtu e dinë se biznesi i ri është i dënuar me dështim, sepse me kreditimin e popullit do të blejnë vetëm problem kreditorësh të varfër, prandaj ata ngjiten shkallëve të korrupsionit.
Dhe për koincidencë, djemtë e Kryeministrit dhe vëllezërit e Kryetarit të shtetit në Kosovë marrin licenca kombëtare bash kur t’u teket, sikur Mugabe me shumë fat që fiton kur t’i teket lotarinë kombëtare!?
Edhe në qoftë se Presidenti e kupton se në një nivel ai e ka marrë drejtimin e një sistemi kundërproduktiv dhe jofunksional, ai e di se në qoftë se fillon t’i rrezikojë privilegjet ekonomike të njerëzve që e kanë mbështetur regjimin e tij dhe të njerëzve që ky i mbështet, atëherë është i vetëdijshëm se baza e tij do të zhduket.
A do të jetë në gjendje ta paguajë këtë çmim Presidenti i ri?
Kurrë!
Sepse ai me këtë nuk e rrezikon vetëm veten dhe pasurinë e tij, por edhe levat e regjimit të tij, – ata që e kanë mbështetur – në të gjitha etapat!
Acemoglu dhe Robinson teorizojnë se institucionet politike mund të ndahen në
dy lloje - ekstaraktive (përfituese), institucionet në të cilin një grup i "vogël" e individëve e bëjnë më të mirën për vete për të shfrytëzuar - në kuptimin e Marksit - pjesën tjetër të popullsisë dhe inkluzive (gjithëpërfshirëse), institucione në të cilat "shumë" njerëzit janë të përfshira në procesin e qeverisjes, kështu procesi i shfrytëzimit është zbutur ose nuk ekziston.
Acemoglu & Robinson institucionet ekstraktive i ilustrojnë me shembullin klasik të Presidentit Robert Mugabe të Zimbabvesë, i cili kishte sunduar këtë shtet me hir a me pahir dhe rëndom me një grusht të hekurt që nga viti 1980. Ai kishte fituar lotarinë kombëtare me vlerë 100 mijë dollarë zimbabveanë, rreth pesë herë sa të ardhurat vjetore për frymë të vendit.
Ai edhe nuk kishte aq nevojë për para, sepse sapo e kishte shpërblyer vetveten dhe kabinetin e tij me rritje të pagave prej 200% .
Sa për biletën e lotarisë, Mugabe duhej të ishte njeri me shumë fat, por ajo ishte vetëm një nga treguesit sesa ka pushtet Presidenti Mugabe, ngase ai qëllimshëm ka ndërtuar institucione akstraktive.
Dhe ky term duhet të jetë kompatibil me ‘kapjen e shtetit’ në kontekstin ballkanik, përkatësisht në atë kosovar.
Nocioni ‘Institucionet ekstraktive’ mund të përkthehet në shqip si institucione përfituese” , që si përkufizim i bie se institucionet “janë kapur” nga një grup njerëzish dhe shfrytëzohen për të përfituar në kurriz të pjesës tjetër të njerëzve, pra në kurriz të qytetarëve.
Pse dështojnë kombet zoti President?
Përgjigjja në këtë pyetje sinjifikante nuk është varfëria, thatësia ose lufta e okupimi i gjatë jugosllav e serb e as murtaja, porse politikanët e kalibrit tuaj, që shtiren patriotë e luftëtarë lirie, e që janë liderë të regjur në korrupsion, që vjedhin shtetin e tyre pamëshirshëm dhe egërsisht.
Për koincidencë, plasja e skandalit "Panama Papers" (Letrat e Panamasë) ku janë të përfshirë burrështetas e kryeministra, njerëz të fuqishëm, që nga Putin deri tek Lionel Messi, por edhe fqinjët e Kosovës (pra edhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja) është vetëm një argument plus se Acemoglu dhe Robinson patën të drejtë!
Besohet se kur do të dalë lista e Ballkanit, aty do të vizatohen edhe duart “e shenjta” të liderëve kosovarë - nëse jo direkt - të përzier me "aksionarët" fqinj, gjithqysh, sepse shqiptarët mafiozë janë vëllazëri me serbët, malazezët, maqedonasit dhe boshnjakët mafiozë...
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...