Stalinistët s’duan të ndërrohen – ata rëndom bien

18 Korrik 2014 - 08:40 - Halil Matoshi      

Pakkujt i bëri përshtypje HTH, kur po thoshte gjatë fushatës parazgjedhore se “nuk mund t’ua besojë Kosovën duarve të pasigurta”. Derisa “shefi i shefave” të PDK-së – siç e cilësonte HTH në aferën “Pronto”, kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci - po u thotë kosovarëve se nuk ia lejojnë askujt t’i prekë institucionet që i kanë ndërtuar me gjak! Ai me këtë po do të thotë atë që e kanë thënë diktatorët gjatë tërë shekullit 20, komunistë e fashistë, se pushtetin e kanë fituar me gjak dhe nuk e lëshojnë ndryshe!?

Dikur ishin me ne – me popullin.
Të gjithë shokët e lëvizjes, papërjashtimisht, të dashur e besnikë...
U qante shpirti për Kosovën.
Nuk veçoheshin nga ne të tjerët, flisnin pak, me modesti e dhembshuri.
U dhembte zemra për vuajtjet e njerëzve në Kosovë.
Porse dikur u erdhi në vesh lajmi nga Tirana se duhej të rrinin gati, që të hynin si çlirimtarë në Kosovë, sepse tashmë ishte marrë vendimi që NATO-ja do ta bombardonte Serbinë...
Dhe ata dolën në mal.

Me armë në dorë hynë në katundet dhe qytetet kosovare, më 13 qershor 1999, e diku-diku edhe më 20.
Pasi që vendin e kishte çliruar NATO-ja.
Bënë ç‘bënë dhe iu turrën pushtetit politik.
Me QPK-në tri mandate.

E duan t’i kenë katër, pse jo përjetësisht!?
E kapën shtetin.
Me ndihmën tonë: të përgjithshme popullore.
I toleruam, madje dhe donim t’i shpërblenim!?
Mirëpo askush nga ne s’e ka menduar atëbotë ditën – një ditë të rëndomtë – kur çlirimtarët do të na thoshin: “Toka dhe ajri janë tonat”!
Postet politike e kulturore, tenderët, përqindjet dhe parkingjet janë tonat.

“Mos e prek: UÇK!”
“Pra edhe e drejta për të sunduar është jona.
Kot e keni. Demokracia...Liritë civile... të drejtat e njeriut...Ha-ha-ha! Sa të marrë!
Kush e ka fituar lirinë me demokraci bre, me gjak, o dajë, me gjak!?” - na thanë dhe vazhdojnë të na kërcënojnë.
Me gjak!?
Ky do të ishte përafërsisht tregimi i secilit qytetar kosovar, që në vitet ’90 nga emigracioni angazhohej për lirinë e Kosovës, ose tregimi i qytetarit mesatar.

Publicisti Bruno Bushiq (1939) në fillim të viteve ’70 kishte shkuar si azilkërkues në Perëndim nga Kroacia, ku ishte formësuar si emigrant politik ekstremist kroat.
I vrarë në Paris më 1978, besohet nga ndonjë shërbim sekret jugosllav.
Në një tekst të tij nga viti 1975 ai shkruante: " ... Kur të çlirohemi nga robëria serbe dhe ta krijojmë shtetin, tek atëherë keni çka me pa, se si vjedhin tanët. Secili prej nesh me shekuj është vjedhë e stërvjedhë, por më e rënda do të jetë kur tanët të na vjedhin dhe të na shesin tek te huajt, tek të hunit e konopit.
Do të lëshohen mbi ne si zogjtë grabitqarë. Atëherë do të shtrohet kryepyetja e papërgjigje – si do të shpëtojmë nga vetvetja jonë?!"
Sipas Mao Ce Dungut (teoricien dhe lider i revolucionit kinez) në luftën për liri ekziston vetëm një rrugë: ajo e revolucionit. “Pushteti i mirëfilltë buron nga tyta e armëve.”

Këtë frazë (të vetmen që LPK-ja e ka përtypur me dekada) e kishin marrë të mirëqenë eksponentët që veten e kishin ngritur në strukturë drejtuese (politike?) të luftës çlirimtare në Kosovë – shumë vonë, tek në vitin 1998-1999, sipas një raporti të Inteligjencës Zvicerane - porse ky nuk ishte betimi i ushtarëve trima në terren, të cilët iu përgjigjën thirrjes qytetare pa ideologji e ideolog, pa drejtor politik dhe pa komandantë - ia bënë argatin atdheut - ose u vranë për liri, ose u tërhoqën në jetën civile dhe këqyrin punët e veta.
LPK-ja - kjo lëvizje me ideologji të qartë staliniste dhe terroriste pos rolit në luftën çlirimtare me këtë hov ia dha vetes edhe të drejtën revolucionare, të marrjes së pushtetit politik, me metoda të kombinuara mes dhunës dhe fabrikimit të votës qytetare, duke u fshehur pas pretendimit se synon ndërtimin e shtetit demokratik e të mirëqenë.

Porse pasi të jenë konsoliduar në pushtet – ata i kërcënohen shoqërisë – që nëse do t’i nxjerrë nga pushteti politik me votë – duhet ta dinë një fakt: “Ata e kanë fituar pushtetin politik me gjak!”
Vota s’e ka peshën e gjakut. Janë të pamatshme!
Më 9 nëntor 1989, Qeveria e Gjermanisë Lindore vendosi t'i hapë kufijtë drejt Gjermanisë Perëndimore. Lajmi u bë i ditur nga Günter Schabowski, anëtar i Politbyrosë së Gjermanisë Lindore. "...kemi marrë vendimin sot për të publikuar një rregullore, nëpërmjet së cilës i lejohet çdo banori të Gjermanisë Lindore të largohet nga vendi në cilëndo anë të kufirit. Kjo hyn në fuqi menjëherë. Po ndodh tani. Menjëherë, pa asnjë vonesë" – habitej dhe vetë ai.
Muri ra po atë ditë.

Pak ditë më përpara Eric Honecker kishte thënë: “Muri nuk bie edhe 100 vjet”.
Nicolae Ceauşescu, diktatori rumun, në fillim të dhjetorit 1989 kishte urdhëruar Securitean famëkeqe që të konfiskonte të gjitha makinat e shkrimit në Rumani.
Ai u kap nga forcat rebele dhe u ekzekutua, në ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor 1989.
Në dhjetor 1990 Ramiz Alia deklaronte: “Dhe bar do hamë, porse nga marksizëm-leninizmi s’do heqim dorë.”
Më 31 mars 1991 mbahen zgjedhjet e para pluraliste.
Vetë Ramiz Alia i humb ato në zonën ku në vitin 1941 u formua Partia Komuniste Shqiptare.

Në zgjedhjet për kryetar të RFJ-së, më 24 shtator 2000 fitoi Koshtunica, porse Milosheviqi nuk e pranoi humbjen dhe nxiti demonstrata rrugëve.
Mirëpo regjimi i tij u thye dhe ra më 5 tetor 2000.
“Komandant, a mund të bëjmë marrëveshje?”, - iu drejtua udhëheqësit të operacionit kundër tij, Milosheviqi ashiqare i hallakatur, me sy të zgurdulluar dhe me një shtangim në fytyrë. Përgjigjja ishte: “Marrëveshje s’ka – mund të bisedojmë” – ia kthen komandanti i policisë. Sipas një burimi (forum.b92.net), Milosheviqi në një moment kishte shprehur gatishmërinë që të dorëzohej, porse po e pengonte e shoqja, Miriana, që vërtitej nëpër shtëpi, histerike dhe duke thënë se kishte sulm në zemër.

Edhe më agresive sillej e bija Marija, e cila me presionin e saj bëri që përgjigjja e fundit e tij të ishte:: “Nga këtu nuk dal i gjallë”!”
Megjithatë pak muaj pas rënies nga pushteti, Milosheviqi u arrestua më 28 qershor dhe u dorëzua në Hagë, atje dhe vdiq, i padënuar.
Duke qenë se historia - thonë - është mësuese e jetës – analogjia historike e HTH me personazhet për të cilët folëm më lart sa vjen e po bëhet më e plotë, ai sa më gjatë që rri në pushtet po bëhet më arrogant e i paparashikueshëm!?

Madje edhe kërcënues për stabilitetin e vendit.
T’i kthehemi së këndejmi realitetit kosovar.
PDK-ja si një konglomerat me një grumbull organizatash kuazipatriotike e kuazifetare (gjithsesi përplot ekstremistë etnonacionalistë dhe ithtarë e duartrokitës të ISIS-it) doli fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.
Mirëpo, duke qenë se HTH i ka mashtruar të gjithë, miq e armiq, vendorë e të huaj, ai s’po gjen partner për ta ndërtuar Qeverinë, sepse thjesht të gjithë ia kanë drojën, të gjithë ikin nga përqafimi i tij.
Dhe në pyetjen: “Përse askush nuk po e do partneritetin me HTH?” është edhe thelbi i përgjigjes, të cilën e di vetë HTH.

Ish-kryeministri po deshi që analogjitë e mësipërme të mbesin vetëm legjenda ose materiale letrare madje edhe thashetheme gojëkëqijsh, duhet të reflektojë.
Ai në vend që t’i lëshojë vend ndërtimit të institucioneve të reja demokratike, sipas një vullneti të shprehur të shumicës, po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, pikërisht sepse ka shumë frikë.
Frikë nga e ardhmja pa pushtet e famë, frikë nga Gjykata Speciale, frikë se do t’i duhet që të japë llogari para ndonjë gjyqi për keqqeverisje e kapje të shtetit.

E pra frika është këshilltari më i keq – thotë Domenique Moissi – tek “Gjeopolitika e emocioneve” – ajo rëndom shpie në dhunë.
Prandaj frika po e bën HTH të dhunshëm në deklarata dhe të paskrupull në luftën me mish e me shpirt që ta ruajë pushtetin ose influencën e vet në pushtetin politik.
Përndryshe, e pati puna (i flet ndërgjegjja!?)

“Ajo që është më e rëndësishmja për mua dhe për PDK-në që në vend të ketë stabilitet, të ketë siguri dhe të ketë jetë më të mirë. Të respektojmë Kushtetutën, ligjet tona dhe institucionet tona, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe me shumë sakrifica dhe lirisht edhe me shumë gjak që ne nuk do të lejojmë assesi me asnjë kusht që të shkelet mbi ato sakrifica të shumta të popullit tonë”, tha Adem Grabovci.

Në anën tjetër ish-kryeministri Hashim Thaçi pasi që e braktisi mbledhjen e liderëve partiakë me Kryesinë e Kuvendit (legjislatura e kaluar) që përgatit rendin e ditës për mbledhjen konstituive, në linjën e “maoistëve” bëri be se vetëm PDK-ja do ta ndërtojë Qeverinë e re.
“Edhe njëherë dua t'i siguroj të gjithë qytetarët si dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës se ne do të marrim pjesë në seancë konstituive të thirrur nga presidentja e Republikës së Kosovës më datë 17 korrik, duke zgjedhur kryeparlamentarin të propozuar nga PDK-ja, si dhe të vazhdojmë me formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Askush nuk do të lejohet të përmbysë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. HTH".

Kuvendi i Kosovës i ka thënë “po” krijimit të një Gjykate të Veçantë (Speciale) që do të krijohet në Prishtinë, e do të mblidhet në Evropë, për t’i administruar dhe gjykuar hetimet e amerikanit Williamson për krime lufte, të iniciuara nga Këshilli i Evropës (senatori zviceran Dick Marty) dhe nëse kjo gjykatë do t’i ketë duart plot punë në vjeshtën e vitit 2014, atëherë “puna” e saj do të jetë pikërisht “Drejtoria Politike e UÇK-së”.

Kur Ibrahim Rugova sipas agjendave të miqve evropianë dhe amerikanë duhej të shkonte në Beograd tek Milosheviqi, për të dialoguar, Thaçi dhe Drejtoria e tij Politike talleshin me të si tradhtar i kombit, madje edhe i kërcënoheshin me atentat.
Ndërsa HTH më 19 prill 2013 ka nënshkruar një Marrëveshje me pasardhësin e Milosheviqit, Ivica Daçiq, për përmirësimin e marrëdhënieve, e për çka lëvizja “Vetëvendosje” e akuzon për tradhti – integrim të Kosovës në Serbi, e jo integrim të serbëve kosovarë në Kosovë.

E tashti “Besëlidhjen” mund ta dëmtojë vetëm lëvizja “Vetëvendosje” - e cila duket se po mësynë të marrë shumë (gjithçka?) - duke qenë se është gjetur në pozitën e "King maker-it" dhe ta ringjallë kështu PDK-në duke e faktorizuar nga hiçi.
Gjasat janë solide që të zbatohet marrëveshja e opozitës, me “po” të VV-së, por duke parë në skenën politike njerëz kryeneç e të dhunshëm si HTH, po aq të mëdha janë edhe gjasat për zgjedhje të jashtëzakonshme...

Nuk duhet paragjykuar se në mbledhjen konstituive të Kuvendit do të ketë grushtime - dua të besoj që kosovarët do të kenë një rast për të festuar, mirëpo kjo varet kryesisht nga fakti se sa e duan vërtet Kosovën përfaqësuesit e ish-LPK-së, përkatësisht “Drejtoria Politike e UÇK-së” dhe PDK-ja e sotshme, që dikur brohorisnin: "O do bëhet Kosova e jona - o do bëhet shkrum e hi!"
Dhe u bë e tyre – sepse e zaptuan – sepse ideali i luftës së tyre paskësh qenë pushteti personal dhe pasurimi nga liria e Kosovës, jo për nderin dhe sidomos jo për njerëzit e saj të kërrusur nga hallet e robëria.

A e kanë braktisur ende këtë betim!?
Disa si AG e HTH po e vazhdojnë. Sikur edhe Enver H.!
E tash, se çfarë do të ndodhë, varet se çfarë kanë menduar vërtet “shefi i shefave” dhe vetë “shefi i madh” kur kanë thënë: "Nuk do ta lejojmë askënd që të shkelë mbi institucionet që i kemi fituar me gjak...", përkatësisht: “Askush nuk do të lejohet të përmbysë vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.”
Stalinistët s’duan të ndërrohen – ata rëndom bien!
Vetë po thonë kështu!
Zoti i ndjeftë!

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...