Kosova drejt partitokracisë

18 Mars 2016 - 08:23 - Halil Matoshi      

Dalja e opozitës kosovare nga Kuvendi, për të ushtruar presion mbi pushtetin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, përfundimisht po e shndërron pushtetin politik nga qeverisja demokratike nominale në partitokraci, duke ia marrë fuqitë Legjislativit dhe Gjyqësorit, ose për ta finalizuar kapjen e shtetit nga një palë duar…

Me koalicionin e dy partive më të mëdha në vend, PDK-së dhe LDK-së, që të dyja me pretendimin se janë parti të krahut të djathtë, përkatësisht të qendrës së djathtë, së bashku me partinë e etnonacionaliste serbe, Lista Srpska, në Kosovë nuk ka kush të mendojë për shtetin social, përkatësisht për barazinë sociale. Këto tri parti që në nivel të qeverisjes secilin vendim duhet ta negociojnë me njëra-tjetrën, veçanërisht pas aktit të tërheqjes së opozitës nga punimet e Kuvendit, po i japin vendit një pushtet partitokratik dhe jo një pushtet të qytetarëve, ku vendimet merren pas debateve me opozitën dhe shoqërinë civile.

Një burrë me emrin Hashim Thaçi e ka ideuar dhe menaxhuar këtë partitokraci sa ishte lider i PDK-së, mirëpo ai me këtë veprim i ka dhënë vendit një pushtet që qëndron mbi levat e plaçkitjes ekonomike të qytetarëve dhe politikëbërjes institucionale pa etikë pushteti.
Po ç‘është partitokracia?

Për ta argumentuar ligjërisht arsyen përse Republika e Kosovës nuk ishte një demokraci në kuptimin më të gjerë të fjalës, por një demokraci e papërsosur, të quajtur teknikisht nga teorikët si "politika e partisë" ose oligarkia e partisë, duhet të studiohet ndarja e pushteteve në vend, që nuk ka funksionuar asnjëherë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e këtej.

Së këndejmi partitokracia (partitë politike pa transparencë të financimit të tyre ose financimi klientelist përmes këmbimit me tenderët qeveritarë) është një "pompë" për korrupsion galopant, joefikasitet i shtetit, si dhe mungesa e transparencës në menaxhimin publik-privat.

Argumentimi se në Kosovë po etablohet pushteti partitokratik duket i thjeshtë; një demokraci është e bazuar në dy shtylla kryesore: a) votime të përgjithshme dhe b) ndarjen e pushteteve.
Kosova ka votime të përgjithshme, pra shtyllën e parë të qëndrueshme (sado me probleme besimi dhe me sistem të pareformuar zgjedhor dhe ngatërresat rreth faktit se vendi është një zonë e vetme elektorale), mirëpo duket se shtylla e dytë, ndarja e pushteteve nuk po funksionon, sepse oligarkët partiakë në marrëveshje mes veti, kanë ndërtuar një pushtet ekzekutiv që mbështetet nga 2/3 e përfaqësuesve në Kuvend, duke lënduar pushtetet tjera, Legjislativin dhe Gjyqësorin, pasi që në shtet vepron vetëm një fuqi, pushteti ekzekutiv partitokratik, i cili e kontrollon Kuvendin dhe e influencon politikisht Gjyqësorin.

Së këndejmi fuqia e partisë politike në vend po merr fuqi që nuk i takojnë dhe nëse këtë e shpjegojmë teknikisht, në Kosovë qytetarët do të votojnë, nga njëra anë, në lista të hapura të një partie, duke dashur që të përfaqësohen nga një Kuvend plural dhe i fuqishëm nën kontrollin e Qeverisë dhe agjencive të saj.
Defekti teknik shfaqet kur pushteti ekzekutiv e vë nën kontroll Legjislativin (në rastin e Kosovës kur opozita është e pafuqishme dhe së fundi ajo nuk merr pjesë në punën e Kuvendit), pra Legjislativi nuk është i pavarur, sepse vendimet merren dhe votohen përmes marrëveshjeve mes partive të koalicionit dhe jo përmes debatit në Kuvend dhe duke përfillur opinionin publik.
Defekt teknik ka edhe në shtyllën e tretë, Gjyqësori, i cili, në një demokraci, ai domosdoshmërisht duhet të jetë i pavarur.

Por, duke pasur parasysh rendin ligjor kosovar, Gjyqësori nuk është i pavarur, pasi që Këshilli Gjyqësor (përfaqësimi më i lartë i fuqisë ligjore) përbëhet nga njerëz të rekrutuar nga partitokracia, që në fakt duken si përfaqësim partiak në pushtetin legjislativ.
Siç thamë, Kosova nuk ka një shpërndarje të vërtetë të pushteteve, por një fuqi të vetme: palën politike ose partitokracinë nga e cila dalin të gjitha kompetencat shtetërore.
Dalja e opozitës nga Kuvendi sjell një momentum të ri të krizës së legjitimitetit.

Aktualisht kemi të bëjmë me partitokraci që është një formë de facto qeverisëse, ku një ose më shumë parti politike dominojnë procesin politik, në vend të qytetarëve apo popullit.
Kështu që, me t'u shpallur aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, jo vetëm opozita dhe qytetarët që janë të interesuar për ndryshime, por edhe ndërkombëtarët do t'i bëjnë presion Qeverisë për ta shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme, më së largu në vjeshtën e këtij viti.

Sepse një Kuvend pa opozitë dhe debat parlamentar nuk mund të funksionojë dhe këtë e di edhe pushteti aktual kosovar sado që shtiret kinse gjithçka është në rregull.
Pse vendimet e kësaj partitokracie janë jolegjitime dhe të rrezikshme për vendin?

Kërkesa e Listës Serbe për një komunë të re serbe në Kosovë, të njëmbëdhjetën me radhë, ndonëse nuk është e re, duket se ka qenë kusht i Listës Serbe për ta votuar Hashim Thaçin për kryetar shteti. president të ri të Kosovës, thonë zyrtarët e Ekzekutivit të vendit.

Pra, serbët kanë kërkuar për këmbim komunën e re që do t’i përfshinte fshatrat: Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, të cilat aktualisht u takojnë komunave të Vushtrrisë dhe Obiliqit.
Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çmos që serbët të ndihen në Kosovë, si në shtëpinë e vet, por për këtë lypet besnikëri dhe lojalitet për shtetin e ri, pra serbët kosovarë duhet që të orientohen nga Prishtina dhe jo nga Beogradi.

Në këtë aspekt, kjo është në rregull. Mirëpo, kur bëhen kompromiset e tilla, duhet parë historinë e tyre; se a janë bërë për ta marrë votën e tyre për zgjedhjen e zotit Thaçi për president të vendit, apo vërtet ky kompromis është bërë për hir të integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Nga këto kompromise duhet të përfitojë edhe pala tjetër, dhe në këtë rast serbët si këmbim duhet të zotohen se do ta japin votën e vet për themelimin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës, që e pret votën e dyfishtë në Kuvend (votën e komunitetit serb.)
Ngritja e çështjes së themelimit të komunës së re me shumicë serbe dhe zgjedhja e Thaçit për president të ri mund të jenë rastësi, por është krijuar përshtypja se ekziston kompromisi. Dhe në rast se nuk ka reciprocitet, atëherë kompromiset e tilla janë për pushtet personal dhe jo për të mirën e vendit.

Ky është vetëm një shembull se marrëveshjet tripartite (partitokracia) ashiqare janë jodemokratike dhe madje të rrezikshme për vendin.
Mbetet të shihet nëse përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës janë të gatshëm të bëjnë kompromise dhe t’i kthejnë favoret, apo ato do t’i përdorin për vete dhe për ta forcuar ndikimin e Beogradit në Kosovë, e jo të Prishtinës tek serbët e Kosovës.
Në situatën e dhënë duket se zgjedhjet e parakohshme janë në prag.

Porse, zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhje pa marrëveshje politike mes pushtetit dhe opozitës dhe pa reformën paraprake zgjedhore.
Zgjedhjet janë të domosdoshme, për ta rikthyer legjitimitetin e pushtetit dhe për t’i dhënë zgjidhje krizës politike që po zgjat pothuajse dy vjet.

Ato duhet të mbahen në shator-nëntor 2016 dhe për këtë tashmë është bindur edhe koalicioni qeverisës. Mirëpo në diskutimet për zgjedhje të parakohshme me opozitën, ajo duhet të punojë bashkë me partitë në pushtet që me urgjencë të amendamentohet Kushtetuta për reformë të mirëfilltë zgjedhore, për zgjedhjen e presidentit të vendit me votën e drejtpërdrejtë nga populli dhe mbi të gjitha për një shpërndarje të guximshme dhe imediate të pushteteve, pra për shpërbërjen e partitokracisë dhe etablimin e demokracisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...