Prokuroria duhet t’i nisë hetimet gjithëpërfshirëse në RTK

26 Gusht 2016 - 08:11 - Halil Matoshi      

Nëse dikush pyet se ç‘është kjo farë çude që po i thonë “kapje e shtetit” apo zapim, le të shkojë deri në transmetuesin publik, RTK, dhe të bëjë një hulumtim sipërfaqësor se kush është i punësuar në këtë televizion dhe në portalin e tij, si dhe në radio. Do të tmerrohet kur të shohë se aty punojnë kryesisht gratë dhe dashnoret e “Vëllazërisë Pronto”, por edhe të shefave të RTK-së, pastaj farefisi dhe klientela e PDK-së. LDK-ja shtihavet në publik se “përgjimet duhet t’i trajtojë drejtësia e jo politika”, kurse hesht për skandalin kur në shtet del se marrin rroga njerëzit pa shkuar kurrë në punë

Përderisa përgjimet e “Klanit Pronto” po nxjerrin në pah anamnezën e kapjes së shtetit, segmente të komprometuara të spiunazhit lokal - të afërta me pushtetin - po duan ta zhvendosin vëmendjen nga problemet thelbësore të vendit për t’u dhënë turmave spektakle për argëtim, e në anën tjetër kanë ngritur “Flamujt e rremë” diverziv të spiunazhit, duke goditur institucionet me granata, për t’u imponuar si destabilizues dhe prishës potencial të paqes në vend, nëse rastësisht Gjykata Speciale nis arrestimin e njerëzve dhe shpalljen e aktakuzave.

Pra destabilizuesit e sotshëm po mësyjnë që të imponohen para faktorit ndërkombëtar si e vetmja forcë stabilizuese nesër.

Natyrisht duke mësyrë një pazar me leverdi me qendrat e vendosjes ndërkombëtare, që eventualisht të negociojnë drejtësinë ndërkombëtare.

Hallakaten në “pallatin e ëndrrave” (pushtetin në Kosovë) nuk e vërejti nënpresidenti amerikan, Joe Biden, i cili, paradoksalisht, po i thoshte Presidentit të vendit, Hashim Thaçi: “Qeveria të vazhdojë ta luftojë pandëshkueshmërinë. Kjo edhe duke parandaluar zyrtarët e akuzuar dhe të dënuar që ta kryejnë punën e tyre në shërbimet publike.”

Ia thoshte këto fjalë epike njeriut më përgjegjës për instalimin e kulturës së mosndëshkimit të krimit, ndërkohë që ia rrihte supet duke e mbuluar me lëvdata se ditë më parë ai kishte vizituar disa gurë varresh me mbishkrime antishqiptare dhe antishtet, të civilëve të vrarë serbë në Kosovë.

Zoti Biden, tek fliste me dy të pandëshkueshmit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit, Veseli, nuk i shkonte ndërmend fakti se kërkesa që të ndëshkohen të pandëshkueshmit ishte absurd, sepse askush nuk ka ndodhur në këtë botë në lëvizje që ta arrestojë dhe ndëshkojë veten, pos ndonjë sadist i vetmuar ose ndonjë sekt satanik në ndonjë qoshe të vajtueshme të botës!?

Ndonëse Nënkryetari Joe Biden ia ka adresuar Qeverisë së vendit - kastës aktuale politike - kritikën më të rëndë që dikush ia ka bërë ndonjëherë dhe kur dihet sy bote se kush janë zyrtarët e shtetit që mbetën të pandëshkuar, ai sikur u dha krahë këtyre zyrtarëve që ta rrahin opozitën e pafuqishme dhe t’i thonë publikut se Amerika po do kështu!?

Ish-ambasadori amerikan, biznesmeni Christofpher Dell, do të duhej t'i informonte shefat e tij në Washington D.C. se kasta politike e Prishtinës e kishte instaluar dhunën politike dhe vjedhjen e votës dhe të taksës. Ai pati thënë më 15 janar 2010: "Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe për të akumuluar pasurinë».

I njëjti person, ambasadori Dell, gjatë zgjedhjeve të vitit 2012 e dha mandatën se ai vetë ishte dëshmitar okular i fabrikimit industrial të votave, ndërsa kjo koniunkturë mbështetet nga Washingtoni zyrtar, përkatësisht mori një thes me lëvdata nga njeriu i dytë i superfuqisë së parë!

Po ky ambasador kishte ndërmjetësuar mes qeveritarëve të Prishtinës dhe konsorciumit “Bechetl-Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Vërmicë, që mban emrin e Ibrahim Rugovës, me gjatësi 78 km. për 1.1 miliardë euro.
Ndërsa autostrada Nish – Merdar, me gjatësi 77 km., sipas kryeministrit serb Vuçiq do të kushtojë 650 milionë euro, dhe gjysmën e këtyre parave do t’i sigurojë BE-ja!

Dhe ju lexues të dashur do të shihni vetë se çfarë bën “Vëllazëria Pronto” me paratë tuaja dhe çfarë bën shteti serioz Serbia me paratë e qytetarëve serbë, sesa tahmaçarë ose zot shtëpie dorështrënguar del të jetë Qeveria serbe në krahasim me Qeverinë bujare karshi nëntokës, të drejtuar nominalisht nga Isa Mustafa!?

Prandaj, po ta informonte drejt e në hollësi Dell atëbotë, administratën e Shteteve të Bashkuara, sot Biden do të fliste me tjetër gjuhë me liderët institucionalë kosovarë.

Përderisa bombat me sahat po shpërthejnë mbi institucionet e shtetit, Presidenti i vendit po ngarend që t’i dënojë verbalisht këto sulme mbi shtetin, duke qenë i sigurt se terroristët kurrë nuk do të kapen, sepse ata mund të zbulohen vetëm nëse bomba u shpërthen në duar!?

Presidenti sikur po flet vetmevete kur po kërkon zbardhjen dhe sjelljen para drejtësisë të kryesve të këtyre akteve destabilizuese që mund të jenë avatarë, por kurrë rugovas!?

Kjo më së miri mund të ilustrohet me një barsoletë të sjellë këtyre ditëve në rrjetet sociale nga një spiritualist i Prishtinës.

E sheh një filozof një njeri tue folë vetmevete edhe i thotë:
- Me kë po flet?
- Me vetveten!
- Ke kujdes - ia kthen filozofi - je tue folë me një njeri të rrezikshëm.

Kjo barsoletë ishte gjëja e parë që më ra ndërmend kur po e lexoja pohimin e mikut Biden për të pandëshkueshmit kosovarë.

Në anën tjetër Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ditën e vizitës së Bidenit në Kosovë kishte publikuar kinse lajmin se protokolli i Bidenit e kishte përzgjedhur Kadri Veselin që ta përcillte atë në aeroportin “Adem Jashari”!?

Lajm më idiot as në Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) gjatë fashizmit të Milosheviqit nuk kisha dëgjuar, disa nga kolegët e RTK-së që dinë ende të skuqen po më thoshin se “lajmi” nuk është i televizionit, po i portalit të RTK-së.

Ndërsa kolegët e pandershëm të transmetuesit publik shtireshin kinse nuk e dinin se protokollin e shtetit se kush kë e përcjell në aeroport nuk "e përzgjedh" mysafiri po shteti mikpritës!

Dhe ata paguhen nga taksat e qytetarëve kosovarë – ata rrenacakë që e kanë leckosur gazetarinë – ata nëse një ditë shteti shkapet, tërë jetën e pastajme do ta kalojnë të turpëruar.
Dhe diqysh për ta forcuar idenë e krisur se Biden kishte “përzgejdhur” Veselin që ta përcillte në aeroport, qysh të nesërmen sjellin titullin shokues për mendjen e kthjelltë njerëzore:

“Mediat në Maqedoni thonë se Biden “e bekoi” Veselin”!

E në realitet bëhej fjalë për përtypjen e “lajmit” të transmetuar një ditë më parë nga televizioni i SHIK-ut, RTK, që tashti po e mbllaçiste ndonjë filial i SHIK-ut në Shkup.

Në ditën që një granatë dore ishte hedhur në ndërtesën e RTK-së, Presidenti i shtetit qante me lot krokodili për lirinë e shprehjes, që po cenohej me sulmin ndaj medias!?

Ndërkohë që absurditeti i shqiptimit të togfjalëshit “liri e shprehjes” qëndron në faktin se HTH dhe stafi drejtues i RTK-së e dinë saktë se ai nuk është një televizion i lirë dhe aty nuk ushtrohet liria e shprehjes.

Së këndejmi drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, dhe Bordi duhet të japin dorëheqje urgjente, pastaj Prokuroria e Shtetit po ashtu duhet t'i nisë hetimet ex oficio në RTK.

Drejtori Shala dhe komplet Bordi i drejtorëve duhet të hetohen për prezantim të rrejshëm të pasqyrave financiare, bartje të pasurisë publike një personi të tretë si dhe keqmenaxhim e vjedhje të buxhetit te shtetit!

Nëse kjo nuk ndodh, Prokuroria e Shtetit do të bëhet hisedare e kapjes së shtetit.

Natyrisht që nuk do të ishte skandal që gruaja e një zyrtari të PDK-së (Sokol Bashotës, kryetar i Klinës) punon në RTK, ndonëse shihet ashiqare ndikimi politik në punësim – skandal qeveritar është se ajo merr rrogë 12 mijë euro në vit pa punuar fare në RTK!

Pra kjo zonjë rri në shtëpi dhe paguhet nga taksat e qytetarëve, vetëm pse është gruaja e një ish-komandanti të UÇK-së dhe tashti zyrtar shteti!?
Kjo çmenduri e përdorimit të zyrave publike për pasurim nuk është vetëm për dorëheqje të Bordit të RTK-së dhe drejtorit - kjo thjesht është për burg, Zoti Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Nëse dikush pyet se ç‘është kjo farë çude që po i thonë ‘kapje e shtetit’ apo zapim, le të shkojë deri në transmetuesin publik, RTK, dhe të bëjë një hulumtim sipërfaqësor se kush është i punësuar në këtë televizion dhe në portalin e tij, si dhe në radio.

Do të tmerrohet kur të sheh se aty punojnë kryesisht gratë dhe dashnoret e “Vëllazërisë Pronto”, por edhe të shefave të RTK-së, pastaj farefisi dhe klientela e PDK-së.

Telenovela e drejtuar nga “Vëllazëria Pronto” tashmë nga ‘galeritë e policisë së EULEX-it që po shfaqet në Insajder, po zhvendoset në RTK dhe po luhet “live’ - si melodramë - nën regjinë e Mentor Shalës.

LDK-ja hesht për këtë, sepse i ka urdhëruar shefi i koalicionit qeverisës, Veseli, që të heshtin, kurse opozita po ashtu hesht për këtë skandal, sepse kanë marrë pak hise nga paraja publike e prodhuesit më të madh të rrenave në vend – ndotësit Nr. 1 të ambientit, para Obiliqit - dhe furdexhinjve më të mëdhenj të parasë publike në Kosovë… 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...