Fituesi i madh Albin Kurti

13 Qershor 2014 - 08:33 - Halil Matoshi      

Fitoren e Pirros të Hashim Thaçit, lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e shndërroi në humbje përfundimtare. Për këtë bravo i qoftë! Pikërisht kjo që ndodhi sot, më 10 qershor 2014, e ka peshën ikonike të çlirimit të dytë të Kosovës, duke e kujtuar fjalinë po aq ikonike të George W. Bushit, që e pati thënë botërisht më 10 qershor 2007 në Fushë-Krujë: “Çka është mjaft, mjaft është, Kosova është shtet i pavarur!”

Fitorja e “Misionit të ri” të Hashim Thaçit dhe koalicionit të PDK-së, në zgjedhjet e 8 qershorit, në vend të relaksit në vend shkaktoi ngërç total, por ai qëndroi në piedestal vetëm 48 orë, sepse Albin Kurti, duke hequr dorë nga egoizmat dhe bajraktarizmat tradicionale shqiptare ai doli ta bashkojë opozitën në bllok, për t’i thënë “jo”-në përfundimtare defigurimit të qytetarisë kosovare, për t’i thënë “jo” zhvatjes dhe frikësimit, korrupsionit dhe nepotizmit, për t’i ndihmuar Kosovës që t’i nxjerrë në pah vlerat e vërteta, përkushtimin atdhetar, dijen dhe përgjegjësinë.

Albin Kurti e luajti perfekt rolin e liderit modern, duke u hedhur në ofensivë për t’i instaluar vlerat e patriotizmit ligjor në këtë vend që po rrokullisej drejt ambisit. Kurti ndikoi ashiqare që askush nga liderët e subjekteve politike jofituese të mos i hajë fjalët e veta!
Në këso situate partitë jofituese mund ta ndërtojnë një qeveri të qëndrueshme, paçka që Albin Kurti me ndërgjegje e ka ruajtur pozicionin e tij prej opozitari të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës. Dua të besoj se mandatari Ramush Haradinaj do ta bëjë një qeveri teknokratësh të ditur e jo një qeverisje prej të ligjve, gjë që e përjetoi vendi qe dy mandate.

Marrëveshjet politike janë legjitime dhe nuk i ndalon Kushtetuta e vendit (rikujto zgjedhjen e presidentes së Kosovës përmes një marrëveshjeje politike të tre liderëve politikë), sepse secili deputet është autonom dhe ka të drejtë që pas zgjedhjeve të zgjedhë nëse do të jetë në partinë me të cilën është zgjedhur apo të kalojë në ndonjë parti apo koalicion tjetër. Fuqia politike matet në Kuvend dhe nëse aty dëshmohet se është krijuar një shumicë e re pas certifikimit të zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit, atëherë presidentja e vendit duhet ta respektojë këtë shumicë dhe ta propozojë mandatarin nga radhët e saj.

Ndonëse neni 95 i Kushtetutës po interpretohet me dilema nga aktorë të ndryshëm, pika 1 e këtij neni e precizon saktë se “Pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Prandaj konstitucionalistë të verbuar nga ideologjitë partiake nuk duan apo nuk dinë të shohin se presidentja duhet decidivisht ta propozojë mandatarin për krijimin e Qeverisë në konsultim me partinë politike ose koalicionin që i ka 61 vota në Kuvend dhe nuk bëhet fjalë se kush ka dalë fitues relativ i zgjedhjeve (partia e parë), por për atë që e ka shumicën e nevojshme, që del të jetë se koalicioni LDK, AAK dhe Nisma me mbështetje të VV-së e kanë këtë shumicë të nevojshme. Prandaj ku po e shohin interpretuesit e “pallatit të ëndrrave” mundësinë tjetër?

Kjo është vërtet e dhimbshme, për t’u qarë!
sipas të cilit, presidentja e vendit propozon mandatarin nga partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast duhet pasur parasysh se mandatari nga partia fituese nuk i ka numrat në Kuvend, atëherë presidentja e ka për detyrë kushtetuese që brenda dhjetë ditësh ta propozojë një kandidat të ri dhe nëse ajo do ta propozonte për së dyti një kandidat nga partia fituese e zgjedhjeve, ajo do ta shpinte qëllimshëm vendin në krizë institucionale dhe do t’i duhet që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda afatit ligjor prej 40 ditësh.
Nuk duhet prejudikuar roli i zonjës Jahjaga, mirëpo ajo nuk e ka luksin për ta shpënë vendin në krizë institucionale, sepse 377 mijë vota nuk mund t’i nënshtrohen diktatit të saj dhe interpretimeve PDK-iste të Kushtetutës.

Trupi elektoral kosovar ka nxjerrë fitues të zgjedhjeve të 8 qershorit një qervish-koalicion partish e grupesh të përçudnuara (mes maoistësh, ekstremistësh islamë, kombëtaristësh të shekullit 19 dhe demokristianësh pa asnjë parim, as politik as fetar), duke ua dhënë kështu një mundësi të re atyre që gati sa e dështuan shtetin.
Kurti e mbrojti kauzën e drejtë, duke ia vënë gjoksin furtunës që mësynte t’ua zaptonte shtetin qytetarëve, duke ia lënë në duar një kaste batakçinjsh karagjozë, Kurti e mbrojti vetë, por jo për vete projektin më të madh kombëtar që nga viti 1912, dhe projektin më parimor e të drejtë ndërkombëtar që nga fitorja mbi fashizmin më 1945, pra shtetin e pavarur kosovar.

Faleminderit Albin!
Kësaj here Albin Kurti dëshmoi jo vetëm lidership të fortë, por edhe staturë të lartë të një prijësi të një besëlidhjeje të re në kushte moderne, duke mos lejuar përbuzjen e shumicës (që ka mbi 377 mijë vota) nga një pakicë agresive.
Ndonëse qytetaria kosovare e ndëshkoi modelin qeverisës, duke i dhënë Thaçit dhe partisë së tij pak mbi 20 % të votave, sherri këtij vendi të dërrmuar ashiqare i erdhi pikërisht nga këto grupe që helmuan rininë kosovare, duke i shndërruar shumë sish në mercenarë që vriten e vrasin për kauza të huaja, në favor të terrorizmit ndërkombëtar.
Po të ndodhte kjo në Greqinë antike, grekët e urtë do të klithnin: “Kujdes, kali i Trojës është mes nesh!”
Dhe roli i protagonistit negativ në këtë tragjikomedi iu nda një qytetari si Ferid Agani, të cilit i mbetet të reflektojë thellë dhe sinqerisht.

Sipas këtij trendi kundër keqqeverisjes e në mbrojtje të vlerave të përbashkëta europiane, qeverisja e kaluar u trondit edhe nga një dëm tjetër kolateral, duke e nxjerrë jashtë loje AKR-në (që paradoksalisht vazhdon të jetë në zyrat qeveritare – qeveri në detyrë.)
Ndërsa Hashim Thaçit, po ashtu, i mbetet të vuajë shqetësimet e të shpushtetizuarit, për të reflektuar nga opozita, përse ra pre e klaneve familjare e rajonale, përse sundoi me struktura paramilitare e jo me qytetarët e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, përse qeverisjen e ktheu në regjim - për shumicën shtypës - duke ia nënshtruar diktatit të tij secilin segment të kësaj shoqërie të stërlodhur e të stërmunduar.

Unë shpresoj se reflektimi i tij i ndihmon edhe atij vetë edhe partisë së tij për t’u zhveshur nga aura e kërcënuesit të lirisë, të cilën kosovarët e fituan me aq shumë sakrifica dhe të shtrirë aq thellë në kohë.
Thaçi, ndonëse ka dalë i pari me koalicionin e tij, është në pakicë parlamentare dhe pa mundësinë për të qenë mandatar për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, andaj shpejt do të shihet nëse ai do të tentojë që ta “thyejë” këtë besëlidhje të re, duke e kërcënuar stabilitetin e vendit apo do të jetë një politikan konstruktiv përballë atdheut dhe lirisë, me gjithë shpushtetizimin.
Nëse Isa Mustafa disa herë ka deklaruar se nuk do të hyjë kurrë në qeverisje me Hashim Thaçin, kjo besohej se ishte vërtet kurrë!
Nëse Albin Kurti ka apeluar në kontinuitet që të mos bëhet koalicion me Thaçin (madje ka bërë thirrje edhe pas zgjedhjeve që Thaçit të mos i legjitimohet qeverisja e kriminalizuar) atëherë kjo besohej si kurrë!

Nëse Ramush Haradinaj ishte betuar se nuk do të hynte në qeverisje me ata që e kanë dëmtuar vendin dhe nuk do t’i ndihmojë ata, kjo linte të kuptohej se ai, me një burrëri që e shquan dhe me një sinqeritet prej njeriu që edhe mund të gabojë, por që e përmirëson veten gjatë ecjes, të bënte të besosh në fjalën e tij!
Nëse Jakup Krasniqi ia ktheu shpinën “shefit”, sepse ky ia ktheu shpinën gjithkujt dhe gjithçkafit që vlente në këtë vend, për pushtetin e tij personal, pse të mos i besohej!?
Dhe sipas kësaj logjike, të dilte hesapi se liderët e partive opozitare që përfaqësohen në Kuvend do të lidheshin me një be, se nuk do t’ia zgjasin agoninë vendit, duke i lënë fatet e vendit në pak palë duar, në duart e Hashim Thaçit dhe klanit “Pronto.”
Po ashtu të jep kurajë fakti se edhe Isa Mustafa tregoi lidership të njeriut i cili nuk insiston në egocentrizëm, duke ia lënë postin e kryeministrit Ramush Haradinajt, i cili do ta drejtojë një Qeveri teknokratësh të koalicionit të madh nga opozita për një Kosovë europiane, e cila si prioritet e ka çmontimin e regjimit dhe instalimin demokratik të shtetit të së drejtës, sepse Kosova po rrëzbitej nga një kastë politikanësh të kriminalizuar.

Besoj, pikërisht kjo që ndodhi sot, më 10 qershor, e ka peshën ikonike të çlirimit të dytë të Kosovës, duke e kujtuar fjalinë po aq ikonike të George W. Bushit që e pati thënë botërisht më 10 qershor 2007 në Fushë-Krujë: “Çka është mjaft, mjaft është, Kosova është shtet i pavarur!”
Dhe kjo besëlidhje e re sot vlen për interes madhor kombëtar të Kosovës!
Në anën tjetër, shoqëria civile, si dhe media, kryesisht qëndroi drejt (hiç disa llaskucë të paformuar politikisht dhe pa integritet moral e qytetar), duke kritikuar ashpër qeverisjen e Thaçit dhe kapjen e shtetit, pa hezitim, qysh edhe besohet të qëndrojë edhe tash e tutje.
Duke e kritikuar pushtetin për të mos e lënë që të gabojë!
Ashiqare t’i bëheshe tash patericë pushtetit të Thaçit, kjo do të ishte mësymja përfundimtare për ta rrënuar demokracinë dhe liritë civile, për t’ia plaçkitur qytetarit edhe centin e fundit që i ka mbetur nga kursimet dhe për t’i shuar shpresat e qytetarëve për ndryshime dhe këtë mesazh e kuptuan drejt, me përgjegjësi dhe me kohë politikanët jashtë tabanit të Thaçit & Co.
Sepse në këto hapësira, vrapi pas - madje dhe përulja para - burrave të veshur me pushtet po shndërrohej në ves, ndërsa vetëposhtërimi në kulturë!

Dhe këtë psikosemantikë të frymës së kohës e ndali Albin Kurti!
Pse liderët e partive politike parlamentare, këshillat e tyre kombëtare partiake nuk duhej të hynin në koalicion me partinë e Thaçit, me asnjë çmim?
Cili qytetar i edukuar kosovar sot e ndihmon vullnetshëm dështimin e shtetit dhe izolimin e tij ndërkombëtar?
Cili kosovar me ndërgjegje do ta mbështeste stërkeqjen e shoqërisë, pra cili është ai që me vetëdije e shpie atdheun buzë ambisi?
Cili politikan dëshiron që të përfundojë me njollën e tradhtisë ndaj idealeve demokratike, përjetë e mot!

Prandaj duhej t’i thuhej “Jo” Hashim Thaçit!
Hyrja në koalicion me PDK-në do t’u jepte atyre shkëlqimin e fanfarave të çastit, por për një kohë jo shumë të gjatë do t’i bënte ata të vjellin nën këmbët e Thaçit, pastaj do t’i dëmtonin edhe subjektet e tyre politike deri në shkallë të rrudhjes dhe tkurrjes dhe nuk do të kishin se çfarë të lypnin në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbaheshin ato.

A nuk është yrneku më i mirë AKR-ja?
Le të analizohet se si partia e Behgjet Pacollit u përdor nga Thaçi si patericë e pushtetit dhe si u flak në “Recycle Bin”!
Edhe vetë Haradinaj madje nuk e ka përjashtuar mundësinë se afrimi i tij me Thaçin pas kthimit nga syrgjyni do t’ia ketë ulur përkrahjen elektorale AAK-së në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, por edhe në zgjedhjet kombëtare të 8 qershorit, kur humbi rreth 2 % të votave.
Kur analistë dhe opinionistë ia thoshin të vërtetën e hidhur Behgjet Pacollit ai çakërdisej e shfrynte kundër tyre, madje duke i cilësuar si ‘hoshtaplera’ dhe varfanjakë me nga 2 euro në xhep, ndërsa popullisti ‘seherbaz’ Agim Bahtiri u thoshte të çmendur.

E shihni pra edhe këtë çmim e pagoi AKR-ja.
Dhe tash kjo që po e cilësoj si besëlidhje të re, e ka prioritet menaxhimin e shpushtetizimit të PDK-së, përkatësisht trajtimin qytetar të humbësve dhe duke e parandaluar çdo ide për hakmarrje, qoftë edhe verbale.
Albin Kurti si prijatar, me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin sot i kanë shërbyer atdheut të kosovarëve me dinjitet dhe përulësi, kanë dëshmuar urti dhe po ashtu i kanë dhënë vulën një të vërtete të madhe, nuk mund të ketë bashkim rreth ideve të mëdha pa kompromise dhe duke menduar vetëm për pushtetin personal.
Republika po mbrohet nga zaptuesit.
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...