Shoqëria pjesërisht e lirë – jeton në paliri!

8 Maj 2015 - 08:22 - Halil Matoshi      

Liria e shprehjes dhe liria e shtypit shkojnë bashkë dhe asnjëherë të ndara nga përgjegjësia – vërtet secila liri është njëherësh edhe përgjegjësi. Prandaj, këtë herë do të fokusohemi në shqyrtimin e lirisë negative: të mospublikimit!

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit në Kosovë (3 Maji) kaloi me shumë shtrëngesa e ankesa, mirëpo gazetarët duhet të nisin të mendojnë se profesioni i tyre po ndryshon krahas avancimit të teknologjisë së lartë, në këtë botë në lëvizje.

Pra po ndahemi me shumë nostalgji nga shtypshkrimi (print media) dhe kemi hyrë tashmë në epokën e medies së re online (portaleve, blogjeve), kështu që edhe televizioni duhet rimenduar. Tash është koha ta rimendojmë edhe lirinë e shprehjes: Deri ku janë kufijtë e saj dhe si mund të kontrollohen pasionet primordial të njerëzve?

Në epokën e lulëzimit të lirive civile vetëm një gjykatë e pavarur dhe askush tjetër mund të vendosë nëse dikush ka lënduar liritë e tjetrit ose jo.

“Unë nuk pajtohem me atë që keni për të thënë, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj që ta thoni atë” – ka thënë Volteri dhe nga kjo mund të nxirret një mësim i mirë, sot, kur shumëkush kërkon t’i suspendohet e drejta publikut për të folur, për të dëshmuar, për të kritikuar, kinse për t’i shmangur sharjet dhe thirrjet për dhunë.

Të jetosh në shtetin e lirë (të jesh i lirë) nuk është gjë e lehtë.

Shumë më lehtë (në kuptimin: ta vrasësh mendjen për liritë e tua dhe të tjetrit) është jetesa nën diktatura dhe regjime absolutiste, ku dihen kufijtë e shprehjes.

Shteti si leviathan s’të lë të gabohesh, individi i di kufijtë e lirisë së tij, ngase ata rëndom të shpijnë në burg…

Mirëpo, nëse nisemi nga neni 10 i Konventës Evropiane për Lirinë e Shprehjes, del se Liria shkon bashkë dhe krahas përgjegjësisë – asnjëherë e vetme – pra liria e shprehjes konsiston edhe në faktin e mosshprehjes (je i lirë të mos thuash diçka që irriton dhe nxit pasionet e tjerëve, që irriton masat dhe i nxit ato në dhunë, diçka që fyen dhe përdhos figurat dhe vlerat kulturore dhe në rastin e epokës sonë – kryesisht vlerat fetare të të tjerëve, mënyrën e jetesës dhe shenjtorët e të tjerëve.

Sipas manualit nr. 2 të udhëzuesit për implementimin e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pika 7, liria e mendimit - është një kusht para lirive të tjera të garantuara nga neni 10 dhe gëzon gati një mbrojtje absolute në sensin që kufizimet e mundshme të parashtruara në paragrafin 2 janë të paaplikueshme këtu. Siç u tha nga Komiteti i Ministrave, “çdo kufizim për këtë të drejtë do të jetë i papajtueshëm me natyrën e një shoqërie demokratike. Shtetet nuk duhet të përpiqen të indoktrinojnë qytetarët e tyre dhe nuk do t’u lejohet të bëjnë dallime midis individëve që kanë një mendim ose një tjetër.

Për më tepër, promovimi i informacionit të njëanshëm nga një shtet mund të përbëjë një pengesë të rëndë dhe të papranueshme për lirinë e mendimit. Në bazë të lirisë së mendimit, individët gjithashtu mbrohen kundrejt pasojave të mundshme negative në rastet kur mendimet e veçanta u atribuohen atyre pas shprehjeve të mëparshme publike. Liria e mendimit përfshin lirinë negative për të mos qenë i detyruar të komunikosh mendimet e tua.

Rasti i vrasjeve të pjesëtarëve të revistës së specializuar për satirë, “Charlie Hebdo”, dëshmoi sy bote se liria e shprehjes dhe e publikimit bart në vete edhe rreziqe, prandaj gjithnjë duhet pasur parasysh edhe lirinë negative- të mospublikimit, pra mosshprehjes – që nëse do të aplikohej në këtë rast – do të shpëtoheshin jetët njerëzore.

Lidhur me komentet e publikut (lexuesve që kryesisht janë anonimë) në portalet gazetat on-line (si medie e re) dhe në rrjetet sociale ekzistojnë dy qëndrime;

1. Mendimi i njërës palë konsiston në atë se komentet e publikut që janë kryesisht anonime duhet të kodifikohen, pra të redaktohen, duke fshirë komentet ad hominem, ato që cenojnë reputacionin, privatësinë dhe sidomos ato që përmbajnë gjuhën e urrejtjes;

2. Kurse të dytët, megjithatë, kryesisht janë për lejimin e tyre, në emër të lirisë së shprehjes dhe nëse dikush ndihet i dëmtuar t’i drejtohet një gjykate; Së këndejmi, secili që e ndien veten të fyer, ose në çfarëdo forme të dëmtuar duhet t’i drejtohet gjyqit, sepse vetëm një gjyq i pavarur mund të vendosë nëse është abuzuar me lirinë e shprehjes.

Ç‘është e vërteta, po ta marrësh “New York Times”-in p.sh. në komentet e publikut nuk ka sharje, sepse komentuesit merren me temën e jo me njerëzit – gjë që dëshmon shkallën e lartë të qytetërimit - por ka diçka që është më shumë se kritikë qeveritare – dëshmia kundër Qeverisë – e pikërisht një pushtet sado i emancipuar këtë s’e duron.

Sipas studiuesit Redon Shehu, në veprën e tij “Natyra dhe burimet e ligjit”, Xhon Grai ndërton një strukturë trekëndore të problemeve që implikojnë lirinë e shprehjes dhe dëmet që ajo mund t’i shkaktojë interesit shoqëror.

1. Së pari, qëndron e drejta e atyre të cilët dëshirojnë të shprehen lirshëm apo të jenë të lirshëm të dëgjojnë të tjerët të shprehen.
2. Së dyti, qëndron pjesa tjetër e shoqërisë, të drejtat e të cilëve mund të cenohen apo dëmtohen nga e drejta e të tjerëve për t’u shprehur lirshëm.
3. Dhe së treti, qëndron shteti i cili është përgjegjës për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dyja grupimeve të mësipërme.

Me rastin e 3 Majit, Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, në një shkrim autorial, thotë se teknologjitë informative dhe komunikuese (TIK) tanimë janë pjesë e jetës së përditshme dhe sigurojnë mundësi të reja për përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillim shoqëror dhe ekonomik. Qasja jodiskriminuese tek informacionet dhe liria e shprehjes duhet të sigurohen dhe mbrohen për të gjithë individët, si online ashtu edhe offline. Interneti duhet të mbesë një rrjet i vetëm, i pandarë, që u nënshtrohet ligjeve të njëjta dhe normave të aplikueshme në fusha të tjera në jetën tonë të përditshme ku individët mund të përfitojnë nga të drejtat e tyre dhe kompensimet gjyqësore kur këto të drejta shkelen. Këto parime janë njohur nga Konkluzionet e Këshillit të BE-së mbi Qeverisjen e Internetit të 27 nëntorit 2015 dhe Konkluzionet e Këshillit për Diplomacinë Kibernetike të 11 shkurtit 2015.

Porse demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e shprehjes dhe pa shtypin e lirë. Këto liri nuk u përkasin - sipas amendamentit të parë të Kushtetutës amerikane - përfaqësuesve të zgjedhur, por direkt zgjedhësve, popullit, që e ka të drejtën patriotike ta kritikojë qeverisjen, që të mos e lërë të gabojë.

Sipas studiuesit Redi Shehu, Meiklejohn, në analizën që u bën dispozitave të amendamentit të parë të Kushtetutës amerikane, shprehet se ky amendament zanafilloi si zgjidhja përfundimtare e problemeve të lirisë së shprehjes, por më vonë u pa një konflikt i cili doli në sipërfaqe mes dy grupimeve të interesave sociale: konflikti mes promovimit të fjalës së lirë dhe interesit social që dëmtohej nga ushtrimi i saj. (3 Meiklejohn, Alexander; “Political Freedom” viti1960 fq.54-55 (në këtë punim autori rreket të shpjegojë se amendamenti i parë nuk arrin të mbrojë si individin dhe lirinë e tij dhe të sigurojë në të njëjtën kohë mbrojtje të interesave sociale). Kurse Bork H. Robert në një punim tjetër “Neutral Principles and Some First Amendment Problems”, 47 IND. L. J.1, viti1971 fq 24-26 (argumenton se amendamenti i parë mbron vetëm lirinë e fjalës në diskursin politik.)

Ndërkohë që promovimi i fjalës së lirë gjeti mbështetje ligjore, një gjë e tillë nuk arriti të shtrihej deri te mbrojtja e vlerave të dëmtuara pikërisht gjatë ushtrimit të lirisë së shprehjes, duke u transformuar në perceptimin e përgjithshëm të një antagonizmi mes lirisë së shprehjes dhe interesit publik. Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen. Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet.

Në Kosovë, rëndom, liria e shprehjes dhe liria e shtypit përzihen, por ato nuk janë e njëjta gjë. Liria e shprehjes i takon qytetarit dhe i garantohet me Kushtetutë (neni 40 - liria e shprehjes);

Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush. Qytetari vetë vendos për formën e shprehjes së mendimit të tij, përmes shoqatave profesionale, sindikatave, shoqatave vullnetare e partive politike, OJQ-ve e grupeve të interesit, madje edhe përmes grumbullimit dhe protestës, po ashtu të garantuara me Kushtetutë (neni 43 - liria e tubimit] ndërlidhur me nenin 44 - liria e asociimit);

Ndërkaq liria e shtypit/medieve( - neni 42 i Kushtetutës ndërlidhur me nenin 41 – qasja në dokumentet zyrtare) i përket asaj që perceptohet si “fuqia e katërt”, pra shtypit të pavarur si ndërmjetësues mes publikut dhe pushtetit, si mjet në duart e publikut, për ta kontrolluar qeverisjen.

Sa i përket shoqërisë kosovare, fatkeqësisht, duket që po ndodh e kundërta: kërcënimi i dëshmitarëve është i përhapur në këtë vend.

Sipas dy autorëve, Bernd Borchardt & Hajredin Kuçi; (Shih: “Koha Ditore”, 30 gusht 2013) për kosovarët, që marrin vendim për të dëshmuar për një krim, vetëm një publikim lidhur me parimet morale të dëshmisë së tij, duke pasur parasysh konstitucionin shpirtëror dhe kodeksin tradicional të shqiptarëve, është kërcënim i mjaftueshëm që ai të mos pranojë të dëshmojë nga frika për jetën e vet.

Prandaj gazetarët dhe jo vetëm ata, por të gjitha shtresat e shoqërisë duhet që të emancipohen qytetarisht që dëshmitari duhet të lavdërohet e jo të kërcënohet publikisht, ose të poshtërohet për guximin e tij.

Mirëpo, dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it, Sh.M., edhe pse ishte në zonën e sigurisë së lartë të burgut të Dubravës, më 2013 ishte sulmuar brutalisht, duke e bërë këtë mision edhe një herë të shfaqet totalisht i dështuar në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, derisa autori i dytë i këtij shkrimi ishte ministër i Drejtësisë. Po ky ministër, realisht, ishte ministër i Drejtësisë edhe kur dëshmitarë të mbrojtur janë vrarë dhe është ende në këtë post, madje tashti ai ka dalë hapur kundër themelimit të Gjykatës Speciale, sepse sipas tij ajo po e dëmtuaka Kosovën.

Po ky njeri mbronte nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal të Republikës, në kohën kur gazetarët bënin presion për t’i hequr ato, sepse mbysnin përfundimisht shtypin e lirë.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e mbante po këtë qëndrim më 2012, përderisa aktualisht po drejton protestat antiqeveritare së bashku me partitë tjera opozitare kosovare.

Me nenet 37 dhe 38 në Kodin Penal të Kosovës, autoritetet i kishin përcaktuar kufijtë se deri ku mund të shkohet me shkrime dhe kur gazetarët duhet të ndalen, sepse mund t’i presë ndëshkimi.
Pushteti ose klasa politike po mëtonte që t’i legalizonte edhe ashtu veprimet abuzive në kontinuitet, duke vendosur një pushtet të frikës dhe frikësimit.

Një Kod Penal me këto dy nene dilte jo vetëm kundër demokracisë, fjalës së lirë, medies, shtypit të lirë, por objektivisht kundër secilit qytetar të Kosovës, që kishte diç për të thënë dhe praktikisht me këto dy nene i mbyllej goja.

Jakup Krasniqi, gjatë një ligjërate në Kolegjin Universum, pati thënë se gazetaria në Kosovë është përplot shpifje" dhe Kodi i ri Penal, sipas tij, ka të bëjë kryesisht me penalizmin e shpifjes dhe jo të medieve dhe gazetarëve.

“Kodi Penal nuk është kundër gazetarëve, gazetave, kryeredaktorëve e editorëve. Realisht kemi të bëjmë në shoqërinë tonë me një fenomen që duhet të gjithë ta kuptojmë, shpifja duhet të jetë e dënueshme. Ekzistojnë shpifje marramendëse në gazetarinë tone.”

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, nenet 37, 38 dhe 39 definonin përgjegjësinë penale për vepra penale të kryera përmes medieve!?
Nenet kontestuese u hoqën, porse shija e keqe mbeti.

3 Maji Kosovën e gjen në pozitën e 100 apo si vend pjesërisht i lirë, sipas Freedom House.

Por nuk është e rrugës që gjithmonë të akuzohet vetëm pushteti përkatësisht Qeveria, sepse sot, në kushtet e globalizmit, në kushtet e reja, në të cilat po jetojmë, shumë më të dëmshëm për lirinë e shtypit janë oligarkët, ata që japin para dhe reklamuesit, ata që e blejnë hapësirën reklamuese në media, sesa vetë pushteti faktik.

“Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”- thoshte ish- presidenti amerikan, Jefferson.

Dhe nëse ne debatojmë se si ballafaqohemi me shumë kufizime në këtë aspekt, pavetëdijshëm e pranojmë se tashmë ne nuk jemi të lirë!

© KOHA

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...