Etnonacionalistët Kraja dhe Qosja (3)

5 Prill 2014 - 13:11 - Halil Matoshi      

Në dioptrinë “shkencore” të Mehmet Krajës kosovarët s’janë gjë tjetër pos “komb jugosllav”, “mercenarë”, “të çburrrnuem e të çmoralizuem”, “të shitur e të blerë, me para në dorë...” Ruana Zot nga moti i lig që të mos na rreh havaja me shi e mërzi - të mos na rreh topi (i Krajës)

Krajës si shkrimtar (i dhënë pas fiksionit) edhe mund t’i rrinte mirë fjalia e dizajnuar si mallkim: “Kosovën nuk e do më njeri. Ajo është një gënjeshtër e madhe. Gënjeshtër e madhe është edhe liria, gënjeshtër e madhe është edhe kombi, gënjeshtër e madhe është edhe atdheu, shteti, pavarësia...” (fq. 252), porse Krajës si dijetar dhe autor i një teksti me pretendime sociopolitike si ky që po e shoshitim, kjo fjali cok i shkakton dëme të pariparueshme në rrafshin e kredibilitetit të tij moral dhe autorial, sepse ai duhet të sqarojë vetëm këtë fakt empirik (për të cilin folëm më lart): Si do ta komentonte ai faktin se 82 % e kosovarëve i janë luajalë dhe i dëshmojnë besnikëri shtetit kosovar.

E ja që edhe Kosovën po e dashka dikush!
Vërtet qenkan shumë ata që e duan.

Në kontekst të nacionalizmit etatist shteti kombëtar i Kosovës qëndron më së miri në rajon.”Nacionalizmi politik i shtetit kombëtar po bashkëjeton me vështirësi ose është në konflikt me nacionalizmin etnik të bashkësive të tij – një rrethanë kjo që ka ekzistuar që nga viti 1945 dhe që nuk po tregon shenja qetësie apo zgjidhjeje”, – thotë Anthony D. Smith. (“Kombet dhe nacionalizmi në erën globale”, Botimet Dudaj, Tiranë, 2008, fq. 26.)

Pra nacionalizmi etatist (si patriotizëm ligjor) kosovar po bashkëjeton me vështirësi me etnonacionalizmat etnikë, sidomos me nacional-socializmin e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe me klero-fashizmin e partive të komunitetit serb.

Martesa e shtetit me kombin duke e derivuar “një bashkësi të qytetarëve” (Dominique Schnapper: “Mbi idenë moderne të kombit”) e ka tronditur me themel prononcimin politik për një komb unik shqiptar, sepse shteti i ri kosovar është gjetur i maturuar (17 shkurt 2008), ndërkaq që shqiptarët etnikë të Kosovës tashti si “njësi e rritur” (Urs Altermatt) duan këtë martesë, por nuk guxojnë ta manifestojnë hapur, sepse kjo e shtron para tyre pyetjen: Me cilin komb dëshiron të martohet shteti kosovar?

Me kombin shqiptar, që e ka në pronësi një shtet tjetër, tashmë 100-vjeçar - Republikën e Shqipërisë apo me një komb kosovar, më të ndryshëm për nga konteksti i ngjizjes dhe për nga rrethanat ndërkombëtare, si një komb i ri shumetnik (shumetniciteti i kombit është një cilësi e re dhe jo një aht) dhe ky komb i ri sot mbiquhet sipas konceptit gjeografik dhe historik: kosovar, e nesër mund të quhet komb dardan!?

Me këtë komb politik, imagjinar, artificial apo i “traditave të shpikura” (secili lë ta përdorë termin që i teket) marrin fund politikat muzeore të kombit etnik (të gjakut, gjuhës dhe truallit) pra marrin fund “gjeopolitikat e emocioneve” – siç shprehet Domenique Moissi.
Sepse ne s’mund ta dimë se çka do të jemi pas një shekulli.
Nuk jemi profetë.

Ndoshta, siç ka indicie sot, nesër duhet menduar veten brenda një strukture të quajtur Shtetet e Bashkuara të Europës.
E ne si pjesë e kombit europian!?

“Një ditë do të kemi Shtetet e Bashkuara të Europës, sepse kjo është e nevojshme”, tha së fundi Martin Schultz, president i Parlamentit Europian, duke kritikuar fjalimin e kryeministrit britanik, David Cameron.

Aderimi i dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës në BE, cok i bashkon shqiptarët, i bashkon ndër vete dhe me të tjerët, rreth vlerave të përbashkëta europiane.

Në librin eseistik “Identiteti dhe dhuna”, Amartya Sen, nobelisti indian, ringjall shpresën për një botë më pak të burgosur nga iluzioni dhe i jep zë njeriut që nuk do dhe nuk duhet të mbetet rob brenda një identiteti të ngurtë dhe përjashtues etnik ose fetar e ideologjik, por orvatet t’i çlirojë energjitë njerëzore duke ia rikujtuar faktin se njeriu njëherësh mbrun brenda vetes shumë identitete, gjithqysh ndihem i zemëruar me burgun e iluzionit ku janë katandisur shoqëritë ballkanike, pra edhe ajo kosovare, ose një pjesë e saj që duan përkufizime etnike të shtetit, në vend të deetnizimit duke ngarendur të lyejnë sa më shumë tokë me ngjyrat etnike, e duke harruar integrimet dhe globalizimin, mirëqenien e qytetarëve dhe edukimin e tyre.

Më tutje teza për “një subversion gjuhësor” që Jugosllavia qenkësh përpjekur t’ia bënte Shqipërisë dhe gjuhës shqipe është thjesht edhe ky, një huazim nga puritanët e standardit enverist ’72, si Ismail Kadare, është një tezë pamfletiste, beli antigege dhe antikosovare, sepse për autorin ‘kosovarishtja’ përkatësisht gegnishtja na qenkësh “azil i keqshkruesve” e deri tek cilësimi “gjuhë e rrezikshme për ambientin”!? (Fq. 255, 261, 277, 280. 281, 287, 283.)

Zvicra mbron me ligj dialektet, inkurajon dhe financon studimin e tyre, ndonëse në këtë shtet fliten gjuhët letrare gjermane, frënge dhe italiane, e ja që tek ne Kraja sypatrembur dhe bashkëmendimtarët i cilësojnë dialektet si “ndotës të ambientit.”

Ruana Zot nga moti i lig që të mos na rreh havaja - të mos na rreh topi (i Krajës).

Sidoqoftë, ngritja e gegnishtes në nivel të standardit në Kosovë a ishte ide novatore dhe utilitare apo ishte subversion, kjo “çështje nebuloze”, mbetet për t’u studiuar, mbetet për t’u përimtuar nga shumë aspekte, prandaj edhe nuk po zgjatem këtu.

Me Arben Xhaferin (tashmë të ndjerë) kam pasë polemizuar në vitin 2006, pas një teze të tij, për mua shumë diabolike e të rrezikshme, sipas së cilës grisheshin shqiptarët (e jo sall kosovarët) të mos i japin dashuri të madhe e luajalitet shtetit të Kosovës, sepse, sipas tij, do të forcohet një krah kombëtar (druan madje se do ta ndërrojë standardin e gjuhës shqipe të vitit 1972 dhe do ta krijojë një identitet të ri) dhe kjo po e shkaktuaka defaktorizimin dhe defigurimin e kombit unik shqiptar, duke i shkaktuar atij fraktura, si të ishte komb prej xhami!?

Njashtu qëndron puna me Mehmet Krajën.

Madje Kraja duke dashur të bëjë një akribi (fq. 262) thotë se më 1964 Titoja dhe jugosllavët i nxitën kosovarët ta përqafonin standardin ’72, kjo është një tezë sa e diskutueshme, aq edhe interesante, mirëpo kjo e shpie autorin në kontradiktë.

Kraja i mëshon tezës shumë të përhapur se trashëgimia kulturore e Kosovës është e dominuar nga identiteti serb, (fq. 293.) mirëpo edhe kjo tezë është e diskutueshme, sepse që nga shteti serb i Dushanit (tepër jetëshkurtër në Kosovë, aq sa ai i Slobo Milosheviqit, rreth 14 vjet; Shih: Schmitt tek “Kosova, një histori e shkurtër”), i cili shpejt kishte rënë nën vasalitetin otoman dhe fundja serbët e Milosheviqit (thënë simbolikisht) gjë që vërtetohet nga autori me nam botëror si Patrick J. Geary tek “Miti i kombeve”, s’kanë ama asnjë lidhje me kalbëzimet avare të ardhura në Ballkan rreth shekullit 7, që nga matanë Karpateve, porse edhe këtu manifestohen “traditat e shpikura”, por këtë herë nga nacionalizmi kombformues serb i Vuk Karadjić-it..

Ndërsa, teza se “Kosova e ka antikën të mbuluar me dhe” (fq. 301), është interesante dhe kërkon studime multidisiplinare, para së gjithash teknika të kombinuara historike-arkivore dhe arkeologjike - antropologjike, qe në Kosovë janë kurrfare.

Sa i përket “traditës së shpikur” të kosovaristëve mbi “Mitin e Dardanisë”, vërtet edhe në këtë rrafsh jemi të hendikepuar, sepse ka shumë pak ose fare artefakte që e vërtetojnë dhe e shquajnë arealin dardan, për të cilin Kraja mendon se ishte pjesë e një tërësie, pra Dardania të ketë qenë pjesë e tërësisë ilirike (fq. 315).

Kjo tezë është e diskutueshme për vetë faktin se në literaturë gjenden me bollëk referenca që na shpijnë në një drejtim tjetër: Kishte vite e dekada armiqësie e konfliktesh “ushtarake” mes dardhanëve dhe fiseve ilirike.

Kraja shprehet se ky ishte një perceptim – me bazë historike – por me referenca naciobalromantike. E po, këto nuk shkojnë bashkë!?
Duke folur për kulturën (artin elitar kosovar) dhe recipientët që Kraja me kast i quan snobë dhe tepër të paktë, ai rrëshqet sërish në racizëm (fq. 332): “...dhe shpesh, disave syresh, iu vjen erë e rëndë jugosllavizëm”.

Në këtë fjali ‘era e rëndë’ qoftë edhe duke iu referuar “jugosllavizmit’ si koncept i maskulturës, gjuhës ose shoqërisë, është thjesht stereotip racist, sepse unë s’di çfarë ere “mbanin” jugosllavët, pos si tërë europianët (juglindorët!?)

Është po aq e diskutueshme teza se “bashkësia ndërkombëtare, pas luftës së Kosovës, në përballje mes dy kulturave, asaj shqiptare dhe serbe, i dha përparësi kulturës serbe...” (fq. 356) dhe në këtë “dhënie përparësie”, sipas autorit, kultura shqiptare ka pësuar shkombëtarizim, duke i sponsorizuar sajuesit e identitetit kosovar (fq. 358).

Në këtë rast s’ma do koha as hapësira në gazetë me u marrë me teori krajane të komplotit gjithëbotëror antishqiptar!? Madje, duke iu referuar trazirave brutalisht të dhunshme e të pakrye të marsit 2004 edhe misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) na del i njëjtësuar me “një armik të fabrikuar krajan” antishqiptar (fq 421).

Teza për “shqiptarin model të proserbianizmit” është tërësisht me tahmin dhe e pambështetur në asnjë fakt: “Shqiptari që fliste serbokroatisht në shtëpi, që i çonte fëmijët në shkollën serbe, që e kalonte ditën duke folur serbisht, që lexonte libra serbisht, ai quhej shqiptari model, që e kishte përqafuar vëllazërim-bashkimin...” (fq. 424) shkruan autori dhe vazhdon me një potpuri pështymjesh ndaj këtij farë modeli të rritur në masivitet, sipas tij, me një origjinë të përzier shqiptaro-sllave dhe anasjelltas ectr., ectr., model që kurrë s’ka ekzistuar në Kosovë në përmasat që ia vlen të shkruhet në libra, paçka se ka pasur raste të izoluara dhe tepër aksidentale të këso lloj “modelesh”.

Dikur me të njëjtin ton flet edhe për “ndeja të fshehta grupore” të substratit vendor-ndërkombëtar (mendon në orgji seksi (!?) fq. 427,) “...ku Kosova përjetonte zhburrnimin dhe çmoralizimin...”
Ky është postulat që buron nga fashizmi maskulinist dhe s’kam trohë vullneti të lëshohem në këso diskutimesh.

Nën prizmin e konspiracionit antishqiptar autori e sheh edhe shoqërinë civile kosovare (OJQ-të; fq 428), pastaj e cilëson identitetin kosovar si “identitet mercenar” (fq. 429) që është “... i paguar me para në dorë ose me shërbime të tjera”.

Unë nuk e di nëse Kraja e di se shoqëria civile kosovare financohet për projekte konkrete nga donatorët kryesisht qeveritarë (rreth 85%) pra me paratë e taksapaguesve të vendeve aleate të Kosovës, kryesisht ShBA-së, Gjermanisë, Zvicrës, shteteve skandinave, kurse 15% vjen nga fondacione private si ai i Georg Sorosit, por kurrë dhe në asnjë rast, nuk vjen asnjë metalik për “mercenarët” e kombit kosovar, sipas tahmineve të autorit!?

Nëse autori do të kishte të dhëna të sakta për t’iu përgjigjur pyetjeve kush nga kosovaristët ka marrë para, nga kush, kur dhe sa, për mercenarizëm dhe shërbime tjera, kjo do të ishte vërtet impresive!?
Por, jo, jo ai s’e ka asnjë fakt.

Është i saktë së këndejmi mendimi se shteti kosovar është “shartuar mbi nevojat politike” (fq.455), sepse të gjitha shtetet janë “shartime politike”, por që është “shtet hibrid” dhe që s’ka lidhje me asnjë trashëgimi tjetër, kjo nuk qëndron, siç nuk qëndron i tërë perceptimi krajan i identitetit kosovar.

Se identiteti kosovar ka një trashëgimi që shkon goxha thellë në histori (“traditë të shpikur” – që nga dardhanët (dh-ja është e qëllimshme këtu) e deri tek kosovarët e sotshëm, kjo nuk ka dyshim. Pra identiteti kosovar i ka Wilhelm Telat e vet (Bogdanin, Lekë Dukagjinin, Hasan Prishtinën, Azem Bejten e deri tek Adem Jashari.)
Perceptimet e autorit në këtë libër shpesh janë jo vetëm të gabuara, por të huqura krejt, por dhemb tendenca e përmasave gati armiqësore ndaj kosovarëve.

Kaq për librin “Identiteti kosovar” - krejt të shitur- siç thotë autori në intervistën e tij.

Në anën tjetër, Kraja bëhet shef i projektit, kryeredaktor i Enciklopedisë së Kosovës, që financohet nga taksapaguesit kosovarë, porse në teori dhe praktikë ai është kundër çdo identiteti të veçantë kosovar, duke e pickuar e ndonjëherë duke e kafshuar atë.

Kurse Rexhep Qosja – po ashtu duke u nisur nga të njëjtat pozicione kombëtariste (etnonacionaliste) si Kraja, së paku do të mbetet kryeneçësisht “i ndershëm” në këtë rrafsh – nuk do të jetë pjesë e një identiteti separatist, të shpikur, antikombëtar, pra kërkon që prodhimi i tij intelektual, për aq sa është, të mos përfshihet në këtë Enciklopedi “të çmendur kosovare”!?

Duke e lexuar një intervistë të Mehmet Krajës së voni dhe një kinse polemikë të tij me Rexhep Qosjen, lehtë mund të konkludohet se kemi të bëjmë me një përplasje aksidentale brenda llojit, brenda së njëjtës atitudë mendësie: Që të dytë janë lëshuar në metanarracione (tregime të mëdha) edhe pas fundit të tyre (J.-F. Lyotard.)

"Ajo që ne jemi duke folur këtu nuk është histori akademike, por historia publike dhe mënyra që formon ndjenjën se kush jemi" - thotë Peter Catterall, një lektor në histori në Universitetin e Londrës dhe themelues e redaktor i revistës “National Identitete”.

"Kombi nuk duhet të ngatërrohet me shtetin”, - thotë M. Lane Bruner, profesor i komunikimit në Universitetin Georgia State. "Shteti dhe institucionet e tij janë gjëra konkrete, ndërsa kombi është diçka që është më shumë një fantazi. Jo fantazi e plotë, por një fiksion politikisht i rëndësishëm. Pasi njerëzit të besojnë atë, ajo bëhet e vërtetë."

Prandaj, që këtu, kombi si strukturë imagjinare, si fantazi po del nga historia, kurse shteti po e merr primatin e tij, sepse kombi s’ka institucione legale, s’ka krye…

“Identiteti kosovar është një identitet politik i shpikur” – kjo është paranteza e Mehmet Krajës, me të cilën ai abuzon. E para, të gjitha identitetet kombëtare janë imagjinare,të shpikura (Anderson) dhe e dyta të gjitha kombet janë produkte politike (të rrethanave të dhëna politike), pra janë bashkësi politike, të mbështetura në një ligj suprem (kushtetutë).

Duke qenë se Rilindja Kombëtare Shqiptare është projekti madhor konform me kombformimin perëndimor, ka dështuar t’ia përshtatë kufijtë e shtetit të pavarur hapësirës gjeografike të banuar me shqiptarë etnikë, së këndejmi shqiptarët e ish-Jugosllavisë që nga viti 1913 kanë mbetur jashtë këtij projekti, duke mos arritur që të bëhen pjesë organike e kombit shqiptar, i cili deri më 1923 ishte thjesht në ngjizje e sipër, pra ishte vetëm një prononcim politik, thjesht një kolektivitet historik.

Tezat spekulative (rastet e izoluara) që ndodhin aksidentalisht njëherë, Kraja i merr si të mirëqena dhe të pandërrueshme. Në këtë rast ai e merr një shembull, kur himni kosovar është fishkëllyer nga tifozët kombëtaristë në një ndeshje mes kombëtareve kosovare dhe shqiptare. Mirëpo, pikërisht kjo tezë e argumenton ndërrueshmërinë e lehtë (identitetet janë të rrëshqitshme) të trajektores identitare, ngase në ndeshjen miqësore të futbollit të lejuar nga FIFA, të 5 marsit 2014 mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Haitit, 17 mijë shikues ishin mbështjellë me flamuj kosovarë dhe qëndronin gatitu e pabëza para himnit kombëtar të Kosovës, duke i dhënë dashuri Kombëtares së tyre dhe fuqi ikonike ngjyrave të saj.

E shihni, pra, konteksti politik prodhon identitete të reja, e konteksti është ai i përplasjes me bllokadën e Serbisë që i bën Kosovës karshi FIFA-s dhe UEFA-s.

Pra në këtë situatë të dhënë, qytetarët duke e mbështetur identitetin shtetëror kosovar përballë një qëndrimi armiqësor solidarizohen me simbolet e shtetit. Thjesht me “dhunën simbolike”.

Shteti është struktura më e lartë organizative e një shoqërie, kurse simbolet shtetërore janë fotografi të dendësuara që përmbledhin tërë kujtimet, krenarinë dhe dhembjen, festat dhe zitë. Simbolet kombëtare shprehin pëlqimin, dëshirat, lojalitetin, solidarësinë dhe miqësinë qytetare, përbashkësinë dhe fuqia ikonike e tyre rritet me rritjen e mirëqenies, në akte gëzimi e lumturie.

Sepse jemi komb i gjallë ndër të gjallët.

Kraja me të drejtë i përgjigjet se për këtë punë as që e pyet kush, sepse produkti i secilit njeri, i plasuar në publik e për publikun, është pronë intelektuale e autorit, por është edhe vlerë e publikut, pra e një entiteti, shteti, kombi, kulture...

Këtu del në shesh paradoksi “akademik”: Kraja fillimisht e cilëson Qosjen si “kosovar të proveniencës orientale” (duke u fokusuar në polemikën e tij me Kadarenë), kurse Qosja, ja që s’do të jetë kosovar e të përfshihet në një projekt kosovarist, sipas tij antihistorik, që synon copëzimin, detronizimin e qenies dhe trupit kombëtar…

Dhe instancat (bordet, akademitë, hartuesit e projekteve kulturore e shkencore kanë të drejtë t’i referohen atij produkti, në masën e duhur dhe me sqarimet e sakta, autori, vepra, titulli dhe faqja ose paragrafi i cituar, botuesi, vendi, viti, konteksti politik e kulturor-shkencor, gjuha... sipas dispozitave dhe standardeve të lejueshme.

Prandaj për ta shënuar, përhapur dhe klasifikuar një vlerë kulturore ose një të arritur shkencore në fjalorë enciklopedikë, ose për ta përfshirë në antologji letrare, në historiografi dhe destinime tjera, autori nuk pyetet. Autori dhe botuesi i tij pyeten vetëm në rast botimi e ribotimi (të drejtat autoriale – në Perëndim vlejnë për 70 vjetët e fundit.)

Por teket e Qosjes shkojnë përtej bonsensit, sepse ai ia ka dhënë vetes të drejtën për të shpërndarë lista, damka dhe etiketa me emra “tradhtarësh”, “antikombëtarësh”, por edhe të “licencojë” “patriotë”...

Por cila është dhe çka paraqet instanca supreme e vetëquajtur si Qosja. Hiç vlerat ose jovlerat e tij, që mund të lavdërohen, kritikohen ose demantohen, ai nuk paraqet kurrfarë instance të lartë. Ai është thjesht një qytetar dhe autor, i vdekshëm gjithsesi, me të drejta të barabarta që vlejnë për të gjithë qytetarët kosovarë.

Faleminderit zotit Kraja që më ka shti më i përvjelë mëngët, me e lexue të tërin dhe me u përballë në këtë polemikë, me i shkoqit tezat e tij më interesante, që janë lehtë të rrëxueshme!

Ishte kënaqësi me i nda me lexuesin kritik këto teza e përplasje mendimesh – me lexuesin që nuk pranon të vërteta të gatshme, uniforme dhe përfundimtare.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...