Letër e hapur liderëve institucionalë (2)

27 Qershor 2015 - 10:30 - Halil Matoshi      

Kosovarët definitivisht duhet të zgjedhin mes kombit unik (bashkimit me Shqipërinë që presupozon ndarjen e Kosovës) dhe identitetit të veçantë kosovar në një Kosovë unike

Kombi kosovar është “njësi e rritur” në një nivel simbolik - roli i së cilës - në diskursin zyrtar të Kosovës, është që t’i dëshmojë 'Perëndimit' - që përfaqëson ato vende të favorshme për pavarësinë e saj - si "vendi më i mirë për të jetuar në të", dhe Kosovën si pjesë të saj (Perëndimit pra).

Thjesht ata, liderët institucionalë kosovarë, nuk e dinë se kombet janë konstruksione imagjinare politike apo nuk guxojnë ta pranojnë se tashmë udhëheqin një shtet-komb të ri, me identitet të veçantë kombëtar, duke mbajtur kontinuitetin e dyfishtë identitar, pra duke e heshtur faktin se ata po e drejtojnë tashmë një komb të ri, brenda kufijve të një shteti të pranuar gjerësisht, nga rreth 110 kombe të botës.

Mirëpo është koha t’u thuhet atyre: Boll ma me gënjeshtra!
Gjatë historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar, flamuri kuqezi është ndryshuar plot gjashtë herë dhe askujt nuk i shkoi mendja që të organizojë një referendum popullor nëse shqiptarët e duan apo jo flamurin aktual të kombit shqiptar!?

Dhe sipas logjikës së lëvizjes “Vetëvendosje” dhe etnonacionalistëve kosovarë, nëse Prishtinën e udhëheq një serb (që sipas konstitucionit kosovar është e mundshme) – a d.m.th. kjo se ai e paskësh të drejtën ta ngrejë flamurin e Serbisë në institucionin që e udhëheq?

Dhe përgjigjja është: jo.

Zyrtarët e shtetit kosovar dhe të gjithë qytetarët e Kosovës ose duhet ta pranojnë kombin kosovar si pronar të shtetit të ri (Republikës së Kosovës) dhe rendin simbolik të tij ose duhet të heqin dorë nga të qenët liderë dhe ministra të shtetit kosovar, pronar i të cilit është kombi kosovar dhe shtatë minoritetet kosovare, të specifikuara në Pakon Ahtisaari.

Pra ata duhet që t’u shërbejnë me besnikëri kombit kosovar dhe atdheut të kosovarëve, përndryshe ata shkelin betimin mbi Kushtetutën e Kosovës!?

Disa nacionalistë të proveniencës rugoviste (sipas ish-liderit të LDK-së dhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, që e kishte dizajnuar një flamur të ashtuquajtur “Dardan“) po të mos sulmohej dhe digjej atëbotë nga eksponentët e ish-gueriles, gjasat ishin që Kosova të kishte një flamur kuqezi dhe me shqiponjën dykrerëshe në qendër, mirëpo, sipas modelit të shtetkrijimit kosovar, çfarëdo vendimi tjetër që do të kishin marrë kosovarët, flamuri i Kosovës prapë do të ishte tjetër prej atij të Shqipërisë.
Pra në secilin version do të eliminoheshin ngjyrat kuqezi dhe shqiponja dykrerëshe.

Porse, nacionalisti tipik gati sa nuk qan nga zemërimi!
“Flamuri dhe himni janë dy gjëra që gjithherë shprehin ndjenjat e atdhedashurisë, krenarisë që i takon atij dheu e atij kombi, gatishmëria për t’iu përulur dhe shërbyer, prandaj kur e nderon, kur e shikon (flamurin) dhe kur e dëgjon (himnin) duhet të reflektojë emocione dhe krenari.”

Ndërsa në anën tjetër, shumica ose një pjesë e madhe e grave dhe e burrave që shërbejnë në Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe në Gardën Ceremoniale, ndonëse janë pjesëmarrës të luftës së UÇK-së, nuk u vjen sëkëlldi që të vishen me të kaltra (ngjyrat e flamurit kosovar) dhe ta nderojnë flamurin kosovar!
Sepse tek këta trupa është ngulitur tashmë ideja atdhetare që është mbrojtja e shtetit.

Shteti i Kosovës është pronë e kombit kosovar (sipas Pakos Ahtisaari) që del të jenë shqiptarët etnikë të Kosovës, sepse këta janë kombndërtuesit, porse edhe pakicat kanë të drejta kushtetuese si shqiptarët, për të marrë pjesë në një komb shumetnik kosovar.

Madje komuniteti serb i ka disa prerogativa të së drejtës së vetos në shtet (pjesëmarrje e garantuar në Qeveri, si dhe vota e dyfishtë në Kuvend për çështjet që kanë të bëjnë me interesat vitale të atij komuniteti etj.)

Në realitet, flamuri i Republikës së Shqipërisë ka qenë i lejuar në Kosovë që nga viti 1968, sepse shqiptarët nën Jugosllavinë federale janë trajtuar si pakicë kombëtare shqiptare.
Dhe nëse pakicat nuk kanë shtetin e tyre, ata e kanë një shtet amë rëndom, për rrethanat ballkanike në fqinjësinë e afërt.

Porse, me krijimin e lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi në Kosovë dhe posaçërisht me luftën e NATO-s për Kosovën dhe Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 17 shkurt 2008, shqiptarët e Kosovës nuk janë më pakicë kombëtare, por janë një komb i lirë dhe po ashtu nuk kanë më një shtet amë, sepse vetë janë “ama.”
Sikur që kombe të reja dolën nga kolonializmi, kombe të reja dolën edhe jashtë kontekstit kolonial (Kosova?)
Sa për krahasim, a janë kombe moldavianët, malazezët, maqedonasit, austriakët?

E irakianët, sirianët, sauditët...?
Po!
E portugezët dhe brazilianët a janë një komb unik (flasin të njëjtën gjuhë) ose spanjollët dhe meksikanët (po ashtu)?
Jo, jo!
Dhe a janë komb unik malajzianët që përbëhen prej qindra grupeve etnike e gjuhësore?
Po!
Porse nacionalisti nuk resht së manipuluari për ta sforcuar bindjen e tij se secili shtet nuk duhet domosdoshmërisht të jetë komb dhe anasjelltas.

Shtetet e formuara deri kah fundshekulli 19 janë kryesisht shtete-kombe; por më vonë, secili shtet nuk është komb.
Mirëpo nacionalisti tipik nuk ndien për kombet që dolën nga kolonializmi (vitet 50-70) dhe sidomos jo për ato kombe të ngjizura jashtë kontekstit kolonial (Kosova sipas Marc Wellerit.)
Për nacionalistin, po të kishte mundësi secili komb të anëtarësohej në OKB, këtë do ta bënin edhe tamilët, katalonjasit, baskët, kurdët, çeçenët e shumë e shumë tjera kombe, që nuk kanë shtetin e tyre të pavarur; e kundërta e drejta në anëtarësim do t’u mohohej të gjitha shteteve që nuk janë kombe, si : Belgjika, Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Andorra, Monako etj...

Nacionalisti nuk do të thotë se cili shtet nuk ka komb pas shekullit 19, sepse secili shtet e ka kombin qoftë ai multietnik qoftë monoetnik, pra e ka një komb politik (si bashkësi e imagjinuar - Anderson) përndryshe shkapërderdhet shteti, sepse s'ka kush i jep besnikëri e lojalitet. Në këtë vazhdë nuk janë komb as tamilët, baskët, kurdët, as katalonjasit dhe as çeçenët; E kanë një lëvizje kombëtare, po ende nuk e kanë arritur shtetin kombëtar, pra janë pakica të mëdha a të vogla etnike brenda shteteve përkatëse kombëtare.

Ndoshta ndonjëherë, ndonjëra nga këto grupe etnike edhe ngrihet në "Njësi të rritur"!? por aktualisht nuk janë.
Sipas historianit e sociologut zviceran Urs Altermattit ai që e kupton kombin si një bashkësi etnike origjine, kapet pas një tabloje ahistorike dhe biologjistike të botës.
Të gjitha kombet-shtete janë njësi të rritura.
Pra kombi i vullnetit qytetar (Somenique Schanpper) është “njësi e rritur.”

Belgjika në anën tjetër është komb modern si Zvicra dhe Monako e Andorra;
Ndonëse janë kombe-shumetnike.
Por edhe Shqipëria në thelb është një komb unik, por shumetnik.
Nacionalisti vazhdon manipulimin edhe me nocione, për ta fuqizuar bindjen e vet.

Sipas tij, në Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës thuhet se shteti është i përbërë nga tri kombet: “ … Duke i kujtuar parimet bazë të akorduara në Gjenevë më 8. 9. 1995 dhe në New York më 26. 9. 1995, boshnjakët, kroatët dhe serbët, si popuj konstituiv (në bashkësi me të tjerët), dhe qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës…”)
Dhe pyetja e nacionalistit është: “Si është e mundshme që serbët dhe kroatët mund të jenë kombe konstitutive në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi – respektivisht në Kroaci.
E “argumentet” e nacionalistit janë:
E para, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga tri kombe konstitutive!?

E dyta, në Kushtetutën e Zvicrës nuk flitet për kombe fare.
Shteti është i formuar nga populli dhe kantonet (26 kantone.)
E treta, Kushtetuta e Belgjikës flet për komunitetet, regjionet.
Nuk ka komb belg!?

E katërta, Kushtetuta e ish-Jugosllavisë, flet për kombet konstitutive; pra nuk kishte komb jugosllav: “… ujedinili su se u saveznu republiku slobodnih i ravnopravnih naroda i narodnosti i stvorili socijalističku federativnu zajednicu radnih ljudi – Socijalističku Federativnu Republiku Jugoslaviju, u kojoj, u interesu svakog naroda i narodnosti posebno i svih njih zajedno, ostvaruju i obezbeđuju… »

(“…u bashkuan në republikën federale të popujve dhe ‘popujzëve’ (Sic!) të lirë e të barabartë dhe e krijuan bashkësinë socialiste federative të njerëzve punonjës – SFRJ, në të cilën në interes të secilit popull dhe ‘popullëz’ (Sic!) veçantë dhe të gjithë së bashku, e krijojnë dhe e sigurojnë…”)
Së pesti, njëjtë qëndrojnë edhe ish-Gjermania Demokratike, ish-Çekosllovakia etj. (të gjitha këto ishin shtete, por nuk ishin kombe.)

Porse këto pandehma janë thjesht manipulime me terma dhe nocione. Pse?
Dhe nëse pyetjet shtrohen me qëllim gabimisht, atëherë edhe përgjigjet dalin të gabuara dhe joracionale..
E para, në Kushtetutën e BH-së po shkruan 'konstituivni narodi (popujt konstitutivë) dhe dallimi mes nocionit popull dhe komb është evident; ‘Nardodi i narodnositi’ është një konstruksion sovjetizues dhe i pakuptimtë për teoritë sociologjike të shkollës perëndimore – porse – ky konstruksion është përkthyer gabimisht në shqip: ‘Kombe dhe kombësi’, sepse nuk ekziston kund në botë nocioni ‘kombësi’, pra është një term i sajuar.

E dyta, në Kushtetutën e Zvicrës nuk u folkësha për komb fare, por për popullin dhe kantonet (absolutisht ngjashëm me Bosnjën, "popujt konstitutivë" - mirëpo duhet pasur parasysh faktin se kur është themeluar Zvicra (Besëlidhja Helvetike) ende nuk është njohur nocioni komb - por vetëm nocioni popull (sipas: Populus Romanus);

E treta, sa për Belgjikën, duhet të lexohet filozofi më i mirë i gjallë i proveniencës frankofone Domonique Moisi, i cili duke trajtuar vlimet etnonacionaliste në vetë zemrën e BE-së, në Belgjikë shkruan: “Nëse edhe banorët e Belgjikës nuk e shquajnë më veten si belgjianë, atëherë Belgjika ndërron jetë”.

Dhe ja që Belgjika ende nuk ka ndërruar jetë, sepse ende janë të gjallë do njerëz që veten e shquajnë si belgë; Ja dhe moskonsistenca e radhës e nacionalistit tipik.
Belgjika është mbretëri dhe mbreti e përfaqëson kombin unik belg!
E katërta, ish-Jugosllavia federale - konstitucioni i saj po ashtu nuk e njeh nocionin komb (mendohej si term perëndimor), por ‘narod’ (popull) dhe “narodnost’ (popullëz - fjalë krejt pa lidhje, që synonte ta zvogëlonte barabarësinë e të barabartëve, d.m.th., sipas modelit sovjetizues të gjithë janë të barabartë, por dikush më i barabartë!???) që në shqip është përkthyer si: “kombet dhe kombësitë (që po ashtu nuk ka kuptim logjik);

Pastaj shumë nga nacionalistët, kombin e mbështesin tek gjuha.
Po brazilianët që flasin portugalisht e nuk janë portugezë dhe meksikanët që flasin spanjisht e nuk janë spanjollë a s’u thotë gjë kjo?
Dhe buzë dëshpërimit, nacionalisti pyet: çfarë kombi janë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë?

Dhe as që e presin përgjigjen se janë pakica etnike shqiptare dhe po të mund të krijonin shtete të pavarura do të shndërroheshin në kombe, ata ikin me përbuzje nga debate për t’u rikthyer me sharje dhe pështyma për tradhtarët që po e goditkan rëndë kombin unik shqiptar?

Për një modernist, kombet janë konstruksione hiç apo fare praktike/konkrete/ ose të prekshme, ato kujt në punë tutje nuk i hyjnë, veç teorive e fjalëve, mburrjes, rrjedhimisht kombet nuk janë mekanizma nga të cilët burojnë të drejtat dhe obligimet, siç janë shtetet...
Shteti është entitet politik/administrativ, kombi ose etnik ose kulturor, por që praktikisht nuk qenëson me rregulla e ligje, por me imagjinatë dhe emotivitet.

Kur këto të dyja (shteti dhe kombi) "koincidojnë" kemi shtet-kombin..
Dhe vërtet kombi si strukturë shoqërore gjithnjë e më shumë po del nga historia, duke i marrë fuqitë e një shteti modern.
Pakoja Ahtisaari e ka derivuar edhe flamurin (rendin simbolik të shtetit të ri) ku thuhet decidivisht se "flamuri duhet ta shprehë karakterin multietnik të shtetit".

Po pse pa e pyetur popullin – shfryn nacionalisti?
Demokracia e drejtpërdrejtë ndodh në Zvicër, ose në një vend nordik, me tradita disashekullore në demokraci dhe ku politikëbërja shtetërore ka krijuar moti mekanizma që nuk lejojnë të abuzohet me 'pro' ose 'kundër’ të shumicave!!!

Sepse më në Zvicër nuk ekziston raporti shumica-pakica!!!
Ajo është një strukturë mbietnike, “Njësi e rritur” - politike.
Pastaj pala kosovare për këmbim me pavarësi kombëtare ka bërë kompromise edhe më të dhimbshme se flamuri, si p.sh.:
1. E drejta e vetos për komunitetet joshumicë (serbët kosovarë) kur kemi të bëjmë me amendamentimin e Kushtetutës në pikat që prekin ose kanë të bëjnë me interesat vitale të tyre (pra a.) vota e dyfishtë në Kuvend!?); b.) garantimi i pjesëmarrjes në Qeveri (Mekanizmi i Badinterit);

2. Decentralizimi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe;
4. Exterritorialiteti i kishave ortodokse serbe (me të cilat direkt menaxhon KOS-i);
5. Serbishtja si gjuhë zyrtare në tërë Kosovën etj.
Pra për asnjë nga këto premisa nuk është pyetur populli, sepse populli nuk vetet gjithmonë për punët e shtetit.
Sipas Albertinit proceset kombkrijuese si rasti i Kosovës duhet të sigurojnë disa ilustrime bazë të kësaj dinamike, kujtesa për rritën gjatë Ditës së Pavarësisë, flamurin e ri të Kosovës përderisa flamuri i Shqipërisë, tashmë bëhet “i huaj”, sepse përfaqëson një komb-shtet tjetër.

Për shkak të kësaj natyre të dyfishtë të identitetit të kosovarëve, është e rëndësishme për të analizuar lidhjen në mes të hapësirave të brendshme dhe të jashtme në çdo semiosferë: për shembull, në mes të identitetit dhe “identitetit alternativ’.
Ndërsa në përmbledhjen e teksteve nga Bujar Aruqaj lidhur me çështjet identitare dhe kombëtare: “Construction of National Identity in the Republic of Kosovo” (/http://www.academia.edu/7418143/Construction_of_National_Identity_in_the_Republic_of_Kosovo) flitet po ashtu për ndërtimin e identitetit kombëtar në Republikën e Kosovës

Këto studime adresojnë çështjen e ndërtimit të identitetit kombëtar kosovar.
“Kosova u bë një komb, kur Parlamenti i saj shpalli Pavarësinë nga Serbia në muajin shkurt 17, 2008. Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.” (Shih: studimi "Peace Negotiations watch." Public International Law & Policy Group
. N.p., 14 Feb. 2005. Web. 15 Nov. 2013.<http://publicinternationallawandpolicygroup.org/wp-content/uploads/2011/10/Vol.-4-Issue-5-Feb.-14-2005.pdf.).
Kosovarët definitivisht një ditë duhet të zgjedhin mes kombit unik (bashkimit me Shqipërinë që presupozon ndarjen e Kosovës) dhe identitetit të veçantë kosovar në një Kosovë unike.

Nëse vendosin për opsionin etnonacionalist (shtetin unik shqiptar dhe kombin unik shqiptar) kjo d.m.th. se kosovarët janë pajtuar për ndarjen e territorit me Serbinë, sepse, nëse duam bashkim në parime etnike, serbët në veriun e Kosovës janë shumicë absolute dhe sipas këtij parimi e paskëshin të drejtën që t’i bashkohen Serbisë…
Pra Kosova nëse heq dorë nga subjektiviteti ndërkombëtar (sovraniteti) kjo d.m.th. se po heq dorë nga një pjesë e territorit kushtetues të saj, duke “dhënë” resurse vitale të ekonomisë nacionale dhe për këmbim s’merr gjë, pos realizimit të një ideje të shekullit 19 dhe fillimshekullit 20, ngase në veriun kosovar është liqeni i Ujmanit, Shkritorja e Zveçanit (kompleksi Trepça) dhe brezi i gjelbër (mushkëritë e Kosovës.)

Në thelb nuk ka shtet me dy flamuj zyrtarë (shtetërorë dhe kombëtarë) - siç e shfaqin Kosovën klasa aktuale politike në Prishtinë, sepse të gjithë flamujt e të gjitha shteteve janë edhe shtetërorë, edhe kombëtarë njëherësh.
Fatkeqësia në këtë vend është se elitat nuk e dinë çka është atdheu në kontekstin e shtetit modern.

Së këndejmi “Shqipëria Etnike” është vetëm një prononcim politik (që u shërben politikanëve për të fituar votat dhe për të shitur mend si patriotë e rilindas kombëtarista) pa ndonjë efekt në marrëdhëniet ndërkombëtare. (Fund)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...