Si të ndihmohet opozita të dalë nga pafuqia dhe frustrimi?

11 Mars 2016 - 08:20 - Halil Matoshi      

Vetëm aktet e dhunës e mbajnë në këmbë Qeverinë Mustafa-Thaçi. Dhe këtë kënaqësi atyre po ua jep Lëvizja Vetëvendosje, duke qenë sefte e rreshtuar kundër Gjykatës Speciale, përkatësisht duke qenë levë për aplikimin e “Flamujve të rremë” nga milicitë sekrete dhe duke u shfaqur e dhunshme pa asnjë arsye…

Një vend pa opozitë demokratike është i pajetueshëm.
Prandaj sfida e shoqërisë kosovare është që ta ndërtojë dhe fuqizojë një opozitë civile, jo duke e bërë atë të fajshme për çdo gjë që nuk ecën mbarë, por duke e ndihmuar atë të ec…
Kur Albin Kurti mbajti atë fjalimin frymëzues në Kuvendin e Kosovë, ditën kur po zgjidhej Kryetari i shtetit, linte përshtypjen se kauza e tij e drejtë ishte afër të jetësohej, sado që opozita kosovare vuan sëmundjen e pushtetit paraprak: mungesën e kërkesave të qarta politike, duke abuzuar me kauza etnonacionaliste sa për homogjenizimin e turmave përreth nacionalizmit shqiptar në përballje me rreth 35 mijë serbët e mbetur pas luftës së Kosovës!?

"Ne jemi të vendosur që të protestojmë, ne do t’ju ndalim dhe natyrisht ne do të kemi sukses, sepse Kosova është atdheu ynë i vetëm. (...) Amerikën e shoh si frymëzim e sovranitet, kurse ju qeveritarët e shihni me frikë” – po thoshte Kurti për t’i ngrohur zemrat e atyre qytetarëve të edukuar të Republikës, mirëpo kjo zgjati aq pak, sa që njerëzit nisën të stepen.

Si është e mundshme që një organizatë që ka shumë mendje e dije të jetë kaq shkurtpamëse, egërsisht nacionaliste, madje shpesh duke e gërshetuar të majtën ekstreme me nacionalizmin!? Së këndejmi nuk kaluan as dhjetë ditë e Lëvizja e Kurtit rrëshqiti sërish në dhunë – duke përmbysur kamionë në akset kombëtare rrugore – gjë që mund të kualifikohet si akt terrorist dhe e shfaq këtë organizatë ashtu siç dëshiron pushteti, të dhunshme dhe antiperëndimore!
Ashiqare vetëm shfaqjet e dhunshme të Lëvizjes vetëvendosje! e mbajnë këtë pushtet në këmbë.

Duke qenë tërë jetën në anën e opozitës, duke i dhënë krahun modest të dobëtit - qe nuk ka thonj e pushtet personal – nuk mund as sot të jem me furdexhiun dhe komandantat me alltia n'brez!
Pra, logjikisht do të duhej të isha me opozitën, porse ajo nuk i përmbush as kërkesat e mia politike dhe as synimet e mia liberaldemokratike…
Protesta e 17 shkurtit, e padhunshme dhe masive, të jepte shpresë se ajo po shndërrohej ngadalë në rezistencë civile, gjë që e kanë mbështetur shumë zëra kritikë kosovarë, në këta dhjetë vjetët e fundit.

Mirëpo mu në momentin e kthesës, opozita dhe VV-ja në vend se të ishte shumë e kujdesshme dhe e përgjegjshme dhe mbi të gjitha t'i thoshte jo dhunës dhe përplasjes, ndodhi hataja!?
Një maune me mallra që vinte nga drejtimi i Serbisë rrokulliset nga aktivistë të VV-së, gjë që e ngjyros organizatën e vetme politike të spektrit të majtë në Kosovë me nuanca fashiste…

Nuk jam pajtuar gjithherë me konceptet e Albin Kurtit për politikën, duke shprehur në publik mospajtimet e mia, edhe atëherë kur opozita po kalonte çaste të vështira, duke mos e kursyer nga kritikat edhe për gjëra më të vogla, me tone ideologjike.
Mirëpo, këto mospajtime nuk më pengonin që të shprehja mirënjohjen time publike për fjalimin e tij të fundit në Kuvend, që ishte frymëzues dhe me ide e kërkesa të qarta politike, hiq rikthimin tek dy kauzat tashmë të popullarizuara, për demarkacionin dhe Asociacionin, me të cilat nuk jam pajtuar asnjëherë dhe madje, pandehja se edhe vet opozita, përkatësisht VV-ja do t’i braktiste shpejt!?!

Nuk kisha asnjë dyshim se po të bëheshin së bashku tërë anëtarësia e PDK-së, LDK-së dhe ata të Listës Serbe si dhe krejt profesorët pran tyre, që e kanë korruptuar dhe në fund prostituuar dijen, nuk do të mundeshin kurrë të bënin një fjalim të tillë të denjë për një deputet, me kërkesa politike të qarta, që nga viti 1924 kur në Parlamentin shqiptar kishte mbajtur fjalimin famoz Fan S. Noli.
Kisha uzdajë se Albin Kurti së këndejmi nga ajo ditë ia kishte vënë supin Republikës së brishtë, që po dridhet nën këmbë komandantësh që për ta mbrojtur pushtetin e tyre personal janë në gjendje ta çojnë atdheun e kosovarëve buzë greminës.

Mirëpo, pas dhunës së grupeve militante përreth Kuvendit, ditën që Hashim Thaçi duhej të zgjidhej për lryetar të Kosovës, dukej se opozita sillej e thyer, e pashpresë dhe aq e frustruar
sa që çfarëdo shprese se kjo opozitë mund të rrëzojë këtë autokraci të shndërrohej në një tymnajë që regëtinte dhe shpërbëhej duke udhëtuar bashkë me erën e Prishtinës!?
Pasi që, disa herë isha sulmuar nga aktivistë të VV-së në rrjetet sociale (madje dhe në portalet që i kontrollojnë) pse isha fotografuar me njerëz të LDK-së në përvjetorin e ikjes në amshim të ideatorit dhe themeluesit të shtetit të pavarur kosovar, Ibrahim Rugova, natën e tretë të protestës, dola te sheshi “Skënderbeu”, ku ata kishin ngrehur çadrat.

Dhe natyrisht nuk u shmanga nga kornizat e një fotografie.
Thjesht aty në shesh lehtas do të mund të ishin fëmijët e mi.
Dhe më thjesht, aty ishin bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret.
Porse, pas kësaj fotografie në grup, i kisha shkruar disa propozime për opozitën dhe veçmas për VV-në, e të cilat, pas fjalimit të Kurtit më bëhej se po zinin vend në letrat politike të tyre.
Isha i bindur (politikbërjen e shoh si profesion fisnik si te “Princi” i Machiavelit, ndonëse aq i abuzuar, i keqcituar e i keqkuptuar) se opozita duhej të hiqte dorë nga ato dy kauzat e konsumuara tashmë dhe të kalonte në kërkesa të qarta politike dhe popullore, por jo populliste;
Jo kundër, por për diçka!

Për ta shndërruar tërë këtë energji në një alternativë qeverisëse në të mirë të qytetarëve;
Për frenim të korrupsionit dhe për sundim të ligjit;
Për shkollë e shëndetësi cilësore…
Pata propozuar që opozita të bënte një deklaratë të përbashkët publike, për t’u dhënë qytetarëve kosovarë një ofertë, një kontratë të re mes tyre dhe shtetit.

1. Opozita e pranon Republikën e Kosovës - përhershmëninë e saj - dhe rendin e saj simbolik (flamurin, stemën, himnin...);

2. Angazhohet për miqësi të sinqertë me Perëndimin, me BE-në e veçmas i ruan të palëndueshme marrëdhëniet shumë të ngrohta me Amerikën dhe fton që tani (bëhej fjalë për kohën e protestës) ambasadorin amerikan Delawie në bisedë me çaj, qoftë edhe në tendë!

3. Angazhohet për shtet qytetar dhe demokratik, për sundim të ligjit dhe shoqëri të individëve të lirë e të shanseve të barabarta, pra angazhohet për deetnizim të shtetit dhe respekton pakicat dhe të drejtat e ligjshme të tyre;

4. Angazhohet për ndërrimin e mendësisë qeverisëse dhe ndërrimin e Qeverisë, por jo për përmbysjen e sistemin politik dhe rendit kushtetues me dhunë!

5. Thërret pushtetin në bisedime për me e çue vendin paqësisht në zgjedhje të parakohshme me marrëveshje (sipas modelit të Maqedonisë);

Njëherësh refuzon çfarëdo lloj hakmarrjeje dhe zotohet se njeh rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht se kush del fitues i votës popullore;

6. Ndërkohë, pajtohet për një qeveri teknike transicionale (ose gjithëpërfshirëse) deri në legjitimimin e pushtetit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e lira dhe fer.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës do të pajtohej që:
Qeveria duhej ta pranonte sfidën e zgjedhjeve të parakohshme (për vjeshtë të
2016-s ose pranverë 2017) si i vetmi mjet legal demokratik për t’i dhënë zgjidhje krizës politike pothuajse dyvjeçare, në vend;
Të aboloheshin nga Presidentja në detyrë të gjithë veprimtarët opozitarë për aktet që binin ndesh me ligjin e që ishin kryer gjatë protestave;

Të shkarkohej Komisioni shtetëror për demarkacionin dhe të ngrihej me urgjencë një Komision mikst vendor e ndërkombëtar, me opozitën dhe shoqërinë civile për rishikimin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, pas deklaratës gjeneroze të kreut të këtij shteti se ishte gati të pranonte çdo korrektim;
Që opozita të përfshihej në hartimin e Statutit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses dhe në bazë të Marrëveshjes së parë të vitit 2013;
Të shkarkoheshin të gjitha bordet e kompanive publike dhe të riniste emërimi i tyre me paritet me opozitën;

Mirëpo, njerëz të profesionit dhe jo vetëm të afërt me pushtetin siç i cilëson VV-ja të gjithë ata që nuk janë ithtarë të tyre, po më thoshin se VV-ja më parë e pranon “Zajednicën” (emërtim në serbisht për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, që VV-ja po e përdor në gjuhën serbe, për efekte mobilizuese të nacionalizmit shqiptar) dhe Thaçin për kryetar Kosove, sesa të pajtohej me këto propozime!?
Porse asnjë zhvillim pozitiv ndërkohë nuk ndodhi që rrjedhat të merrnin kahe pozitive.
Nën shtetrrethim dhe me procedura të kontestueshme në formë e përmbajtje zgjidhet kryetari i shtetit, një njeri si Thaçi, që e ka qeverisur vendin me kleptokraci e politika mujshare dhe e ka përçarë deri në shpërbërje këtë shoqëri.

Kryeministri grindavec Isa Mustafa vazhdon me fyerje e të fala tallëse ndaj opozitës, grave e burrave, medias e gazetarëve, duke shënuar kështu qeverisjen më kontroverse të Kosovës që nga paslufta e këtej, e ndoshta edhe që nga viti 1974, kur ajo kishte një autonomi substanciale në federatën jugosllave.
Pas rrotullimit të një kamioni me mallra nga Serbia në një nga akset rrugore të rëndësisë nacionale, që i përshkruhet me bazë VV-së, Kosova po barazohej me vendet bandite ku piratët të zënë pritë e të plaçkitin një Iphone ose një xherdan ari, ku vriten turistët e huaj për shkak të fesë, kombit, ideologjisë…

Mirëpo, shfaqja së fundi e fenomenit të djegies së veturave zyrtare ose private të politikanëve dhe grave të tyre (pos njeriut edhe prona është e shenjtë në shoqëritë demokratike), ndonëse ende akte të pazbardhura nga hetuesia, e bën të dyshojë secilin njeri që dallon aksionet konspirative sipas modelit të “Flamujve të rremë” se këto akte po i kryen faktori ‘x”, që rëndom del të jenë shërbimet sekrete.

Nëse këto akte del se nuk i ka kryer Lëvizja Vetëvendosje!, ose nëse ato nuk zbardhen asnjëherë, re të zeza bien mbi shtetin dhe mekanizmat e tij të sigurisë.
Ndërkohë që kreu i VV-së duhet qartë të distancohet nga dhunimi i pronës dhe aktet që mund të karakterizohen si terroriste - përndryshe - dikush që e ka shpikur dhe influencuar këtë "metodë politike" po e drejton këtë lëvizje kah fundi i saj i shpejtë dhe i domosdoshëm!???
Këtë herë adresën e fajtorëve duhej kërkuar tek pala që i konvenon dhuna, për t’i mbajtur levat pushtetit dhe që e duan fundin e VV-së!???

Nëse vërtet VV-ja mësyn pushtetin politik me metoda të tilla fashiste, atëherë kreu i saj duhet të reflektojë dhe më e pakta të kërkojë falje publike para qytetarëve të Kosovës për të premtuar një fillim të ri.
Nëse policia (organet e ndjekjes dhe ato hetimore) nuk i zbardh shpejt këto raste dhe fajtorët t’i nxjerr para drejtësisë, shteti do të mbetet adresa e krimit!
Ndërkohë, e lodhur, e në mungesë të ideve kreative, e pandikuar në rrjedhat e shoqërisë dhe e frustruar (për çka mund të kihet mirëkuptim në këto rrethana), Lëvizja Vetëvendosje! vazhdon të shpikë pandalshëm armiq edhe atje ku nuk janë, sikur tek "Shkretëtira e Tartarëve" e Dino Buxatit.

Në vend se ta afrojë qytetarinë aktive kosovare me idetë dhe kërkesat e saj politike, aktivistë të VV-së vazhdojnë të lexojnë shkrime gazetarësh dhe opinione analistësh me sy paranojakë prej polici, si në epokën kur PDK-ja ishte opozitë!?
Ngjashëm e lexoi së fundi edhe Driton Çaushi një postim timin në rrjetet sociale.
Në të cilin po thosha diçka që duhej të shkonte në favor të VV-së, pra po hiqja dyshime se prapa aktit terrorist të djegies së veturave qëndron shteti, përkatësisht mekanizmat shtetërorë të kapura nga pushteti.
Mirëpo, errësimi i mendjes i mobilizon disa nga aktivistët e VV-së për të fabrikuar sa më shumë armiq, ndoshta edhe duke i kthyer miqtë kundër vetes!?
Nuk do të ishte e rëndësishme as për gazetë, po të ishte në pyetje ndonjë militant egërshan dhe i verbuar ideologjikisht i VV-së (nga ata të "batalionit që kujdesatrojnë mbi moralin publik" në InterNet, që e sponsorizon VV-ja) porse kemi të bëjmë me njërin nga drejtuesit e kësaj organizate.

Qe qysh e interpreton Çaushi i VV-së, postimin tim: “Përveç lajmit për djegien e veturës së z. Beqirit, pashë në disa portale që analisti Halil Matoshi ende pa pasur as edhe një deklarim të policisë dhe organeve përgjegjëse e ka lidhur këtë akt me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Kjo lidhje përveç që është një spekulim i pabazuar nga z. Matoshi, njëkohësisht është dashakeqe, duke ditur që Lëvizja çdoherë aksionet e aktivitetet e veta i ka publike dhe i shoqëron me komunikatë, foto e video (siç ishte rasti te rrotullimi i maunës me mallra serbe, aksion që erdhi pas ndalimit të librave shqip për shkollat në Luginë). Do të kërkoja më shumë përgjegjësi prej personave që flasin për publikun e gjerë, sepse ne asnjëherë nuk bëjmë aksione tinëzare. Aktivitetet tona kanë qenë, janë dhe do të jenë publike.”

Së pari Çaushi e pranon se maunën e kanë shty në humnerë aktivistët e VV-së.
Pra ai pranon se VV-ja po i rikthehet ciklit të dhunës.
Dhe e dyta, ai i bën një keqlexim i skajshëm versionit tim për djegien e veturave.
Ai nuk e kupton se “Flamujt e rremë” është modeli më i përhapur i shërbimeve sekrete, kur për një akt dhune të kryer “kopjohen” metodat e kundërshtarit politik, madje dhuna kryhet nën “firmën” e rivalit, thjesht për komprometimin e kauzave dhe delegjitimimin e oponencës politike në sy të publikut.

Duke qenë se shumë gjatë njerëzit e kësaj organizate kanë shikuar kah humnera, ajo tashti ka nisur të shikojë drejt tyre.
VV-ja edhe vetë ka rrëshqitur në konspiracion.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...