Gjykata Kushtetuese nuk është pushtet

22 Gusht 2014 - 08:45 - Halil Matoshi      

Gjykata Kushtetuese nuk është pushtet që buron nga sovrani (madje nuk është as gjykatë e rregullt), por është vetëm një zyrë për interpretimin e Kushtetutës, por jo edhe të rregullave të lojës politike, siç janë marrëveshjet ose procedurat në Kuvend (me procedurat duhet të merret Komisioni për imunitet dhe mandate.) Prandaj kjo Gjykatë nuk do të mund të vendoste në favor të PDK-së

Ngërçi politik që e ka kapërthyer Kosovën aktualisht është i fabrikuar nga PDK-ja dhe mekanizmat e saj, përmes të cilave e ka kapur shtetin.

Nëse në demokraci parimi i shumicës parlamentare është njëherësh kryeparim, atëherë kjo shumicë parlamentare ekziston, pra Kosova ka mundësi për t’i krijuar institucionet e saj demokratike të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

Pos nëse këtë e pengon Enver Hasani për hesape të PDK-së!?
Mirëpo, në këso situate koalicioni LDK, AAK dhe Nisma (LAN) me mbështetjen iniciale të lëvizjes “Vetëvendosje” po ballafaqohet me obstruksionet e PDK-së, e cila synon që me zor të hyjë në një Qeveri gjithëpërfshirëse (madje në PDK u lansua edhe mundësia e një Qeverie teknike) ose ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme (objektivisht duhej të cilësoheshin zgjedhje të jashtëzakonshme, por këtë postulat nuk e përmban Kushtetuta e Kosovës, e cila është shkruar kryesisht nga eksponentë të PDK-së, pra duke ia përshtatur natyrës së saj për dominimin e pushtetit politik, si zëvendësim për një pushtet revolucionar.

Dhe tashmë pothuajse hapur eksponentët kryesorë të kësaj partie po deklarohen se nëse ata nuk e marrin postin e të parit në Kuvend, vendin do ta shpijnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Por a janë zgjidhje zgjedhjet e reja të parakohshme?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë zgjidhje për ngërçin politik, në të cilin e ka futur vendin PDK-ja, duke dashur që me çdo kusht ta ruajë pushtetin përkatësisht influencën dhe dominimin mbi shoqërinë dhe shtetin e kosovarëve.

Dhe, nëse PDK-ja ngul këmbë për zgjedhje të reja, atëherë do të flasë faktori ndërkombëtar, që mrekullisht ka qëndruar anash këtij procesi deri më tashti.

Dhe natyrisht se do t’u thotë “jo” zgjedhjeve të reja.
Tek atëherë do të “dorëzohet” Hashim Thaçi, i cili, duke tubuar fuqi joracionale përreth vetes, shoqërisë së cilës i takon dhe shtetin të cilin e drejton, nuk i bën fare hesap, pos faktorit ndërkombëtar, sepse ai e di se me ndihmën e tyre u ngjit në pushtet dhe ai po ashtu e di se faktori ndërkombëtar në Ballkan shpesh, ose kur i është dashur, edhe ka fundosur njerëz të pushtetshëm!?

Mirëpo, PDK-ja si parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 8 qershorit, duke qenë e vetëdijshme se asnjë subjekt politik, grup apo parti nuk e preferon në bashkëqeverisje, qëllimshëm dhe për inat e ka bllokuar tërë sistemin duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila, në mungesë të marrëveshjeve politike, po shërben si një “pushtet despotik”, të cilit duhet drejtuar për gjithçka.
Kjo Gjykatë së këndejmi nuk është pushtet që buron nga sovrani (madje nuk është as gjykatë e rregullt), por është vetëm interpretuese e Kushtetutës, por jo edhe e rregullave të lojës politike, siç janë marrëveshjet, por ja që marrëveshjen trepalëshe (Thaçi, Mustafa, Pacolli) për zgjedhjen e Atifete Jahjagës për kryetare të Republikës e ka komentuar duke dhënë verdiktin në favor të mandatit të plotë të saj!?

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese, me shtyrjen e afateve deri në limite kushtetuese (seanca dëgjimore më 21 gusht, ndërsa vendimi eventual deri më 18 shtator) dëshmoi se synon t’i blejë kohë PDK-së që ndërkohë, ose të bëjë pazare politike me deputetët eventualë, ose të ndikojë që koalicioni opozitar të përçahet. Nëse gjatë kësaj kohe nuk ndodh asgjë, atëherë PDK-ja nën kërcënim të stabilitetit politik të vendit dhe me ndihmën e Gjykatës Kushtetuese mund ta shpjerë vendin në zgjedhje, që kapin një kosto prej mbi 5 milionë eurosh.

Por – gjyqtarëve të Kushtetueses dhe palëve që kanë kontest dua t’ua shtroj pyetjen – çka nëse numrat dalin të përafërt edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme?

A do të thotë kjo që vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa herë që PDK-ja nuk mund të ndërtojë Qeveri?

Jo. Bllokut opozitar duhet lënë duart e lira t’i ndërtojë institucionet e reja, sepse thjesht ia ka dalë t’i bëjë numrat e duhur, pra shumicën parlamentare!

Mirëpo, dërgimin e Kosovës në një palë zgjedhje tjera të jashtëzakonshme mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese, nëse i jep të drejtën PDK-së për ta marrë postin e kryekuvendarit, për çka partia e Hashim Thaçit nuk i ka numrat në Kuvend.

Kësisoj, blloku opozitar LAN, tashmë ka deklaruar se nëse vendi shkon në zgjedhje ata do të konkurrojnë me një listë të përbashkët.
Skeptikët qysh tashti flasin për çarje eventuale gjatë komponimit të një liste unike, mes liderëve dhe elektorateve të këtyre tri subjekteve politike.

Konkurrimi me një listë të përbashkët nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese dhe PDK-ja e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme është imediat dhe kjo mund të sjellë tek dy konkludime.

E para, duke qenë se është krijuar një masë kritike në vend për ta çuar PDK-në në opozitë, qytetarët e Kosovës mund të votojnë masivisht për koalicionin LAN, mirëpo mund të ndodhë edhe versioni që e kemi tash si fakt të zgjedhjeve të 8 qershorit, që PDK-ja sërish të dalë fituese relative, por që koalicioni LAN me Lëvizjen VV dhe komunitetet joshumicë të bëjnë shumicën në Kuvend?
A do të thotë kjo së sërish mund të kemi bllokadë? E mundshme!
A do të ishte avantazh apo disavantazh për bllokun lista e përbashkët?

Ndodh që anëtarësitë e këtyre subjekteve edhe të lëvizin duke qenë të pakënaqur me partnerët e koalicionit të madh, mirëpo kjo është hipotetike...

Tash për tash LAN është alternativa e vetme politike në Kosovë, që mund të bëjë ndonjë ndryshim pozitiv, duke mësuar nga gabimet e PDK-së në qeverisjen dymandatesh dhe qytetarët kosovarë janë të vetëdijshëm për këtë...

PDK-ja tashmë ka deklaruar se nëse do të shkojnë në zgjedhje të reja të parakohshme, ata do të hyjnë në një listë të përbashkët me AKR-në e Behgjet Pacollit, për t’u krijuar kështu dy blloqe të fuqishme në garën për pushtet në Kosovë
Po cila është sot AKR-ja?

Ky subjekt politik ekziston “me gjysmë shpirti” vetëm në ato komuna ku kandidatët e saj i kanë fituar zgjedhjet vendore dhe janë prefekt komunash.

Kjo parti politike ende pa u mbajtur zgjedhjet po e humbte fuqinë dhe me gjasë do të avullohet ndërkohë.
Në këtë parti s’ka qëndrueshmëri.

AKR-ja ka mbijetuar vetëm duke qenë se themeluesi i saj kishte para (shumë para!) dhe se ishte në koalicion me Hashim Thaçin në qeverisje, përndryshe do t’i vihej dryni qëmoti.

Kurse partitë proislame që ishin në koalicion me PDK-në më 8 qershor përfundimisht do të jenë të papranueshme në koalicion me PDK-në (për elektoratin e PDK-së) në zgjedhjet e ardhshme eventuale, pas valës së arrestimeve të dhjetëra personave të dyshuar se kanë lidhje me organizata terroriste proislamike.
Pra PDK-ja nuk i ka punët mirë edhe nëse shkohet në zgjedhje. Është “maturuar” për opozitë.

Sido që të jetë, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta vonojë përgjigjen pafundësisht, ngase po u afrohemi limiteve kushtetuese (18 shtator) sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Dhe duke i pasur parasysh praktikat e mira të demokracive evropiane, atëherë Gjykata Kushtetuese do të duhej që të mos e pengonte koalicionin e madh për t’i ndërtuar institucionet e reja, duke e dërguar PDK-në në opozitë. Përndryshe, do të jetë përgjegjësi e madhe dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme me kast, ngase në zgjedhje të reja do të shkohej logjikisht vetëm nëse asnjëra palë nuk do të mund t’i arrinte numrat e duhur në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe për votimin e Qeverisë së re, për çka duhen 60 + 1 votë.

Në këtë situatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, cok duhet të jetë në favor të bllokut LAN me gjithë influencën e fuqishme politike që e ka PDK-ja mbi këtë institucion.

Dhe nëse në këtë vend ka ende njerëz dhe institucione racionale dhe kredibile, atëherë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në favor të bllokut opozitar, sepse Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i komentojë marrëveshjet politike të palëve dhe as krijimin e grupeve parlamentare sipas vullnetit të lirë të deputetëve, sepse deputetët janë entitete të pavarura politike.

Ata janë të zgjedhurit e popullit përmes votës direkte (Kosova është një zonë e vetme zgjedhore!), prandaj me t’u certifikuar zgjedhjet, sipas Kushtetutës së Republikës deputetët nuk i nënshtrohen asnjë autoriteti ose diktati tjetër, së këndejmi as Gjykata Kushtetuese nuk mund të interpretojë se cili është grupi më i madh parlamentar.
Objektivisht Gjykata Kushtetuese nuk është dashur fare ta pranojë pretendimin e PDK-së, për arsye të thjeshtë se kjo Gjykatë nuk ka autoritet që të merret me procedurat e një pushteti tjetër (siç është Rregullorja e punës së Kuvendit), ngase me procedurat në Kuvend dhe me Rregulloren e punës e ka të drejtën të merret vetëm Komisioni parlamentar për mandate dhe imunitet.

Në anën tjetër, në mungesë të marrëveshjeve politike, mes subjekteve politike që kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, Gjykatës Kushtetuese sikur po i jepet një rol që nuk e ka në demokracitë parlamentare.

Duke iu drejtuar për gjithçka, kjo Gjykatë e menduar vetëm për të interpretuar Kushtetutën, por jo edhe marrëveshjet politike, sikur po shndërrohet në një “pushtet despotik” - duke u ngritur mbi vullnetet politike dhe mbi vullnetin përfaqësues të deputetëve të zgjedhur.
Madje duke prodhuar edhe precedencë të rrezikshme për të ardhmen.

Kosova është nën presionin permanent të bashkësisë ndërkombëtare, e cila zaten ia ka bërë të qartë lidershipit kosovar se nuk mbështet zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, që t’i ndërtojë me urgjencë institucionet e reja të cilat do të ballafaqohen me një varg sfidash vitale për vetëqenien e shtetit, siç është liberalizimi i vizave, krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, krijimi i Gjykatës së Veçantë për krimet e pretenduara të UÇK-së, dialogu me Serbinë dhe serbët kosovarë dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të jetë një sfidë tepër e rëndë për rendin kushtetues-juridik të vendit, si dhe kthesa në ekonominë e rrënuar kosovare…

Prandaj, duke pasur parasysh këta faktorë zgjedhjet e reja nuk janë opsioni, së paku nuk janë opsion i mirë për Kosovën, natyrisht zgjedhjet do të ishin opsion vetëm për të shmangur përplasjet eventuale politike në rrugë, që do ta cenonin stabilitetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Kosova ende është në limitet e kohës kushtetuese, porse ngërçi politik që e ka pllakosur vendin po e detyron Qeverinë në detyrë që të bëjë shkelje të njëpasnjëshme kushtetuese, sepse duke qenë se Hashim Thaçi dhe shumica e ministrave të tij janë betuar si deputetë të Kuvendit, prandaj ata nuk kanë të drejtë sipas Kushtetutës që të kryejnë detyra tjera në Ekzekutiv. Vendimet që merr Qeveria në detyrë (qoftë për projekte kapitale, siç është autostrada Prishtinë-Shkup, qoftë për punësimin e njerëzve do të jenë vendime politikisht lehtë të kontestueshme.

Në anën tjetër presidentja e vendit, ndonëse legale (por me legjitimitet të brishtë) po sillet si vëzhguese pasive, duke mos e ushtruar detyrën e saj kushtetuese, në garantimin e funksionimit të institucioneve demokratike si dhe në mirëmbajtjen e unitetit të popullit, duke i kontribuuar kështu edhe personalisht ngërçit politik.
Afërmendsh se në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të shkohet vetëm nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë PDK-së në pretendimet e saj për ta marrë postin e kryekuvendarit, për çka kjo parti nuk i ka votat e duhura në Kuvend.

Ashiqare zgjedhjet i konvenojnë PDK-së, porse i marrin kohë të çmuar shtetndërtimit dhe kanë një kosto prej mbi 5 milionë eurosh, duke mos llogaritur financat e partive politike, fushatën elektorale dhe kohën e humbur kot...

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...