Kosova 2015: Shtatë vjet demokraci sovrane dhe shumetnike

20 Shkurt 2015 - 08:31 - Halil Matoshi      

Këtë titull e huazova nga teksti i urimit të presidentit amerikan, Barack Obama, në adresë të presidentes së Kosovës… Kjo është Kosova - shtatë vjet e pavarur – që pakkush e konsideron atdhe të kosovarëve, sepse të gjithë ngarendin pas atdheve fiktivë e romantikë të shekullit 19 Kosova 2015 me një kryeministër “të ri” me një PR (Public Relation) katastrofal, që as nuk di me shitë n'publik asgjë (edhe nëse ka bërë ndonjë punë t’hajrit), as nuk di të mbajë distancë me ftohtësinë e tij, as nuk di të krijojë afërsi me qetësinë e tij;

Një kryeministër me një qasje arrogante ndaj medies (i qortoi madje si qëllimkëqija!?);

Një LDK e eklipsuar nga partneri i madh i koalicionit (PDK) me një raport nebuloz me qytetarin kosovar;

Një ish-UÇK e ngatërruar pas pushtetit, famës e pareve, ish-guerilë që bjerrin ditët duke u përla mes vete paradite e me tërë Kosovën pasdite, se kush luftoi e kush ia mbathi?

Në listat e saj, si veteran e pjesëtar ka hyrë secili që ka qerasë më shumë qebapa e birra në këto 15 vjet, nëpër kafenetë e Prishtinës (nuk e kuptoj këtë ngarendje pas atyre listave e librezave, nëse bëhet për fuqi politike apo për pension!?);

Një Lëvizje VV të shastisur nga frika se nuk po mundet dot me “e kapë” pushtetin politik, duke mos e pasë të fituar votën e duhur të sovranit - me agresivitetin e vet - dhe “veprimet shpërthyese”, duke i larguar pavetëdijshëm edhe votuesit e saj potencialë, duke e funksionalizuar një “Brigadë” speciale spiunësh (Agjitprop) që e ka lëshuar për të gërmuar biografi e për të bastisur histori, për të denoncuar gazetarë e për të sharë opinionistë, që derisa e kritikonin pushtetin ishin “OK”;

Kjo është Kosova në shtatëvjetorin e Pavarësisë së saj kombëtare!

Me një PDK të gjithëpushtetshme në tërë pasluftën, tani të heshtur, duke i dhënë vetes rolin e vëzhguesit pasiv (sipas modelit bëje Zo’ llugë) , lidershipi i së cilës paragjykon se qytetarët në mungesë të një alternative vërtet liberale dhe qytetare ka për t’i kërkuar me pishë e me qiri (Sic!) dhe një HTH që po i fërkon duart...

Derisa qeverisjes së tij po ia paguan faturat Isa Mustafa, i cili, nganjëherë, të duket sikur po sillet si viktimë!?

Por jo, qytetarët e Kosovës janë viktimat e njëmendta, ai është vullnetar në azganllëkun e tij!?

Kosova 2015, me një sistem drejtësie më t'lig se Kolumbia e “Karteleve të drogës” e me një shkollë publike, ku nuk banon dija, por ku trashet kriminaliteti i të gjitha ngjyrimeve, që nga injoranca e thellë, përmes korruptimit të mendjes e deri te korrupsioni klasik, që nga prostituimi i dijes e deri te prostitucioni klasik!?

Kosova 2015: Një shtet me flamurin më jetim në rruzull, që nuk ia shpalos askush (e shajnë dhe e pështyjnë shumë nga shtetasit) dhe me himn “ala Bethoven” për të cilin askush s’e lëkund b…!?

Kosova - shtatë vjet e pavarur – që pakkush e konsideron atdhe të kosovarëve, sepse të gjithë ngarendin pas atdheve fiktivë e romantikë të shekullit 19;

Kosova që nuk është ende kosovare dhe qytetare, por turbofolklorike dhe etnonacionaliste.

Kosova 2015: Ky është fatherland-i, i pak njerëzve, që i japin besnikëri, dashuri e lojalitet. Sepse në Kosovë historia, konceptet “etni”, “komb”, “shtet” e “qytetari” interpretohen sipas “Gjeneralisimusit” (E.Hoxha dhe definicioneve të Leninit, Stalinit dhe Maos) dhe ku nuk është krijuar një shoqëri politike, e mbështetur në solidarësi qytetare, por disa grupime tribush që njëra – tjetrës duan t’ia nxjerrin sytë, disa grupe etnike që njëra-tjetrën e cilësojnë “egërsirë.”

Qekjo është Kosova 2015: Në kërkim të etablimit të identitetit të saj kosovar dhe qytetar, në kërkim të një rimëkëmbjeje shpirtërore, emancipuese e Perëndimorizuese…

Sado që disa shqiptarë zemërohen dhe mbesin të fyer kur serbët thonë se “Kosova është krahina jugore e Serbisë”, sado që disa shqiptarë të tjerë ekzaltohen kur shqiptarët thonë se “Kosova është krahina veriore e Shqipërisë” dhe sado që disa shqiptarë “të arkimodës më të re” lumturohen kur turqit thonë se “Kosova është Turqi”, kjo mësymje e ballkanasve mbi Kosovën e ka edhe anën e ndritshme të medaljonit: Po e rrit nacionalizmin civil dhe madje edhe atë etatist në Kosovë!?

Më trishton fakti sesa shumë shqiptarë të Kosovës rrëmbehen pas atdheve mitikë e romantizmave të shekullit 19, duke “e tradhtuar” atdheun e tyre real - shtetin e Kosovës - të cilin më shumë e zënë ngoje ndër festa e zi, e urojnë e ngushëllojnë, e trimërojnë dhe inkurajojnë diplomatë dhe burrështetas të huaj sesa vetë shumica e kosovarëve!?

Shteti është brend, kurse flamuri fotografi - ikonë e tij.
Flamuri kosovar nuk është vetëm simbol që na e përkujton se ç‘ishim dje, por edhe ç‘do të jemi nesër.

Fuqia e tij ikonë duhet të na mbajë bashkë në komb.

Fuqia ikonë e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur. Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit...Nëse në shtet mbretëron drejtësia, demokracia dhe liria, siguria dhe mirëqenia ekonomike, flamuri i atij shteti shfaqet si informata e parë, kuptimplotë, që ngjall respekt për atë subjekt.

Imazhi i një shteti si fotografi, dhe ndjesi asociative krijohet në vetëdijen e njerëzve sapo ta shohin ose ta përmendin atë subjekt (shtetin-komb.)

Mirëpo, për etnonacionalistë nga importi si Boiken Abazi i lëvizjes “Vetëvendosje”, flamuri kosovar është thjesht një leckë. "Flamuri i Kosovës, si çdo flamur shtetëror, nuk është thjesht një dizajn apo një copë lecke. Ai është shumë më shumë se kaq. Është simboli i triumfit të imponimit ndërkombëtar kundër vullnetit të shumicës në Kosovë, simbol i politikanëve të kamur dhe të kalbur të Kosovës, simbol i nënshtrimit të tyre, simbol dhunues për lirinë, simbol shënjues i rrugës që po e çon Kosovën tatëpjetë. Me ndryshimin e kësaj rruge, me heqjen e matrapazëve nga pushteti, do t'i hiqet Kosovës shpejt edhe ky shënjues nënshtrimi ..."
Në anën tjetër eksponenti i madh i kësaj Lëvizjeje, njëherësh zyrtar shteti (prefekt i Prishtinës), Shpend Ahmeti, del të jetë një luftëtar i madh për kauzën e Republikës.

“… sepse ne e duam këtë Republikë më shumë se ju. Ne, qytetarët, e duam këtë Republikë më të pavarur se ju. Sepse kjo Republikë e shpallur me 17 Shkurt mbrohet në fabrika e prodhim, mbrohet në drejtësi e barazi, e mbrohet edhe në mirëqenie sociale. Ashtu do të vazhdojmë edhe ne ta mbrojmë nga ju, nga rrjepësit e zhvatësit që mendoni se me shpifje e tema koti do të na largoni nga temat e rëndësishme”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, studiuesi i nacionalizmit dhe teoricienti identitar, Fatlum Sadiku, thotë: “Dhe askush nuk mund ta pengojë as Shpend Ahmetin, të jetojë në anakronizmin e tij prej nacionalisti të alienuar, por askush s'mund dhe s'duhet ta marrë guximin t'ia ndalojë Halil Matoshit, të besojë çfarë të dojë, çfarë t'ia thotë shpirti e mendja. Historia e Kosovës ka qenë dhe është goxha kundër pikëpamjeve të Matoshit, por fakti se Kosova ia ka dalë të mbijetojë mbi të gjitha këto kundërshti e anakronizma, e bën atë partizan të fortë të atij perit të hollë, që së paku e mban gjallë me diçka Kosovën dhe e ruan nga shpërbërja, që është ndarja e saj”.

Ç'është pra një komb?

"Ajo që ne jemi duke folur këtu nuk është histori akademike, por historia publike dhe mënyra që formon ndjenjën se kush jemi", - thotë Peter Catterall, një lektor i historisë në Universitetin e Londrës dhe themelues e redaktor i revistës National Identity . "Kombi nuk duhet të ngatërrohet me shtetin", - thotë M. Lane Bruner, profesor i komunikimit në Universitetin Georgia State.

"Shteti dhe institucionet e tij janë gjëra konkrete, ndërsa kombi është diçka që është më shumë një fantazi. Jo fantazi e plotë, por një fiction politikisht i rëndësishëm. Pasi njerëzit të besojnë atë, ajo bëhet e vërtetë", - thotë ai.

Dhe shumë shqiptarë turren kur ua përmend kombin kosovar e thonë: “Komb artificial” – i trilluem – pa e kuptuar thelbin e vet nocionit, të gjitha kombet janë artificiale, konstrukte imagjinare politike dhe nuk ka kombe hyjnore me rrënjë të lashta, sepse të gjitha kombet janë relativisht të reja. Kombformimi nis pas Revolucionit Borgjez Francez në Evropë dhe në shekullin 19 në Ballkan, e tek në dekadën e dytë të shekullit 20 te shqiptarët.

Etnonacionalistë të rinj, të paditur dhe kryesisht ata që historinë ua kanë interpretue ideologjikisht vazhdimisht ta kthejnë kundërpyetjen: E ata shqiptarë në Luginë të Preshevës çfarë janë?

A janë serbë!?

E një mijë herë duhet thënë: ata nuk janë serbë, por pakicë etnike shqiptare, sepse shtetin serb, përkatësisht kombësinë serbiane nuk e kanë pranuar vullnetshëm, ngase ndihen të diskriminuar.

Pra shqiptarët atje nuk e kanë pranuar serbizmin, pra qytetarinë serbe, por vetëm ‘serbianizmin’ në dokumente zyrtare.

Në anën tjetër serbët e Kosovës janë kosovarë (ata që i kanë pranuar institucionet e shtetit), sepse janë qytetarë të barabartë në shtetformim, sipas Pakos Ahtisaari që e ka derivuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në anën tjetër, qytetari i Serbisë që i përket etnisë shqiptare nuk është një serb, sepse nuk është subjekt i shtetformimit serb, së këndejmi nuk përmendet në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Serbisë.

Shqiptarët e Kosovës trajtoheshin si pakicë nën Serbinë e Milosheviqit edhe pse sipas Kushtetutës së RSFJ-së (1974) ishin një subjekt i federalizmit jugosllav, andaj edhe iu përligj secesioni – nga shteti amë Serbia - siç shprehet Mark Weller.

Sidoqoftë, urime Pavarësia Kosovë - atdheu i vetëm i kosovarëve – përjetësisht!

Guximtarët, të diturit dhe durimtarët e duan Republikën kur i ka punët keq – se kur i ka punët në dyzen e duan edhe të ligjtë!

Republika u takon qytetarëve të gjallë - lavdia u takon të rënëve!

© KOHA Ditore
 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...