LDK-ja ta thërrasë Kuvendin partiak - ta ndërrojë liderin

21 Nëntor 2014 - 08:31 - Halil Matoshi      

Anëtarësia e ndërgjegjshme,strukturat partiake - nëse ende kanë sadopak etikë pushteti - do të duhej që me urgjencë ta thërrisnin Kuvendin e partisë për t’i rrëzuar Isa Mustafën dhe bashkëmendimtarët e tij, nëse nuk e duan ndarjen apo edhe shuarjen e partisë. Thirreni Kuvendin me urgjencë dhe rrëzojeni Isa Mustafën! Jepni LDK-së një lider të ri, një grua a burrë të formatit modern dhe lërini pleqtë lakmitarë t’ia bëjnë argatin djallit...

LDK-ja ia riktheu shpresën vendit!?

Lajmi është i vërtetë: dëgjojeni Agim Veliun se çfarë dërdëlliste më 10 qershor 2014 dhe do t’i bindeni këtij lajmi: kosovarëve iu rikthye shpresa për popullimin e Kanadasë!? LDK-ja po ia shpëlan duart krimit të PDK-së, duke e mbuluar me harresë, porse pa menduar se vetë po zhytet në një krim edhe më të tmerrshëm: vrasje e vendit me paramendim!

Këtë çmim do ta paguajë LDK-ja, e ka marrë përsipër duke e hedhur firmën e vet në shtyllën e turpit, prandaj Isa Mustafa do ta gërryejë ashtin e hedhur nga padroni HTH, kurse të dytë bashkë do t’ia gërryejnë ashtin vendit të tyre, pasi që mishin tashmë ia ka hëngër PDK-ja në dy mandate qeverisëse...

E kam thënë këto ditë shpesh, duke parë e dëgjuar politikanë lokalë, lakmitarë deri në marrëzi për t’u veshur me pushtet edhe kur atdheu është në mjerim (sepse vendet e mjera votojnë liderë hajdutë e fodull!), se prishja eventuale e marrëveshjes së 10 qershorit do të ishte një tradhti jo vetëm për elektoratin e katër subjekteve që e përbënin bllokun, por edhe për të gjithë qytetarët që shpresuan dhe disa madje besuan se blloku ishte bërë për kauzën e drejtë të shporrjes së kleptokracisë së PDK-së nga pushteti.

Pata thënë po ashtu se çdo veprim në këtë drejtim do të ishte besëpremje ndaj qytetarëve, të cilët i kanë mashtruar se po përkushtohen për një qeverisje ndryshe, dhe tash po del se blloku qenka formuar vetëm për pushtet personal.

Dhe tradhtia ndodhi. JO vetëm ndaj Haradinajt dhe AAK-së, Nismës dhe lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila ndonëse e vetëdijshme se me kë ka të bëjë, i tha po bllokut për arsyen madhore që të mos ketë Qeveri “Thaçi 3” - qytetarët që shpresonin mbetën të tradhtuar, prandaj ata besoj se do të dinë t’i hakmerren politikisht kësaj strukture të LDK-së!

Pushteti kriminal i PDK-së u legjitimua nga lideri i partisë që e cilësonte veten si institucionale dhe qytetare!?

LDK-ja e vjetër dhe marroqe, me këtë veprim iu bë levë ose patericë pushtetit të PDK-së së Hashim Thaçit, duke u bërë garante e mosndjekjes së krimeve të të gjitha natyrave të partisë në pushtet dhe aleatëve të saj.

Ish-partia e Ibrahim Rugovës kësaj here pa pyetur për çmimin, pa pyetur për etikën e pushtetit dhe për një të ardhme të vet, vendosi t’i bëhet patericë pushtetit të PDK-së dhe HTH, për “duar të pastra”, nga gjaku i 30 aktivistëve të LDK-së të vrarë pas luftës, për qindra miliona të zhvatur, për korrupsionin kanceroz dhe për krimin e organizuar rrënues.

Pra, LDK-ja ka bërë një pazar të pistë duke ia mundësuar partnerit të vet më të madh larjen e parave të pista. LDK-ja ia ka siguruar vazhdimësinë krimit, i ka garantuar klientelës së PDK-së se nuk do t’i humbin postet në Qeveri e agjenci qeveritare; i ka garantuar financuesit dhe njerëzit e fuqishëm të PDK-së se do t’i marrin sërish tenderët; dhe i ka garantuar vrasësit dhe spiunët e tjerë të SHIK-ut (po ata për të cilët shkruante pak ditë më parë The Guardian) se kurrë nuk do të zbardhen krimet e tyre.

Nga ky këndvështrim marrëveshja është ideale. LDK-ja ia shpërlan paratë e pista (krimet) PDK-së, kurse vetë fitoi “një asht” që do ta gërryejë deri në "Zanzibar 2-shin".

E të dyja së bashku do t'ia gërryejnë ashtin vendit të tyre të mjerë, që quhet Republika për faqe të zezë e Kosovës. Por njëherësh lajmi i mirë është se PDK-ja do ta shfrytëzojë rastin për t'u reformuar ndërkohë (e ka luksin e pushtetit), kurse LDK-ja e pleqve të marrë po e mbyll përfundimisht dyqanin, për të krijuar mbi ato gërmadha diç të re, një etikë dhe mendësi të re politike, sepse këtë dyqan të rrëzbitur e të zvetënuar nuk ka kush ta mbajë, pra lidershipi i LDK-së u bë krejt fer me veten dhe të tjerët – lëshoi udhë – duke ia shkurtuar vetes vuajtjet, sepse nuk jetohet gjatë në injorancë të thellë dhe me politika fshatareske, dinozauriane.

Fëmijët në shkollë fillore mësojnë se dinozaurët i zhduku pikërisht koka e vogël dhe trupi i madh!?

Por ky është vetëm një interpretim.

Në kohën kur gjuha konvencionale nuk shpreh asgjë, sepse gjithçka rreth nesh është joracionale, duhet rikthyer cinizmit. Pra, marrëveshja i kënaq të gjitha palët, sidomos shumë vrasës e zhvatës që u sigurohet kapitali (sepse nuk mund të ketë kapitalizëm pa kapitalistë dhe këtë kërkesë LDK-ja që moti e pati marrë në shqyrtim!?), por edhe injorantët e LDK-së, të cilët pasi që e hetuan se në LDK po niste lufta darviniane për ekzistencë të llojeve, siguruan mbijetesën në prehrin e HTH-së.

Pra, ky është fundi i LDK-së marroqe dhe fillimi i një partie të re politike.

Për këtë duhet të luftojnë Vjosa Osmani e Donika Gërvalla, Abdullah Hoti, etj., por do të doja t’i dëgjoja tashti çfarë kanë për të thënë Bardhyl Metaj e Valon Murtezaj, Kujtim Shala e Vehbi Miftari, Alma Lama, Arben Gashi, Armend Zemaj, Asdren Osaj..., aktivistët e shoqërisë civile të proviniencës liberale, po edhe mijëra e mijëra qytetarë, anëtarë e simpatizantë të LDK-së, si dhe mbështetës të një etike dhe mendësie të re në politikën kosovare.

Kjo klasë politike lufton për pushtet personal e jo për shtet të së drejtës dhe për mirëqenien qytetare. Kur të kuptohet kjo nga shumica e qytetarëve kosovarë, atëherë do të ndodhë kthesa e madhe e normalitetit.

Anëtarësia e ndërgjegjshme, strukturat partiake – nëse ende kanë sadopak etikë pushteti – do të duhej që me urgjencë ta thërrasin Kuvendin e partisë për t’i rrëzuar Isa Mustafën dhe bashkëmendimtarët e tij, nëse nuk e duan ndarjen apo edhe shuarjen e partisë.

Meqenëse i ashtuquajturi bllok opozitar LAN + VV pati fituar mbështetje të theksuar mediale dhe qytetare, kjo mbështetje, politikëbërësit më të kthjellët të LDK-së, por edhe mbështetësit dhe elektorati i saj, këto energji të reja nuk duhet lejuar që të kthehen në zhgënjim e apati, por duhet të shfrytëzohen për kthesë brenda vetë LDK-së.

Thirreni Kuvendin me urgjencë dhe rrëzojeni Isa Mustafën!
Atëherë, që për gjashtë muaj (në qershor 2015) vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Shpëtojeni LDK-në nga zvetënimi i mëtejshëm, (nga simptomat patologjike, posaçërisht nga skleroza); shpëtojeni nga rindarja e mbase edhe nga shkapërderdhja, sepse ky akronim ende vlen si një aset kombëtar në mendimin politik kosovar.

Jepni LDK-së një lider të ri, një grua a burrë të formatit modern dhe lërini pleqtë lakmitarë t’ia bëjnë argatin djallit, aq sa t’i mbajnë fuqitë motorike.

Mos ia zgjatni jetën krimit që po e varfëron e turpëron vendin tuaj, me vetëdije të plotë!

Mos lejoni që të bëheni bashkëpjesëmarrës – pra bashkëfajtorë!

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...