2 Dhjetor 2016 - 08:20 - Halil Matoshi
Etnonacionalistët shqiptarë, duke qenë elementë të folklorizuar deri në bizaritet, po ia tumirin Beogradit zyrtar tezën se shqiptarët në Kosovë nuk janë të aftë të ndërtojnë dhe të mbajnë shtet kredibil.
Dhe këtë po e nënshkruajnë disa kosovarë, duke e rrënuar imazhin e jashtëm të shtetit përmes marrjes së ligjit në dorë…
Po ashtu, historiografia shqiptare e interpretuar ideologjikisht, po qet në pah një brez totalisht inferior, në aspektin e dijes për veten, shtetin (atdheun) dhe rrethin, si dhe për marrëdhëniet me tjetrin/tjetrën dhe normat (ligjin) ndërkombëtare, duke e rrezikuar kështu sovranitetin e shtetit dhe duke e lënduar lirinë e Kosovës.
Së pari, tezën serbe për intencat e lindura agresive tek shqiptarët, kundër rendit dhe ligjit, po e tumir vetë klasa politike e Kosovës, duke qenë e paaftë për të krijuar institucione të qëndrueshme dhe kredibile e të pavarura të drejtësisë (duke përfillur ndarjen e pushteteve), sepse edhe shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës nuk është arritur që të vendoset shteti i së drejtës, përkatësisht nuk është vendosur institucioni i gjyqtarit të pavarur.
Dhe kështu besueshmëria e qytetarëve në institucionet e shtetit ka rënë rrëmbimthi dhe tashmë është në pikën kritike.
Thjesht, në Kosovë është etabluar kultura e mosndëshkimit të krimit.
Dhe pikërisht kjo kulturë mosndëshkimi – së dyti - e ka degraduar drejtësinë në padrejtësi, duke i dekurajuar njerëzit që të bashkëpunojnë me prokurorinë, përkatësisht me hetuesinë (duke i shikuar mekanizmat e drejtësisë si armiqësorë), sidomos në raport me drejtësinë ndërkombëtare, madje në disa raste edhe duke i zbuluar dëshmitarët e mbrojtur, e në disa raste edhe duke i kërcënuar e vrarë ata.
Dhe e treta, korrupsioni endemik është brejtësi më i rrezikshëm i qëndrueshmërisë së institucioneve të shtetit që njëherësh e rrënon edhe legjitimitetin e brendshëm të shtetit, si dhe imazhin e jashtëm, duke e bërë atë që të perceptohet si shtet i dështuar.
Natyrisht që kulmi i sulmit mbi shtetin dhe sigurinë e tij, si dhe kundër kredibilitetit të tij në rrafshin e ligjit ndërkombëtar, ndodhi në Prizren, ku u sulmua nga elementë në dukje folkloriste dhe euforike Konsullata e Republikës së Turqisë.
Natyrisht se ky akt, sipas Kodit Penal të Kosovës, hyn në korpusin e veprave më të rënda të terrorizmit, mirëpo politikanët e Kosovës ngarendën që ta cilësojnë si incident të izoluar dhe që nuk duhet bërë e madhe!?
Mirëpo ky akt është i drejtuar së pari kundër Kosovës dhe dëshmon për një rritje latente të etnonacionalizmit, i cili ende ka elemente folkloristike, porse në të ardhmen mund të jetë rreziku numër një për vetë shtetin kosovar, së këndejmi edhe për rendin ndërkombëtar.
Realisht, përfaqësitë diplomatike, ambasadat dhe godinat konsullore kanë status eksterritorial në Kosovë, pra janë "pjesë integrale" e sovranitetit të shteteve përkatëse të akredituara këtu.
Përfaqësitë diplomatike në asnjë vend në botën moderne nuk i heqin flamujt e tyre shtetërorë nga ndërtesat e tyre dhe nuk i vendosin në hapësirat e jashtme flamujt e shteteve ku janë të akredituara!
Në këtë rast incidenti vërtet edhe mund të jetë i një natyre më pak serioze, sepse motivet duket të jenë bizare (eufori e çastit e personave të dehur apo të ekzaltuar!?), mirëpo këtë sulm duhet shikuar në një kontekst më të gjerë shoqëror në Kosovë.
Tashmë një kohë të gjatë në media shqiptare (sidomos në Kosovë) është duke u krijuar një klimë psikologjike antiturke dhe antiislame, e cila po fabrikon armiq të Kosovës nën idenë e luftës kundër islamit politik (dhe ISIS-it si fashizëm islamik) dhe në ndërkohë që armiqtë e atyre përmasave nuk po shfaqen, atëherë agresioni i nacionalistëve ka për t’u kthyer përbrenda dhe ka për të goditur vetë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
Dhe indikacion për këtë është pikërisht sulmi ndaj Konsullatës turke.
Duke qenë se nacionalistë shakaxhinj, të dehur nga “madhështia” e rendit simbolik shqiptar po nxisin një urrejtje ndaj shtetit turk dhe kombit turk në Kosovë dhe jo vetëm kundër tij, duke e vënë në rrezik kredibilitetin e shtetit kosovar, duhet thënë hapur se kësaj klime i kanë ndihmuar pos disa mediave edhe vetë politika e lartë e Kosovës, e cila në vend se ta mbarojë punën në mënyrë shumë profesionale (në aspektin e sigurisë) ka krijuar shpesh panevojshëm spektakle mediatike të përcjella me retorika të forta, kinse për luftën e saj kundër terrorizmit global.
Dhe rasti i fundit, loja mes Shqipërisë dhe Izraelit në Elbasan Arena, ishte ai që për hesape të politikës mori përmasat e një spektakli, kinse ekstremistët islamikë shqiptarë kishin përgatitur një komplot të përmasave të Lojërave Olimpike të Munihut, 1972, kur terroristët palestinezë morën peng njëmbëdhjetë sportistë të ekipit izraelit, të cilët u ekzekutuan së bashku me një polic gjerman.
Porse as në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk u tha asnjë fjalë për klimën antisemite të krijuar me vite në këto vende!?
Ashiqare, shtetet e dobëta dhe me institucione të brishta duke dashur që operacionet e tyre policore të duken epike, të përmasave që përkojnë me fantashkencën, janë duke e rritur ksenofobinë me urrejtjen ndaj islamit, por edhe ndaj botës arabe dhe ndaj Turqisë, që në realitet, në disa raste në Kosovë – nën petkun fetar - ka nxitur dhe financuar individë e grupe përmes një nacionalizmi panislamist.
Lufta kundër islamit politik dhe përhapjes së nacionalizmit kulturor e politik arab dhe turk në Kosovë nuk bëhet duke e rritur nacionalizmin romantik shqiptar, si evokim të armiqësisë kundër Perandorisë Osmane, që ka pushuar qe 104 vjet, porse me edukim, mirëqenie ekonomike dhe bindje e besim për t’i dhënë shtetit besnikëri, lojalitet…
Turqia moderne (me gjithë problemet e brendshme dhe intencat diktatoriale të Erdoganit) nuk është shtet armiqësor ndaj pavarësisë së Kosovës, madje si aleate e ShBA-së në NATO, shteti turk ka kontribuar në luftën shtatëjavëshe ajrore kundër forcave serbe të sigurisë duke e mbështetur edhe me trupa çlirimin e Kosovës, si dhe duke e njohur ndër shtetet e para pavarësinë kombëtare të Kosovës.
Së këndejmi ata që e kanë sulmuar Konsullatën turke në Prizren e kanë cenuar idenë e lirisë dhe të pavarësisë dhe imazhin e Kosovës, para miqve dhe armiqve!
Në këtë vazhdë, disa kinsepolitikanë e kinsepatriotë shqiptarë të Kosovës, (e të mos flasim për disa kinsehistorianë folkloristë dhe neoenveristë) po i nxisin të rinjtë injorantë e euforikë për të urryer jo vetëm Turqinë dhe turqit, por secilin komb e shtet në botë, që e perceptojnë të ndryshëm nga doktrina etnonacionaliste “e gjakut dhe truallit”, që në thelbin e vet është fashizëm, duke mos ditur çmimin e shtetit sovran dhe duke mos e njohur etimologjinë e fjalës atdhe!
Duke u shndërruar kështu, dashur pa dashur, në armiq të lirisë dhe të vetë Republikës.
Projektet e mëdha etnonacionaliste po marrin primat ndër shqiptarët, duke e parë Republikën
e Kosovës si projekt të imponuar, pra të përkohshëm, gjë që mund ta rrezikojnë pavarësinë kombëtare, përkatësisht ndarjen e Kosovës!
Nga mosdija dhe mungesa e rezonit shtetëror në Kosovë, si bujku ashtu edhe presidenti i vendit mendojnë njësoj për identitetin etnik të shqiptarëve - kur flasin për kombin - që është konstrukt artificial, pra politik, për në bashkësi të imagjinuar njerëzore, si njësi të rritur (cilësi të re në organizimin politik.)
Pra, ata e mendojnë etninë (gjakun e truallin) e flasin për kombin si entitet juridik-politik!
Në epokën e globalizimit, kur identitetet janë plurale, etnonacionalistët shqiptarë u kërkojnë njerëzve të jenë pengje të një identiteti të ngurtë etnik (Amin Malouf e quan vrastar!), ndonëse etnia si kategori shoqërore ka dalë nga historia me krijimin e shtetit-komb.
Ç‘është e vërteta, në nxitjen për të ngarendur pas deklarimeve të forta etnonacionaliste si “Shqipëria Etnike” ose “… e Madhe”, nga shumë shqiptarë, madje edhe disa parti e lëvizje politike, Serbia ka bërë investime të mëdha në inteligjencë e diplomaci, duke i ngrehur para shqiptarëve - në të gjitha epokat – “flamujt e rremë”, e për t’i nxitur ata në kryengritje kundër shtetit të tyre kombëtar: Republikës së Kosovës si subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare!?
Sepse, në një vend ku sulmohen përfaqësitë e huaja diplomatike, atje liria dhe shteti si garant i saj vlerësohen pak, ose vetëdija shtetërore është në pragun më të ulët.
Po t’i dëgjoje disa politikanë kosovarë kur thoshin se duhet dënuar cenimi i Konsullatës turke si një vend mik e partner i Kosovës, e kupton se ata mendojnë se përfaqësitë diplomatike të vendeve jomike ose armiqësore edhe mund të sulmohen!?
Sulmi i çmendur mbi Konsullatën turke në Prizren është sulm mbi tokën dhe shtetin turk!
Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore mbrohen sipas Konventës së Vjenës (1961).
Neni 22: “Shteti nikoqir ka për detyrë të veçantë për të marrë të gjithë hapat e duhur për të mbrojtur objektet e misionit ndaj çdo ndërhyrjeje apo dëmtimi dhe për të parandaluar çdo shqetësim ndaj misionit ose dëmtim të dinjitetit të tij”.
Konventa e Vjenës merret vetëm me diplomacinë tradicionale bilaterale, pra ajo nuk përfshin marrëdhëniet me organizatat e tjera ndërkombëtare dhe misionet e veçanta diplomatike. Kjo konventë ishte e para që bëri kodifikimin e së drejtës zakonore për diplomacinë, si traktat multilateral. Konventa e Vjenës, më konkretisht Konferenca për Marrëdhënie Diplomatike dhe Imunitet (2 deri 14 prill 1961) ishte qasja e vërtetë funksionale ndaj privilegjeve diplomatike dhe imuniteteve. Me këtë duhet kuptuar se ambasada kishte veçori eksterritorialiteti dhe se kreu i misionit diplomatik nëse është në rangun e ambasadorit, është përfaqësues i kreut të shtetit. Privilegji më i rëndësishëm funksional diplomatik që kërkonte përfaqësia e përhershme diplomatike gjithmonë ka qenë paprekshmëria e ndërtesave.
Kjo nënkupton se godinat e misionit diplomatik duhet të jenë të paprekshme nga askush, dhe në këtë nuk duhet të ketë përjashtime.
Imunitet dhe privilegje nga juridiksioni i vendit në të cilin ata janë të pranishëm gëzojnë konsujt e shteteve të huaja ose organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e tyre zyrtarë - në të drejtën ndërkombëtare - njihet si eksterritorialitet që u njihet shteteve të huaja ose organizatave ndërkombëtare si entitete, si dhe dërgatat e tyre, përfaqësitë, trupat e përkohshëm, anijet e luftës, mjediset e misionit, dhe pasuritë e tjera.
Mirëpo këto gjëra nuk mësohen në shkollat kosovare.
Aty mësohen ksenofobia, urrejtja ndaj tjetrit/tjetrës, që perceptohet i ndryshëm - dhe jo obligimet ndaj tyre, ndaj të ndryshmëve!
Kjo është dëshmi se në Kosovë nuk ka dije themelore në logjikën formale.
Pra, edhe elitat mendojnë si turmat dhe japin deklarata të padiferencuara, thjesht idiote!
Me këtë sulm pos që janë cenuar liria dhe kredibiliteti i shtetit, janë lënduar edhe ndjenjat patriotike, sepse patriotizmi shqiptar si motivim për të arritur lirinë kombëtare sot duhet transformuar në patriotizëm kushtetues-ligjor.
Sulmuesit nuk e dinë se i kanë fyer patriotët e mirëfilltë dhe festën e 28 Nëntorit;nuk e dinë se i kanë lënduar Shqipërinë dhe Kosovën!
Atë nuk ua ka thënë askush, as në shkollë, as në media, as në politikën e lartë shtetërore, mbase vetëm u kanë dhënë motivim të mbrapshtë, duke i nxitur në veprime të marra!
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...