Të ndryshohet neni 86

29 Janar 2016 - 08:55 - Halil Matoshi      

Nuk mund të pretendojë askush dhe as Hashim Thaçi që të jetë unifikues nëse zgjidhet në një Kuvend të rrethuar me polici dhe pa opozitën parlamentare. Zgjedhja e tij në krye të shtetit në këtë mënyrë do ta përçante përfundimisht shoqërinë kosovare, do ta zemëronte opozitën dhe nuk do t’i shërbente vendit për të dalë nga kriza, por do ta thellonte atë deri në përplasje… Prandaj, marrëveshja politike për zgjedhje të parakohshme duhet ta përfshijë edhe akordimin e të gjitha subjekteve politike që ta amendamentojnë Kushtetutën për t’i dhënë vendit një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli…

Së fundi opozita parlamentare po jep shenja të ndërtimit të kauzave politike, siç janë zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimi i nenit të Kushtetutës që mundëson zgjedhjen e të parit të shtetit drejtpërdrejt nga populli, pra edhe sinjalin që mundësitë për t’u ulur në tryezën e dialogut me pushtetin nuk janë shterur.

Nëse, ta zëmë, subjektet politike do të kishin vullnet për të dalë nga kriza, ky do të ishte çelësi: Vazhdim për gjashtë muaj i mandatit të presidentes aktuale ose kapërcim i kompetencave të presidentit kryetarit të Kuvendit, po ashtu me marrëveshje politike.
Derisa kërkesa për dorëheqjen e Qeverisë është politike - ngase kjo Qeveri ndonëse legale - ka krizë legjitimiteti, edhe kërkesa për ta zgjedhur presidentin e vendit drejtpërdrejt nga populli është një kërkesë legjitime dhe besohet se do të gjejë mbështetje të gjerë shoqërore.

Ky hap njëherësh do të dëshmonte profilin e vërtetë të grave dhe burrave që e duan shtetin dhe kombin, e që i japin besnikëri Republikës, duke kapërcyer mbi egot dhe duke u dhënë shpresë qytetarëve të këtij vendi se e nesërmja nuk do të jetë për t’u vajtuar.

Zgjedhjet (e parakohshme) janë i vetmi mjet demokratik për t’i dhënë përgjigje secilës krizë institucionale dhe të legjitimitetit politik.
Për të gjetur zgjidhje për krizën që po zgjat që nga zgjedhjet e vitit 2014, pushteti me urgjencë duhet ta thërrasë opozitën në tryezë politike, që së pari të përcaktohet vjeshta e sivjetme si afat optimal për zgjedhjet e parakohshme, me zotimin e të gjitha palëve për njohjen e rezultateve zgjedhore, dhe, së dyti, në Kuvend të nisin procedurat për amendamentimin e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që popullit të Kosovës t’i jepet mundësia për ta zgjedhë një figurë kredibile dhe me integritet për ta përfaqësuar unitetin dhe për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

Nëse tryeza politike do të jepte frytet e para, një pajtim për këto dy çështje, atëherë kosovarët mund të thuhet se po i numërojnë ditët e fundit të krizës institucionale për ta gjetur mundësinë e ecjes drejt progresit shoqëror dhe ekonomik përtej barrikadimeve aktuale.

Çështja e qeverisjes pastaj do të ishte lehtë e zgjidhshme, ndërkohë që palët mund të pajtoheshin për një Qeveri gjithëpërfshirëse (teknike ose të shpëtimit kombëtar), e cila do të kishte mandate të kufizuara për t’iu përgjigjur sfidave të Republikës karshi zotimeve ndërkombëtare, siç janë përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave, ratifikimin e marrëveshjes me Holandën si seli e Gjykatës Speciale, ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, pasi që paraprakisht Komisioni shtetëror të shkarkohej dhe një komision ad hoc me ekspertë ndërkombëtarë të rishikonte tërë procesin, pastaj opozita të pajtohej që të merrte pjesë në hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe konform verdiktit të Gjykatës Kushtetuese…

Mirëpo edhe mbetja e Qeverisë aktuale në detyrë nuk do të paraqiste ndonjë problem për funksionalitetin e shtetit.
Zgjedhjet e parakohshme si mjeti i vetëm legal në demokraci për të kapërcyer krizat besohet se do të shërbenin së pari si ventil për shkarkimin e tensioneve në mes të grupeve të përplasura politike në vend, së dyti, si ritestim i legjitimitetit politik, dhe, së treti, si shans për qytetarët e pakënaqur që të artikulojnë shqetësimet e tyre për gjendjen në vend, duke shfrytëzuar të drejtën e asociimit, pra t’i jepet shans shoqërisë kosovare - që të prodhojë - dhe të votojë ndonjë alternativë të re për vendin.

Zgjedhja e presidentit të shtetit, sipas marrëveshjes mes parterëve të koalicionit qeverisës nën rrethim policor apo nën kanosjen me gaz lotsjellës duket se është opsioni më fatkeq për Kosovën, kështu që tërheqja e Hashim Thaçit nga kandidimi për t’i lëshuar rrugë ndërrimit të modelit të zgjedhjes së presidentit mund t’ia rikthejë atij shansin që të marrë votën popullore në vjeshtë.

Fundja, vetëm një president i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli do t’i jepte asaj/atij fuqi të pakontestueshme dhe kredibilitet që të marrë vendime të pavarura e të rënda për reformimin e kësaj shoqërie, për t’u hapur udhë arsimimit dhe emancipimit shoqëror, demokratizimit dhe perëndimorizimit të shoqërisë kosovare.
Sepse një president si Thaçi, në momentumin aktual, do ta përplaste fort këtë shoqëri edhe ashtu buzë ambisit dhe nuk do t’i jepte zgjidhje krizës aktuale politike.

Përmbushja e plotë e kritereve të Këshillit të Evropës për liberalizimin e vizave (lufta konkrete dhe e matshme antikorrupsion) dhe hyrja e Republikës në “Schengen të bardhë”, ratifikimi i dy marrëveshjeve ndërkombëtare (Holanda dhe demarkimi i kufirit me Malin e Zi) themelimi i Asociacionit dhe heqja e barrierave në Urën e Ibrit, pastaj shpallja e akuzave nga Gjykata Speciale, si dhe situatat potencialisht të rrëshqitshme që mund t’i përcjellin këto procese janë interesa madhore kombëtare të Kosovës dhe përballja me to do ta përcaktojë fatin e lidershipit aktual kosovar.

Tendencat kryeneçe dhe vazhdimi i agonisë besohet se do t’i fundoste përfundimisht liderët aktualë politikë të Kosovës, kurse, heqja dorë nga inatet politike dhe dialogu e kompromisi do t’ua rriste atyre rejtingun në publik, gjithsesi, duke u mundësuar që të hyjnë në zgjedhjet e parakohshme më të fuqishëm dhe do t’i shquante ata, gratë dhe burrat, në dritën e mirëfilltë të shtetndërtimit, sepse interesat meskine dhe partikulare janë të papranueshme dhe si të tilla të ndëshkueshme.
Pra, elitave politike kosovare u duhet një moral i ri, një etikë pushtetit, për ta rikthyer besimin e humbur tek qytetarët e Kosovës.

Duke qenë se aktgjykimi i Kushtetueses për parimet e përgjithshme ka gjetur se ato (23 sosh) nuk janë në përpushmëni të plotë me frymën e Kushtetutës, buron se opozita po del fituese nga përplasja disa muajsh në Kuvend dhe rreth tij, në rrugët e kryeqytetit!?

Nëse e marrim të mirëqenë e të drejtë aktgjykimin e Kushtetueses, ashiqare ai i ka legjitimuar në masë të mirë edhe mjetet jodemokratike të përdorura në protestat opozitare për t’i bërë presion pushtetit që të mos dalë jashtë kornizës kushtetuese.
Prandaj pushteti duhet të reflektojë nisur nga fakti i thjeshtë se ka krizë legjitimiteti dhe se pushteti nuk mund të mbahet me polici.

Bishtërimi i kërkesave politike të opozitës duke përdorur legalitetin si levë, vërtet do ta rrënojë këtë pushtet në mënyrën më të palavdishme, kështu që, sefte kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i LDK-së, duhet të marrë primatin që të ofrojë zgjedhjet në këmbim të stabilitetit të shtetit, përndryshe ai papandehur mund të mbahet përgjegjës për përshkallëzimin e vlimeve aktuale. Në këtë rrafsh shkuarja në zgjedhje të parakohshme (gjatë 2016-s) do të ishte sinjal që kosovarët kanë pjekuri dhe vullnet politik për t’u përballë me sfidat (edhe ato më të pamerituarat!?), sepse pushteti gjithnjë mbahet përgjegjës për çfarëdo lloj fatkeqësie… Dhe, së dyti, këto zgjedhje do të reflektonin edhe në demokratizimin dhe hapjen e vetë subjekteve politike, duke u dhënë shans anëtarëve të tyre për t’i rilegjitimuar drejtuesit ose edhe për t’i ndërruar ata.

Kosovës i duhet një alternativë politike, sepse elitat mendërisht të shpenzuara dhe pa ide, si dhe të korruptuara deri në asht, e kanë humbur edhe minimumin e besimit tek qytetarët, të cilët po e presin shansin që t’u rikthehen mandatet për “rivlerësim.” Natyrisht që do të ketë bllokada dhe kryeneçësi në ruajtjen e privilegjeve, mirëpo, kjo elitë politike duhet ta dijë se mund të përballet me ndonjë finale të pakëndshme e të palavdishme për ta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...