3 Qershor 2016 - 08:10 - Halil Matoshi
Nëse u bëjmë një lexim “kritik” këtyre dhjetë strategjive të linguistit dhe disidentit Chomsky, vërejmë se që të gjitha aplikohen dendur në këtë mjedisin kosovar të kontaminuar nga politikat e dominimit, frikës dhe frikësimit.
Nëse i studiojmë dhjetë strategjitë e manipulimit mediatik të Chomskyt vërejmë se strategjia e parë, ajo e shtatë, pastaj e tetë, e nëntë dhe e dhjetë janë përdorur aq dendur në Kosovë sa – do të duhej – që secili qytetar i rëndomtë dhe pa ndonjë arsimim të lartë t’i dallonte…
- Pushteti “i jep” medias rolin (që ajo të shumtën e merr!???) që të mbajë vëmendjen e publikut të rritur duke e shmangur sa më larg nga problemet reale sociale, dhe të mahnitur me çështje të parëndësishme të vërtetë; si p.sh. se çfarë llomotit një fashist i spektrit fetar si Shefqet Krasniqi.
- Shkollat i porosit: Mbani të rinjtë (publikun) injorantë mos i lini të mësojnë matematikë të vërtetë, ekonomi reale, ligj të vërtetë dhe mbi të gjitha jo historinë e vërtetë – ua jepni një interpretim ideologjik të saj. Injektojuni sa më shumë mburrje nacionaliste.
- Botën e zbavitjes e urdhëron: Mbajeni publikun të argëtuar porse në një nivel shumë të keq.
- Sipërmarrjet i obligon: Mbajeni publikun të zënë, të zënë, të zënë, sa që ai të mos ketë më kohë për të menduar; E lini të mbështetur në fermë me kafshët e tjera…
Kritiku i njohur dhe linguisti-mit Chomsky, një nga zërat klasikë të mospajtimit intelektual në dekadën e fundit, ka përpiluar një listë të dhjetë strategjive më të zakonshme dhe efektive të drejtuara nga agjendat e "fshehta" të klasës politike për të manipuluar publikun përmes mediave.
E para, sipas Chomskyt, është strategjia e shpërqendrimit. “Një element i hershëm i kontrollit shoqëror që konsiston në shmangien e vëmendjes së publikut nga çështjet e rëndësishme, nga problemet shoqërore serioze, dhe nga ndryshimet e ndërmarra prej elitave ekonomiko-politike, përmes teknikës së përmbytjes me informacione të parëndësishme.”
Pushteti kosovar në vazhdimësi, që nga çlirimi i Kosovës e deri në ditët e sotme, ka krijuar zhurma të parëndomta, për ta shpërqendruar vëmendjen nga defektet e vetë pushtetit, përkatësisht për ta shpërqendruar vëmendjen e publikut nga krimet (politike dhe ekonomike) e aktorëve që e kanë dominuar skenën politike kosovare në këta 17 vjet, pas çlirimit.
Rasti më i dhimbshëm është ai i trazirave të marsit 2004, kur u humbën edhe jetë njerëzish, që vëmendja e publikut të shpërqendrohej tek “armiqtë e shqiptarëve” që dashkan ta njollosin luftën çlirimtare përmes aktakuzave nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe së fundi me trazirat e vitit 2016 (që po vazhdojnë!?) e që lidhen me Gjykatën Speciale.
E dyta është strategjia e krijimit të problemeve dhe e ofrimit të zgjidhjeve. Ky mekanizëm quhet ndryshe “problem-reagim-zgjidhje”. Krijohet një problem, një situatë që parashikon prodhimin e një reagimi të publikut, në mënyrë që ky të jetë justifikimi i masave pasuese. Për shembull: indiferenca përballë shpeshtimit të dhunës urbane ose organizmi i atentateve të përgjakshme, për rrjedhojë populli do të kërkojë ligje më të ashpra në favor të sigurisë dhe në kurriz të lirive. Apo sajimi i një krize ekonomike për t’i bërë të pranueshme, si e “keqe e domosdoshme”, reduktimin e shërbimeve publike dhe tkurrjen e të drejtave sociale.”
Nëse i lexojmë me vëmendje dhjetë strategjitë e manipulimit mediatik të publikut, sipas Naom Chomskyt, në kontekstin kosovar, pa dyshim, që dendur aplikohen strategjitë e krijimit të krizave, përkatësisht problemeve dhe pastaj edhe strategjia e zvarritjes, pra shtyrjes së zgjidhjes së tyre.
Në këtë rast pushtetit kosovar mund t’i përshkruhet se me politika të këqija e kuazireligjioze (për grumbullim votash) ka toleruar gjuhën e urrejtjes dhe interpretimin wehabist të islamit, pastaj e ka krijuar problemin me “islamin politik” për të justifikuar ashpërsimin e ligjeve siç është ai që sanksionon pjesëmarrjen në luftërat e huaja, që është ligj i paprecedentë, në bazë të të cilit ka arrestuar qindra qytetarë, me aktakuza jo gjithherë të qëndrueshme dhe të dëshmueshme…
E treta, strategjia e përshkallëzimit, e katërta, ajo e shtyrjes së zgjidhjes, e pesta e trajtimit të publikut si fëmijë… më duken se nuk janë strategji që aplikohen aq dendur në Kosovë dhe për hir të natyrës së këtij shkrimi po i lë për një analizë tjetër.
Strategjia e gjashtë, ajo e përdorimit të sferës emocionale më shumë se reflektimin, sipas Chomskyt, thotë: “Shfrytëzimi i emocioneve është një teknikë klasike që prodhon qark të shkurtër në analizën racionale dhe kritike të individit. Gjithashtu, ky mjet hap portat e aksesit tek pavetëdija, për të rrënjosur ide, dëshira, ndjesi frike, kompulsione dhe sjellje”.
Pushteti kosovar e ka përdorur në disa raste, porse më tipiku është ai i marsit 2004 lidhur me dy fëmijët e mbytur në lumin Ibër (që media e pushteti thoshin se kanë qenë tre) porse një i tretë nuk ka ekzistuar fare, pra ishte numër fiktiv.
Strategjia e shtatë është ajo e izolimit të publikut në injorancë dhe mediokritet.
“Cilësia e edukimit që u jepet shtresave të ulëta duhet të jetë më e varfra dhe më e rëndomta e mundshme, në mënyrë që hendeqet e paditurisë në piramidën sociale të mos mbushen kurrë nga shtresa e ulët.
Alexis de Tocqueville lidhur me sundimin e shumicës si mediokritet thoshte se ata me arsim më të avancuar dhe inteligjencë më të lartë kanë dy zgjedhje. Ata mund të bashkohen me qarqe të kufizuara intelektuale për të shqyrtuar problemet me peshë dhe komplekse me të cilat përballet shoqëria, ose mund të përdorin talentet e tyre të larta për të grumbulluar pasuri të mëdha në sektorin privat.
Ai fajësoi plotfuqishmërinë e sundimit të shumicës si një faktor kryesor në të menduarit: "Shumica e ka mbyllur mendimin brenda një gardhi të frikshëm. Një shkrimtar është i lirë brenda asaj zone, por mjerë ai njeri që shkon përtej tij, jo se ai qëndron në frikë të një inkuizicioni, por ai duhet të përballet me të gjitha llojet e kundërshtimit dhe linçimit, pra ai do të jetë i përndjekur përditë, kurse një karrierë në politikë për të është e mbyllur, sepse ai e ka fyer pushtetin vetëm që mban çelësat.
Sipas interpretimit të Robert Kaplanit, Tocqueville, në kontrast me mendimtarë të mëparshëm politikë, argumentoi se një problem serioz në jetën politike nuk është se njerëzit ishin më të fortë, por që njerëzit kanë qenë "shumë të dobët" dhe janë ndier të pafuqishëm: rreziku është se njerëzit mendonin se po përfshiheshin në diçka që ata nuk mund të kontrollojnë.
Qëllimi i shkollës do të duhej të ishte krijimi i një dëshire (ose më mirë, një nevojë) që studenti të dijë se çfarë është e vërtetë, pra t’u jepte njerëzve mjetet për t’i ndihmuar ata që të dallojnë të vërtetën nga fiksioni, pra nga mashtrimi.
Strategjia e tetë është e stimulimit të vetëkënaqësisë dhe mediokritetit. Injoranca, vulgariteti, budallallëku shndërrohen në modë dhe vlerë.
Të bindurit e publikut që të jetë i vetëkënaqur me mediokritetin. Duke e bërë atë të mendojë se të jesh budalla, vulgar dhe i paarsimuar është në modë.
“Kujtoni për një çast modelin “Big brother” ku mund të bëhesh i famshëm, e për rrjedhojë i pasur, i ndjekur, i imituar, i adhuruar, etj., pa nevojën e diturisë, zhvillimit të intelektit, të ndonjë aftësie, talenti apo profesioni, pa nevojën e etikës, edukatës, normave shoqërore të pranuara si normalitet.”
Studentët duhej të sprovoheshin se si operonin me informacionet, duke u dhënë për detyrë që të shkruajnë ese, për t’ua dhënë mundësinë që të nxjerrin konkludime, të analizojnë faktet: Thjesht, do të duhej që të vrojtoheshin nëse i shquan mendimi kritik dhe nëse kanë fare një mendim të tyrin autonom për çdo gjë, apo ndjekin mësimet uniforme dhe kolektiviste, nga prindërit e hallit, mësuesit etnonacionalistë, media sociale, ku vijnë në konsideratë “legjionet e imbecilëve” (Umberto Ecco), nga të interpretuarit albanocenstrist të botës apo nga interpretimi ideologjik i historisë. Studentët e dijeve humanistike pra do të duhej të sfidoheshin në testin e racizmit dhe të drejtave të njeriut, edukimit qytetar dhe demokratik, liberalizimit të tregjeve, lirisë akademike dhe individualizmit…
”Shkolla gjithashtu duhet t’ua mundësojë qytetarëve që në bazë të kritereve racionale të refuzojnë çdo politikë arbitrare dhe të dhunshme dhe t’i kundërvihen asaj me idenë e drejtësisë.” (Canivez, libri i cituar; fq.198.)
Sepse ideja e shkollës është synimi i lirisë.
Ngase në secilin universitetet normal studentët mësojnë të kenë ide themelore vetjake mbi krijimin e botës (kreacionizmi & darvinizmi) dhe t’i shprehin lirisht mendimet e tyre mbi politikën, fenë, ideologjitë dhe që ato të jenë konkurruese, duke kultivuar praktikat e dialogut dhe debatit shoqëror dhe për të provuar të definohen problemet e një shoqërie e për t’i diskutuar mes vete dhe me profesorët mundësitë e zgjidhjeve…
Shkolla është vendi ku ushtrohet kreativiteti e jo ngurtësia dhe uniformiteti “spartan”; ku shmanget “gjenealogjia e pushtetit disiplinor” dhe ofrohet “kënaqësia e shpalosjes së dijes, kënaqësia që vjen nga e vërteta e kënaqësisë…” (Shih: Michel Foucault; “Vullneti për dije”; Dukagjini, Pejë, 2008, fq.99.)
E nënta është strategjia e nxitjes së vetëfajësimit: “ Individi edukohet të fajësojë veten për çdo problem: mungesa ose dobësia e inteligjencës, forcës, karakterit, vullnetit, etj., janë disa nga rrugët e vetëfajësimit. Kështu, në vend të rebelimit nga sistemit mbytës ekonomik, ndaj pushteteve të tjera të forta, individi fajëson veten deri në depresion, duke frenuar reagimin.”
Dhe kjo në Kosovë shfaqet si vetëfajësim për mungesë të kulturës shtetërore, mungesë të respektit për tjetrin/tjetrën, mungesë të edukimit dhe qytetërimit dhe forma më klasike këtij vetëfajësimi është: “Nuk dimë me mbajt shtet”, “ne nuk meritojmë më mirë”, “populli e ka pushtetin që e meriton” ose “Ah t’ish ringjall Enver Hoxha”!!!
E dhjeta është strategjia e njohjes se individit më mirë sa ç’e njeh individi veten: “ Zhvillimet e shkencave humane të 50 vjetëve të fundit u kanë dhënë mundësi elitave dominuese të njohin aftësitë psiko-fizike të individëve, sjelljet e tyre sociale, zgjedhjet racionale, e kështu me radhë. Kjo do të thotë se në shumicën e rasteve sistemi ushtron një kontroll më të madh mbi individin se vetë ky i fundit mbi vetveten.”
Statistikat shtetërore, sondazhet, të dhënat personale biometrike, profilet në rrjetet sociale, në koordinim me policitë e fshehta nga “kombi i internetit” kanë krijuar biohapësira për jetë të zhveshur e të vëzhguar në kohë reale nga panoptikon. Saqë njeriu më nuk ka as jetë private dhe as intimitet. Ndonëse pushtetit i intereson diçka përtej, krijimi i bindjes tek publiku se “shteti i di të gjitha” edhe kur ai s’di shumëçka.
Duke qenë se publiku kosovar është në një nivel të ulët të emancipimit politik dhe demokratik, del se Kosova është laborator ku ushtrohen këto strategji. Në shtetin e ri fabrikohen armiqtë, këtu denigrohen miqtë e vërtetë; këtu njerëzit e ideve të mëdha hidhen tek pluhuri e horrat, ata që merren me intriga për të tjerët ngrihen tek retë!???
Sipas autorit Patrice Canivez, roli i shkollës në demokraci është që të edukojë qytetarë aktivë.
Shkolla nuk e ka për detyrë të bëjë “patriotë”, aq më pak “t’i ushtrojë ata për luftë politike, për luftë për pushtet, për manovrime partiake” (Patrice Canivez “Të edukohet qytetari”, Dukagjini, Pejë, 2004; fq. 197. )
E nënta në botë për nga mjerimi, e para në Evropë për nga analfabetizmi,
Kosova, në vlugun e spektakleve policore dhe masave represive ndaj shtetasve (të dukej se është në vjeshtën e vitit 1981) më 2014, kur u ekzagjerua islami politik në përmasa të skëterrshme (kur vendi qeverisej nga Hashim Thaçi dhe Atifete Jahjaga dhe shpurat e tyre manipulatore) dhe më 2016 me një Qeveri e cila thua se e ka marrë veten nga një shok-terapi dhe po këndellet, dhe që po shtiret sikur po mësyn ta korrigjojë një padrejtësi.
E ka pështyrë veten pa arsye.
Derisa atdheun e kosovarëve, përmes manipulimit mediatik, e nxorën në ballinën e “The New York Times” si “vend i pëlleshëm i ISIS-it…”
Dhe fare pak njerëz po guxojnë të dalin nga kornizat e këtij manipulimi të madh mediatik (sipas strategjive të Chomskyt) e të thonë: Na fal Zot, paskemi marrë njerëz në qafë!
Na falni njerëz, e kemi dëmtuar atdheun!?
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...