6 Maj 2016 - 08:22 - Halil Matoshi
Shpresa nuk e ka braktisur atdheun e kosovarëve.
Pas një “epoke” të zymtë, lajme të mira po vijnë në Kosovë!
Pas UEFA-s pritet edhe lajmi tjetër, që nëse e marrim për të mirëqenë deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Mina Andreeva, se Kosova i ka përmbushur kriteret për ta marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, ka për të ndodhur; këto dy lajme ua rikthejnë shpresat kosovarëve të përbuzur si nga qeverisja e tyre e keqe dhe nga armiqësia serbe, si nga neglizhenca e burokratëve të Brukselit!?
Ashiqare, në Budapest “Heroi i Kosovës” ishte Alasdair Bell.
Ky njeri fundosi pretendimet e shumë interpretuesve klasikë të së drejtës ndërkombëtare, se për të qenë anëtare në UEFA duhet të ndryshohet Statuti i saj (neni 5), ngase u dashka që shtetet anëtare të jenë anëtare të OKB-së.
Kjo d.m.th. se Bell e fitoi betejën i vetëm kundër “armiqve” të Kosovës, si dëshmi se bota ka hyrë pahetueshëm në epokën postmoderne të së drejtës ndërkombëtare, së këndejmi edhe në epokën postwestphaliane!!!
Ajo që duhej të ndodhte më 3 maj – tfillimi i historisë së futbollit kosovar - ndodhi, ndonëse u përcoll me shumë paqartësi e ankth për kosovarët.
U krijua përshtypja sikur mosvotimi për amendamentet në Statut (votuan kundër 33 nga 54) do ta nxirrte nga rendi i ditës votimin për aplikacionin e Kosovës për t’iu bashkuar shtëpisë së madhe – shtëpisë së miqve!
Kosovarëve iu rikthye buzëqeshja në fytyrat e tyre kur në skenë u ngjit avokati Bell, i cili, realisht, e shpalli jologjik nenin 5 të Statutit të UEFA-s me një argumentim brilant se OKB-ja nuk njeh shtete, por shtetet njohin shtete. Kombet e Bashkuara nuk njohin shtete, por ato pranojnë shtete anëtare!
Logjika thotë se shteti që përmbush katër kriteret e Kartës së OKB-së për të qenë shtet (popullsinë e përhershme, territorin kompakt, qeverisjen efektive dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare me kombet tjera) ekziston si fakt në të drejtën ndërkombëtare pavarësisht vullneteve politike, koniunkturave dhe mësymjeve të organizatave ndërkombëtare, siç janë OKB ose BE.
Në të drejtën ndërkombëtare, shtet sovran është entiteti juridik që përfaqësohet nga një qeveri e centralizuar që ka sovranitet mbi një zonë gjeografike.
Pra e drejta ndërkombëtare përcakton shtetin sovran që të ketë një popullsi të përhershme, territor të përcaktuar, një qeveri, dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera sovrane.
Gjithashtu është zakonisht e kuptueshme se një shtet sovran nuk është as i varur, as i nënshtrohet ndonjë tjetër fuqie apo shteti. Dhe kjo e fundit duhet të vlejë si leksion edhe për etnonacionalistët shqiptarë, që thonë se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një kombëtare unike në futboll dhe një ligë të përbashkët!?
(Shih për këtë: Shaw, Malcolm Nathan (2003). E drejta ndërkombëtare. Cambridge University Press. faqe 178. Neni 1 i Konventës së Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, përcakton formulimin më të pranueshëm gjerësisht të kritereve të shtetësisë në të drejtën ndërkombëtare.
Në dilemën që e shtroi përfaqësuesi i Malit të Zi, nëse Kongresi po fiton supremaci mbi Statutin, “avokati i Kosovës”, Bell, bëri të qartë se Kongresi ka supremaci mbi Statutin dhe me këtë edhe e rrëzoi pretendimin e ish-futbollistit të Crvena Zvezdës, Dejan Saviçeviq, i cili ra në kurthin serb të politikës neofashiste edhe pse përfaqësonte një vend mik të Kosovës!?
Dhe Podgorica zyrtare besohet se do të sqarohet me përfaqësuesin “e saj” në UEFA!?
Këtë ia ka borxh jo vetëm shtetit të pavarur të Malit të Zi, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve etnikë që kanë votuar në referendumin për pavarësinë e shtetit modern “Dukleas”!
Por çfarë thotë neni 5 i Statutit të UEFA-s?
Sa për pretendimet e disa shqiptarëve se Shqipëria dhe Kosova mund ta kenë një kombëtare dhe një ligë unike në futboll, në Statutin e UEFA-s thuhet: 1 Anëtarësia e UEFA-s është e hapur për shoqatat kombëtare të futbollit, që ndodhen në kontinentin e Evropës, duke u bazuar në një vend i cili është njohur nga Kombet e Bashkuara si shtet i pavarur, dhe i cili është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e çështjeve të futbollit, të lidhura në territorin e vendit të tyre.
(http://www.uefa.org/MultimediaFiles/Doënload/OfficialDocument/uefaorg/ËhatUEFAis/02/09/93/25/2099325_DOËNLOAD.pdf)
Porse zyrtari ligjor i UEFA-s, anglezi Alasdair Bell, jo që rrëzoi të gjitha pengesat legaliste (ligjore) kundrejt Kosovës, por ai me elokuencë çmontoi akuzat e Serbisë, Malit të Zi (por edhe të Zvicrës, e cila po e ndiqte thjesht një interes të saj), duke i hapur kështu rrugën mirëseardhjes së Kosovës në shtëpinë e miqve të futbollit.
Interpretimi i nenit 5 të Statutit të UEFA-s i befasoi edhe shumë ekspertë të vokacionit klasik dhe rigjid të së drejtës ndërkombëtare.
"Kombet e Bashkuara nuk kanë kompetencë për t’i njohur shtetet, por shtetet i njohin shtetet”.
Nëse nuk je anëtar i OKB-së nuk do të thotë se nuk je shtet.” Bell përmendi definimin e Monte Videos për shtetet sovrane dhe më këtë mposhti “argumentet” e kundërshtarëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare!
Duke e kuptuar se pranimi i Kosovës në UEFA do të ishte më përpara akt politik se sportiv, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s kishte vënë në rend dite edhe amendamentimin për ndryshime statutore për të mundësuar pranimin e shtetit të ri, që sipas interpretimeve klasike ose duhej të ishte anëtare në OKB, ose duhej të merrte pajtueshmërinë e shtetit, pjesë e të cilit ka qenë Kosova në kuptimin formal - Serbisë.
Mirëpo nuk ndodhi as e para dhe as e dyta. Ndodhi një interpretim i ri, por shumë i saktë i nenit 5 të Statutit të UEFA-s, pasi që Kosovën e kanë njohur shumica e shteteve evropiane veç e veç, por edhe shumica e shteteve anëtare të OKB-së.
Qindra herë është thënë e argumentuar se organizatat ndërkombëtare si OKB ose BE nuk njohin shtete, por vendosin për anëtarësimin e tyre, mirëpo kjo ide themeltare që konsiston në katër kriteret e Monte Videos për t’u bërë shtet, është përbuzur shpesh në Kosovë edhe nga liderë institucionalë, e veçmas nga ata opozitarë, por edhe nga ekspertë të fushës.
Lajmi se Kosova është pranuar në UEFA, i ka shkaktuar dhimbje Serbisë zyrtare, duke qenë edhe ajo viktimë e interpretimeve “lindore” të së drejtës ndërkombëtare, sikur në rastin e GJND-së!?
Por as qarqe etnonacionaliste dhe primitive në Kosovë nuk u gëzuan fort, duke mbetur pengje të tregimeve të mëdha e të pabesueshme që kufijtë mes shteteve mund të ndërrohen sikur fanellat, kur luajnë top në mëhallët e tyre, dhe kjo dëshmon se për shumë shqiptarë ende vlejnë interpretimet e mëhallës, ato të dëshirueshmet sesa rregullat dhe rendi botëror!???
Po cili ishte interpretimi i vet OKB-së që mundësoi pranimin e Kosovës në UEFA dhe, tashmë - është e pritshme nëse nuk ndodh hataja - edhe në FIFA, pas 10 ditësh.
Si njihet një shtet i ri apo Qeveri nga Kombet e Bashkuara?
Njohja e një shteti të ri ose të Qeverisë është një akt që vetëm shtetet dhe qeveritë e tjera mund ta bëjnë ose refuzojnë. Përgjithësisht nënkupton gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Kombet e Bashkuara nuk janë as shtet e as Qeveri, dhe për këtë arsye nuk posedojnë ndonjë autoritet për të njohur një shtet apo një qeveri. Si një organizatë e shteteve të pavarura, ajo mund të pranojë një shtet të ri në anëtarësinë e saj ose të pranojë kredencialet e përfaqësuesve të Qeverisë së re." (http://www.un.org/en/members/about.shtml)
Kreu i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq, në Kongresin e UEFA-s në Budapest ka thënë se Kosova nuk është shtet dhe nuk duhet të pranohet nga UEFA.
Por, kjo ‘kukamë’ e tij vinte nga kohërat e perënduara, edhe pse ai thoshte se politika nuk duhet të përfshihet në sport, dhe “u mbyt” nga drejtësia, siç e interpretoi zyrtari i interpretimit të ligjeve në UEFA.
Karaxhiq pareshtur fliste se politika nuk duhet të përzihet në sport, derisa ai për hesape të politikës së perënduar të Serbisë karshi Kosovës (e kaluara pretendon mbi të sotmen!) nisi të vajtonte për Michele Platinin, i cili ka abuzuar fondet e UEFA-s dhe është pezulluar nga shtëpia evropiane e futbollit!
Kthehu Michele – lutej ai – sepse do të ketë më shumë kombëtare në futboll sesa shtete!, duke përsëritur fjalët e kreut të shtetit serb që nuk po mund të çlirohet nga idetë ekspansioniste të shekullit 20.
Nuk mund të vendosej ndryshe përderisa Statuti i UEFA-s që në dispozitat e përgjithshme përcakton se UEFA do të jetë neutrale, politikisht dhe fetarisht dhe në nenin 2. b) të promovojë futbollin në Evropë në frymën e paqes, të mirëkuptimit dhe të drejtën për të luajtur pa diskriminim për shkak të politikës, gjinisë, fesë, racës apo ndonjë arsyeje tjetër.
Kosova tashmë ka kombëtaren e saj në futboll.
A do të zemërohet Zvicra, Shqipëria apo ndonjë shtet tjetër si Belgjika p.sh. kjo ka fare pak rëndësi.
E rëndësishme është se Serbia aktuale ka për t’u zemëruar fort dhe ky shikim i vëngërt i saj është dëshmia më e mirë se Kosova po afirmohet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare pakthyeshëm, duke e bërë Kosovën e pavarur fakt të përhershëm!
Tashmë kombi i ri kosovar (“Një komb i dalë nga konflikti”; Tony Blair në Kuvendin e Kosovës, 2010) gjatë shpërbërjes së federalizmit jugosllav ka identitetin e vet edhe në sport. Madje në xhudo e ka primatin botëror, fal Majlinda Kelmendit!
Budallallëqet panshqipatre s’kanë të sosur, derisa Kosova mori shumicën në UEFA (28 nga 54 vota të Kongresit) fansat e Prishtinës “Plisat” nuk ia njohin Kosovës këtë të drejtë për të pasur kombëtare.
Dhe këtë të drejtë nuk “ia njohin” as Kuqezinjtë!?
Thuajse për shtetet dhe organizimin në rrafsh ndërkombëtar të tyre (edhe në sport) vendosin ca injorantë agresivë të tribunave në Prishtinë e Tiranë, e jo rendi botëror, rregullat dhe statutet si ky i UEFA-s, që i jep të drejtën secilit shtet të ketë kombëtaren e vet të futbollit.
Tifozët “Kuqezi” kanë uruar me sherr për pranimin e Kosovës në UEFA, ndërsa kanë thënë se tani është koha që futbolli shqiptar të bëhet unik!?
“Urime shqiptarë! I gëzohemi dhe përshëndesim vendimin e fundit të UEFA-s për pranimin me të drejta të plota të Federatës së Futbollit të Kosovës. Tashmë s’ka asnjë pengesë që na ndal drejt qëllimit final, bashkimi i ligave të Kosovës e Shqipërisë dhe forcimi i mëtejmë i një Kombëtareje të përbashkët. Një komb; Një kombëtare; Një Ligë shqiptare!” - ka shkruar TKZ në faqen zyrtare në Facebook, së cilës, për fat mos me u ba hora e dheut sy bote, i ka munguar edhe vizatimi i “Svastikës” së nazizmit në fund të këtij postimi!?
Mirëpo Statuti i UEFA-s në nenin 8 thotë: 1. Një shoqatë anëtare mund të tërheqë anëtarësinë e saj në fund të vitit financiar të UEFA-s, me kusht që ajo i ka dhënë një minimum njoftimi me shkrim gjashtë muaj më parë administratës përmes një letre rekomande se do të tërhiqet.
Kurse në pikën 2 (Shpërbërja) thuhet: Në qoftë se një shoqatë anëtare shpërndahet, anëtarësimi i saj në UEFA pushon në të njëjtën kohë.
Dhe të jemi të qartë: për t’u bashkuar dy shoqata kombëtare të futbollit, duhet që njëra nga to të shpërbëhet (të shuhet) ose që më parë duhet të unifikohet (bashkohet) politikisht një komb/shtet , atëherë sipas nenit 8, nëse shoqata shpërbëhet me automatizëm i pushon mandati në UEFA!
Pra përjashtohet!
Ka pasur zëra tjerë në Evropë për këso ligash amalgame, porse shtëpia evropiane e futbollit i ka refuzuar rreptë që të gjitha. Një ndër idetë ishte ajo e “Gazpromit” rus që të licencojë një ligë të vetën rajonale etj.???
Kosova është në krizë të shumëfishtë, politike, sociale dhe morale.
Porse po e vuan edhe krizën e thellë identitare!
Pra si t’i sigurohet shtetit të ri një komb me bazë qytetare e që i “nënshtrohet” një kushtetute demokratike, që i jep besnikëri e luajalitetit?
Që i jep dashuri edhe kur ai po dridhet nën trysnitë etnonacionaliste.
Kur rendi simbolik i tij është përdhosur dhe nuk e ka promovuar deri sot as Qeveria e ligjshme, që paguhet nga taksat e këtij kombi në jug e veri, i menduar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisaari, si komb multietnik!?
Ndërsa më 3 maj Kryeministri vajti në Budapest, për t’i dhënë zemër e shpresë – siç u shpreh ai – atdheut, ndërsa Kryetari i shtetit për herë të parë hapur u deklarua se Kosova e ka një ndër kombëtaret më të fuqishme në rajon!?
Në këtë vazhdë, sporti që identifikohet me njerëz që e duan këtë vend, me heronj të vërtetë të këtij vendi, po e ndërton edhe identitetin kombëtar të kosovarëve, të cilin po e përbuzin disa politikanë dhe grupe agresive tifozërish.
Më 13 maj në Kongresin e Mexico City mbahet Kongresi i FIFA-s dhe gjasat që Kosova të marrë vendin e saj në shtëpinë botërore të futbollit janë të mëdha, pasi që Statuti i FIFA-s ua lejon anëtarësimin të gjithë anëtarëve të asociacioneve rajonale të futbollit, edhe nëse nuk janë anëtare të OKB-së. Mirëpo, edhe në Statutin e UEFA-s ekziston një prerogativë që për arsye të ndryshme (edhe politike?) FIFA mund ta refuzojë një shoqatë kombëtare të futbollit edhe nëse ajo është anëtare e ndonjë organizate rajonale, duke pasur parasysh shpërbërjen e shteteve ose mundësinë e suspendimit për arsye të mbështetjes së racizmit të hapur, terrorizmit etj.
Porse besohet se edhe formalisht Kosova do të jetë anëtare dhe të “përbirohet” në kualifikimet për Botërorin 2018!
Përkitja një kombi të vogël shpesh mund të sjellë bekim, në vend të dëshpërimeve. Përkitja në një komb të vogël në numër - por të madh për nga shumësia e miqve të vet – pra shumësia e miqve dëshmon se ai komb është i madh në shpirt!
Ashtu siç thoshte Brahim Rugova: "Sh'pia mbahet me miq!"
Kosova në UEFA është rezultat i këtij shpirti të madh dhe i besnikërisë ndaj miqve Perëndimorë...
Për hajr Kosovë!
Disa kolegë spirituozë madje krijuan ‘sloganin’: “Plisi i ri: Me plis n’Rusi”!
Duke aluduar në mundësinë që Kosova të kualifikohet për Botërorin 2018 në Rusi!
E mundshme!
P.S.
Në bazë të kompetencave kushtetuese (neni 84, pika 28: Jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin); ftoj publikisht Kryetarin e shtetit, Hashim Thaçi, që ta dekorojë me ndonjërën nga medaljet më të larta shtetërore “Heroin e Kosovës”, Zotin Bell!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...