Manipulimi i historiografisë

24 Prill 2015 - 08:17 - Halil Matoshi      

Drejtori i institutit të historisë “Ali Hadri”, Sabit Syla, e pranon se historiografia shqiptare ka pasur ngjyrime politike, ka pasur përpjekje që të ketë edhe ndikime ideologjike e tendencioze. Ky është vetëm fillimi i një shthurjeje të madhe, fillimi i rishikimit kritik e dekonstruktivist të historiografisë kosovare. Historiografia nuk është vetëm levë e pushtetit - që rëndom e shkruan fituesi - por edhe dije për veten dhe të tjerët dhe, para së gjithash, analizë kritike.

Cila ka përparësi, teza pellazge apo ilire, për sa i përket origjinës së shqiptarëve dhe gjuhës së tyre shqipe dhe a pati ndikim të madh në shqipen vllahishtja e vjetër?

Kur “dolën” nga historia ilirët dhe për sa shekuj ata nuk përmenden fare?

A kishte luftëra qindvjeçare në mes të fiseve ilire dhe dardanëve dhe kush e riktheu mitin dardan në histori?

Kur u shfaqen arbnit në histori dhe a shfaqet nocioni ‘shqiptar’ tek në fund të shekullit të 18-të dhe fillim të shekullit të 19-të?

A ishin arbanasët “shtetformues” dhe shqipja gjuhë zyrtare sipas Kodikut të Car Dushanit?

A ishin arbanasët e Kosovës dhe Maqedonisë kryesisht të krishterë të ritit bizantin –ortodoks?

A ishte sundimi osman pesëshekullor pushtim apo administrim?

Cili ishte Skënderbeu i vërtetë dhe a ishte Lidhja e Prizrenit proislame e proturke?

A u zgjeruan territoret e shqiptarëve me ndihmën e Perandorisë osmane dhe kur janë krijuar kombet ballkanike?

P.sh. në faqen e CIA-s për Kosovën, ndër të tjera, thuhet kjo: ”Humbja e forcave serbe në Betejën e Kosovës më 1939 shpiu në pushtetin 500-vjeçar otoman gjatë të cilit një numër i madh i turqve dhe shqiptarëve zhvendosen në Kosovë.

Deri në fund të shekullit XIX, shqiptarët zëvendësuan serbët si grup dominues etnik në Kosovë…

A identifikoheshin njerëzit që nga mesjeta e deri në fund të shekullit të 19-të në bazë të monarkive, perandorive dhe feve e jo p.sh. në faqen e CIA-s, për Kosovën ndër të tjera thuhet kjo: ”Humbja e forcave serbe në Betejën e Kosovës më 1939 shpuri në pushtetin 500-vjeçar otoman gjatë të cilit një numër i madh i turqve dhe shqiptarëve zhvendosen në Kosovë. Deri në fund të shekullit XIX, shqiptarët zëvendësuan serbët si grup dominues etnik në Kosovë baza kombesh dhe në këtë kontekst, kur është krijuar kombi shqiptar?

Përse u çua aq shumë pluhur për një deklaratë të Irfan Salihut e jo për këtë qëndrim të CIA-s?

Nëse kombi shqiptar u ngjiz nga shumë etni (pra komb shumetnik) dhe nëse kombet janë bashkësi imagjinare, përse kosovarët nuk mundkan të jenë komb dhe po ashtu komb shumetnik?

A është gënjeshtër e pastër ekzistimi Ballit Kombëtar në Kosovë dhe kujt i konvenonte? Si u krijua miti i Xhafer Devës dhe i masakrës së 4 shkurtit në Tiranë?

A ishte Bedri Pejani një hajdut dhe matrapaz dhe pse e falënderon Fadil Hoxha Aleksander Rankoviqin – a ishte dekoruar ky i fundit nga Enver Hoxha dhe kush i influencoi demonstratat e vitit 1981 në Kosovë?

A do ta fitonin shqiptarët nën Jugosllavinë federale Republikën po të pranonin veçoritë e tyre identitare, kosovarishten (variantin gegë të shqipes) si dhe të hiqnin dorë nga enverizmi?

A ishte Kosova vërtet subjekt konstituiv i federalizmit jugosllav apo ishte thjesht një territor i Serbisë, sipas Kushtetutës së vitit 1974?

Dhe më në fund, pse dhe nga kush po ngrihet miti i UÇK-së dhe si u manipulua historia kur “u veshën” në Corel Draw shumë komandantë të UÇK-së me uniforma kamuflazhi?

Janë këto vetëm disa nga pyetjet “historike” që kërkojnë përgjigje të faktuara e jo pandehma e mitizime deri në fantazi letrare…

Pa iu përgjigjur drejt e paanshëm këtyre pyetjeve, nuk mund të ketë historiografi kredibile të shtetit të Kosovës.

Objekt i shpeshtë i hetimeve të Michel Foucault ishin versionet e ndryshme të shkrimit të historisë:

1. armë pushteti apo mënyrë qëndrese ndaj tij;

2. mënyrat e ndryshme të konceptualizimit të saj.

Kur jemi në rastin e shqiptarëve të Kosovës dhe historiografisë së tyre, kemi të bëjmë me dy mënyra themelore të shkrimit dhe konceptimit të saj, si ideologji dhe albanologji, si interpretim ideologjik dhe albanologjik i saj, duke ia vjedhur paligjshëm legjitimitetin, që Foucault e cilëson si “bastisje historike”.

Në këtë kontekst shkrimi dhe interpretimi i historiografisë shqiptare dhe asaj kosovare në veçanti, nuk është kredibil shkencërisht dhe sidomos jo interpretim neutral i fakteve, sepse shkruesit, rëndom kanë qenë të afektuar qoftë nga ideologjia, qoftë nga albanologjia dhe romantizmi i saj.

Dhe mbi të gjitha ka mbizotëruar ekzagjerimi letrar deri edhe manipulimi i skajshëm i fakteve.

Në shoqërinë kosovare, sidomos, është krijuar një traditë e keqe për sa i përket perceptimit të historisë, ku mbizotëron mendimi kolektivist dhe ku ajo (historiografia) lexohet si në një kor, kolektivisht dhe në mënyrë jokritike.

Historiografia zyrtare operon me postulate të padiskutueshme (sipas koniukturave pushtetare) për ta hedhur poshtë një epokë apo ideologji tjetër pa e debatuar atë fare. Përmes propagandës, pra akëcili regjim i ri rëndom e “poshtëron” atë paraprak.

Në rastin e Kosovës p.sh. nga premisat e nacionalromantizmit të Rilindjes Kombëtare (epokës së kombkrijimit) poshtërohet Perandoria Osmane për më tepër flitet me gjuhën e urrejtjes për turqit dhe Turqinë (si egërsira, barbarë, etj.), ndërsa nisur nga premisat e ideologjisë demokratike dhe neoliberale kritikohet me argumentin e forcës ideologjia paraprake, ajo komuniste, sidomos komunizmi jugosllav në Kosovë dhe ai enverist në Shqipëri.

Pos dy librave, tashmë legjendarë për historinë e Kosovës (Noel Malcolm dhe Oliver Jens Schmitt) , një libër ndryshe historiografik (dekonstruktivist) është shkruar nga një shqiptar i Kosovës, por që nuk është literaturë e domosdoshme për mësimet zyrtare të historisë në Universitet. Është fjala për librin e Ylber Hysës, “Shqiptarët dhe të tjerët: Nga Madona e Zezë deri te Molla e Kuqe”, botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë, 2009.

Për t’u rikthyer në botën e së shkuarës, historiografia duhet të jetë vetëm mjet e jo qëllim në vete.

Nuk mund të shpjegohet e tashmja përmes së shkuarës, dhe anasjelltas, sepse në historiografi nuk ka “sikur”, “nëse”, “po qe se” – ajo është tashmë akt dhe fakt i kryer.

Merreni vetëm narrativen e luftës së fundit dhe situatën e tanishme rreth listave të veteranëve, pjesëtarëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së, kur shumica e popullsisë kosovare, jo vetëm historianët e kanë përjetuar vetë dhe shumica e akterëve janë të gjallë dhe do të shihni se çfarë historiografie ka ky vend!?

Është tragjikomik fakti se një ekspert i Arkivit të Kosovës menjëherë pas luftës ka kërkuar nga një fotoreporter veshjen e dëshmorëve të UÇK-së, në programnin Corel Draw, të cilët ose nuk patën kurrë uniforma, ose nuk patën kohë të pozonin para fotokamerave me uniforma kamuflazhi!?

Retushimi i faktit historik nuk mund të quhet ndryshe pos falsifikim i historisë...

Asnjë lider a komandant i luftës, asnjë kritik i historisë apo edhe intelektual nuk ia dha vetes mundin që t’i thotë stop retushimit të historisë, përderisa ne kemi qeshur me maninë e Enver Hoxhës për retushimin që ua ka bërë fotografive ku dukej ai me “armiqtë e popullit”.

Por, në Kosovë historia dhe vrapi pas saj është nëna e keqkuptimeve.

Ajo riprodhon armiqtë e vjetër (turqit, grekët, serbët, maqedonasit sllavë, malazezët, e nganjëherë përfaqësuesit e Evropës “plakë e kurvë” (Sic!) dhe fabrikon armiq të rinj, (të brendshëm e të jashtëm) sepse kush e ka historinë në dorë, mendohet se do ta shtjerë në dorë edhe pushtetin politik, prandaj ajo bëhet pre e manipulimit flagrant.

Pra, falsifikohet!

Në anën tjetër, monografia “Kosova”, botim i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Prishtinë 2011, që duhej t’i paraprinte shkrimit të historisë së shtetit kosovar, është jo vetëm maja por Icebergu vetë i masakrimit të “shkencës kosovare” dhe - me zemërim lexuesi - mund të thuhet se kjo monografi është e shkruar me qasje thuaja injorante, me papërgjegjësi të skajshme, me fakte e gjysmë fakte të interpretuara ideologjikisht po edhe me dembeli dhe si e tillë, do të duhej të tërhiqej nga tregu për ta mbrojtur publikun kosovar dhe atë të huaj nga rrenat, dhe nga poshtërimi.

Së voni, në Kosovë dhe Shqipëri doli në pah nënshkrimi i një peticioni me të cilin kërkohej ndalimi i rishikimit të disa pjesëve të historisë shqiptare në raport me Perandorinë Osmane, si pjesë e një fushate të egër për ta mbrojtur me çdo kusht këndvështrimin albanocentrik dhe romantik të historiografisë së Kosovës.

Çështja e Perandorisë Osmane dhe invadimi i tokave të arbnevet në shekullin e 14-të është komplekse, por jo thjesht një “barbari aziatike” siç shkruajnë në disa tekste historiografë të dobët shqiptarë.

Autorët më serioz perëndimorë si Malcolm, Bartl, Gawrych e Clayer, këtë mënyrë të te shkruarit të historisë nga ana e shqiptarëve e cilësojnë si “besim popullor” dhe interpretim ideologjik (komunist) të historisë (Bartl dhe Schmitt).

Noel Malcolm, që e ka shkruar historinë më të besueshme të Kosovës, ka një pozicion më racional për trajtimin e Perandorisë osmane në historiografinë kosovare.

Sipas tij, rrëfimet për “barbarët aziatikë”, etj. “të gjitha këto pohime apo mëtime janë, në rastin më të mirë, çoroditëse, kurse përndryshe krejtësisht false”. (Kosova, një histori e shkurtër; fq. 96.)

Në anën tjetër, Peter Bartl, profesor në Universitetin e Münchenit dhe autor i librit “Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912) shkruan:

„Për shembull sundimi turk paraqitej gjatë sundimit komunist, ashtu si edhe më përpara, si koha më e errët e Shqipërisë, gjë që nuk është krejt e drejtë dhe po punohet për ta korrigjuar. (…)

Një pushtim, që zgjat 450 vjet, nuk është më pushtim (...)”.

Me rishikimin e historisë sigurisht se nuk mund të merret politika, bile ndërhyrja e politikës në këso çështjesh është irrituese dhe thjesht për t’u hedhur poshtë.

Njëjtë duhet hedhur poshtë si politikisht jokorrekte edhe kërkesa e shtetit turk në adresë të Prishtinës zyrtare.

S’ka çka lypin qeveritë dhe diplomacitë në çështjet e dijeve shoqërore.

Kjo është punë e hulumtuesve shkencorë.

Merreni shembull rastin gjerman pas Luftës së Dytë Botërore.

Janë formuar komisione dypalëshe shkencore: gjermano-polake, gjermano-çeke, gjermano-franceze dhe gjermano-izraelite, ku hulumtues dhe historianë të të dyja vendeve bashkëpunojnë dhe dialogojnë për përmirësime në tekstet shkollore të vendeve respektabile, pra për rishikimin e historiografisë punojnë ndërmjet vete shumë shtete normale, madje ky është edhe një kriter i Këshillit të Evropës.

Kurse Akademia infantile e pleqve të Kosovës (ASHAK) hesht nga frika se Piramida e tyre kuazishkencore mund të përmbyset.

Ata që s’dinë, mendojnë se vërtet Turqia po dëshiron të na e ndërrojë historinë, gjë që nuk është e vërtetë.

Sepse shteti turk ka kërkuar rishikim të gjuhës së urrejtjes, pra të disa fjalëve fyese për turqit e të gjitha kohërave, rishikim të disa teksteve e përmbajtjeve ku faktet janë interpretuar ideologjikisht, por jo ndërrimin e historisë, sepse ajo nuk mund të ndërrohet. Mund të ndërrohet mënyra e shkrimit të historisë, pra historiografia dhe këtu, në këtë pështjellim nocionesh kanë rënë “viktimë” shumë shqiptarë, madje edhe historinë dhe shumë nga peticionistët e famshëm.

Duke manipuluar një kërkesë të shtetit turk që i ishte bërë Prishtinës zyrtare në mirëbesim, peticionistët kanë dashur ta japin kushtrimin: Turqia po na e ndërron Historinë!? Vraponi gra e burra t’ia ndalim turrin!?.


Prandaj kanë bërë një manifest antiturk, pra ndaj një shteti joarmiqësor karshi shtetit kosovar!

E ata që dinë diçka nga fusha e historiografisë, heshtin si rëndom në Kosovë nga frika. Nga frika joracionale që ka me i rreshtue dikush në taborin antikombëtar, sepse manipulimet më të mëdha sot në Kosovë, në të gjitha fushat po bëhen pikërisht në emër të kombit!

Pra frika është rëndom këshilltare e keqe. Dhe ajo mund të shpjerë në dhunë!?

Edhe në ASHAK, edhe në Institutin e Historisë (krejt deri tek deklarata e historianit Syla) vlente doktrina komuniste e Enver Hoxhës, i cili vazhdon të rrijë këmbëkryq si “mësues” në tekstet e historisë shqiptare.

Këtu ka edhe rezistenca të mëdha ndaj rishikimit të atyre teksteve të dobëta profesionalisht, sepse disa autorë vërtet do “të nxirren nga historia”.

Në vitin 2003, para dymbëdhjetë vjetësh, një komision i caktuar nga Ministria e Arsimit dhe i financuar nga Këshilli i Evropës, kishte bërë korrigjime të disa teksteve të historisë, nga të cilat ishte kërkuar të hiqet p.sh fjala “pushtuesi serb”.

Ndërsa shumë shqiptarë ishin irrituar kur Turqia moderne u kërkoi atyre të hiqnin fjalën “barbarët turq”, p.sh.

Kriteret e Këshillit të Evropës do të zbatohen edhe në shkrimin (dhe rishkrimin) e historisë së re të Kosovës, sepse një ditë në Beograd historiografia do ta përshkruajë fashizmin e Milosheviqit me emrin e vërtetë, fashizëm, siç cilësohet në Berlin nazizmi hitlerian, kurse në Prishtinë do të ndërpritet qasja albanologjike dhe romantike ndaj historiografisë, e cila nuk do të shkruhet si tregim letrar dhe si mit, por si fakt dhe ngjarje në interaksion mes subjekteve.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...