Kryeministër, tregoja Vuçiqit fotografinë e Ferdonije Qerkezit!

15 Prill 2016 - 08:15 - Halil Matoshi      

Ardhja e Vuçiqit, Daçiqit dhe shokëve të tyre në “Boj za Kosovo” (lufta për Kosovën) – sipas mitit serb - dhe ligjërimet e tyre me gjuhën e urrejtjes dhe mosrespektit për viktimat, jo që është akt jodiplomatik, joeuropian dhe joqytetërues, porse është sikur t’i hedhësh njeriut kripë në plagë të hapur… Prandaj Qeveria e Kosovës tutje nuk ka sens që të lejojë poshtërimin e kosovarëve më të ndjeshëm, duke toleruar këta “partizanë” të neofashizmit serb që të kapardisen nëpër Kosovën e vrarë dhe të djegur gjatë tërë shekullit 20…

Kam punuar gjatë me kolegun Hazir Reka (fotoreporterin e Reuters-it) dhe gjithnjë i jam drejtuar: “Hazir, ma jep fotografinë – ta jap tregimin!”
Fotografia evokon historinë me besueshmëri të lartë, sepse ajo “ngurtëson” kohën.

Fotografia e Artan Korenicës me pamjen e Ferdonije Qerkezit, e cila vazhdon ta shtrojë drekën në tryezë, njësoj sikur 17 vjet më parë, kur përreth sofrës uleshin katër djemtë dhe burri i saj, të zhdukur gjatë luftës, ligjëron dhembjen dhe trishtimin.
Kjo është dhembje që grith qiellin dhe pikon në këtë strehë shi e mërzi. Kur Gjakova ende “shtron” sofrën e zisë e lotëve (në familjet e 1.600 të zhdukurve të luftës) si pasojë e vrasjeve egërshane nga forcat e fashizmit të Milosheviqit.

Prandaj ardhja e Vuçiqit, Daçiqit dhe shokëve të tyre të asaj lufte të pabarabartë dhe ligjërimet e tyre plot urrejtje dhe mosrespekt për viktimat, jo që është akt jodiplomatik, joeuropian dhe joqytetërues, porse është sikur t’i hedhësh njeriut kripë në plagë të hapur…

Prandaj Qeveria e Kosovës tutje nuk ka sens që të lejojë poshtërimin e kosovarëve më të ndjeshëm, duke toleruar këta “partizanë” të neofashizmit serb që të “kapardisen nëpër Kosovën e vrarë dhe të djegur gjatë tërë shekullit 20…

Ka ardhur koha që Kosova dekadën e parë të Pavarësisë së plotë (si subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare) sefte ta përmbyllë me arritjen e unitetit dhe kohezionit kombëtar, brenda territorit kushtetues, duke e deetnizuar shtetin dhe duke krijuar kombin e solidarësisë qytetare, pa i theksuar rrënjët etnike të shtetasve, sepse Kosova është Republikë e qytetarëve të saj dhe qytetaria është baza mbi të cilën duhet të qëndrojë dhe të forcohet shteti kombëtar!

Së dyti, ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të kërkojë lojalitet nga zyrtarët e lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, rendit të saj kushtetues, ligjor dhe simbolik dhe përse Qeveria ende nuk është në gjendje që të kërkojë nga zyrtarët e Serbisë një minimum korrektësie, së paku që të mos e përdorin gjuhën e urrejtjes, kur ata mbajnë fjalime politike në vendbanimet serbe të Kosovës, për shkak të trashëgimisë shumë të egër historike në këto hapësira?
Porse të njëjtën gjë duhet ta kërkojë edhe nga deputetë e ministra (sidomos nga lëvizjet etnonacionaliste) që i përkasin shumicës etnike në shtet, asaj shqiptare.

“Ethet” parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, të cilat organizohen më 24 prill, kanë përfshirë edhe mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Në këtë fushatë - ndonëse qytetarisht të pandershme - po marrin pjesë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit serb, përkatësisht nga Lista Serbe.

Jobesnikëria ndaj shtetësisë dhe qytetarisë është e pandershme, së këndejmi për secilin zyrtar të shtetit kosovar, dhe jo vetëm për ata që vijnë nga komuniteti serb, e që paguhen nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Para disa ditësh, gjatë një përurimi të një ure në Lapnasellë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq (Lista Serbe) i ka bërë shoqëri shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, me intencën që të mbledhë votat e serbëve kosovarë për Partinë Progresiste Serbe (të themeluar nga Vojisllav Shesheli) dhe liderin saj Aleksandar Vuçiq, aktualisht kryeministër i Serbisë.

“Më 24 prill, e di se kujt do t’ia ofrojmë besimin, e di për kë do të përcaktohemi. Vetëm për njërin, për Vuçiqin, i cili është i vetmi që gjatë këtyre viteve ka qenë sinqerisht me ne dhe i vetmi që ka mbijetuar me ne” – ka thënë zëvendësi i Isa Mustafës!
E tashti, shtrohet pyetja legjitime: Kujt t’i ofrohet besimi, Mustafës apo Vuçiqit, Prishtinës apo Beogradit? Kosovarizmit apo serbizmit?

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar nga serbët e Kosovës, të inkuadruar në institucionet legale të vendit, besnikëri ndaj shtetit, rendit të tij kushtetues, ligjor dhe simbolik, por një gjë e tillë u është lënë në ndërgjegje këtyre politikanëve, të cilët mbijetojnë në Kosovë, duke u marrë me punë “profitabile” – politikën – e duke marrë paga të larta për rrethanat e mjera sociale të Kosovës, por pa qenë luajalë ndaj shtetit në jetën institucionale të të cilit marrin pjesë !?

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në institucionet e larta duhet ta kuptojnë se është e pamundur që të jesh besnik njëkohësisht ndaj dy rendeve kushtetuese apo dy shteteve sovrane, pra t’i japësh besimin (siç shprehej Stojanoviqi) edhe Vuçiqit, edhe Mustafës, madje ky i fundit as që ka kërkuar besimin e Listës Serbe, sepse është futur në një koalicion pa asnjë kusht paraprak, pos ndarjes së “tortës” së pushtetit me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi.

Ashiqare Qeveria e Kosovës duhet të reagojë, të kërkojë përgjegjësi për secilën fjalë dhe secilin veprim që kryhet nga anëtarët e kabinetit qeveritar, pa marrë parasysh që në këtë rast kemi të bëjmë me një pjesëtar të komunitetit serb.

Edhe nëse ndonjë pjesëtar i komunitetit shumicë, shqiptar, i cili do të lobonte ose do të bënte fushatë për një parti të regjistruar në një shtet tjetër, nuk do të përkonte me qytetarinë dhe përkufizimin modern të saj. Prandaj, do të duhej që edhe nga secili ministër ose zyrtar qeverie të kërkohej përgjegjësi, përkatësisht llogaridhënie.

Madje edhe një serb kosovar, Petar Miletiq, ish- nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të japë një përgjigje se pse tolerohen veprimet e tilla të anëtarëve të saj serbë, të cilët, sipas tij, kryesisht janë pjesëtarë të Partisë Progresiste Serbe të Vuçiqit.

“Kjo po tolerohet nga ana e Qeverisë së Kosovës gjatë gjithë kohës. Kjo nuk ka nisur tash, në fushatë zgjedhore, por deri më tash ka pasur mjaft deklarata, nëpërmjet të cilave Branimir Stojanoviq e kritikon Prishtinën, të themi për mospërmbushjen e një pjese të marrëveshjeve të Brukselit. Ai në disa raste ka pasur të drejtë. Por, sidoqoftë, ai është pjesë e Prishtinës. Duke marrë parasysh që deri më tash atij askush nuk ia ka tërhequr vërejtjen, se ai po sillet si përfaqësues i Beogradit dhe jo i Prishtinës, ai ka vazhduar të sillet ashtu. Tashmë është e parëndësishme që t’i tërhiqet vërejtja se kjo është mosbesnikëri” - ka thënë Miletiqi.
Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e justifikojnë këtë me respektimin e dyshtetësisë së qytetarëve serbë të Kosovës dhe me të drejtën e tyre që të marrin pjesë në proceset zgjedhore të Serbisë, porse ata zyrtarë të shtetit kosovar harrojnë të theksojnë se shumica e serbëve kosovarë nuk kanë dyshtetësi, ngase ata kurrë s’kanë kërkuar shtetësinë e Republikës së Kosovës, si entitet i ri politik dhe juridik, porse e mbajnë shtetësinë serbe të trashëguar nga epoka e Milosheviqit - e më pak nga ta - nga epoka e Jugosllavisë federale!?

Pra, arsyetimi i Qeverisë së Kosovës është hipokrit!
Një qytetar është anëtar i një komuniteti politik, i cili gëzon të drejtat dhe merr përsipër detyrimet e anëtarësimit në komunitet. Ky përkufizim i gjerë është i dallueshëm, me variacione të vogla, në veprat e autorëve bashkëkohorë që nga Diderot.
Dy sfida të gjera kanë çuar teoricienë të rishqyrtojë konceptin: së pari, duhet të pranojmë diversitetin e brendshëm të demokracive bashkëkohore liberale;
Së dyti, presionet e bëra nga globalizimi brenda një territori sovran.

Koncepti i qytetarisë është i përbërë nga tri elemente kryesore apo dimensione (Cohen 1999; Kymlicka dhe Norman 2000; Carens 2000).
E para është: Shtetësia si status ligjor, e përcaktuar nga të drejtat civile, politike dhe sociale. Këtu qytetari është personi juridik i lirë për të vepruar sipas ligjit dhe që ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen e ligjit. Kjo nuk duhet të thotë se qytetari merr pjesë në formulimin e ligjit, as nuk kërkon që të drejtat të jenë uniforme në mes të qytetarëve.

E dyta i konsideron qytetarët në mënyrë specifike si agjensë politikë, që marrin pjesë në mënyrë aktive në institucionet politike të shoqërisë.
I treti mbështetet tek shtetësia si anëtarësim në një komunitet politik që furnizon një burim të veçantë të identitetit (shtetin). (http://plato.stanford.edu/entries/citizenship/)
Një identitet i fortë qytetar mund të motivojë qytetarët që të marrin pjesë aktive në jetën politike të shoqërisë së tyre.

Mirëpo, Kosova duke qenë ‘de iure’ shtet i komuniteteve etnike (sipas Pakos Ahtisaari), shumicë dhe pakicë, dhe jo i qytetarëve gjatë shtetndërtimit has në shumë sfida të ruajtjes së kohezionit kombëtar dhe social si dhe të unitetit kombëtar brenda kufijve kushtetues.
Nëse grupe të ndryshme brenda një shteti nuk e ndajnë të njëjtën ndjenjë identiteti ndaj shtetit dhe kombit (grupet e ndryshme etnike), atëherë shteti vazhdon të lëngojë nga mungesa e dashurisë dhe besnikërisë së shtetasve, pra edhe të mbetet në kontinuitet i brishtë dhe i pasigurt!.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...