Doktrina “gjaku e trualli” kundër shtetit kosovar

18 Nëntor 2016 - 09:01 - Halil Matoshi      

Dy memorandumet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të iniciuara nga Dobrica Qosiq, më 1984 dhe 2012, kanë pësuar disfatë në Kosovë, falë transformimit të nacionalizmit shqiptar në kosovarizëm dhe jo falë integrizmit proklamativ dhe etnonacionalizmit shqiptar, që rreth idesë së kosovarizmit mendon krejtësisht njëjtë me Beogradin zyrtar.

Memorandumi i parë (1984) mësynte krijimin e Serbisë unike (të madhe) me mjete ushtarake, dhe i dyti (2012), që kishte për qëllim realizimin e projektit serbomadh, përmes mjeteve paqësore, duke nxitur separatizmin në Republika Sërpska dhe duke biseduar me shqiptarët (jo me Kosovën) për një përkufizim paqësor dhe ndarje historike, janë dokumentet më të sofistikuara serbe përgjatë një shekulli kundrejt Kosovës.

Memorandumi i dytë me vetë faktin se kërkon lëvizje paqësore e diplomatike është shumë më i rrezikshëm, mirëpo me pak gjasa për të kaluar, natyrisht, nëse nuk gjenden shqiptarë me të cilët mund të bashkëpunohet me kushtet e doktrinës “gjaku dhe trualli”, përkatësisht rreth ndarjes etnike në Kosovë dhe zgjerimit territorial të Shqipërisë dhe Serbisë, duke flijuar entitetin juridik-politik, Republikën e Kosovës!?

Pra, fuqizimi i kërkesës së shumicës shqiptare në Kosovë për një “Shqipëri etnike” dhe mosinvestimi në deetnizimin e shtetit kosovar, përkatësisht shmangia e sa më shumë shqiptarëve etnikë nga ndjenja e kosovarizmit do të krijonte për pasojë një masë kritike që nuk i jep besnikëri e dashuri shtetit kosovar, që nuk pranon rendin kushtetues dhe simbolik të saj, kjo shihet si interes strategjik i Serbisë në fazën e parë drejt shpërbërjes së shtetit.
Pra, në këtë vazhdim (i treti) do të përqendrohemi në dy memorandumet e Akademisë serbe të
Shkencave dhe Arteve (SANU.)
Memorandumi i Parë është një dokument që e ka edituar Akademia Serbe mes viteve 1985-1986, si program strategjik i intelektualëve zyrtarë serbë të asaj kohe, të prirë nga shkrimtari Dobrica Qosiq.

Dokumentin e kanë hartuar akademikët: Pavle Iviq, Antonije Isakoviq, Dushan Kanazir, Mihailo Markoviq, Milosh Macura, Dejan Medakoviq, Miroslav Pantiq, Nikola Pantiq, Lunisha Rakiq, Radovan Samargjiq, Momir Vikobratoviq, Vasilie Krestiq, Ivcan Maksimoviq, Kosta Mihailoviq, Stojan Çeliq.
Memorandumi në njërën anë mbështetej në kundërshtimin e dezintegrimit të Jugosllavisë, kurse në anën tjetër pretendonte se populli serb duhet të jetë i bashkuar - në një plotëni - dhe të jetojë në një shtet, sepse, sipas akademikëve, serbët në Kroaci i ishin nënshtruar asimilimit.
"Çështja e plotënisë serbe dhe kulturës së tij në tërë Jugosllavinë shtrohet si çështje themelore për ekzistencën dhe zhvillimin e këtij populli“. (Shih te: Grmek i dr., ur., Le Nettoyage ethnique, Fq. 236-269; cituar nga Memorandumi fq. 256, 265. )

Argumenti themeltar i Memorandumit duhej të konsiderohej si entitet primar (themelues i shtetit jugosllav; Mbretërisë SKS) së këndejmi duhet të ketë disa të drejta shtesë, përmbi të gjitha ndarjet gjeografike dhe politike.
Në Memorandum “vajtimi mbi Kosovën“ ndërlidhej me akuzën e hapur se politika e Titos së ndjerë ishte e orientuar për dobësimin e Serbisë.
Ky dokument demonstratat e shqiptarëve të Kosovës të vitit 1981 i cilësonte si „agresion neofashist“, edhe pse ato ishin organizuar nga elementë ultramajtistë shqiptarë (nga grupet marksist-leniniste), duke vënë në pah se në Kosovë po kryhej gjenocid fizik, politik, kulturor dhe juridik mbi banorët serbë.

Duhet vënë në spikamë se shumë vjet më vonë Komisioni i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara këtë dokument të SANU-së e vlerësoi si „mjet për përhapjen e ndjenjave antishqiptare“, pra në këtë raport të Kombeve të Bashkuara, Memorandumi serb shihej si politikë për krijimin e Serbisë së madhe.
Dhe kjo realisht ishte kleçka e parë ku gjithëserbizmi zuri në thua, duke krijuar një klimë kur askush në botë nuk kishte mirëkuptim për serbët.
Ishte ky dokumenti më transparent i nacionalizmit serbomadh (kishte zëra edhe brenda Serbisë që e kritikonin si të tillë. Kështu Latinka Peroviq në një shkrim në E-novine me titull „Pajtimi i serbëve, kroatëve dhe shqiptarëve“ (http://www.e-novine.com/index.php?news=17341) dokumentin e ka krahasuar me Platformën e klubit kulturor serb nga viti 1939.

(Pra, me atë që tashmë njihet si Elaborati i Vasa Çubriloviqit.)
Ndërsa Noel Malcolm në librin „Historia e Bosnjës“ thotë se mësymja për „plotëni“ të popullit serb fundja e luajti rolin kryesor në shkatërrimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe në mënyrë qenësore u ka kontribuar luftërave në ish-Jugosllavi. (http://www.hercegbosna.org/STARO/download-hr/Malcolm_Povijest_Bosne.pdf)
Akademia serbe në bashkëpunim me qarqet ushtarake dhe të shërbimeve sekrete e me miratimin (bekimin) e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) pretendonte se serbët e kishin gjetur „vozhdin“ (liderin) që do t'iu printe në realizimin e objektivave nacionaliste të kësaj platforme, e ai ishte Slobodan Milosheviq, një burokrat i lindur në Pozharevc, që kishte punuar edhe në Bankën Botërore.
Së pari, Milosheviqi eliminoi paraardhësin e tij në Partinë Komuniste serbe, Ivan Stamboliq, (i cili u vra nga Shërbimi Sekret Serb), sepse konsiderohej si kundërshtar i SANU-së dhe i vetë dokumentit, por edhe kundërshtar i tendencave luftënxitëse në Serbi.

Pastaj nisi fushata në terren për realizimin e synimeve të përcaktuara në Memorandum. Heqjen e autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974, Serbia e realizoi fare lehtë më 1989, sepse republikat e tjera dhe Vojvodina e miratuan në heshtje këtë, duke menduar se kështu do të zbutej Serbia dhe do t'i linte ato të qeta.
Mirëpo, në rend dite kishte ardhur „mbrojtja e serbëve dhe serbizmit“ përmes ushtrisë jugosllave - që predominohej nga serbët - në Slloveni, Kroaci, Bosnjë.

Përderisa Mali i Zi dhe Vojvodina kishin rënë pa rezistencë, kurse Maqedonia ishte lënë manash, si aleate e mundshme (në të ardhmen) në qërimin final të hesapeve me shqiptarët etnikë, gjë që nuk funksionoi kurrë, pasi që SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s këtë republikë ish-jugosllave e morën në mbrojtje, madje e përdorën për logjistikë para intervenimit ushtarak ndaj Serbisë, si dhe vend transit për refugjatët kosovarë me 1999!?
Nga tërë “doktrina” e “plotënisë” serbe u arritën tre objektiva themelorë:

I pari, Bosnja u nda dhe u realizua krijesa kriminale e quajtur “Republika Sërpska”, i dyti, Serbia e shmangu luftën nga territori i saj me kundërshtarët e vet, por edhe luftën me trupa tokësore që ishte opsion i NATO-s, dhe i treti, arriti ta ruante administrimin mbi Vojvodinën.
Dhe në fakt, i humbi Malin e Zi dhe Kosovën.
Në anën tjetër, Memorandumi i Dytë i SANU-së (hartuar më 2012 nga Dobriva Qosiq dhe Lubomir Tadiq dhe një grup akademikësh e shkrimtarësh të tjerë), për të cilin asnjëherë Akademia serbe nuk e pranoi autorësinë, porse masat e kreut të Beogradit zyrtar ndaj shteteve fqinje dëshmonin se disa nga pikat e tij po realizoheshin përditë sidomos në Bosnjë dhe më pak në Kosovë, sidomos në infiltrimet e shërbimeve sekrete në ngritjen e aktakuzave (ndonjëherë të montuara) për pjesëtarët e ish-gueriljes kosovare UÇK.

Dokumenti ishte hartuar së pari si “doracak” për Milorad Dodikun dhe së dyti për nevojat e ish- presidentit Boris Tadiq, që ta riorganizonte nacionalizmin gjithëserb në kushte të reja, pasi që Serbia kishte marrë një goditje të rëndë me humbjen ushtarake të Kosovës.
Qëllimet thelbësore të këtij dokumenti ishin bashkimi i Republika Sërpskës me Serbinë dhe de facto ndarja e Kosovës, përkatësisht një përkufizim paqësor me shqiptarët, që në avanskenë presupozon mundësinë që për Kosovën të bisedohet direkt me Tiranën zyrtare, duke e anashkaluar entitetin Republika e Kosovës, të cilin Serbia ishte zotuar se nuk do ta njihte kurrë.
Së pari, si filozofi marksist Tadiq angazhohej për krijimin e dy entiteteve në Kosovë, atë shqiptar dhe serb, mirëpo së fundi ai iu bashkua kryekëput ithtarëve të ndarjes së Kosovës, që ishin grupuar fillimisht përreth Qosiqit që nga vitet ’80 e së voni përreth një të ashtuquajture „kancelari për Kosovën“ në Qeverinë e Serbisë.

Dhe në këtë aspekt, politikëbërësit serbë mbështeten në probabilitetin se mund të gjenden bashkëbisedues në Tiranë, (në këtë drejtim kishte përpjekje që të manipulohej me vizitën e Edi Ramës në Beograd, citimi i pavëmendshëm i Andriqit dhe kureshtja naive për Kusturicën nga ana e tij), por Beogradi llogarit ndihmëtarë edhe në Prishtinë, (qarqet etnonacionaliste), ndonëse disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po vetëdijesohen së voni, ngase po thonë se nëse kusht është ndarja e Kosovës, ata nuk do të jenë për bashkim me Shqipërinë!?
Memorandumi i Dytë ka ndërruar në taktikë, por jo në synime, pasi që është vazhdim i të menduarit hegjemonist që nga “Načertanije” për “serbët të gjithë dhe gjithkund”, pra për një Serbi homogjene gjithkund ku ka serbë.

Ky dokument ashiqare synon, pos të tjerash, edhe zvogëlimin e dëmit në imazh që ia kanë shkaktuar Serbisë luftërat e viteve ’90, dhe mbi të gjitha dekonstituimin e Kosovës si entitet juridopolitik dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare, pasi që nga Kroacia duket se nacionalizmi serb ka hequr dorë përfundimisht.
Për këtë, Qosiq kishte deklaruar më 2012: “Serbët kanë humbur në shekullin 20 katër luftëra, në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, porse duhet të shohin se si në shekullin 21 t’i fitojnë luftërat e humbura”.

Ndërsa Lubomir Tadiq (i ati i Boris Tadiqit, ish-kryetar i Serbisë) thoshte: “Humbjen ushtarake të Sërpska Krajinës dhe të tokave të Sllavonisë, ku serbët ishin shumicë, ne nuk duhet ta pranojmë kurrë si humbje përfundimtare. Ngase as gjermanët kurrë nuk e pranuar Gjermaninë Lindore si të humbur, cok as në Kushtetutë”.
Ky dokument përmban nëntë pika duke e mënjanuar luftën e armatosur:

1. Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për kryerjen e krimeve dhe shkatërrimit, dhe përmes aktakuzave, fletarrestimeve dhe proceseve gjyqësore të montuara kundër shtetasve të Bosnjës, Kroacisë dhe Kosovës të vihet në pozitë të barabartë me shtetet përreth.
2. T’iu kushtohet rëndësi mediumeve rajonale dhe atyre ndërkombëtare rreth proceseve përfundimtare të ish- pjesëtarëve të kreut politik, ushtarak, informativ serb dhe kreut politik të Republika Sërpskas, të cilët po gjykohen në Tribunalin e Hagës.
3. Shtetet fqinje Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të vihen në pozitë që të heqin dorë nga akuzat e paralajmëruara para gjykatave ndërkombëtare.
4. Me veprime kinse pendimi, Serbia të vihet në pozicion të barabartë me shtetet përreth, që kanë pësuar shkatërrime e dëme.
5. Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe në gjykimin e Ratko Mladiqit nga drejtësia vendëse.
6. Të destabilizohen qeveritë e vendeve fqinje, të provokohen pakënaqësi të brendshme dhe protesta, dhe të dobësohet tehu i akuzave ndaj Serbisë.

7. Të ndihmohet shkëputja e Republika Sërpskas. 8. Të insistohet që serbët në Kroaci, Mal të Zi dhe në Kosovë të bëhen popull konstituiv, dhe të bëhet transicioni i bashkësive serbe në një bashkësi unitare, bashkësi gjithëserbe.
9. Të ndërpritet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të dobësohet veprimtaria e bashkësisë islame në Sanxhak.
Një kapitull i posaçëm i këtij dokumenti i kushtohet Kroacisë Lindore (Sllavonisë), Republika Sërpskas në Bosnjë dhe Veriut të Kosovës.

Në politikën e jashtme autorët propozojnë kthimin e Serbisë nga Kina në aspektin ushtarak dhe politik, duke parë faktet se Rusia nuk po u përgjigjet kërkesave serbe si më parë!?
Porse pos planeve monstruoze e aty-këtu të sofistikuara për shpërbërjen e shtetit të Kosovës ky dokument ka edhe gabime fatale, siç gabojnë rëndom nacionalistët neofashistë.
Tri janë gabimet themeltare.
E para, pranohet fakti se Serbia ka ndërhyrë në sistemin ndërkombëtar të drejtësisë për sa i përket Kosovës duke montuar prova e procese gjyqësore (Tribunali i Hagës, UNMIK-u dhe EULEX); së dyti, pranohet fakti se Kosova është shtet, sepse renditet me shtetet përreth, pa atë diferencimin “shteti i vetëshpallur”, dhe së treti, pranohet se Rusia e Putinit nuk po iu përgjigjet kërkesave turbonacionaliste, pra shpesh bizare të Serbisë!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...