Antikosovarët Vladeta Kostiq dhe Shpend Ahmeti

23 Janar 2015 - 08:35 - Halil Matoshi      

Çka u thotë kosovarëve fakti se kur e pyetën gazetarët në Graçanicë Vladeta Kostiqin se a do t’i vendosë simbolet kosovare në komunë ai u tha: Për këtë pyeteni Shpend Ahmetin!?

Kosovarët, shumica prej tyre, tashmë kanë konsensus të plotë se Lista Sërpska është “krijesë” nga padija e lidershipit të Hashim Thaçit gjatë procesit të bisedimeve në Bruksel, sepse me lehtësi të padurueshme i ka besuar Daçiqit. Thaçi është bindur mendjelehtësisht se edhe ai vetë po edhe Daçiqi do ta kenë më të lehtë me Listën që e kontrollon direkt Qeveria e Beogradit se sa me serbë të tjerë që nuk i kontrollon askush…

Mirëpo me t’u tejkaluar “ngërçi legjendar” edhe HTH por i tërë lidershipi kosovar po bindet se Lista Sërpska nuk është parti kosovare por vepron si levë e Qeverisë së Beogradit, përmes të cilës pra, synohet çarja e Republikës dhe rikthimi i sa më shumë Serbie brenda Kosovës.

Por kosovarët, disa nga ta, nuk kanë konsensus së këndejmi rreth seriozitetit të qasjes ndaj shtetit nga vetë kosovarët që janë shqiptarët etnikë të Kosovës si shumicë.

Ndonëse në shtetin demokratik dhe liberal – në shtetin qytetar - nuk vlen raporti mes shumicave dhe pakicave. Mirëpo të shohim pak se çka u thotë qytetarëve kosovarë fakti se kur e pyetën gazetarët në Graçanicë Vladeta Kostiqin se a do t’i vendosë simbolet kosovare në komunë ai u tha: Për këtë pyeteni Shpend Ahmetin!?
Kandidati që fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Graçanicës, Kostiq, nga Lista Sërpska duke iu shmangur me mjeshtri pyetjes së gazetarëve për përdorimin e flamurit të Kosovës nëse ai zgjidhet kryetar i Graçanicës, tha se të njëjtën pyetje duhet shtruar edhe Shpend Ahmetit.

“Unë kam letërnjoftimin e Kosovës, kam lejen e qarkullimit të Kosovës, unë sipas ligjit me të cilin kandidoj e plotësoj të drejtën për të qenë kandidat për kryetar të Graçanicës. Sa i përket pavarësisë së Kosovës nuk është në ingjerencën e askujt prej nesh që kandidohemi, kjo pyetje duhet t’u parashtrohet organeve më të larta... Unë do të përgjigjem me kundërpyetje a ia keni bërë të njëjtën pyetje Shpend Ahmeti”, tha Kostiq në përgjigjën e tij.
Kostiq ka shtuar se ai tashmë ka hequr dorë nga të qenët deputet në Kuvendin e Serbisë dhe për momentin nuk është as deputet, e as anëtar i organit të përkohshëm.

Në aspektin formal Kostiq i ka plotësuar kriteret për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur në Republikën e Kosovës, po aq sa Shpend Ahmeti, i cili nuk është deputet i Kuvendi të Republikës së Shqipërisë dhe as prefekt i ndonjë bashkie në Shqipëri.

Ministrat e Qeverisë së Kosovës të cilët përfaqësojnë serbët kosovarë si kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës, duhet ta kenë të qartë se ata i paguajmë ne, qytetarët e këtij vendi me taksat tona dhe ata nuk janë vetëm ministra të komunitetit serb të Kosovës, por janë ministra kosovarë, prandaj ose duhet të dëshmojnë lojalitet, pra besnikëri ndaj Republikës së Kosovës, ndaj shtetit që i ka emëruar ose duhet të japin dorëheqjen e të gjejnë punë tjetër, ku nuk lypet besnikëria, p.sh. në shoqatat e peshkatarëve!?

Mirëpo këta dy qytetarë të Republikës së Kosovës i lidh një fakt interesant: Që të dy nuk i janë besnikë Republikës, votuesit e së cilës i kanë zgjedhur në krye të Prishtinës, përkatësisht Graçanicës dhe i paguan nga buxheti i Kosovës, pra këta dy burra pagat u vijnë nga taksat e qytetarëve kosovarë dhe jo, as nga Serbia dhe as nga Shqipëria. Kostiq, Ahmeti etj. mund të kenë përfitime të tjera nga cilido shtet tjetër, por jo pagë kryekomunari!?
Gjithkund në botën që i themi bota e lirë, në demokracitë liberale, qoftë edhe në ShBA (që për mendësinë e lëvizje “Vetëvendosje” dhe etnonacionalistët e tjerë shqiptarë nuk është komb por amalgamë kombesh!) kërkohet besnikëria ndaj shtetit, bile besnikëria ndaj ShBA-së është malli më i kërkuar atje pas 11 shtator 2001!

Kryetarja e sapozgjedhur e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, deklaroi me ta marrë postin për Televizionin Publik të Bosnjës dhe Hercegovinës se si ajo me asgjë nuk i ndan qytetarët kroatë, sepse të gjithë i sheh si kroatë e njëkohësisht kërkoi nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

"Sipas meje, kroat është edhe ai që i përket fesë ortodokse dhe i cili është serb për nga nacionaliteti. Ai është pra një kroat në kuptimin e shtetësisë.”

Dhe Kroacia është anëtare e BE-së, por askush s’e akuzon për tendenca asimiluese të nacionaliteteve.

Shtetit ia siguron kohezionin një komb unik si bashkësi e konstruktuar politike me bazë qytetare.

Porse në Kosovë askush s’ta kërkon besnikërinë ndaj shtetit.
Sepse Kosova s’ka komb kosovar! Së paku jo sipas etnonacionalistëve!?

Serbët kosovarë mund të punojnë për interesat vitale kombëtare të shtetit serb, turqit kosovarë për interesat e Rexhep Taip Erdoganit (sepse interesat turke ka kush i mbron) ndërsa shqiptarët kosovarë që do të duhej të ishin kombformues po punojnë për interesa të nacionalizmit etnik shqiptar që nuk është etabluar asnjëherë si ideologji e shtetit shqiptar. E kjo, sipas një interpretimi të kryeministrit aktual të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, është thjesht vetëm ngarendje pas votave.

Në Kosovë po ndodh erozioni i shtetit, sepse askush s’e do. Politikanët e rangut kombëtar po e vjedhin, ndërsa nacionalistët etnikë po ua krijojnë bindjen qytetarëve kosovarë se vetëm bashkimi kombëtar sipas tyre pra krijimi i shtetit unik shqiptar që na qenkësh zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare, e cila, pas 17 shkurtit 2008, në rrafshin e jashtëm, ndërkombëtar nuk ekziston tutje si çështje e pazgjidhur!?

E pikërisht zgjidhjet përfundimtare e kanë shpënë Gjermaninë tek Rajhu i Tretë.
Betimi i Shpend Ahmetit para flamurit zyrtar të Republikës së Shqipërisë (që kosovarët e akseptojnë si flamur kombëtar) në aspektin juridik-procedural është ekuivalent me betimin e prefektëve të komunave kosovare me shumicë etnike serbe, para flamurit të Republikës së Serbisë. Kjo dëshmon se shteti kosovar në rrafshin simbolik nuk është i pranueshëm as për shqiptarët etnikë dhe as për serbët, sepse të gjithë ëndërrojnë shtetet e mëdha kombëtare, sepse janë pengje dhe viktima njëherësh, të etnonacionalizmit.

Mirëpo, ekziston diçka mbi nivelin e pushtetit komunal, një frymë kushtetute, së cilës duhet t’i përmbahet secili shtetas, përkatësisht secili njeri me post publik.
Por në “askundnajë” askujt s’i dhemb për frymën e Kushtetutës!
Shpend Ahmeti që ditën kur e dha betimin para simbolit të Republikës së Shqipërisë e ka shmangur frymën e Kushtetutës së vendit, nenin 6 të saj dhe Ligjin mbi simbolet shtetërore, njëjtë siç e kanë anashkaluar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe...

Dhe vërtet Kostiq i Graçanicës ka të drejtë: Pyetni Shpend Ahmetin pse e bën këtë?
Njëjtë vepron edhe Kostiq. Edhe ai niset nga të njëjta premisë…
Diçka krejt tjetër është fakti se Ligji kosovar mbi simbolet (Ligji Nr. 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës) është i tmerrshëm! Joshtetëror dhe johistorik.
Dhe për këtë çështje kam shkruar po në këtë rubrikë që më 11 janar 2014. (Shih: http://koha.net/?id=31&o=171762&autori=5)
Dhe më duhet t’ia rikujtoj lexuesit, për ta ilustruar pyetjen legjitime: A e kanë të qartë kosovarët se çka duan dhe nga po shkojnë!?
Kosova e ka një ligj qesharak dhe të papërdorshëm për simbolet e shtetit.

Ky ligj duhet të amendamentohet, të ndryshohet dhe të respektohet nëse dikujt ende fle në shpirt kjo puna e pavarësisë së Kosovës, nëse jo, atëherë del se shteti kosovar paskësh shërbyer si projekt fitimprurës afatshkurtër, sa me u pasurue një kastë pushtetarësh dhe ejani tashti ta mbyllim.
Edhe pa këto telashe, në shumë aspekte atdheut të kosovarëve, pra shteti të ri, nga shumë diplomat e ekspertë ndërkombëtar po i atribuohet cilësimi “shtet i dështuar”!

Prandaj t’u themi stop etnonacionalizmave si në Prishtinë e Prizren, si në Graçanicë e Leposaviq dhe ta mbrojmë shtetin, Republikën!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...