“Rroftë shoku Tito”!!!

8 Gusht 2014 - 08:57 - Halil Matoshi      

Kur ju shoh ju Muharrem Xhemajla e Faik Fazlia, po edhe shefin tuaj HTH, se qysh dukeni, e sidomos kur ju dëgjoj - se çka flisni e si flisni - e kur e di se çka ju merrni vesh në shtet e demokraci liberale, më vjen ta dua Titon dhe fanfarat e tij, shumë ‘Cool’, edhe pse - për dëshpërimin tuaj - kur unë isha nxënës ai vdiq.

Empatia ose antipatia për një njeri ose lider varet shumë nga ajo që themi ose bëjmë.

Ju i keni bërë këtij vendi shumë keq! Aq sa mua më vjen keq për ju! Dhe më e keqja është se ju nuk po e pranoni që keni bërë keq, por po mësyni ta shkatërroni krejt idenë 100-vjeçare të lirisë së Kosovës, sepse ju besoni në mbrapshtitë tuaja – mendoni se e keni mirë dhe kjo është fatkeqësia vetë!!!

Asnjë implikim negativ (por as pozitiv me e vënë dorën në zemër) nuk e ka dhe nuk mund ta ketë i ashtuquajturi shoku Tito (me të cilin ju tash e 30 vjet na drejtoheni neve – qytetarëve të Kosovës) në ndërtimin e një shteti normal e të mirëqenë demokratik të Kosovës.

Nga ju që jeni në pushtet varet dështimi apo progresi i këtij shteti, jo nga kufomat politike, qoftë ai Enveri Juaj apo Tito “ynë”.
Shikojeni emisionin në televizionin tuaj, për 50 diktatorët, dhe do të shihni se sa i lezetshëm si liberal dukej “Titoja ynë” sipas pozicionit në ranglistë, e sa i neveritshëm ishte Enveri juaj...

Implikime negative në shtetin kosovar mund të kenë vetëm zhvatësit, të korruptuarit, vrasësit me pagesë dhe kriminelët tjerë të të gjitha profileve.

Prandaj Ju, z. Kryeministër HTH, dhe mëkëmbësi Juaj, Faik Fazliu, për UÇK-në “e shkretë” (në duart e kujt ka mbetur, e që ka mbetur nën mëshirën Tuaj!!!), lëreni rehat “shokun Tito”, njeriun e vdekur më 1980, kur unë kam qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme dhe mësohuni të jetoni me lirinë, diversitetin dhe njerëzit që kurrë në jetë s’kanë për të menduar si ju – stalinçe!!!

Kurrë!

Mësoni më këtë rregull se shkuat poshtë!

Kasta politike që e përfaqësoni ju, që aktualisht jeni ngjitur në pushtet e që thirreni në vlerat e UÇK-së, ka probleme serioze me të gjithë ata që mendojnë ndryshe, ose kanë një mendim të vetin çfarëdo qoftë - hej njerëz në dekadën e dytë të shekullit 21 - sepse sipas mendësisë suaj, të vërtetën përfundimtare e ka të drejtën ta thotë vetëm HTH ose Kadria, ose dikush i UÇK-së, ose – ose edhe shpura politike e HTH si dikur Muharrem Xhemajli e tash Faik Fazliu.
Të tjerët janë “titistë”, “tradhtarë”, “spiuj”, “pijaneca”, “legena”, “pshurrana”...

Sepse kjo shpurë i llogarit si të mundur lufte!
E bash i keni bërë llogaritë gabim, Zoti HTH!

Prandaj ndali ata zagarë të lodhtë të mos lehin më në yje!!!
Po shqiptarët e Kosovës u ngritën dhe luftuan për një shekull kundër Serbisë dhe ‘vlladavinave” serbe, o të mjerë, as kundër LPK-së, madje as kundër “Enverit Tuaj” të dashur që s’e hiqni dot nga zemrat tuaja të mykura!

HTH dhe shpura e tij, ju keni ardhur në pushtet mbi një rrenë të madhe, se jeni çlirimtarët e këtij vendi të çliruar nga NATO-ja dhe po mësyni të mbaheni në pushtet po ashtu përmes një rrene të madhe, por tashti të kombinuar me forcë dhe agresion, se nuk ia besoni Kosovën gjithkujt...

Hajde përralla të iriqit, hajde...

HTH në politikë nuk dallon nga shpura e tij, ai mendon njëjtë me turmat përreth tij dhe kjo është tragjikja e këtij vendi, sepse ai beson se e kanë mirë ata dhe se e ka mirë vetë, se të gjithë të tjerët janë “titista e tradhtarë”, pra të dyshimtë, sepse këtë shpurë e shquan paranoja enveriste e pushtetit, modeli i tij sundues: Shpike një tradhtar, fabrikoje një armik - shumëzoje - pastaj godite.
Që pushtetin ta mbajë frika dhe frikësimi.

Porse HTH e ka harruar një fakt: Kosova nuk është vend i izoluar nga bota si Shqipëria e E.H., kurse sistemi në majat e të cilit është ngjitur nuk është stalinizmi, por nominalisht demokracia parlamentare.

Thaçi e ka problemin më të madh që vetë është politikisht i paemancipuar, është i njëjtë me Muharrem Xhemajlin dhe Faik Fazliun që i ysht kundër gazetarëve, pra nuk punon me vegla qorre të pushtetit, ndonëse di t’i përdorë mirë!?

Rasti i Muharrem Xhemajlit – iu afrua Thaçit dhe menjëherë ai iu turr gazetarëve.

Rasti i Faik Fazliut – e njëjta “shkollë”, duhet bërë diçka për shefin, së paku duhet me sha dikë, duhet t’i dëshmohet besnikëria.
E sheh Zoti HTH pse askush s’ta ka besën për të qeverisur, edhe pse i ke fituar zgjedhjet!???

A ke menduar vetëm pesë minuta për këtë?
Më kë ke mësy me e sundue Kosovën e ngranë!?
M.Xhemaili më pati kërcënuar me vrasje para katër- pesë vjetësh, Kryeministër, sipas logjikës “kush guxon me folë keq për shefin dhe UÇK-në e lavdishme...” dhe Qeveria jote nuk pati reaguar fare.
Pos shefit të UNMIK-ut atëbotë.

Kur më rrahën mes qytetit njerëzit tuaj, Zoti Kryeministër, ju bëtë një reagim, ama dostat e Ilmi Reçicës nuk i zbuluat dot, Kryeministër!
E Zëvendëskryeministri H. Kuçi betohej (e ruaj SMS-in) se s’ ka për të lënë gur pa rrokullisur derisa t’i zbulojë agresorët mbi mua, “po është zor të jetohet në këtë vend të pasigurt” - shprehej atëbotë Kuçi!!!

Qe edhe për çfarë askush, ashiqare, s’do me ba Qeveri me ty!
F.F. drejton Zyrën për Çështje të Veteranëve në kuadër të Kryeministrisë, pasi ka bërë fushatë për PDK-në, i ka quajtur zagarë e legena ata që mendojnë se s’bën të vazhdohet me njerëzit e njëjtë që kanë qeverisur prej pasluftës.

E pati nisur me kolegun Imer Mushkolaj.
“Përndryshe kta zagar qe sa kohë kan filluar një fushatë kunder luftes dhe je vetëm luftes por edhe udheheqesve ta saj si menyre qe ta sulmojnë luften dhe sakrificen ..cka psh ka lidhjo kjo qe e thot ky legen për uzurpimet e mbas lufte (ku edhe mbas lufte ka qen e njejta propagandë)..cka i pëngojnë komandantët (i pëngojnë sepse e duan UDB en e tyre) ..dhe kta idiota e zgjidhin menyren për të linquar luften dhe njerezit e luftës....zagarë të flliqur jeni ju..nuk mund ta ndalni vullnetin e popullit qoftë edhe duke i shfrytzuar hapsirat e juaja mediale!!!”, pati shkruar Fazliu, në “Facebook”.

Ndryshe, Mushkolaj në një tekst autorial u kishte bërë thirrje qytetarëve të votojnë për çlirimin e Kosovës.
“Më 8 qershor qytetarët duhet të votojnë për çlirimin e shtetit nga kapja mafioze-politike. Sepse ata e kanë shndërruar shtetin në pronë private.”

Pas një kohe po ky mençurak i pushtetit të HTH tha se përkrah djegien e librit të Veton Surroit “Këmbët e gjarprit” në Ferizaj.
Dhe së fundi m’u lëshua në qafë edhe mua.

Po më thotë “titist dhe pijanec” – thua se ky togfjalësh i HTH dhe SHIK-ut - e shpëton atë ose këdo nga bashkëmendimtarët nga krimet (nëse janë të përfshirë) që po hetohen nga amerikani Williamson.

Epo Faik, jeta është e bukur, ajo nuk pyet nëse je nën regjimin e Enver Hoxhës, Josip Broz Titos apo Hashim Thaçit.
I ke punët tua, miqtë dhe librat tu (nëse ke libra në shtëpi që unë thjesht dyshoj), pra e ke lirinë tënde e jo të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk ta ka dhënë lirinë, o kosovar!
Qeveria nuk jep liri.

Qeveria e Kosovës nuk ta ka falë lirinë, o shqiptar!
Atë e ke fituar, pra është jotja.
Ama pranoma dhe mua!?
Prandaj çka dreqin po të shtyn me e votue HTH!?

OK, votoje, ama mos i shaj krejt ata që nuk e votojnë.
Sidomos lirinë duhet ta përjetojë ai që di e që mundet me jetue pa ndihmën e Qeverisë, pa ia marrë asnjë cigare duhan shtetit, siç thuhet tek populli ynë!?
Pra jetoje lirinë tënde privatisht dhe kurrë mos e voto HTH dhe do ta shohësh se jeta jote do të ndreqet!

Sidomos njeriu, qytetari që ka familje ose shumë fëmijë (ose disa) dhe ka një oborr me lula e pula (po e citoj një poezi të Nerimane Kamberit-Rekës në këtë rast) ky duhet të ndihet posaçërisht i lumtur dhe i lirë.

Se stalinizmin s’mund ta ringjallni kurrë më!
E SHIK-u po na thotë: “Pse po shihni vetëm zi”!?
Me demek nisjani të na shihni dhe neve bardhë dhe do t’u zbardhet jeta!
Ahahahahahhahahahahahhahah!
Kjo më ngjan në “Ikebana”, ose në mënyrën japoneze të kultivimit të luleve!
Provojeni me SHIK-un njëherë e mos shihni vetëm zi.
Prapë të vjen për të qeshur!

Pra, provojeni me Muharrem Xhemajlin dhe Faik Fazliun, mësuesit politikë të HTH!
Sepse ata i dinë aq bukur punët e shtetit, lirive civile e të njeriut, - që ç‘ke më të – siç thonë ata në Shqipni.

Dhe HTH kur i thonë këshilltarët injorantë: “Shef a ta TUTUM pak Halil Matoshin se na ka nguc fort në gazetën ‘Koha’, ky shefi i tyre prej Broje, që është njëherësh Kryeministër i Kosovës në detyrë, nuk flet, vetëm ua bë me sy: “Mshoni” - me demek!
Ta TUTUM HM”!?

Dhe kjo për ta përjetohet si festë!
Me e tutë njeriun që, nuk ia ka varë asnjë regjimi dhe asnjë lideri, kurrë në jetën e tij!
Njeriun që di vetëm të shkruajë!
Që s’di qysh me u rreh, me i kërcënue të tjerët e ndonjërin me e vra, disa me i vjedhë dhe me ua marrë pushtetin si “Ali Baba me 100 hajdutë!”

Qeshtu është pushteti i HTH.
Kur unë e mendoj M.Xhemajlin ose F. Fazliun duke i curruar veshët para të madhërishmit të vogël HTH, duke e pyetur (e vetmja fjalë e shkruar drejt sipas drejtshkrimit enverist të ‘Kongresit ’72, që ka arritur deri në Podjevë është ‘pyetje’ dhe këtë rregull e respektojnë sidomos ata të ZOLL – it që komentojnë në indeksonline!!!
E sa për ty, Faik dosti, muj me të thanë se po lexoj shumë libra (3-5 në javë), po shkruaj çdo javë kolumne në gazetën më të madhe të rajonit (“Koha Ditore”, natyrisht) dhe vetë po shkruaj libra...
Pos që i kam botuar dhjetë i kam po aq në dorëshkrim.
U kënaqa, Faik!!!

Zgate Zot, pa asnjë cent të taksapaguesve e të Qeverisë suaj (paguaj rregullisht rreth 200 euro taksa në muaj për ju tagrambledhës të HTH.)

Jam krejtësisht njeri i lumtur...
Ama që s’më bëre ti, por e drejta ime dhe e drejta e popullit tim.
Dhe NATO-ja, natyrisht!

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...