30 Shtator 2016 - 08:09 - Halil Matoshi
Asociacioni vazhdon të jetë thembër e Akilit për funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Mosintegrimi i serbëve kosovarë në komb të vullnetit politik po e lë shtetin e ri pa ushtri brenda dhe jashtë pa karrige në OKB.
Mirëpo këso sfidash nuk u bëjnë përshtypje integristëve që duan Shqipëri të madhe, sipas modelit “prish shtëpinë për me ndreq hajatin”!
Ndonëse ka operuar gjatë me sentimente dhe pasthirrma emotive, ky grupim tashmë po shndërrohet në element antishtet.
Kapërcimi i këtyre sfidave është lufta e vërtetë (patriotizmi kushtetues) për Kosovën dhe jo kërcënimi me luftë ndaj fqinjit më të vogël, Malit të Zi, ose retorikat e forta (që shpenzojnë shumë energji dhe si rezultat nuk japin asnjë fryt) të integristëve që duan bërjen e një Shqipërie unike (duke injoruar Pavarësinë e shtetit kosovar?)
Rasti i Suharekës, kur fshatarët e zemëruar sulmuan me gurë autobusët me serbë, që ishin rikthyer t’i vizitojnë pronat e tyre, pastaj rinisja e punimeve në kishën ortodokse të Prishtinës, që është thjesht objekti ekzemplar i kultit i bekuar nga politika fashiste e Slobodan Milosheviqit, janë kurthe që Serbia ia ka ngritur Kosovës dhe e dëshirueshme për të është që kosovarët të rrëzohen në to.
Kosova nuk do të bjerë në këto gracka, por ajo mund të bjerë në përçarjet e brendshme që mund ta kanosin stabilitetin e vendit.
Serbia për ta destabilizuar Kosovën e ka merak, por dhe shumë djallëzi e dinakëri të vjetra që të hedhë tema e dilema të reja, sa më shumë dhe sa më të komplikuara, për ta joshur Kosovën e brishtë në shtetndërtim që të bëjë gabime strategjike dhe për ta nxjerrë fare keq në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Mirëpo Prishtina zyrtare duhet ndjekur rrugët ligjore, kushtetuese në të gjitha rastet, duke shmangur “ligjin e xhunglës” në të gjitha rastet, pra edhe të kishës politike në oborr të universitetit publik “Hasan Prishtina”.
Së pari, sa i përket kësaj ngrehine ultrapolitike në emër të hyjnores, të shoshitë të drejtën pronësore dhe pastaj të ngrejë një komision shtetëror (edhe me ndërkombëtarë) për të studiuar hapat e mëtejmë.
Për rrënimin në këtë situatë as që bëhet fjalë, ngase mbi pasionet duhet të sundojë racionalja, që përkon me mbrojtjen e lirisë kombëtare dhe të imazhit të shtetit.
Fundja një kishë e krishterë – në një vend multikulturor e të hapur – nuk do të duhej të ishte pengesë për asnjë qytetar të Kosovës, kur dihet se ka edhe shqiptarë etnikë në Kosovë të ritit ortodoks. Kosova për krimet e fashizmit serb në epokën e Milosheviqit ka marrë vetëvendosje zhdëmtuese (Remedial Self Determination) dhe Serbia me gjithë prodhimin e zhurmës nuk mundet më të ndërhyjë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Porse, kjo kishë sado e politizuar nuk i pengon kosovarët të ndërtojnë një shtet të jetueshëm, një demokraci përfaqësuese dhe një mirëqenie ekonomike. Po ashtu ngrehina e kishës ortodokse serbe nuk është shkas për mjerimin e Universitetit Publik dhe shkollës kosovare përgjithësisht.
Është koha për të menduar kthjelltësisht e jo me pasione armiqësore, etnonacionaliste dhe në thelb kundër shtetësisë së Kosovës. Sot patriot kosovar është ai që ia ruan fytyrën dhe prestigjin karshi botës shtetit të tij dhe jo ai që e do shpërbërjen e Republikës në favor të ideve të shekullit 19, jo ai që i bën dëm Republikës!
Pra këtyre çështjeve, Prishtina duhet t’u japë zgjidhje shtetërore, juridike dhe politike, pra zgjidhje të pjekura konform me shtetndërtimin dhe shtetmbajtjen e jo t’u lihen masave të zemëruara për ta shfryrë mllefin kundër armiqve të djeshëm.
Është obligim shtetëror i kastës politike që të mos i lërë masat të shkelin mbi parimet kushtetuese dhe është obligim intelektual i secilit qytetar të edukuar ta mbrojë Albin Kurtin dhe Lëvizjen e tij Vetëvendosje nga njollosja përmes spiunazhit, nga shantazhimi dhe propaganda e SHIK-ut, që së voni ka marrë hov, dhe që shkon deri aty sa VV-ja të akuzohet në publik për kinse përdorim masiv të narkotikëve, kurth ky në të cilin ka rënë edhe LDK-ja si parti që cilësohej institucionaliste.
Derisa pushteti akuzon VV-në për përdorim drogash, mund të thuhet lirisht se ai - pushteti pra - shet drogë!?
Së këndejmi Kurti dhe VV-ja duhet mbrojtur sa herë që ka të drejtë në përballje me pushtetin, sepse kështu mbrohet integriteti i secilit qytetar.
Porse këtë herë, me këto “ngrehje pushkësh” kundër Malit të Zi, duhet t'i thuhet Kurtit se ka bërë thjesht një marrëzi.
Në anën tjetër pas deklarimit të fortë të Kurtit, postfashisti Vuçiq tha se Serbia do ta ruajë paqen në regjion, duke porositur se nuk do të ketë çmim politik që nuk është në gjendje ta paguajë për ta mbajtur stabilitetin!
Janë thjesht dy deklarime diametralisht të kundërta të dy politikanëve ballkanikë, kosovari në opozitë (Kurti), kurse serbi në pushtet, që ilustrojnë faktin se Kosova është vënë në pozicion të keq në raport me shtetet tjera nga ana e Serbisë, por me fajin e vet kastës politike kosovare.
Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, më me shumë guxim prej burrë shteti dhe me më shumë pavarësi nga “Vëllazëria Pronto” si politikan me përvojë të gjatë dhe institucionalist, mund t’i japë zgjidhje meritore problemit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që realisht nuk është kryeproblemi i vendit, pra është një kurth i vet pushtetit, i cili ka krijuar masë kritike si një çështje emtive, pra që është prodhuar brenda politikës kosovare për qëllime politizimi të skajshëm.
Kur them “zgjidhje”, mendoj në zgjidhje konsensuale mes partive politike parlamentare, sepse kemi të bëjmë me një detyrim shtetëror dhe që ka të bëjë me një shtet që e ka njohur Kosovën sovrane dhe ia ka shtri dorën e fqinjësisë. Po ashtu, besoj se korrigjime në demarkimin e kufirit ende mund të bëhen, ngase edhe Republika e Malit të Zi është treguar gjeneroze në këtë aspekt. Paqja në rajon është më domethënëse se inatet ndërpartiake kosovare dhe dua të besoj se paqja do të ruhet pa kusht, sepse gjatë tërë historisë rajoni ynë nuk ka jetuar ditë më të mira, në stabilitet dhe duke i lënë prapa armiqësitë e vjetra.
Mali i Zi është një shtet mik, që në dhjetor të këtij viti do t’i bashkohet NATO-s dhe për këtë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë tashmë ka thënë “po”. Pra, fqinji ynë do të jetë partner i shqiptarëve në NATO për t’i ngritur Rusisë edhe një digë të sigurt në Adriatik dhe për ta detyruar që përgjithmonë të heqë dorë nga apetitet e saj, karshi Ballkanit Perëndimor.
Secili që përmend luftën me këtë shtet duhet të dijë se Kosova është nën mburojën e NATO-s – kurse Mali i Zi de facto është anëtare - dhe se vendet që janë nën këtë ombrellë nuk do të luftojnë kurrë mes vete.
Kurse nëse ndonjëra nga vendet anëtare sulmohen nga kushdo qoftë, atëherë aplikohet neni 5 që konsideron se tërë blloku është në luftë dhe se anëtari i kërcënuar duhet mbrojtur kolektivisht.
Këtë Albin Kurti e di, por pse ai e bën një marrëzi të tillë?
Vërtet beson te lufta antiimperialiste që mësyn fundosjen e demokracive liberale dhe rikthimin e leninizmit në skenën botërore?
Hajgare!
Mos e merrni seriozisht, jo vetëm Albin Kurtin, por secilin që shfaqet me retorika luftënxitëse të shekullit të kaluar, sepse nuk e ka seriozisht. Ai po mësyn të shkaktojë paranojë te pushteti dhe të mobilizojë njerëz për kauzat e tij, shpesh të paqarta, mirëpo ato thjesht janë retorika të forta dhe në thelb boshe.
Porse të ngrihesh kundër rendit simbolik të shtetit dhe të kërkosh destabilizimin e shtetit në favor të ndonjë projekti tjetërfarësh, të angazhohesh për bashkim me Shqipëri kur të gjitha parametrat të thonë se kjo me automatizëm shpie në ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe përderisa kjo është një nga parimet e panegociueshme që i mundësuan Kosovës vetëvendosje zhdëmtuese;
T’i thuash “jo” Gjykatës Speciale dhe së fundi të lypësh bela me një shtet fqinj, aspirant për NATO, qe levat përmes të cilave Kurti po ia zgjat jetën pushtetit të zaptuesve të shtetit.
Përderisa Lista Srpska është themeluar me “dekret” të kryeministrit Vuçiq dhe është futur në Kuvendin e Kosovës si instrument i Beogradit për t'i prishë punë shtetit të ri sa herë që ka zhvillime të mëdha rreth tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe as opozita tjetër që veten po e quan ‘bosht’ nuk do të duhej të lëshohej në aventurat e goditjeve ndaj shtetit në luftën e vet për pushtet.
Edhe pse këtë e ka bërë në kontinuitet PDK-ja.
Dikush normal duhet ta prishë këtë magji!
Është ushtria e Kosovës ajo për çka duhet votimi i shumicës së dyfishtë.
Pra duhet të merret “po”-ja e serbëve kosovarë, natyrisht edhe pakicave tjera etnike.
Beogradit i intereson një Kosovë që duket keq si imazh në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, pra një Kosovë e paaftë politikisht që t'u japë zgjidhje problemeve shtetërore, sepse Serbisë që më shumë se një shekull i intereson ta vërtetojë tezën e saj raciste se shqiptarët e Kosovës janë të paaftë për shtetndërtim dhe marrëdhënie me kombet tjera. Ashiqare Kosova duhet të ndërrojë mendësinë kleptokratike të qeverisjes dhe të ecë përpara në rrugën e integrimeve, duke u shtirur se nuk ua vë veshin fare atyre që thotë dhe bën Serbia.
Fundja Kosova ka detyrim ndërkombëtar që t'i trajtojë mirë serbët kosovarë dhe nuk ka asnjë detyrim ndaj Serbisë.
Pra Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë për të gjitha problemet pa u trembur, sepse është në të drejtën e vet!
Winston Churchill thoshte se armikun duhet ta mbash në një pozicion të keq në raport me bashkësinë ndërkombëtare (bëhet fjalë për Perëndimin) pra, duhet që qeveritë të investojnë për t'i mbajtur armiqtë në pozicione jo të favorshme. Nisur nga kjo, Qeveria e Kosovës, pa fuqi ekonomike dhe ushtarake, së këndejmi edhe pa diplomaci të fuqishme, nuk është në pozicion që ta mbajë Serbinë sa më larg Perëndimit.
Kurse Serbia po e bën këtë me shtetin e ri – Kosovën, duke rrëmuar jo vetëm imazhin e saj pozitiv sy bote, por edhe stabilitetin e saj, me të gjitha mjetet armiqësore.
Ndonëse Serbia në thelb nuk është kundërperëndimore, por taktizon me Rusinë që t’ia rrisë çmimin vetes para aderimit në bllok (BE.) Në këso situatash droja se bashkësia ndërkombëtare sërish do të mundë ta shihte Serbinë si "Prusia e Ballkanit" është legjitime.
Futuristi holandez, Fred Polak, tregon se pikëpamjet tona mbi botën luajnë rol vendimtar në formësimin e shoqërisë. “Ndonjë popull është i pjekur të formojë shtetin në atë masë në të cilën është aftësuar që ta imagjinojë dhe ta paramendojë atë”, thotë Peter Russell në librin “Zgjimi i planetit”. Polak zbuloi se “lulëzimit të çdo shoqërie i paraprin dhe fotografia pozitive mbi ardhmëninë e asaj shoqërie”. Në kontekstin kosovar, një komb unik që i ka në sy të mirë pakicat e veta dhe që mësynë heqjen e raportit shumica-pakica nga kundrimi i shtetit nuk është tutje vetëm një "kolektivitet historik" (Jean-Mary Thieze), porse është një komb demokratik si yrnek i një kombi të suksesshëm e jo të dështuar.
Dhe në fund dy janë mundësitë për kthesë pozitive të shoqërisë kosovare për ta shmangur kolapsin, pra dështimin e shtetit: Gjykata Speciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Gjykata Speciale po pritet nga kosovarët si një mundësi e re dhe e fundit (!?) për “heqjen qafe” të kapësve të shtetit, pra për ta ndalë dështimin e tij.
Sidomos pas skandalit të "Vëllazërisë Pronto" dhe kryeneçësisë për të mos e rishqyrtuar demarkacionin, kjo kastë politike po e dëmton në substancë pavarësinë kombëtare.
Natyrisht që për ta mbrojtur lëkurën e vet, këta njerëz me shumë pushtet personal, janë në gjendje që ta përplasin shoqërinë kosovare.
Porse, një e mirë po duket në horizont: Qytetarët nuk janë të interesuar që tutje t'u shkojnë prapa njerëzve të fuqishëm, të cilët doli se kanë abuzuar me fuqinë e tyre, sepse qytetarët e kanë vërejtur që nuk bëhet fjalë për mbrojtjen dhe as prosperitetin e atdheut, por mbrojtjen e pasurisë së tyre.
Rasti i Azem Sylës është një fakt që flet në të mirë të kësaj teze.
Kurse e dyta, zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë ai që ndërton një vizion se si të zhvillohet ekonomia e vendit dhe të krijohen vërtet vende pune, ai që u jep përgjigje shtetërore (konsensuale) këtyre sfidave dhe jo ai që shet turbopatriotizëm të lirë dhe lë qytetarët pa bukë e punë.
Nuk fitojnë dot ata që blejnë sondazhe të favorshme për ta dhe ata që duan ta shpërbëjnë shtetin, për ndërrim me ndonjë projekt tjetër fantom sado i madh, emotiv dhe historik te jetë ai...
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...