Kërkoj falje publike: Isa qenka krejt si ata!

28 Gusht 2015 - 08:40 - Halil Matoshi      

Lajmet për arrestim gjyqtarësh e prokurorësh ishin të mira për kosovarët, por fort të këqija për sistemin e drejtësisë të ndërtuar nga kleptokracia e PDK-së dhe nga oportuniteti e konformizmi i LDK-së dhe partive të tjera opozitare. Po me kryeministrin Isa Mustafa çfarë ndodhi, që nga zyra e shtetit po e rrit biznesin familjar? Errësim i mendjes apo ndërgjegjshëm po dëshmon se është krejt si ata…?

Vetëm ndiqni lajmet dhe numëroni gjyqtarët e prokurorët fajdexhinj e mitmarrës, abuzues e hajna, të korruptuar e batakçinj, kurse në anën tjetër para krimit dhe korrupsionit qeveritar të lemerisur ikin si minjtë…

Dhe ndaluni e mendoni pak çaste se këtë sistem të kalbur e ka ndërtuar Hashim Thaçi me Hajredin Kuçin dhe natyrisht me PDK-në, pa i amnistuar partitë tjera, varësisht me kë ka qeverisur.
Tek lexoni e dëgjoni se si Zyra e Prokurorit disiplinor ka pranuar gjatë këtij viti 270 parashtresa, të cilat janë adresuar ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive në Kosovë, mos e lini pa e menduar Hashim Thaçin, “demiurgun” e kësaj ngrehine kakistokratike.

Drejtori i kësaj Zyre, Zef Prendrecaj, ka pranuar se po zhvillohen hetime ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët dyshohen se duke keqpërdorur pozitën që mbajnë, kanë kryer vepra të ndryshme penale. Prendrecaj ka bërë të ditur se për 29 raste janë hapur hetime disiplinore.

Prej këtyre 29 rasteve 13 janë ndaj gjyqtarëve dhe 16 janë ndaj prokuroreve.
Kjo zyrë gjatë këtij viti ka rekomanduar suspendimin e 5 prokurorëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe 3 gjyqtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ndërkaq janë shkarkuar nga detyra një prokuror dhe një gjyqtar.

Në anën tjetër një zyrë e shtetit që mban një emër të madh ‘antikorrupsion’ në rastin më të keq, rri kot, e në rastin më të mirë shpalos ca fakte si me përtesë ose vetëm projekton dëshira, sepse askush nuk ia var në këtë shtet.
Hasan Preteni ndoshta prej se drejton atë zyrë e ka përsëritur mijëra herë: “Mungon guximi për trajtimin e rasteve korruptuese”.
Pa asnjë dyshim institucionet më të korruptuara në atdheun e kosovarëve mbeten Qeveria, gjyqësori, komunat dhe ndërmarrjet publike.

E “kampionë: të korrupsionit na dalin Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, si dhe KEK-u, pasi në këto dikastere ka tenderë shumëmilionësh …
Një borxh prej 200 mijë eurosh, Pal Gruda, ia kishte Asdren Mekajt, kushëririt të kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, që sipas dyshimeve të Prokurorisë doli të jetë fajde.

Këtë borxh, Mekaj e kishte “blerë” për nipin e tij, Asdren Mekaj, i arratisur në ShBA, pas dyshimeve se ai është pjesë e një grupi të fajdexhinjve.
Këto dyshime Mekajn e dërguan në burg.
Pa u mbushur frymë ende mirë, publiku kosovar mësoi se prokurorja, Vahide Badivuku, kishte marrë 22 mijë euro ryshfet për t’i liruar veturat e sekuestruara të familjes Hasani, që po hetoheshin për fajde.

E njëjta familje kishte dhënë edhe 10 mijë të tjera për t’u liruar nga paraburgimi dy pjesëtarë të saj.
Me paratë e ryshfetit që i kishte vendosur në frigorifer, Badivuku ishte nisur për pushime në Austri, porse pushimet “ia preu” policia duke e arrestuar…

Ishin këto lajme të mira për kosovarët, por fort të këqija për sistemin e drejtësisë të ndërtuar nga kleptokracia e PDK-së dhe nga oportuniteti e konformizmi i LDK-së dhe partive tjera opozitare.
Këqyrni gra e burra kë e keni votuar, duke e veshur me pushtet, duke ua besuar lirinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj me shpresën se do të vendosin drejtësi në këtë vend!?

Pa shihni çlirimtarët, jo ata që kryen në mënyrë shembullore obligimin qytetar dhe i këqyrin punët e veta, por këta që u ngjitën në pushtet, sipas spirales së paaftësisë, se si u katandisën në horra, duke u shndërruar në banues të burgjeve kosovare…
Ndodh ende të thoni: Padrejtësisht!
Sepse armiku, pra Serbia, po i nxit ata ta vjedhin shtetin dhe popullin e vet!?

Jo, jo, Kosova nuk ka armiq të jashtëm. Të vetët po i dalin boll!
Pas skandalit “servisimi” shtrohet pyetja: a mbeti ndonjë anëtar dhe votues i LDK-së pa u bindur se kryeministri Isa Mustafa është krejtësisht si ata!?
A mund t’i duartrokitet tutje njeriut që me taksat e qytetarëve të Kosovës rrit biznesin familjar?

Le të flasin të rinjtë dhe të vjetrit, gratë dhe burrat e kësaj partie (ajo absolutisht është shkrirë në mendësinë e PDK-së dhe të SHIK-ut) e nëse nuk duan mallkimi ‘ua thaftë gojën’ e rëntë mbi ta!
Ndonëse dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të kriminalizuar nga sistemi i HTH & Co janë hetuar e arrestuar, po arrestohen e po hetohen, për korrupsion e mitmarrje, për fajde e krime tjera, lajmi “bombë” i këtij fundgushti megjithatë nuk është ky.

Lajm shokues u bënë sërish të bijtë e kryeministrit Isa Mustafa.
Në thelb pa fajin e tyre.
Nuk është problem as BMW-ja, as servisimi dhe as i biri i kryeministrit, Besniku (i kërkoj falje që detyrohem t’ia përmend emrin), por problem është vetë kryeministri, që si një qytetar i edukuar dhe politikan që pandehej se ka një trohë etikë pushteti , nuk mundi ose nuk deshi të dëshmonte se Kosova mund të qeveriset edhe ndryshe nga HTH.

Ai nuk tregoi se është pak më i përmbajtur në lakmi, pak më përballues në tundim dhe që mund ta shkëpuste Kosovën nga mendësia kriminale, porse as ai nuk i rezistoi pasurimit prej një zyre publike.
Kurrë nuk kam dashur të besoj që ky njeri mund të bjerë në këtë derexhe...
E sot, u përligj ajo që e pëshpëritin të pakënaqurit me të gjitha pushtetet e pasluftës në Kosovë. Krejt njësoj!

Phiii, ia kajsha belanë, me u gërdit njeriu të rrojë në vendin e vet!
I vetëdijshëm se secili qytetar duhet ta ketë një punë, madje punëtori i thjeshtë, është heroi im konstant, porse jo një punë që lidhet me zyrën publike (pushtetin) e babës.
Jo, kjo nuk ndodh askund në demokracitë qofshin ato vetëm nominale.

Nëse djemtë e kryeministrit garojnë dhe i fitojnë zgjedhjet, mund të arrijnë pushtet politik (sipas së drejtës me zgjedh dhe me u zgjedhë) dhe mund, po ashtu, të bëhen biznesmenë të dëgjuar, por jo dhe jo përmes zyrës (shtetërore) të babës.
Duket se pas bijave e bijve, familjeve të Sali Berishës e të Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit e komandantëve të tjerë të luftës madje edhe atyre të Bllacës – sipas njërit prej tyre (komandantëve pra) - rendi për pak pushtet e para i erdhi edhe familjes së kamur të Fonollëve të Prapashticës, të rënë n’sheher; familje dikur e njohur si fisnike dhe bujare.

Për hir të së vërtetës, djemtë e kryeministrit paskan një servis të licencuar të BMW-së dhe një kontratë të hershme me Qeverinë e Kosovës, pra me babën e vet, mirëpo, Isa Mustafa është dashur të reagojë si burrë shteti, duke ua ndërprerë bijve kontratën, sepse paraqet konflikt interesi e jo t’i fusë veshët në lesh.

Po ta ndërpriste kontratën me firmën e shtëpisë, betohem para lexuesve të mi se sot do të lexonit kolumnen time më të favorshme që e kam shkruar ndonjëherë për ndonjë politikan, për kryeministrin e Kosovës…

Por qe, për dreq, nuk diti t’ia thotë dikush këtë, nga ajo mori e kinse këshilltarëve të tij, të cilët po get, frikësohen nga shefi, sikur të ishte ai HTH, militant agresiv dhe mosbesues e dinak i shpërshndërruar në Isa!?

Ç‘është kjo stërkeqje morale dhe ky zvetënim që i ka kapluar kështu shqiptarët në tërë gjeografinë e tyre?
Ç ‘është kjo frikë, “nga parakalimi i ushtrisë së huaj në qytet” apo “nga uria”, nëse e parafrazoj Elias Cannetin?
Apo kjo s’është frikë, por mani e hajdutërisë!?
Terpi, që thotë populli.

E në anën tjetër gratë dhe burrat e LDK-së, që dikur e kritikonin ashpër HTH për korrupsion e krim të organizuar, për konflikt interesi e zhvatje, tashti po heshtin sikur të ketë rënë mortja në shtatë nahije!
Po hesht tërë koalicioni qeverisës.
Justifikojeni edhe këtë herë dhe votojini sërish të njëjtët, pastaj na thoni: Nuk e kemi ditur që gjërat kishin shkuar aq keq, mendonim se po i votonim patriotët, që i dalin zot Kosovës!?
Kot. Askush s’ka për t’ju besuar, pos që jeni bashkëpjesëmarrës dhe bashkëfajtorë…

Natyrisht atje ku ka konformizëm e oportunitet, ku askush nuk indinjohet dhe ku është thyer pragu minimal i rezistencës, ku mbisundon padija e lakmia për pak pushtet e para, atje ku ka të vërteta supreme, të gatshme e përfundimtare dhe mendim kolektiv, atje është trualli i palirisë, i cili pjell diktatorë e diktatura!
Gene Sharp në librin “Nga diktatura në demokraci” thotë: “Fraza e cituar shpesh “liria nuk është liri”, është e vërtetë. Asnjë forcë e jashtme nuk do të vijë për t’iu dhënë njerëzve të shtypur lirinë që ata aq shumë e duan. Populli do të duhet të mësojë vetë se si ta marrë lirinë. Kjo nuk do të jetë e lehtë.”

Pra Kosova duhet të rezistojë.
Kjo klasë politike duhet të bjerë, përfundimisht.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...