22 Shkurt 2014 - 16:01 - Halil Matoshi
Mendësia obskurantiste për ta mbajtur shoqërinë civile nën vëzhgim si të dyshuar, është praktikë e shteteve që sapo dilnin nga komunizmi, por edhe e shteteve të brishta, përkatësisht e vendeve pa demokraci të konsoliduar ose që kanë një qeveri jokompetente, qeverisje të më të ligjve, përkatësisht një kakistokraci.
Që në vitet ’90 nga Qendra për Informim e Kosovës (QIK), pra nga njerëzit e kësaj qendre, që kujdestaronin mbi moralin e kombit, shoqëria civile kosovare trajtohej si e dyshimtë dhe sipas këtyre zëdhënësve të atëhershëm të LDK-së, pjesë e së cilës ishte edhe Hydajet Hyseni, shoqëria civile shpenzonte fonde të dyshimta, armiqësore.
Njëri nga këta njerëz, Mehmet Kraja, këtë teori komploti të shoqërisë civile madje e ngre në një kuazidoktrinë, në librin e tij “Identiteti kosovar.”
Po për këtë manifest antikosovar dhe racist, një herë tjetër.
“Teoria e komplotit” kundër shtetit të Kosovës, që e bëri të dështojë në procesin e liberalizimit të vizave, sipas mendjes tinëzare të Hydajet Hysenit, është rezultat i damkosjes që po i bën shtetit para të huajve shoqëria civile kosovare, përndryshe institucionet qeverisëse na qenkan për merak!?
E kjo deklaratë antidemokratike dhe antishoqërore e Hydajet Hysenit, ish-lider i grupeve marksiste-leniniste të Kosovës, ish- anëtar Kryesie në LDK dhe tashti deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë në pushtet, PDK, vjen në një moment diabolik, të ndarjes së kësaj shoqërie në patriotë (që nënkuptohet Qeveria dhe duartrokitësit e saj) dhe tradhtarë (që sipas Hysenit e shumë tipave të PDK-së u nënkuptuaka shoqëria civile.)
Po këso teorish konspirative natyrisht se më së miri i shprehin vetë folësit, të cilët ashiqare janë zënë në kurthin e panikut të humbjes së pushtetit dhe privilegjeve që ata ia kanë dhuruar vetes!?
Kjo deklaratë ndërlidhet me shumë procese delikate që sivjet kanë nisur në Kosovë, që nga zgjedhjet vendore të vjeshtës së vitit që shkoi, rrëzimi i kreut të Universitetit të Prishtinës dhe fillimi i fundit të SHIK-ut në majat e pushtetit politik dhe nëpër bordet e kompanive publike.
Sikur disa profesorë e asistentë turbonacionalistë e racistë me damkë, sikur deputeti Gani Koci, (të cilit i pëlqeu stigma për disa pjesëtarë të shoqërisë civile si “bij shkinash”), edhe Hydajet Hyseni akuzoi shoqërinë civile se po e ekzagjeron gjendjen në Kosovë për interesa të tyre!?
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, shprehu besimin se pikërisht shkaku i ndikimit nga shoqëria civile, eurodeputetja Ulrike Lunacek tha në Prishtinë se liberalizimi i vizave do të ndodhë pas tre apo katër vjetësh.
Nuk mund të përshkruhet ndryshe zemërata e këtyre njerëzve pos me një shprehje bisedimore nga thesari popullor që thotë: “U ka hi bukla si pulave n’kotec.”
Po të kishin pak moral politik dhe ndërgjegje qytetare dhe t’i konsultonin vetëm dy fakte, indeksin e Bankës Botërore të varfërisë dhe indeksin e Transaparency International për shkallën e korrupsionit në vend, Hydajet Hyseni & Co do të duhej të uleshin me një qoshe e të qanin me dënesje për atë që tinëzisht ia kanë punuar shtetit.
Vetëm këto dy të liga duhej t’ia thyenin zemrën Hydajet Hysenit, duke anashkaluar krimin e organizuar, rrëzbitjen e shkollës shqipe në përmasa mjeruese, papunësinë e lartë dhe paperspektivën, e shumë të mjerëve që flenë edhe nën ura e në kampe gjithandej nëpër Europë e botë, duke kërkuar bukën e gojës, e Hyseni mund t’i cilësojë me kast si “ekzagjerime të shoqërisë civile”;
Pastaj, a e shqetësojnë Hysenin rritja e tendencave klerofashiste, rritja e çarjeve mes komuniteteve etnike e fetare dhe deficiti demokratik, gjuha e urrejtjes në përmasa të terrorit verbal mes konkurrentëve politikë, dhunën në familje etj.?
Kur i ke këto fakte të dhimbshme para sysh, të krijohet pasqyra në të cilën shihet qartë një shoqëri që po shkatërrohet, pra defigurimi i saj.
A është fajtore shoqëria civile apo organet e rendit (Qeveria) për vrasjet me kallashnikovë e thika në ambientet shkollore dhe kudo nëpër Kosovë?
A është fajtore pra shoqëria civile apo Qeveria se Kosova renditet e tetëdhjeta për lirinë e shtypit (sipas raportit më të ri të organizatës “Reporterët pa Kufij”, me seli në Paris.)
Së këndejmi cili është fajtori që Kosova, sipas agjencive të OKB-së është vendi i tretë në botë për numrin më të lartë të azilkërkuesve, pas Afganistanit dhe Kinës dhe para Irakut dhe Iranit?
A është ekzagjerim i shoqërisë civile apo regjimi fajtor se 63 % e kosovarëve jetojnë me 80 eurocentë – përkatësisht me 2 dollarë në ditë!? A e di Hydajet Hyseni se norma e papunësisë është shumë e lartë për personat në moshë të re (nga 16-24) që vlerësohet 71.6%. Për më tepër 40% e numrit total të të papunëve bëjnë pjesë në këtë grup.
Apo edhe ky është një “ekzagjerim” i shoqërisë civile? A i ka fajet shoqëria civile apo Ministria e Brendshme për zhdukjen e 1.4 milionë eurove për pasaportat?
Dhe shoqëria civile sipas logjikës së Hysenit duhet dyshuar për shuarjen e 770 bizneseve gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2013.
Secila fjalë e kësaj Qeverie që merr gjithçka për vete e s’jep asgjë për shtetasit, në adresë të azilkërkuesve kosovarë është cinike, madje cenon rëndë dinjitetin dhe integritetin e tyre...
Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se dallimi mes tyre dhe qeveritarëve është se ata mundohen që të mirëmenaxhojnë fondet që fitojnë nga jashtë (kryesisht nga vendet mike të Kosovës) duke respektuar kontributet që i japin tatimpaguesit nëpër vende të ndryshme të botës, ndryshe nga qeveritarët që janë po ata që keqpërdorin paranë e shtetit që grumbullohet nga taksat e qytetarëve vendës.
Po çka është ky bauk kosovar, që mbiemërohet si shoqëri civile? Shoqëria civile është vetë dialogu kuptimplotë që kërkon pajtimin e dy ose më shumë palëve.
Në kontekstin kosovar, këto dy palë janë qytetarët dhe Qeveria. Për ta arritur një situatë të favorshme, qytetarët duhet të jenë të gatshëm për të siguruar reagime konstruktive, alternativa apo zgjidhje për problemet aktuale.
Nga ana tjetër, Qeveria duhet të miratojë me mendje të hapur akomodimin e reagimeve të shoqërisë civile, të sigurojë njerëzit se nuk do t’u vidhen taksat, të sigurojë njerëzit se nuk do të miratohen ligje që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore, pensionistët, të varfrit, studentët, punëtorët... të sigurojë njerëzit se nuk do të ndëshkohen padrejtësisht.
Madje Qeveria do të duhej që vetë të ishte proaktive për ta inkurajuar qytetarinë aktive në diskursin sociopolitik.
Me këso kulture të ndjeshmërisë politike, qytetarët do të kenë një ndjenjë më të madhe të pronësisë mbi çështjet me të cilat përballet kombi.
Sipas eseistit Scott London, debati mbi globalizimin është fokusuar në masë të madhe në forcat politike dhe ekonomike, për aktivitetet e qeverive dhe bizneseve dhe dinamikën e shteteve dhe tregjeve.
Kurse tek ne po shfaqen tendenca për ta neglizhuar në këto diskutime rolin e shoqërisë civile – ose sektorit të "tretë " - në formësimin.
Shoqëria civile mund të përshkruhet si rrjet i qytetarëve dhe organizatave joqeveritare që krijojnë një komunitet politik, jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të tregut ose të shtetit.
Shoqëria civile luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në formësimin e botës post- luftës së ftohtë.
Ajo kishte një rol qendror në kalimin nga komunizmi në demokraci.
Për rolin jetik të shoqërisë civile në formësimin e çështjeve globale sot, filozofi Benjamin Barber duke shqyrtuar ndikimin e lëvizjeve globale qytetare argumenton se një formë e re e aktivizmit pa kufij po shfaqet sot nën flamurin e organizatave joqeveritare transnacionale. (Benjamin Barber , "Demokracia globalizuese, American Prospect, 11 shtator 2000.)
Kurse ekonomisti Hazel Henderson pohon se lëvizjet ndërkombëtare të qytetarëve përfaqësojnë një nga forcat më të fuqishme për risi sociale sot. (Hazel Henderson, "Inovacioni social dhe lëvizjet për qytetarët", Futures, 1993.)
Së fundi, në një ese të përshtatur nga një fjalim publik në vitin 1992, Vaclav Havel bën një gjest elokuent për atë që ai e sheh si një etikë të re civile në zhvillim në epokën postkomuniste. ((Vaclav Havel: "Politics and the World Itself", Kettering Review, 1992.)
Secili nga këta autorë flet për rëndësinë e thellë dhe në rritje të lëvizjeve qytetare në krijimin e një bote më të qetë dhe të qëndrueshme në shekullin e 21.
Sipas Barber, këto lloje të lëvizjeve qytetare kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv dhe meritojnë vëmendje më të madhe ndërkombëtare dhe mbështetje.
Jo vetëm që ato premtojnë një masë të "pushtetit kundërbalancues" në arenën ndërkombëtare, si një mburojë kundër lëvizjeve reaksionare, të tilla si politika e krahut ultra të djathtë e Pat Buchanan apo Jean - Marie Le Pen në Francë, por gjithashtu mishërojnë një lloj opinioni publik global .
Me një fjalë, Barberi thotë se ata (shoqëria civile) vë mish mbi kockat e zhveshura të doktrinave legaliste dhe të drejtave universale...
Rritja e këtyre llojeve të organizatave është një nga fenomenet më të rëndësishme të shekullit të 20.
Një nga karakteristikat më të dallueshme të OJQ-ve , sipas mendimit të Hendersonit, është se ato janë të orientuara drejt së ardhmes.
Në këtë mënyrë OJQ-të shpesh shërbejnë si prekursorë për institucionet qeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare, duke i animuar ligjvënësit për t'iu përgjigjur trysnive në nivelin bazë.
Përveç kësaj, OJQ-të janë shpesh të shpejta për të gjetur alternativa kreative dhe inovative për zgjidhjen e problemeve sociale.
Sipas Vaclav Havelit, ne nuk jemi ende të lirë nga qasja e çoroditur komuniste për çështjet njerëzore. Ajo ende jeton brenda sistemeve tona politike dhe ekonomike, institucioneve tona dhe madje edhe në zakonet tona të mendjes.
Megjithatë, ka diçka krejt të re në zhvillim rreth botës. Ajo shprehet përmes aktivizmit të shoqërisë civile.
“Ne kemi nevojë për një ndjenjë të përgjegjësisë transcendentale, urtësi arketipore, shije të mirë, kurajë, dhembshuri dhe besim në rëndësinë e masave të veçanta që nuk aspirojnë të jetë një çelës universal për shpëtim”, thotë ai.
Havel është shprehur për një politikë të shpresës, një politikë të së ardhmes, një politikë në të cilat qëndrimet dhe veprimet e çdo individi kanë një vend dhe funksion të rëndësishëm.
E po, unë nuk e di se çfarë i thotë emri i Havelit Hydajet Hysenit?
Ndoshta vetë Haveli e ka ekzagjeruar rolin e shoqërisë civile!?
Apo është Hyseni ai që ka mbetur diku larg në epokën e errët të marksizëm-leninizmit.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...