Pse 12 qershori është ditë e paqes?

19 Qershor 2015 - 08:15 - Halil Matoshi      

Me të mbaruar lufta, me deklaratat, praktikat, të drejtat e saj, jo të gjitha të neveritshme, i përket paqes tani të venitet në një shpërndarje dhune që vazhdon si s’ka më bukur. Një është “dhuna legjitime” shtetërore që mbështetet në një Kushtetutë moderne dhe tjetërçka është dhuna e të fuqishmëve për pushtet personal. Kjo e dyta e ka dërrmuar Kosovën tash e 16 vjet. Po a mund të ndërrohet kursi që gjithçka t’i bartet shtetit, edhe gjaqet (Sic!), shtetit të së drejtës, dhe a e ka humbur shansin shoqëria kosovare që të ndajë drejtësinë dhe të shkëputet përfundimisht nga kultura e krimit dhe e mosndëshkimit?

Në Kosovë pos që ishin shkelur masivisht të drejtat dhe liritë e njeriut, pra edhe liritë civile, ishte përdhosur madje edhe e drejta për jetën, prandaj është ndërhyrë ushtarakisht nga NATO-ja, mbështetur në Kapitullin VII të Kartës së OKB-së, pra mbi bazat humanitare dhe, për këtë ndërhyrje (shtatë javë bombardime nga ajri të caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe) meritorë janë civilët shqiptarë të Kosovës, të vrarë, të dhunuar dhe të dëbuar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre (rreth 1 milion prej përafërsisht 2 milionëve.)

Prandaj luftën e Kosovës e “kanë fituar” civilët shqiptarë të Kosovës me vetëflijim.

Kurse roli i institucioneve kosovare, elitave politike e kulturore, por edhe i atyre ushtarake (UÇK dhe pasuesit e saj) ishte ta fitonin paqen.

Ja përse flitet tani e tutje për ndërhyrje në konfliktin e çrregullt, e cila, njëlloj si siguria e cila dëshirohet të arrihet, nuk e njeh konceptin e politikës sipas Carl Schmittit mik/armik, pra as fitore, as disfatë.

As luftën dhe as paqen, por të ardhmen…

Pra nga këto primesa është projektuar në masë të madhe edhe Pakoja e Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës, dhe si derivat i saj edhe Kushtetuta e Kosovës.

Prandaj në kalendarin e festave memoriale shtetërore ka hyrë 12 qershori, jo si ditë çlirimi e krenarie kombëtare, por si një ditë që njeh të ardhmen.

Pra 12 qershori zyrtarisht njihet si “Ditë e paqes.”

Dhe këtë e konsideroj të drejtë!

Doktrina amerikane e ndërhyrjes në konflikte të armatosura pothuajse rrënon konceptet klasike për luftërat e drejta/të padrejta.

Pra ndërhyrja ndodh para luftës, përmes balancës së frikës, gjatë saj – përmes balancimit të goditjes/kundërgoditjes ndërmjet palëve ndërluftuese me monitorim - si dhe pas luftës, me balancimin e krimit, pra të fajësisë, tashti si ndërhyrje në drejtësinë dhe mekanizmat e saj.

“Vazhdim i politikës me mjete të tjera” (siç mësohet në shkolla, sipas Klauzevicit) apo vetëm lojë, një lojë tragjike (Nietzche)…

Lufta duhet kuptuar si lojë, e cila kërkon flijim, për t’i ruajtur ato gjëra që për ne kanë fuqinë ikonike. Shenja të shenjta!

Esenca e kuptimit qytetar të atdheut dhe lirisë shfaqet në fjalët që një luftëtar i lirisë nga batalioni “Atlantic” i kishte thënë gazetarit të New York Post-it, kur triumfalisht UÇK-ja hyn në Prishtinë: “We did our job. Now, it’s up to the politicians!”.

(Ne e kemi kryer punën tonë. Tashti kanë punë politikanët.)

Dhe afër kësaj logjike shkon edhe mendimi i Bill Clintonit, presidentit amerikan i cili i tha po ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, se “Ne e fituam luftën – ju fitojeni paqen.”

Doktrina e “konflikteve të çrregullta” dhe lufta në Kosovë. - A mund të themi akoma që lufta është “një konflikt i armatosur, publik, i drejtë”, siç e çmonte kështu më 1597 Alberico Gentilis, duke vënë në një mendje teologë dhe filozofë? Frédéric Gros nuk e beson këtë, dhe shpalos kategoritë e hershme të luftës të cilat janë duke u shpërbërë përpara syve tanë, nën goditjet e zgjedhuara të ushtarit ‘high tech’, të terroristit dhe të të qenit të tërbuar të përleshjeve pak a shumë tribale.

Nga një tip ideal në tjetrin, nga kalorësi tek këmbësori gjer në dhëmbë i armatosur, nga lufta racionale e Lumières tek konflikti total, mënyrat e shkaktimit të vdekjes së ndërsjellë në mënyrë legjitime kanë ndryshuar, duke u derdhur më në fund mbi një etikë të sakrifikimit të jetës.

Nëse bëhet luftë, kjo bëhet për të arritur paqen.

Pra kjo luftë e re, që shmanget nga konceptet e Schmitt-it, nga Gros cilësohet si “konflikt i çrregullt.”

Kjo ide nuk është dhe aq absurde, sepse duhet që lufta të jetë e drejtë, nëse duam që vetë paqja të mos jetë e padrejtë.

Kështu mbërrijmë në një përkufizim minimal: është legjitime vetëm ajo luftë që bëhet për t’u mbrojtur, për të paguar një borxh apo për të ndëshkuar një padrejtësi.

Kështu lufta kthehet në një nxjerrje para drejtësisë, gjykata e së cilës është fusha e betejës.

“Derisa Carl Schmitt nuk e ka gabim të shohë nën shenjën e politikes, thjesht principet mik/armik, kriminalizimin e armikut dhe rreziqet që pasojnë nga një armiqësi e përhershme, për t’i bërë të ndërsjella këto rreziqe, të tjerët do të nxjerrin përpara idenë e një lufte të drejtë nga të dyja krahët. Traktati i Westphalies, duke iu dhënë fund luftërave të përgjakshme fetare, vendosi për një kohë të gjatë një kuadër të ri juridik ndaj konflikteve të armatosura.

Dhe qysh nga kjo marrje parasysh e një shumësie shtetesh sovrane, lufta ka ndryshuar kuptim, të paktën mbi kontinentin evropian”, thotë Gros.

Pra, ka ndryshuar edhe drejtësia…

Lufta e forcave guerile të UÇK-së objektivisht është legjitime (për t’u mbrojtur nga agresioni), por ajo nuk u zyrtarizua si e tillë, në konferenca ndërkombëtare ose me traktat të veçantë, pra lufta e UÇK-së nuk pati as fillim dhe as fund zyrtar.

Prandaj Kosova nuk ka as ditë zyrtare të çlirimit, por megjithatë ka një ditë metaforike ‘lirimi, e që është 10 qershori, e që lidhet me vizitën e presidentit amerikan George W. Bush në Shqipëri.

Përkatësisht kjo datë lidhet me fjalinë e tij “Kosova duhet të jetë e pavarur. Kosova është e pavarur. Tash!”, të shqiptuar në Fushë Krujë (jorastësisht zgjidhet Fushë Kruja pasi që aty kryesisht janë të vendosur refugjatët kosovarë të tërë shekullit 21, që kanë ikur nga terrori i tri Jugosllavive, përkatësisht nga represioni i Serbisë mbi ta!?)
Çrregullimi aktual i konflikteve të armatosura lë për të shquar njëfarë nostalgjie për luftërat e vjetra të gjyshërve.

“Lufta e drejtë nuk dinte, për shembull, ç’të mendonte për krimet me të njëjtin emër”, thotë Gros.

Në anën tjetër, Serbia e vazhdon luftën aty ku e la, më 10 qershor 1999, me marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës (natyrisht tani me mjete të tjera) duke pretenduar se ka bërë një luftë të drejtë në Kosovë - për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit nga “terroristët.”

Duhet pasur parasysh se drejtësi nuk mund të ketë nga të dyja anët, prandaj sintagma “konflikt i çrregullt” është valide në këtë rast.

Porse atëbotë askush nuk ka bërë hesape mbi kriminelët “e vegjël” të luftës, që viktimat i ndeshin përditë në rrugë.

Kryeprokurorja e TPI-së, Carla del Ponte, në një fjalim programatik thotë se debati mbi krimet e luftës në pothuajse çdo shtet të ish-Jugosllavisë është ende në kulmin e tij. Ai është i gjallë dhe prezent në jetën e përditshme dhe në media: kush është më tepër fajtor; kush ka vuajtur më shumë?

Përgjigjen më të mirë në këtë pyetje e jep filozofi gjerman Karl Jaspers: “Vuajtja është e llojit të ndryshëm dhe shumë njerëz kanë ndjenja vetëm për llojin e tyre. Të gjithë kanë tendencën të interpretojnë humbjet e mëdha dhe gjyqet si një sakrificë. Por interpretimet e mundshme të kësaj sakrifice janë kaq shumë të ndryshme, saqë fillimisht ato i ndajnë njerëzit”.

A mund të pritet zhvillim i proceseve gjyqësore të drejta, kur ata njerëz të cilët kërkojnë zhvillimin e gjyqeve lokale për të akuzuarit thonë se këta persona të akuzuar janë të pafajshëm, pyet Del Ponte?

“Nuk përbën ndonjë sekret fakti që qindra dhe mijëra shkaktarë të krimeve të rënda të luftës nuk janë akuzuar ende. Ata shpesh shihen nga viktimat e tyre në rrugë, apo në pozita të rëndësishme shtetërore. Zyra ime ka në plan t’u transferojë gjykatave lokale dosjet e hetimeve të papërfunduara dhe materialet investigative. Pastaj do t’u takojë drejtësisë së vendeve të veçanta dhe autoriteteve të prokurorive të veprojnë për këto raste. Ky proces do të nisë vitin e ardhshëm dhe do të jetë një test i rëndësishëm për pjekurinë e gjykatave lokale”, thoshte ajo.

Dhe këtu do të mund të nisë muhabeti – secili shqiptar i Kosovës që në një mënyrë ka pësuar nga represioni sistematik shtetëror i Serbisë, ka motive të mjaftueshme, madje dhe prova, pra jo vetëm motive psikologjike, ta bëjë një padi kundër ish-fqinjit të parë serb dhe me këtë zhvleftësohen krejt ato që bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vetëqeverisëse kosovare i kanë arritur përmes standardeve para statusit, përmes vetë Pakos Ahtisaari dhe ato që i ka arritur si shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008 e deri më sot.

Pajtimi do të vinte po qe se Serbia do të ishte në gjendje që t’ia shtrijë dorën Kosovës, të kërkojë falje botërisht për krimet e shkaktuara mijëra familjeve kosovare dhe ta njohë pavarësinë e saj.

Ndryshe nuk do të ketë pajtim afatgjatë përmes gjyqeve sado të drejta të jenë, por do të vazhdohej ky konflikt i çrregulluar, tashti në nivel lokal, qytetar…

Sepse kur kihet parasysh fakti se luftën e Serbisë në Kosovë nuk e bëri vetëm kasta ushtarake dhe forcat e sigurisë, por paramilitarë, partizanë të SPS-it milionësh, duartrokitës ndaj krimeve, ASHAS (madje lufta filloi në gjuhë të kontaminuar dhe propagandë gebelsiane në RTS dhe një rrenë e madhe përmes mitit të Kosovës u ngre në doktrinë në “Francuska 7”) nga shkrimtarët, për të zbritur tek qytetarët dhe gjuetarët mbi njerëz.

Pra krimi ishte institucional dhe kishte mbështetje masive në shkallë fashizmi.

Del Ponte mendon se gjykatat lokale nuk duhet të veprojnë vetëm, për ato çështje të nisura nga Gjykata e Hagës. Ato gjithnjë kanë pasur mundësinë të nisin hetimet e tyre, megjithëse të gjitha shenjat tregojnë se për arsye të ndryshme kjo gjë nuk ka ndodhur.

Për shembull, në Bosnjë-Hercegovinë dosje kriminale të rreth 5 908 personave u janë paraqitur zyrës sime për rishikim, por vetëm 90 persona kanë dalë para gjykatave.

Kurse në gjykatat kosovare, pos në raste shumë të rralla, nuk janë ngrehur padi nga viktimat.

Duke i pasur parasysh këto që u thanë si dhe pretendimet e ngritura nga Serbia dhe ndërkombëtaret për “krime monstruoze” ndaj civilëve brenda Kosovës dhe nga UÇK-ja del se Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, e cila do ta rivendoste drejtësinë duke ndëshkuar dhunuesit eventualë të dinjitetit dhe integritetin e njeriut dhe natyrisht, nëse Kosova nuk ishte shtet ndërluftues dhe nuk kishte bërë dhunë e terror të organizuar shtetëror por sporadik, së këndejmi secili krim i supozuar i pjesëtarëve të UÇK-së është individual, pra nuk mund të flitet se “po ndëshkohet” as UÇK-ja dhe as Kosova.

Por çka është e mundshmja dhe e duhura që Kosova të ndahet nga e kaluara e saj për të shikuar nga e ardhmja?

Aspekti tjetër në këtë çështje është se pothuajse të gjithë janë të shqetësuar vetëm për ata të cilët janë të dyshuar apo të akuzuar.

Pak njerëz flasin për viktimat dhe të drejtën e tyre për drejtësi dhe një gjyq të paanshëm. Parlamentet miratojnë ligje për të drejtat dhe interesat e të akuzuarve – ndërsa nuk kam dëgjuar akoma për ndonjë rregullore të tillë apo ligj për viktimat dhe të drejtat e tyre.

Mirëpo në Kosovë viktima potenciale ishin të gjithë, që nga ushtari i UÇK-së deri tek qytetari, madje edhe ai serb, në rast se nuk ka kolaboruar me shtabet milosheviqiane të luftës.

Kurse pas luftës viktima ishin edhe shumë civilë serbë, por edhe shqiptarë e pjesëtarë të pakicave joserbe, që pandeheshin ose si kolaboracionistë të regjimit serb, ose si kundërshtarë politikë të linjës së ashpër të UÇK-së, përkatësisht të Drejtorisë Politike (LPK-së) të saj dhe Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Del Ponte citon fizikanin danez, fitues i çmimit “Nobel”, Niels Bohr, që thotë: “E kundërta e një të vërtete të thellë mund të jetë gjithashtu një e vërtetë e thellë”.

Robert D. Kaplan e thekson rastin e pushtimit të ishullit të Melosit nga athinasit, ashtu siç e përshkruan Tukididi… Athinasit pasi zbarkuan në këtë ishull u ishin drejtuar banorëve të Melosit: “…ashtu sikurse ne, edhe ju e dini që, siç qëndrojnë punët, drejtësia është pyetje e cila bëhet vetëm prej atyre që janë të barabartë për nga forca, prandaj të fortit bëjnë atë që munden, ndërsa të dobëtit atë që duhet”. (cituar sipas Blerim Shalës: “Urat”, fq. 124. Prishtinë, 2004).

Analisti liberal shqiptar Fatos Lubonja, në këtë aspekt është autor i një ideje interesante që arsyeton faktin se 12 qershori është ditë e paqes dhe jo e luftës, pra as e çlirimit.

Pse Lufta duhet studiuar dhe jo festuar?

“Lufta mund të festohet vetëm nga ata që për një arsye apo për një tjetër nuk janë ndërgjegjësuar për të keqen që kemi kaluar nga protagonistët e Luftës, por kurrsesi nga shumica e shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë mendoj se ajo që duhet bërë nuk është festimi, por përpjekja për ta njohur e studiuar në kompleksitetin e saj për të kuptuar më mirë se si kemi qenë dhe si jemi”- thotë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi këto ditë se lufta për demokracinë është njëkohësisht lufta për ta bërë botën më paqësore dhe më humane dhe qytetarët në Kosovë i njohin mirë sfidat e raportit në mes të drejtës ndërkombëtare në njërën anë dhe demokracisë e të drejtave të njeriut në anën tjetër.

“Sot të drejtat e njeriut përbëjnë instrumentin më të rëndësishëm në botë për të frenuar ambiciet joligjore, arrogancën, abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit politik, në nivel global. (...)

Shteti duhet të gjunjëzohet para Jetës, Lirisë dhe Pronës së njeriut, thoshte babai i liberalizmit, John Locke. Në të kundërtën, shteti bëhet i paligjshëm dhe njerëzit duhet të ngrihen kundër tij. Shqiptarët e Kosovës para se të ishin shtetas të këtij apo atij shteti ishin qenie njerëzore me të drejta natyrore të patjetërsueshme nga askush.”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Në këtë rrafsh intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës - sipas tij - ishte një zgjidhje ushtarake e konfliktit të vjetër filozofik në mes të së drejtës natyrore dhe pozitivizmit juridik, në favor të së drejtës natyrore të njeriut.

Një fjalim i rëndësishëm dhe emblematik madje edhe frymëzues për Kosovën dhe sfidën që po e jeton - kushdo që ta ketë shkruar dhe duke e abstrahuar edhe folësin - për të vendosur drejtësi në këtë vend ose për ta thyer qafen në skllavëri.

Stoesinger në librin “Përse kombet shkojnë në luftë” e shpërfaq luftën ndërkaq si sëmundje e cila me kurën e duhur edhe mund të shërohet.

A është lufta e shërueshme?

Po, nëse kura është ngadhënjimi i drejtësisë mbi kulturën e krimit dhe mosndëshkimit!

© KOHA

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...